LAJMI I FUNDIT:

Surgite, mortui! Le të ngrihen të vdekunit!

Surgite, mortui! Le të ngrihen të vdekunit!

Kohët e fundit, shtypi gjerman ka trajtue problemin e nji nazisti 93-vjeçar, Oskar Gruening, “llogaritar” në Auschwitz (1944).

Jehona e kësaj fushate ka përfshi Europën dhe ka arrijtë edhe në SHBA. Në nji artikull-opinion të gazetares Anna Lauerbeck, editore e gazetës “Tagespiegel”, çështja “Gruening” trajtohet për efektin e saj në popullsinë gjermane, për mënyrën si e kaluemja naziste ka afektue opinionin publik gjerman dhe për mundësitë e nji kuptimi ma të mirë të periudhës naziste në Gjermani.


I pandehuni Gruening akuzohet si “…pjesëmarrës” në vrasjen e të paktën 300.000 të internuemësh, shumica hebrenj nga Hungaria. Gjatë vitit 1944, ai dëshmoi zbritjen e kolonave nga treni, hymjen e të internuemëve në kamp, ndamjen e tyne në dy grupe: të fortit për pune të detyrueshme, dhe të paaftit për dënim me vdekje. Ai nuk reagoi. Ai nuk dëshmoi për terrorin që pau me sytë e vet. Ai u mbulue me heshtje të plotë… nga turpi, nga pesha e fajit, nga frika e dënimit.

Gruening ashtë kështu nji tjetër ekzemplar i të ashtuquejtunit fenomen i “banalitetit të së keqes” (siç e përcaktoi Hannah Arendt); krime të përbindshme, masive, jashtë aftësisë sonë me kuptue e spjegue- siç ka qenë rasti “holokaust”- gjatë L2B, të kryeme nga individë mediokër, pa asnji vlerë intelektuale ose morale, elementë robotë që veprojnë simbas urdhënave të dhanun nga nalt, pa pyetë, pa nevojë sqarimi të përmbajtjes së urdhënit, pa dëshirën me parashikue efektin shkatërrimtar të aksionit vrastar…!

Interesimi i popullit gjerman për këtë gjykim u rrit edhe ma shumë, sepse në të gjithë dëshminë e tij Gruening nuk zuni me gojë fjalën “vrasje”, por u shpreh se eliminimi i të internuemëve ka qenë “i rregullt” dhe “i pastër”, nji akt rutinor që konsumoi me precizion 5.000 viktima në ditë”. Vetëm nji ditë ai u prek kur nji roje SS vrau me dru nji fëmij që vajtonte nga uria. Gruening u prek…! Ne spjegimin e tij ai deklaroi: “Mos harroni se ma në fund, kështu veprohej në kampet e përqendrimit…!” Gjyqi kundër Gruening vazhdon ende. Popullsia gjermane reflekton mbi të kaluemen…

Ky gjyq ka nji randësi të posaçme sepse mund të jetë i fundit. Që nga viti 1945 e deri sot kanë kalue 70 vjet. Por dalja e kriminelëve para gjykatave gjermane detyron breznitë tona me rishqyrtue: çfarë na kujtojnë krimet e djeshme, si reagojmë na sot, me qëllim që të mos përsëriten nesër?

Nga reagimi si rrjedhim i së kaluemes varet jeta e jonë politike sot. Nga mësimet e marruna, na përcaktojmë trajektoren e edukimit të fëmijve tonë. Gjermania ka qenë dhe mbetet nji nga vendet ma të kulturueme në botë. Por eksperienca naziste akuzon randë kulturën gjermane dhe na tregon se edhe nji shoqëni mjaft e kulturueme gabon dhe rrëshqet në pellgun e krimit kolektiv. Kultura qe ngren nivelin tonë si qenie njerëzore, kultura që mbjell në zemrat tona idealin e njeriut të lirë e me dinjitet, si epiqendra e gjithë veprimeve dhe qëndrimeve tona, dështon para forcës brute të legjioneve të djallit që përfaqësojnë “kulturën e vdekjes”, siç e shohim sot, sidomos ne Lindjen e Mesme, në qendrën e ish-qytetnimit arab…

Para se emnat, shifrat e tregimet e vuejtjeve tona të së kaluemes të marrin konotacione abstrakte, para se të bahen objekte diskutimesh akademike e mjete propagandash nga “donkishotët” e klasave politike – cilatdo qofshin ato – na duhet të ndërmarrim me vendosmëni të shumanshme – dhe pa sentimentalizmin e njeriut/qytetar, në këtë rast shqiptar – zbulimin e thelbit të karakterit tonë dhe të mentalitetit që kemi formue e që na drejton sot. Na duhet të njohim veten kur themi “unë jam shqiptar!”

Nuk mjafton leximi i tregimeve të vuejtjeve nën regjimin diktatorial – na që kemi përjetue fashizmin italian, nazizmin gjerman dhe komunizmin “internacionalist” (maskë e pansllavizmit agresiv), na jemi ngopë me ushqimin e tyne helmues. Po, e kemi luftue! Po, e kemi përkrahë, e sidomos e kemi pranue me kokë ulun për dekada të gjata. Para nji gjendje të tillë, na detyrohemi moralisht me tregue mirënjohjen tonë për të gjithë ata vëllazën e motra, që gjetën guximin e duhun me luftue për lirinë e vendit gjatë pushtimeve të hueja, dhe për demokraci gjatë dekadave të terrorit komunist. Këta heroj dhe heroina të ditëve tona kanë shpëtue nderin dhe dinjitetin e mbarë kombit tonë!

Ata që morën rrugën e turpit të bashkëpunimit me okupatorin, ose që shërbyen besnikërisht në legjionet vrastare të “diktaturës se proletariatit” duhen përbuzë. Edhe historia e jonë, e nji vendi të vogël, ashtë nji monedhë me dy faqe; bashkë me lavdinë e fitueme duhet të skuqemi nga turpi i çnjerëzimit ku kemi ra në disa epoka. Bashkë me duertrokitjet, na duhet të gjejmë forcën morale me dënue të kaluemen tonë poshtënuese, me dënue të gjithë ata që zbritën kombin tonë në pellgjet e nënshtrimit, e të krimit politik. Duhet dënue krimi, duhet pranue përgjegjësia, e duhet të punojmë drejt rindërtimit moral… ne se duem të pengojmë vdekjen tonë morale, që mund të vijë nga amnezia e plotë e së kaluemes.

Sot, viktimet e terrorit të çdo ngjyre luten: “Mos na harroni!” Sot, kriminelët, ustallarët e ferrit e terrorit komunist kërcënojnë me përsëritje të terrorit, në vend të kërkimit të faljes së krimit të kryem. Nga leximi i procesit të kriminelit nazist Gruening, m’u kujtue spjegimi i komandantit të kampit të përqendrimit komunist në Savër, Lushnjë (emni nuk më kujtohet), pellgu i zi ku humbën jetën qindra e qindra fëmijë, sidomos fëmijë, gra e pleq – të gjithë qytetarë të pafajshëm. Sot, ai jeton i qetë (nëse jeton akoma) aty ka ku ka qenë ma parë, dhe flet, pa pikë turpi e pa bremje ndërgjegje për vuejtjet e torturat e ushtrueme mbi viktimet e kampit: “Ashtu ishte koha…! Na kishim urdher… Ç’të bëja unë?… Të kundërshtonja?”

Ky ashtë kulmi i banalitetit që karakterizoi mediokritetet e pushtetit të terrorit. Dhe “e keqja” zhvillohet “normalisht” deri në masakër kolektive, deri në shfarosje. E pamundura bahet e mundur nga banaliteti i robotëve të indoktrinuem, pa mend, pa zemër në kampet e internimit për të pafajshmit për 45 vjet me radhë të mbyllun në kasolla prej balte, me mure prej kashte…!

Jo, o vëlla katil: mos kundërshto! Zbato me përpikmëni urdhënat e marrun nga nalt, vrit, shndero, rrah me drue, ngordhe me uri, moho shërbimet mjeksore, mos lejo arsimimin e fëmijëve, pengo vizitat familjare, …dhe mos harro “plotësimin e normës” ditore dhe ndëshkimin e të dërmuemit, të lodhunit nga mosha e smundja që nuk plotësojshin “normën”…, në vend që të punosh në nji fermë ose fabrikë ku buka fitohet me djersë e ndershmëni…! Kriminale!

Jo, o vëlla katil: mos kundërshto! Për turpin tand e të kombit qe ti i përket…! Sepse ti, bashkë me kryekriminelët e piramidës shtetnore, jetoni sot jetën e qetë… e jo në kasolle balte. Asgja nuk ngjau në të shkuemen! “E kaluara e kaluar, e shkuar…! Harrojeni, e të fillojmë përsëri…! Dhe ndoshta bëhemi edhe deputetë, edhe ministra, pse jo? Shqiptarë jemi ne… bijtë e kësajë toke…” në vend që të punojshe në ndërtim, në arsim, në shëndetësi, aty ku buka fitohet me djersë e ndershmëni. Groteske!

Sot, kërcënime të fshehta e të hapura u bahen viktimave akoma të frikësueme nga jeta e vështirë për dekada të gjata, viktimave që nuk kanë guximin me kërkue banesat e tyne të sekuestrueme 70 vjet ma parë… Absurde!

E gjithë kjo katrahurë nuk shërohet me fjalë e fjalime. Duhet aksioni! Në vendet evropiane, ku “pastrimi” i kriminelëve ka përfundue me sukses, popullsia e çlirueme ban hapin e dytë, përpjekjen me qetësue ndërgjegjet e trazueme me akte bamirëse, ndihmë për të tjerët: të vorfën, emigrantë, azil politik, mundësi me rifillue nji jetë të re etj. Por shqiptarët që i ka lanë mbrapa zhvillimi i shpejtë europian (e të kënaqun me “supën ideologjike”), për nji rindërtim moral duhet “pastrimi” i shoqënisë nga elementët toksikë të kriminalizuem dhe frika që ata ende shpërndajnë.

“Ligji mbi dosjet dhe lustracionin”, ashtu si u paraqit në Kuvend më 30 prill 2015, nuk duket se synon “pastrimin”, kondita kryesore për nji proces që na qëtëson; nji domosdoshmëni për nji periudhë të re në historinë tonë, dhe hymjen në fazën e dytë të procesit, humanizimin e shoqënisë sonë shqiptare dhe pyetjen: përse ngjau katastrofa e jonë? Me spjegimin e arsyes së katastrofës vjen mirëkuptimi dhe qetësimi i shpirtënve tonë që sot në Shqipëri jetojnë akoma të trazuem.

Ligji i ri i dosjeve për lustracionin nuk e përmbush këtë mision. Me pushtete në duer të caktueme e të akuzueme për frymë absolute, të zhytun në krim e korrupsion, që kontrollojnë jetën publike të vendit, nuk ndërtohet as shteti, as shoqënia civile e pastër shqiptare. Ligji i ri konfirmon sundimin e “personit”, të “titullarit” të nji dikasteri që vendos cili “zyrtar” mund të hetohet e cili jo – pa arsyetim ligjor!- Ky ashtë nji shantazh i turpshëm, i hapun, që do të kthejë “zyrtarët” në sherbëtorë besnikë të “titullarit”…, ashu si janë sot deputetët partiakë të Kuvendit, “kukulla” të kryetarëve të partive përkatëse… e jo të zgjedhun nga populli… individë që shiten e blehen, si dhentë në tregun e fshatit…!

Ashtë patetike me lexue në shtypin shqiptar se Kuvendi i Republikës së Shqipërisë përcaktohet si nji grumullim ku “…gjysma e Kuvendit, në mos më shumë, përbëhet nga njerzë pa asnjë kontribut politik e publik, por janë ca tregtarë, kontrabandistë, biznesmenë që vijnë edhe nga bota e krimit, e kriminelë safi që ende nuk kanë shpërlarë dosjet e tyre dhe nuk dinë ende kë emër të përdorin si zyrtarë, për shkak të llagapeve që mbanin kur trafikonin drogë e prostitucion!” Fatkeqësi kombëtare!

Vitet kalojnë. Shumica e ish-të persekutuemeve kanë vdekë pa i parë “dosjet”. Familjet e tyne vazhdojnë jetën e mjerimit, vorfënisë e harresës nga “bota e re”, jetë që filloi më 1945 dhe vazhdon edhe sot, 70 vjet ma vonë. Shumë nga ata që mbijetojnë nuk kanë as fuqinë e duhun, as aftësinë praktike me imponue hapjen e dosjeve dhe lustracionin e ndershëm, nji kërkesë elementare për shërimin kombëtar.

Kështu, ata janë “të dënuem” me ba nji ekzistencë pa drejtim, pa mjete, pa shpresë për një të ardhme me dinjitet, për vete dhe për femijtë e tyne. Ndërsa ata që “sundojnë”, që drejtojnë institucionet tona shtetnore, shkruente gazetarja Luljeta Progni në “Panorama”…, kanë frikë nga e kaluara, kanë frikë se humbasin pushtetin e trashëguar, kanë frikë se u rrënohen bizneset e ngrituna pa të drejtë mbi asetet kombëtare, kanë frikë nga demokracia, kanë frikë nga e vërteta…!

Sot, edhe unë kam frikën time. Më 30 prill 2015, në rrugët e Durrësit, falangistët profashistë u përpoqën me pengue fushatën elektorale paqësore të kandidatit të opozitës, veprimtari që na kujton Shën Petërsburgun në 1917, Romën e vitit 1922, Nurembergun e viteve 1932-1933. Fashizmi si kult i dhunës qeveritare, pavarësisht nga ngjyra, nuk do të kalojë në Shqipëri. Nuk besoj se do të kenë sukses këto grupe rrugaçësh, që kërkojnë kthimin e së kaluemes diktatoriale. Po ata mund të kenë sukses në përgatitjen e nji tragjedie të re shqiptare!

Atëherë, ndoshta të vdekunit do të ngrihen nga varret – e të shpëtojnë të gjallët që sot kanë vdekë…! /Panorama/