LAJMI I FUNDIT:

Skicat e panjohura të Lucian Freudit

Skicat e panjohura të Lucian Freudit

Një vepër e re do të na japë më shumë detaje për njërin prej artistëve më të mëdhenj të shekullit XX, shkruan Dalya Alberge për ditoren The Guardian, transmeton Telegrafi.

Gravurat e papara të Lucian Freudit, që i refuzoi ose i ripunoi, do të botohen për herë të parë si pjesë e një studimi që do të dokumentojë çdo skicë që ai e ka krijuar ndonjëherë.

Këto gravura na japin njohuri të reja për një nga artistët më të respektuar të shekullit XX, duke na zbuluar procesin e tij të të menduarit dhe vëmendjen ndaj detajeve.


Kartolina simpatike e Krishtlindjeve, me tri varka, që mendohet se Freudi e ka bërë si nxënës shkolle, si dhe studimi mbresëlënës i kokës së një gruaje që vendosi të mos e publikonte, janë disa nga punimet që do të shfaqen në studim. “Lucian Freud: Catalogue Raisonné of the Prints”, që do të botohet më 24 maj nga shtëpia Modern Art Press, na tregon se si Freudi – i cili vdiq më 2011 – i ripunoi kompozicionet, se si i fshinte dhe si i rishikonte pjesët që nuk i pëlqenin.

Autori Toby Treves, ish-kurator i koleksioneve të Galerisë “Tate” për artin britanik të shekullit XX, thotë: “Ka disa vepra vërtet të mira për të cilat pyesni se pse ai nuk i botoi kur janë të shkëlqyeshme.”

E veçoi, për shembull, një studim “vërtet të bukur” të një koke, i cili mund të jetë frymëzuar nga Susanna Chancellor – një nga ish-dashnoret e Freudit: “Kjo është veçanërisht e bukur”.

Një skicë e pabotuar më parë e gravurës së langoit të Freudit, Pluto, zbulon se fillimisht e kishte të gjithë trupin e Chancellorit. Ishte i pakënaqur me përbërjen dhe e kishte prerë tabllon, duke e lënë Pluton të flinte në një pjesë të trupit të saj.

Veprat e pabotuara dhe provat që i paraprinë publikimit të veprës “Figura e shtrirë” – përshkrim i artistit të performancës Leigh Bowery – zbulojnë se Freudi kishte luftuar me paraqitjen e kokës, duke e fshirë dhe rivizatuar bashkë me një pjesë të shpatullës, derisa arriti në finale.

Shumë nga këto imazhe ishin në mesin e 140 provave para botimit, të grumbulluara nga mjeshtri i grafikës, Marc Balakjian, i cili vdiq në vitin 2017 e që për shumë vjet kishte punuar ngushtë me Freudin. Në vitin 2019, koleksioni shkoi në Muzeun “Victoria dhe Albert” në Londër që disa prej tyre planifikon t’i ekspozojë gjatë vitit të ardhshëm.

Treves është gjithashtu bashkautor – me Catherine Lampertin – i veprës “Lucian Freud: Catalog Raisonné of the Paintings” që do të botohet vitin e ardhshëm.

Ai i çmon njohuritë e jashtëzakonshme të Balakjianit për ngjyrat dhe syrin kritik për variacionet e toneve: “Ishte mjeshtër i shkëlqyer i shtypit dhe Luciani mësoi shumë prej tij. Pjesa më e madhe e asaj që Luciani ishte në gjendje të bënte me printime më vonë, ishte rezultat i asaj se Marcu ia hapi shumë më shumë mundësi përmes mjeshtërisë së tij teknike. Marcu bënte tetë ose dhjetë printime, secilën me ngjyrë tjetër. Atëherë Freudi e bënte zgjedhjen e ve, duke i lënë nëntë, le të themi që nuk do të botohen … Marc i ruajti ato si referencë dhe, kur vdiq, të gjithat ishin aty.”

Vepra do ta përfshijë një ese që Balakjiani u angazhua ta shkruante për këtë bashkëpunim. I përshkroi sfidat, përfshirë punën në printimet e autoportreteve të Freudit: “E para tablo nuk i pëlqente. Bëri gërvishtje për ta anuluar, përpara se të gdhendej”.

Treves tha: “Një nga gjërat vërtet të jashtëzakonshme është se sa shumë kujdes Luciani kishte për to. Te disa thjesht bëri disa gdhendje në një tablo që mund t’i ketë dhjetëra mijëra. E, megjithatë, syri i tij është aq i mprehtë saqë e shihte çdo dobësi të vogël. Dhe, ka të drejtë. I shikoni përpunimet dhe e kuptoni se pse e bëri këtë”. /Telegrafi