Supremja rrëzon shkarkimin e Besim Kelmendit, e quan vendim të kundërligjshëm

Gjykata Supreme e Kosovës e ka aprovuar si të bazuar ankesën e U.D. Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, duke e anuluar si të kundërligjshëm vendimin e Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) për shkarkimin e tij nga detyra.
Në vendimin e saj, Gjykata Supreme ka theksuar se vendimi KPK.nr.1056/2025, i datës 20 nëntor 2025, është marrë në kundërshtim me ligjin, duke e kthyer lëndën në rishqyrtim dhe rivendosje në KPK.
“Gjykata Supreme e ka aprovuar si të bazuar ankesën e paraqitur nga Besim Kelmend dhe ka anuluar vendimin si të kundërligjshëm”, thuhet në njoftimin zyrtar.
Sipas Gjykatës Supreme, pas vlerësimit të pretendimeve ankimore dhe në mbështetje të nenit 15 të Ligjit për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, është konstatuar se përfundimi juridik i KPK-së nuk është i drejtë.
“Qëndrimi dhe përfundimi juridik i Këshillit Prokurorial të Kosovës nuk është i drejtë dhe i ligjshëm”, vlerëson Gjykata, duke shtuar se vendimi për shkarkim është i përfshirë në “shkelje thelbësore të dispozitave të procedurës” të ligjit përkatës dhe të Kodit të Etikës Profesionale për Prokurorë.
Vendimi për shkarkim ishte bazuar në pretendimet se Kelmendi, përmes deklarimeve në Këshill dhe në media, kishte shprehur qëndrime të njëanshme që, sipas KPK-së, kishin cenuar besimin e publikut në sistemin prokurorial.
Megjithatë, Gjykata Supreme ka konstatuar se këto pretendime nuk janë trajtuar në mënyrë të ligjshme dhe procedurale.
Në arsyetim theksohet se vendimi është “i kundërligjshëm, arbitrar dhe i pa bazë”, duke qenë se është kontradiktor në vetvete dhe i mbështetur në dispozita që “nuk i japin autorizime të veprojë në formën dhe mënyrën se si ka vepruar KPK-ja".
Gjykata gjithashtu ka vlerësuar se e gjithë procedura, duke përfshirë rendin e ditës, votimin, procedimin dhe rihapjen e mbledhjeve, ka qenë e pambështetur në ligj.
“Është procedurë e pa mbështetur në ligj deri te vendimi i atakuar për shkarkim”, thuhet në njoftim.
Me këtë vendim, çështja e Besim Kelmendit kthehet për rishqyrtim në Këshillin Prokurorial të Kosovës, i cili obligohet të veprojë në përputhje me gjetjet dhe udhëzimet e Gjykatës Supreme. /Telegrafi/









































