Sivjet, më shumë “brucoshë” në Universitetin e Prishtinës

Numri i studentëve pritet të rritet me vetë kërkesën e njësive akademike të këtij institucioni, pasi nuk është plotësuar numri në afatin e parë.
Përveç Fakultetit të Mjekësisë, degës Mjekësi e përgjithshme, Farmaci dhe Stomatologji, si dhe Fakultetit të Ndërtimtarisë, dega e Arkitekturës, të gjitha fakultetet tjera kanë hapur konkurs për pranimin e studentëve për afatin e dytë. Rektori Ibrahim Gashi ka thënë se kjo është bërë për të plotësuar numrin, transmeton KTV.
Por, Universiteti ka dhe një kërkesë tjetër..., që të rritet numri i të pranuarve, e sidomos të atyre me korrespodencë, me qëllimin që të rritet edhe buxheti i Universitetit.
Mirëpo, ky numër i madh i studentëve, sipas njohësit të çështjeve arsimore, Jonuz Salihaj, nuk do të marrë aspak cilësi gjatë studimeve, sepse nuk ofron kushte cilësore për kaq shumë studentë. Më 10 shator është shpallur konkursi për afatin e dytë për regjistrim, e që do të zgjasë deri më datën 24 shtator.
Me datën 26 dhe 27, varësisht siç i caktojnë fakultetet, do të mbahet provimi pranues, ndërkaq me datën 30 do të shpallen rezultatet.
Sipas rektorit Gashi, deri me datën 4 tetor do të kryhet regjistrimi i studentëve për të filluar viti i ri akademik. /Telegrafi/














































