Protestuesit hodhën objekte të ndryshme mbi automjetin e hapur në të cilin po qëndronte presidenti i Venezuelës, Nicolas Maduro, derisa ai po përshëndeste turmat në shtetin e Bolivar në perëndim të vendit.

Siç shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi, incidenti ka ndodhur të martën në mbrëmje, kur Maduro po përshëndetej me mbështetësit e tij në majë të një xhipi ushtarak në rrethinën e San Felix.


Po sipas medieve të huaja, gjithçka shkoi sipas planit para se një grup i protestuesve të “shpërthente” kordonin policor dhe rrethuan xhipin që po barte Maduron.

Thuhet se ata e thërrisnin atë "bandit", duke e fyer gjithashtu me parulla anti-Maduro, dhe duke hedhur gurë dhe objekte të tjera mbi automjetin e presidentit.

Pasi disa objekte goditën makinën, televizioni shtetëror i Venezuelës kishte ndërprerë transmetimin e drejtpërdrejtë të ngjarjes.

Nuk pati raportime nëse Maduro kishte pësuar ndonjë lëndim, por presidenti është parë duke mbuluar fytyrën e tij me dorë përpara se televizioni shtetëror të ndërpriste transmetimin.

Gjithsesi ka qenë rivali kryesor politik i Maduro, Henrique Capriles, ai që ka postuar pamjet e incidentit në faqen e tij në Twitter. /Telegrafi/