Site icon Telegrafi

Spurs dhe Cavs fitojnë ndeshjet e treta, kthehet Bostoni (Video)

San Antonio Spurs dhe Cleveland Cavaliers janë vetëm një fitore larg për t’u kualifikuar në rrethin e dytë të playoffit.

Spurs mposhtën Memphis Grizzlies në FedexForum Arena ku ekipi nga San Antonio fitoi me rezultat 96-87.

Më i miri ishte padyshim lojtari më i kompletuar në botë, Kawhi Leonard i cili arriti 32 pikë dhe 7 kërcime, që është ndeshja më e mirë për superlojtarin në jetën e tij në playoff. Prej këtyre pikëve ai qëlloi gjashtë treshe nga nëntë tentime.

Te Memphisi provuan Randolph me 20 pikë dhe Barnes me 17 pikë, por nuk ia dolën në fund, pasi çereku i katërt ishte shumë i dobët për vendasit.

Cleveland Cavaliers po ashtu u treguan të sakt në Detroit duke mos lënë hapësirë për befasi dhe duke mposhtur ekipin vendas me rezultat 101-91.

Kyrie Iring shkëlqeu me 26 pikë prej tyre tri treshe, teksa u ndoq nga Kevin Love dhe LeBron James të cilët arritën double-double me nga 20 pikë, e 12 respektivisht 13 kërcime. James shtoi edhe shtatë asiste duke kompletuar një mbrëmje perfekte për të.

Boston Celtics nuk zhgënjeu tifozët e vet duke mposhtur Atlantan falë një super performance të Isaiah Thomas i cili arriti 42 pikë, prej tyre pesë treshe. Provuan Teague dhe Bazemore me nga 23 respektivisht 20 pikë, por në fund vendasit fituan me rezultat 111-103.

Cleveland Cavaliers dhe San Antonio Spurs kanë arritur nga tri fitore dhe u duhet edhe nga një fitore që mund të arrijnë në ndeshjet e ardhshme si mysafir të kundërshtarëve të tyre inferiorë, teksa larg raundit të dytë janë Atlanta dhe Bostoni ku pritet që kjo seri të shkojë ndoshta deri në 7 ndeshje. /Telegrafi/

Exit mobile version