Dy ndeshje, dy fitore. Ferizaj ka nisur sezonin me ritëm të lartë dhe një unitet shembullor. Kapiteni i tyre Betim Haxhimusa, si zëri i parë në fushë dhe dhomën e zhveshjes, ndan vizionin për një skuadër që nuk kënaqet me pak. 

E nisën me fitore ndaj kampionit në fuqi Dritës dhe më pas triumfuan ndaj Prishtinës së Re. Haxhimusa e vlerëson si fillim pozitiv, por është i vetëdijshëm për sfidat që e presin Ferizajn në vazhdim. 


“Po, kemi punuar shumë gjatë përgatitjeve dhe kemi besuar në potencialin e skuadrës. Këto dy fitore janë rezultat i angazhimit të lojtarëve, stafit dhe mbështetjes së tifozëve tanë”. 

“Është një fillim pozitiv, por jemi të vetëdijshëm që kampionati është i gjatë dhe na presin shumë sfida përpara. Do të vazhdojmë të punojmë me përulësi dhe përkushtim për ta mbajtur këtë ritëm”, ka deklaruar Haxhimusa fillimisht për Telegrafin. 

Ferizaj ishte në mesin e skuadrave më aktive në tregun e transferimeve këtë verë. Haxhimusa tha se lojtarët e rinj janë përshtatur shpejt dhe kanë sjellë cilësi brenda grupit. 

Screenshot 2025 08 26 103654 Foto: Betim Haxhimusa

“Skuadra është komponuar shumë mirë pas transferimeve. Lojtarët e rinj janë përshtatur shpejt dhe kanë sjellë cilësi e konkurrencë brenda grupit. Si kapiten, jam i kënaqur me atmosferën dhe bashkëpunimin që kemi në skuadër, jemi bërë një grup i fortë që synon vetëm fitoret”. 

Edicionin që lamë pas Ferizaj ishte shumë afër që të siguronte daljen në Evropë, kjo ka bërë që Haxhimusa me shokë këtë sezon të jenë më të motivuar për ta bërë realitet. 

“Po, sezonin e kaluar ishim shumë afër, por fatkeqësisht fati nuk ishte në anën tonë në momentet vendimtare. Këtë edicion kemi edhe më shumë motivim dhe besim që ta arrijmë objektivin për të dalë në Evropë. Do të japim maksimumin në çdo ndeshje për ta bërë realitet këtë ëndërr”, u shpreh 33-vjeçari.

Sa i përket objektivave të tij personalë dhe rivalëve të Ferizajt drejt arritjes së objektivave, Haxhimusa dha një përgjigje mjaft diplomatike. 

“Objektivat e mia personale këtë sezon janë që ta ndihmoj Ferizajn të arrijë në Evropë, duke kontribuar me gola dhe paraqitje sa më të mira. Jam i përqendruar te suksesi i skuadrës dhe çdo arritje personale vjen natyrshëm kur ekipi ecën përpara”. 

“Këtë sezon kampionati pritet të jetë shumë interesant dhe konkurrues. Ka disa skuadra që mund t’i konsiderojmë si rivalë në garën për objektivat tona, por nuk dua të përmend emra. Ne jemi të fokusuar te vetja, te loja jonë dhe të ecim hap pas hapi drejt qëllimit”. 

Tifozët shpeshherë llogariten si lojtari i 12-të në fushë dhe pikërisht ata kanë qenë arma më e fortë e Ferizajt sezonin që lamë pas si dhe këtë edicion.

“‘Ujqit’ janë motivi ynë kryesor dhe forca që na shtyn përpara, sidomos në ndeshjet si vendas. Mbështetja e tyre ka qenë e jashtëzakonshme dhe ndihet në çdo moment. Shpresojmë që së bashku, lojtarë, tifozë dhe gjithë qyteti, t’i arrijmë objektivat që i meriton Ferizaj”, përfundoi ai./Telegrafi/

telegrafi sport app