LAJMI I FUNDIT:

Të gjitha “shtetet” e vetëshpallura shqiptare

Të gjitha “shtetet” e vetëshpallura shqiptare

Nga: Bajram Mjeku

1.

Nëntë vjet pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë dhe të nxitur nga serbët, më 17 korrik të vitit 1921, Zyra jugosllave për Shtyp në Prizren, njoftoi krijimin e të ashtuquajturës Republikë e Mirditës. Shef i saj u zgjodh kapidan Marka Gjoni. Serbët zgjodhën mirditorët për të realizuar ëndrrën e vjetër, daljen në Adriatik. E bënë edhe për të dhunuar shtetin shqiptar në sy të Evropës. Akti qe i turpshëm. Ndodhi një vit mbas Kongresit të Lushnjës, kur fisnikët shqiptarë vendosën që shteti i ri të dilte nga koma. Këtë vit Nikolla Pashiq u zgjodh kryeministër i Jugosllavisë së Versajës. Pashiqi i kushtonte kujdes të veçantë përzgjedhjes së ambasadorëve serbë në shtetin shqiptar. Këshillonte ambasadorët e akredituar në Tiranë, që të informohej me urgjencë edhe për detajet më periferike që ndodhnin në Shqipëri. “Republika e Mirditës” qe ideuar ekskluzivisht nga ai dhe akademikët serbë të kohës. Midis tyre ishte edhe shkrimtari shovinist serb, Ivo Andriq. “Derisa Konferenca e Ambasadorëve po zgjidhte çështjen e kufijve të Shqipërisë dhe organizimin e pavarësisë, në gjysmën e vitit 1921, me bajraktarët e Mirditës nënshkruam marrëveshje bashkëpunimi. Ishte paraparë formimi i shtetit të lirë të Mirditës, të cilin do ta mbronin forcat tona ushtarake. I ndjeri Pashiq duke udhëzuar përfaqësuesit tonë për punët në Shqipëri u thoshte: ‘Duam një Shqipëri të dobët dhe gjithmonë të trazuar”, shkruante në Elaboratin e tij për shfarosjen e shqiptarëve, shkrimtari shovinist serb, Ivo Andriq.


E ashtuquajtura Republikë e Mirditës, nuk mbijetoi më shumë se gjashtë muaj. Qeveria shqiptare mori veten. Zgjodhi Ahmet Zogun, komandant të operacioneve ushtarake për krahun lindor dhe Bajram Currin, komandant për krahun perëndimor. Me një ushtri të vogël bëri mrekulli dhe preu avancimin e serbëve drejt territorit shqiptar. Më 14 dhjetor, Zogu i dha fund grushtshtetit dhe u kthye gjithë triumf në Tiranë. Ishte çasti vendimtar kur djali i vendosur i Matit nisi të ngjitej në karrierë. Dhjetë ditë më vonë u zgjodh Ministër i Brendshëm. Një vit më pas Kryeministër. Tre vjet më vonë President i Republikës dhe mbas tre vjetësh Mbret i Shqipërisë.

2.

Për dallim nga aventurat në Shqipëri, aventura të këtilla pati edhe në Kosovë. Shefat e këtyre “shteteve”, nuk kishin ide të zgjerimit nacional. I pari u shpall në dhjetor të vitit 1921. Quhej Zona Neutrale e Junikut. U themelua nga autoriteti i Lidhjes së Kombeve, për shkak të konflikteve të armatosura midis komitëve shqiptarë dhe ushtrisë jugosllave. Zona shtrihej përgjatë kufirit me Shqipërinë. Politika e elementëve të spikatuar kosovarë, e cila ishte lidhur me Komitetin për Çlirim të Kosovës në vitet 1920-’24 ishte e gabuar. Në vend që udhëheqja e Komitetit të krijonte marrëdhënie me shtetin shqiptar, priu drejt konflikteve të vogla.

“Pas disa dështimeve politike dhe të armatosura në dhjetor të vitit 1921 dhe në rebelimin e marsit të vitit 1922, Hasan Prishtina një kundërshtar i vendosur i Ahmet Zogut, mendoi se ishte rasti të hakmerrej kundër tij duke përdorur Zonën Neutrale të Junikut. Në luftë të armatosur midis njerëzve të Ahmet Zogut dhe Hasan Prishtinës u vra Beqir Vokshi, nipi i njërit nga udhëheqësit kryesor të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Sulejman Vokshi, në janar të vitit 1923. Vrasja e Beqir Vokshit ishte vrasje e pastër politike dhe veçse e dëmtoi rëndë çështjen kombëtare. Kjo vrasje përveç që solli elemente të reja të përçarjeve, ndihmoi së tepërmi suprimimin e Zonës Neutrale të Junikut, e cila mund të përdorej në dobi të çështjes kombëtare për të organizuar një lëvizje nacionalçlirimtare në Kosovë”, thotë historiani Kastriot Dervishi.

“Nji telegraf i fortë prej djelmënisë së Kosovës, thotë se i përmenduni patriot Beqir Vokshi, ra dëshmor nga plumbat e çetës së Hasan Prishtinës. Ky lajm i zi vërtetohet edhe nga telegrafet që kan marrë Ministria e Punëve të Brendshme dhe ajo e Luftës prej autoriteteve kompetente të Prefekturës së Kosovës. Vrasja ka nji randësi të posaçme e ata që njofin mirë Kosovën, kanë për t’u çuditë prej këtij guximi të kobshëm e tradhtar kaq të randë që mujti m’u krye pej dorës së Hasan Prishtinës”, shkruante më 31 janar të vitit 1923, gazeta “Populli”, e cila drejtohej nga Bedri Pejani.

Zona Neutrale u përdor si strehë për kryengritësit. Për fat të keq u përdor edhe kundër shtetit të dobët shqiptar. Jo rrallë ndodhën sulme duke i djegur godinat qeveritare të Shqipërisë. Në mesin e kryengritësve që kishin synime të fisme, u infiltruan edhe mercenarë.

Zona Neutrale e Junikut nuk mund të jetonte gjatë. Kufijtë e Shqipërisë përfunduan në vitin 1926 me Traktatin e Firences. Disa historianë të prirë nga cene të mëdha, provuan të ngulitnin idenë se ishte ambasadori shqiptar në Beograd, Ceno Bej Kryeziu i cili nënshkruajti aktin për mbetjen e Zonës Neutrale nën Jugosllavinë e Versajës. Ambasadori nuk kishte kompetenca për të nënshkruar akte të këtilla në emër të shtetit shqiptar. Zona Neutrale u shua në janar të vitit 1923.

3.

Në një Simpozium shkencor i organizuar nga Instituti Albanologjik në tetor të vitit 2014 në Prishtinë, një historian i ri i etur për nam, “mahniti” të pranishmit. Tha se “me të mbaruar Lufta e Parë Botërore në fillim të vitit 1918, ndodhi rishpallja e pavarësisë së Shqipërisë në qytetin jugperëndimor të Kosovës, në Gjakovë”. Sipas tij, Gjakova ishte thënë të jetë kryeqytet i Shqipërisë së rishpallur. “Në dokumentet arkivore britanike flitet se në fillim të vitit 1918 në qytetin e Gjakovës me mbështetjen e Fuqive Qendrore, në rend të parë të Perandorisë Austro-Hungareze, u bë shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë”. Kur autori i këtyre radhëve e pyeti kush ishin personalitetet që rishpallën shtetin shqiptar në Gjakovë dhe a ekzistojnë dokumente që dëshmojnë këtë ngjarje?!, historiani i ri u përgjigj: “Kush dëshiron të dijë më shumë, le të hulumtojë në Arkivin e Vjenës!”.

Shteti tjetër quhej Arbania e Vogël. U themelua nga kryengritësi shqiptar, Azem Galica, në verën e vitit 1923 në Drenicë. Edhe Galica me besnikët e tij qëndroi një kohë në Zonën Neutrale të Junikut. Duket që për themelimin e “shtetit” të tij mund të jetë inspiruar në Junik. Në kuadër të “shtetit” të ri funksionuan njëmbëdhjetë katunde të Drenicës. Para se të shuhej mbetën tri. Shefi i Arbanisë së Vogël u zotua se shtetasit e tij nuk do t’i paguanin taksa Jugosllavisë së Versajës dhe nuk do t’i përgjigjeshin thirrjeve për shërbim ushtarak. Sipas marrëveshjes, shtetasit e tij u zotuan t’i përgjigjen vetëm thirrjeve të Azem Galicës sa herë shfaqej nevoja. Kryengritësi shqiptar ngriti një kullë në vendlindjen e tij në Galicë, që ishte një lloj pallati rezidencial.

Një tjetër “shtet” u shpall menjëherë mbas Luftës së Dytë Botërore. Ndodhi në Marec të Gollakut, dhjetë milje larg kryeqytetit të Kosovës. Shef u vetëshpall Shyt Mareci, një luftëtar i kësaj ane, i cili kishte luftuar kundër serbëve. I përkiste krahut ushtarak të Lëvizjes Nacionaldemokratike Shqiptare. Diskursi i tij politik ishte i njëjtë me Lëvizjen politike që i takonte; për Shqipërinë etnike. Kur nuk u realizua ëndrra e tij, Shyti u barrikadua në vendlindjen e tij në Marec, njëri nga fshatrat më të mëdha në Kosovë dhe kontrolloi këtë zonë deri në shkurt të vitit 1947. Pas një lufte të pabarabartë disaorëshe me partizanët serbë në Meshinë të Kamenicës nuk u dorëzua i gjallë. Në duart e tij plasi dy bomba dhe vdekjen e zgjodhi në mënyrë epike.

/Telegrafi/