Fantazia që i mbron: Si krijojnë fëmijët një botë ku nuk ka vend për brenga

Hero, mbret apo kapiten: Roli i imagjinatës në rritjen e shëndetshme
Në një çast imagjinojnë se janë kapitenë anijesh apo mbretër të mbretërisë më të bukur. Dhe ky univers i krijuar nga fantazia është burimi i lumturisë së tyre.
Fëmijët kanë një perceptim të botës krejt ndryshe nga të rriturit, gjë që, sipas shkencëtarëve, i bën më të qetë, më kreativë dhe më të lumtur.
Një hulumtim i ekspertëve nga Universiteti i Michiganit ka treguar se vogëlushët, falë imagjinatës së gjallë, krijojnë realitete të vogla ku gjithmonë sundon gëzimi. Ata mund të jenë astronautë që udhëtojnë nëpër galaksi, kuzhinierë që shpikin receta magjike, superheronj që shpëtojnë botën - gjithçka është e mundur për ta.
Për shkak të kësaj, energjia e tyre shpenzohet për gjëra pozitive dhe krijuese, ndryshe nga të rriturit që shpesh e harxhojnë mendjen në shqetësime dhe plane për të ardhmen, transmeton Telegrafi.
Nga njëra anë, edhe pse shpikin botën e tyre, ata krijojnë realitete plot fantazi, ndërsa nga ana tjetër jetojnë tërësisht në momentin e tanishëm, pa u lodhur me mendime për nesër, theksohet në raportin e studiuesve, të cilët kanë analizuar sjelljet e fëmijëve të moshës 3 deri në 10 vjeç.
Ekspertët besojnë se kjo fuqi e fantazisë ndihmon në zhvillimin e kreativitetit, shkathtësive sociale dhe gjuhësore, duke i bërë fëmijët më të adaptueshëm dhe më optimistë.
Ata arrijnë që edhe ditën më të zymtë ta ngjyrosin me ngjyra të kthjellëta, sepse në mendjen e tyre gjithmonë ka vend për lojë, humor dhe ëndrra të reja.
Prandaj, prindërit dhe kujdestarët duhet të inkurajojnë lojërat imagjinative, rrëfimet e treguara apo të lexuara, dhe t’u japin fëmijëve hapësirë për të shpikur botën e tyre të vogël, aty ku gjithmonë ka vend për buzëqeshje. /Telegrafi/










































