LAJMI I FUNDIT:

Suhareka dhe Rahoveci përfitojnë financim të projekteve infrastrukturore

Suhareka dhe Rahoveci përfitojnë financim të projekteve infrastrukturore

Ministri i Infrastrukturës dhe Transportit, Pal Lekaj, në kuadër të mbështetjes financiare për komunat, priti në takime të ndara kryetarët e komunave të Suharekës dhe Rahovecit, me ç’ rast nënshkroi marrëveshje bashkëpunimi.

Komuna e Suharekës nga mbështetja e MIT-së për vitin 2019, përfiton mbështetje në pesë projekte në vlerë prej 1.063.367 euro.

Kurse ajo Rahovecit përfiton mbështetjen për dy projekte në vlerë prej 220.000 euro për këtë vit, kurse në dy vitet e ardhshme janë paraparë të ndahen edhe 1.280.000 euro për përmbylljen e këtyre projekteve.


Sipas një komunikate të MIT, për Rahovecin, Lekaj kumtoi edhe lajmin për fillimin e punimeve në zgjerimin e rrugës në 4 korsi, nga Rahoveci deri në Xërxë, projekt ky me vlerë rreth 3.5 milionë euro.

Ministri Lekaj deklaroi se komunat në vazhdimësi do ta kenë mbështetjen e nivelit qendror, në këtë rast të MIT-së, kur dihet se mundësitë e tyre janë të vogla për të përballuar projekte që kërkojnë shuma të mëdha financiare për realizimin e tyre.

Dy kryetarët e komunave nënshkruese të marrëveshjeve të bashkëpunimit, konstatuan se kjo ndihmë e MIT-së për komunat është me rëndësi të madhe dhe mbështetje e munguar ndër vite. /Telegrafi/