Të rinjtë që shfaqin sjellje devijante, Makasqi: Çdo person ka vlera dhe mund të risocializohet nëse shoqëria beson dhe ndërhyn me kohë

Psikologia dhe kriminologia Dita Makasqi, gjatë podcastit "Shëndeti në rend të parë", e mbështetur nga United Hospital, ka folur gjerësisht për rëndësinë e risocializimit, veçanërisht tek të rinjtë që shfaqin sjellje devijante apo kanë kryer vepra penale në një fazë të hershme të jetës.
Sipas Makasqit përgjatë viteve, shoqëria shpesh ka paragjykuar të rinjtë për veprime të caktuara të bëra në moshë të re, pa marrë parasysh se koha, edukimi dhe mbështetja mund t’i ndryshojnë rrënjësisht.
“Ka raste kur të rinjtë, të cilët janë paragjykuar për vepra të kryera në rini, pas një periudhe dhjetëvjeçare janë kthyer në një pikë që askush nuk do ta kishte imagjinuar", shprehet Makasqi.
Sipas saj, kjo është dëshmi e qartë se një person ka vlera dhe ka potencial për t’u risocializuar, nëse i jepet mundësia e duhur.
Ajo thekson se edhe një person që ka kryer një krim dhe e ka vuajtur dënimin, nuk duhet të mbetet i etiketuar përgjithmonë.
Përkundrazi, siç tha ajo me punë profesionale gjatë periudhës së vuajtjes së dënimit, ai mund të shndërrohet në një individ funksional dhe efektiv për shoqërinë në të ardhmen.
Makasqi vë theks të veçantë tek ndërhyrjet e hershme për të rinjtë që janë në fazën e rritjes dhe që shfaqin shenja të sjelljeve devijante.
Ajo thekson se në Kosovë ka me qindra psikologë – shkollorë dhe klinikë – të cilët janë të përgatitur profesionalisht për të punuar me këtë kategori të rinjsh.
Sipas saj, krijimi i programeve rehabilituese është thelbësor dhe duhet të ndodhë para se situata të përshkallëzohet në forma më të rënda.
Një rol kyç në këtë proces, sipas Makasqit, e kanë familjet.
Ajo thekson se familjet duhet të ndërtojnë një dialog të hapur dhe të vazhdueshëm me fëmijët e tyre dhe të mos i lënë ata të izolohen në “botën e tyre”.
Në ditët e sotme, sipas saj, fëmijët dhe të rinjtë janë tepër të preokupuar me telefonat, aplikacionet dhe përmbajtje të kota, të cilat shpesh i shtyjnë drejt modelimit të sjelljeve devijante.
Për më shumë shikoni podcastin e plotë "Shëndeti në rend të parë":
- YouTube www.youtube.com




















































