LAJMI I FUNDIT:

​Szunyog: Marrëveshja gjithëpërfshirëse do t’i zgjidhë çështjet e hapura Kosovë-Serbi

​Szunyog: Marrëveshja gjithëpërfshirëse do t’i zgjidhë çështjet e hapura Kosovë-Serbi

Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, ka vizituar sot komunat në jug dhe veri të Mitrovicës, si dhe komunat tjera në veri të vendit, të banuara me popullatë shumicë serbe.

Në vizitën e parë zyrtare jashtë Prishtinës, Szunyog tha se rifillimi i dialogut Kosovë-Serbi ka shënuar mjaft progres, por që sipas tij çështja e asociacionit të komunave me shumicë serbe është temë e hapur për të cilën duhet të flitet në kuadër të marrëveshjes ligjërisht obliguese.

Ai ka takuar udhëheqësit politikë lokalë, ndërsa është njoftuar nga afër edhe me projektet e financuara nga BE-ja dhe Fondi për Zhvillim nëpër këto komuna.


Szunyog, gjatë një konference për media në Mitrovicën Veriore, ka përsëritur se takimi i paraparë për këtë të hënë mes kryeministrit të Kosovës Avdullah Hoti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq dështoi për shkak të COVID-it, por shpreson që sapo të tejkalohet kjo çështje, do të vazhdohen punët e mira në dialogun Kosovë-Serbi.

Lidhur me asociacionin e komunave me shumicë serbe, shefi i Zyrës së BE-së shprehet optimist që në fund të dialogut të arrihet një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht obligative që mund t’i zgjidhin të gjitha çështjet e hapura ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Ai madje tha se asociacioni i komunave me shumicë serbe mund të ndërtohet mbi ato rezultate që janë arritur në të kaluarën në dialogun Kosovë-Serbi.

“Sa i përket çështjes së dytë, nuk më takon mua të flas për dialogun, meqë tani kemi një emisar të ri, Lajçak, i cili është në Bruksel, dhe i cili është i ngarkuar me dialog, fatkeqësisht, është kjo çështja e Covid-it në ekipin e tij, kështu për shkak të kufizimeve dhe karantinës ai nuk do të mund të merret me punë gjatë kësaj jave. Dialogu, që nga rifillimi i tij këtë verë, ka shënuar mjaft progres dhe shpresoj që ky progres të vazhdojë. Kemi pasur disa suksese deri më tani dhe shpresoj që sapo të tejkalohet çështja e Covid-it, atëherë do të vazhdohet me punën e mirë, siç kanë bërë deri më tani. Sa i përket asociacionit, është një temë bisedimi në këtë dialog, dhe të gjithë duhet të pajtohen se BE po e ndërmjetëson dialogun, dhe shpresoj që në fund të ketë një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht obligative që do t’i zgjidhte të gjitha çështjet e hapura në mes Prishtinës dhe Beogradit. Ne kemi një histori të diskutimeve mbi asociacionin më 2013, 2015, dhe mendoj se mund të ndërtojmë mbi ato rezultate që kemi arritur në të kaluarën”, u shpreh Szunyog.

Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomash Szunyog ka folur edhe për urën e Ibrit për çka tha se duhet pajtim mes palës kosovare dhe asaj serbe që të bëhet hapja e urës.
“Sa i përket urës, mendoj se është një ndër arritjet e komunitetit ndërkombëtar dhe Bashkimit Evropian. Më është prezantuar situata më parë, dhe tani që po ecën mbi këtë urë, mendoj se kjo është një zhvillim pozitiv. Natyrisht, se jo çdo gjë ka përfunduar, pas kësaj konference, ne do të diskutojmë me kryetarin në detyrë dhe me zëvendëskryeministrat, që të shohim se çfarë mund të bëjmë. Kjo është diçka që të dyja palët duhet të pajtohen. Ne mund të ndihmojmë, të ndërmjetësojmë, mirëpo duhet të ketë marrëveshje nga të dy palët të cilat janë direkt të përfshira”, tha ai.

Szunyog po ashtu tha se në mandatin e tij do t’i vazhdojë prioritetet e BE-së për edukim të mirë dhe rritje ekonomike. Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë tha se Mitrovica Veriore ka rëndësi të veçantë për BE jo vetëm në kontekstin e dialogut Kosovë-Serbi, por edhe në aspektin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve.

“Dua t’ju siguroj se gjatë mandatit tim do të vazhdoj me prioritetet e Bashkimit Evropian, prioritete si edukim më të mirë për të gjithë, mbështetje për rritje ekonomike, dhe përmirësim të investimeve. Është qenësore që populli të ketë besim në institucione, dhe zhvillimi do të jetë rezultat i punës dhe meritave të tyre. Kjo pjesë e Kosovës ka rëndësi të veçantë për BE-në, jo vetëm në kontekstin e dialogut Prishtinë-Beograd, por edhe në procesin e normalizimit. BE ka bërë investime të mëdha në të kaluarën në veri, dhe kemi filluar t’i shohim rezultatet. Jam krenar të them se kemi alokuar 38.5 milionë euro për projekte socio-ekonomike në veri të Kosovës, në kuadër të programit IPA. Që nga fillimi, veriu ka përfituar edhe mbi 11 milionë euro për projekte nga fondi për zhvillim. Këto mjete janë duke u investuar në infrastrukturë, mbështetje të bizneseve të vogla lokale dhe fermerë, mbështetje për sektorin e OJQ-ve, dhe shpresoj që jeni duke përfituar nga projektet e financuara nga BE, siç është stacioni i ri i autobusëve këtu në Mitrovicën e veriut”, tha shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë.

Nga hera e fundit e vizitës së tij në Kosovë, shefi i Zyrës së BE-së thotë se në Kosovë ka përmirësime të dukshme, megjithatë ka shumë punë për t’u bërë në drejtësi dhe luftimin e krimit të organizuar.

Szunyog gjatë ditës është takuar edhe me përfaqësues të shoqërisë civile, si dhe studentë nga komunat e Mitrovicës së Jugut, Mitrovicës së Veriut, Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit./KP/

Në trend Lajme

Më shumë
Nëse e shihni këtë grua, lajmërojeni policinë - dyshohet për vjedhje

Nëse e shihni këtë grua, lajmërojeni policinë - dyshohet për vjedhje

Kronika e Zezë
Parashikimi i motit për të premten, shi, borë dhe erëra të furishme

Parashikimi i motit për të premten, shi, borë dhe erëra të furishme

Lajme
Dërguti tha se grupi i Osmanit në Guxo është në bisedime për rikthimin në LDK, Meta: Absolutisht e pavërtetë

Dërguti tha se grupi i Osmanit në Guxo është në bisedime për rikthimin në LDK, Meta: Absolutisht e pavërtetë

Lajme
Sllovakia nuk e njeh Kosovën, por do të dërgojë ushtarë në kuadër të KFOR-it

Sllovakia nuk e njeh Kosovën, por do të dërgojë ushtarë në kuadër të KFOR-it

Siguri
Tri organizata bashkojnë forcat për të luftuar keqinformimin gjatë zgjedhjeve në Kosovë

Tri organizata bashkojnë forcat për të luftuar keqinformimin gjatë zgjedhjeve në Kosovë

Lajme
Sekuestrohet një Lamborghini në Prizren, duke e vizituar atë ishte një fëmijë 11 vjeçar

Sekuestrohet një Lamborghini në Prizren, duke e vizituar atë ishte një fëmijë 11 vjeçar

Kronika e Zezë
Kalo në kategori