Parashutisti dhe aventurieri i njohur austriak, Felix Baumgartner, ka ndërruar jetë më 17 korrik në Itali, pasi humbi kontrollin gjatë një fluturimi me parashutë dhe u rrëzua pranë një pishine. Ai ishte 56 vjeç.

Shkaqet e sakta të aksidentit tragjik mbeten ende të paqarta, veçanërisht duke pasur parasysh përvojën e jashtëzakonshme të Baumgartner në sportet ekstreme.


Ngjarja ndodhi katër ditë më parë, por ceremonia e varrimit nuk është zhvilluar ende. Mediat austriake raportuan sot detaje të reja mbi hetimet.

Zyra e Prokurorit në Fermo, qyteti ku ndodhi incidenti, nuk e ka lejuar ende kthimin e trupit të Baumgartner-it në Austri, pasi hetimet janë në vijim dhe autopsia nuk është përfunduar.

Aktualisht ekzistojnë dy pista kryesore që po shqyrtohen nga hetuesit:

Atak kardiak gjatë fluturimit – Sipas kësaj teorie, Baumgartner mund të ketë pësuar një atak në zemër në ajër, gjë që e bëri të pamundur shmangien e përplasjes.

Defekt teknik me kamerën – Teoria e dytë sugjeron se kamera e vendosur në parashutë është shkëputur dhe ka rënë në mes të helikës, duke shkaktuar humbjen e kontrollit. Baumgartner thuhet se është përpjekur të shmangte uljen mbi pishinën, ku ndodheshin disa fëmijë.

Të dyja këto versione mbështeten nga dëshmitarët e ngjarjes, por autoritetet ende po punojnë për të përcaktuar të vërtetën. Fjalën e fundit do ta japë autopsia, pas së cilës trupi i Baumgartner pritet të dërgohet në Austri për t’u varrosur. /Telegrafi/

telegrafi sport app