Të gjithë në këmbë për Ronaldinhon (Video)

Ronaldinho e shpëtoi ekipin e tij Atletico Mineiro në ndeshjen e kampionatit brazilian ndaj Fluminenses duke e kthyer dy herë nga disavantazhi.
Dhe, Ronaldinho këtë e bëri dy herë gjatë ndeshjes me dy gola të jashtëzakonshëm nga gjuajtja e lirë.
Fluminense kaloi në epërsi me golin e Wagner pas 13 minutash lojë. Por, në minutën e dytë të shtesës në pjesën e parë (45+2’) ishte Ronaldinho ai që nga 23.8 metra arriti që të realizojë një gol fenomenal që preku transverzalen dhe përfundoi në rrjetën e portierit kundërshtar, i cili ishte pa gjasa.
Në pjesën e dytë Fluminense sërish kaloi në epërsi me anë të Rhayner (72’), por publikun vendas e gëzoi sërish gjeniu.
Ronaldinho u përkujdes që tani nga 24.2 metra të lë të shtangur portierin rival në panoramën e stadiumit i cili po i gëzohej barazimit.
Edhe pse nuk luan më në Evropë, Ronaldinho duket në formë të lartë dhe ai po bën përpjekjet maksimale që ndoshta të rikthehet në ekipin kombëtar të Brazilit për Botërorin 2014, një iniciativë që do të jetë e vështirë për të. /Telegrafi/


















































