LAJMI I FUNDIT:

Taksa 100% ka nxitur kontrabandimin e mallrave me vlera të ulëta

Taksa 100% ka nxitur kontrabandimin e mallrave me vlera të ulëta

Me vendosjen e taksës 100 për qind për mallrat nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, ishte paralajmëruar rreziku se do të mund të rritej kontrabanda me mallra.

Ani pse pjesa më e ndejshme për kontrabandim është veriu i vendit, nuk është parë rritje e lëvizjes së mallrave pa kaluar në pikat doganore.

Zëdhënësi i Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci, thotë se kontrabanda me mallra nuk është në rritje pas vendosjes së taksës, por sipas tij, është nxitur kontrabandimi me mallra me vlera të ulëta, përfshirë ushqimore.


“Nëse i shikojmë statistikat vitin e kaluar dhe këtë vit vërejmë se pak a shumë është e njëjta situatë me raste të kontrabandimit të mallrave. Për këtë arsye, dogana nuk ka vërejt indikacione që ka kontrabandim të shtuar, në masë të madhe të produkteve prej Serbisë, por çfarë kemi vërejt për dallim nga vitet tjera është që tani kontrabandimi nëse dikur më herët është bë me mallrat të cilat kanë akcizë apo taksa më shumë, tani kontrabandimi ka kaluar në mallra me vlera të ulëta, kryesisht mund të jenë edhe gjëra ushqimore”, ka thënë Stavileci, në një intervistë për EO.

Ai thotë se nuk duhet të ndahet Kosova në pjesë se ku mund të kontrabandohet më shumë, por sipas tij, veriu qëndron të jetë edhe problem politik dhe se në tre mujorin e parë të këtij viti, sipas tij, janë shënuar 10 raste të kundërvajtjeve.

“Po, ka raste të kontrabandës, por nuk duhet të ndahet Kosova në pjesë se kah kontrabandohet më shumë. Normalisht ne e kemi atje edhe një problem politik, por sidoqoftë sa i përket kontrabandës ka më shumë raste në pjesën veriore, apo ka më shumë tentime për kontrabandim, mirëpo nuk do të thotë që nuk kemi edhe në pjesë e Dheut të Bardhë, nuk do të thotë që nuk kemi edhe në pjesën e Vërmicës. Kontrabanda vetëm në tre mujorin e parë të këtij viti, krahasuar me vitin e kaluar në pjesën veriore kemi pas 10 kundërvajtje vitin e kaluar dhe 11 kemi pas këtë vit. Pra nuk paraqet ndonjë rritje, por çka ka ndryshuar është tek llojet e produkteve të cilat janë kontrabanduar”, thotë ai.

Që prej katër muajsh, kur vendi ka vendosur taksën, sipas Stavilecit, importi i mallrave serbe dhe boshnjake, ka rënie. Sipas të dhënave të Doganës së Kosovës, ka rreth 900 mijë euro import.

“Nëse marrim një krahasim, nëse para masës mbrojtëse kemi pas import prej 1.2 deri në 1.4 milionë brenda një dite, tani në këta muaj kemi import vetëm 900 mijë euro. Pra, ende nuk është plotësuar asnjë ditë që ka qenë më herët e importit të produkteve të Serbisë dhe të Bosnjës”, tha Stavileci.

Ai tha se me taksë, është vërejtur zhvendosje e importit, nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina me import nga Shqipëria, Italia, Maqedonia dhe Bullgaria.

“Ne kemi pa zhvendosje të importit, se deri sot, dikur disa industri kryesore që kanë qenë, që kanë dominuar tregun e Kosovës, industria ushqimore dhe industria e ndërtimit me produkte të Serbisë dhe Bosnjës, tani kjo ka lëvizë, tani Kosova blen ushqime apo materiale ndërtimore kryesisht nga vendet e tjera. Ne kemi pa lëvizje të importit tek produktet ushqimore duke filluar nga Italia, Shqipëria, Maqedonia dhe Bullgaria, të cilat tentojnë me e zëvendësuar këtë hendekun i cili është kriju pas masës mbrojtëse”, pohoi ai.

Stavileci tha se edhe medikamentet nga Serbia e Bosnja i nënshtrohen taksës prej 100 për qind.

“Të gjitha barnat që importohen prej Serbisë i nënshtrohen taksës. Duhet të kemi parasysh se nuk kemi ndalesë apo embargo ndaj këtij shteti apo Bosnjës, vetëm kemi masë mbrojtëse, që do të thotë se secili produkt, duke përfshirë edhe medikamentet nëse i plotësojnë kushtet ligjore për import mund të importohen kundrejt pagesës prej 100 për qind të tatimit”, tha Stavileci.

Qeveria e Kosovës me 21 nëntor të vitit të kaluar kishte marrë vendim që të rrisë në 100 për qind taksën për mallrat e importuara nga Serbia. Ky vendim kishte nxitur reagime të ashpra të Beogradit por edhe të Bashkimit Evropian. /Telegrafi/