Skriniar synon rikthimin ndaj Kosovës, pavarësisht lëndimit

Mbrojtësi i Fenerbahçes dhe kapiteni i Sllovakisë, Milan Skriniar, po bën përpjekje të mëdha për t’u rikthyer në fushë me kohë për ndeshjen kualifikuese të Kupës së Botës kundër Kosovës, edhe pse ende është duke u rikuperuar nga një lëndim.
Skriniar u lëndua më 19 shkurt në ndeshjen që Fenerbahçe e zhvilloi ndaj Nottingham Forestit në kuadër të play-offit të fazës nokaut të Ligës së Evropës.
Fillimisht u raportua se 31-vjeçari do të mungojë rreth katër javë, ndërsa skenari më optimist ishte rikthimi i tij për derbin ndaj Besiktasit më 5 prill.

Megjithatë, sipas mediave turke, mbrojtësi sllovak dëshiron të jetë në dispozicion të përfaqësueses së tij për përballjen ndaj Kosovës, më 26 mars.
Mediumi turk “Kontra Sport” raporton se Skriniar po ndjek një program intensiv stërvitjeje me qëllim që ta përshpejtojë rikuperimin dhe të jetë gati për ndeshjen e rëndësishme.
Kapiteni i Sllovakisë ka qenë pranë skuadrës së tij, Fenerbahce edhe gjatë periudhës së mungesës, duke e mbështetur ekipin nga stoli në ndeshjet e fundit.

Ndërkohë, edhe Kosova është përballur me një problem të ngjashëm, pasi kapiteni Amir Rrahmani u lëndua në shkurt gjatë ndeshjes së Napolit kundër Romës. /Telegrafi/



















































