Ekzistojnë parakushte reale që procesi i regjistrimit të popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave të dështojë në veri të Kosovës – zonë e banuar me shumicë serbe – thonë zyrtarë të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK).
Me vendimin e Qeverisë së vendit, është caktuar që procesi i regjistrimit të nisë më 1 nëntor, në tërë territorin e Kosovës.
Ilir Berisha, zëvendëskryeshef i ASK-së, thotë se situata në veri, e cila muajve të fundit është karakterizuar me tensione dhe trazira, lë pak hapësirë ose fare për të shpresuar se procesi i regjistrimit atje do të mund të realizohet.
Për më shumë, sipas tij, rekomandimet nga Agjencia evropiane e Statistikave – Eurostat, por edhe baza ligjore e Kosovës thonë se regjistrimi i popullsisë nuk realizohet në situata të veçanta, në zonat ku ka trazira në një periudhë jo më pak se gjashtë muaj para regjistrimit.
Sipas Nenit 22 të Ligjit për regjistrimin e popullsisë në Kosovë, “situatat e veçanta” përfshijnë zgjedhjet qendrore, lokale, trazirat sociale dhe faktorët e jashtëm.
Ligji përcakton që “në raste të jashtëzakonshme, data e regjistrimit të rishikohet”.
Në këtë kontekst, Berisha thotë se janë dy alternativa – që procesi i regjistrimit të zbatohet në gjithë Kosovën, përveç veriut, ose që procesi të shtyhet në tërësi për një periudhë tjetër.
“Ekzistojnë gjasat e mëdha që të shtyhet regjistrimi. Një prej arsyeve është situata në katër komunat veriore. Vendimin e merr Qeveria [e Kosovës]. Ne i kemi cekur [arsyet], por nuk i kemi dërguar [ende] në qeveri. E kemi të gatshëm dokumentin, që këto janë çështje që duhet pasur parasysh”, thotë Berisha.
Rreth 50.000 serbë që jetojnë në veri të Kosovës, nuk i njohin institucionet e Prishtinës dhe e shohin Beogradin si kryeqytet të tyrin. Ata janë përplasur shpesh me policinë e Kosovës dhe paqeruajtësit ndërkombëtarë.
Më 24 shtator, në këtë zonë është vrarë një polic kosovar, pasi patrulla me të cilën ka qenë, është sulmuar nga një grup i armatosur.
Mungesë vullneti për pjesëmarrje në regjistrim
Disa qytetarë serbë në veri të Kosovës thonë se situata në këtë pjesë është e rëndë dhe se njerëzit as që mendojnë për procesin e regjistrimit të popullsisë.
Vlladani nga Mitrovica e Veriut thotë se, aktualisht, populli mendon vetëm për vete dhe për të ardhmen e fëmijëve të vet, e jo për regjistrimin.
“Fare nuk mendojmë për këtë temë dhe nuk e di fare se si mund të organizohet. Asgjë për momentin nuk e kam të qartë, ashtu siç nuk e kanë të qartë as 90 për qind e njerëzve këtu”, thotë ai.
Millani, një qytetar tjetër nga Mitrovica e Veriut, thotë se njerëzit në këtë zonë nuk e kanë marrë ende veten nga ngjarjet pranë Zveçanit, ku u vra polici kosovar, ndërsa në shkëmbimin e zjarrit që pasoi, u vranë edhe tre sulmues.
Sipas tij, tash për tash, nuk është koha për regjistrim të popullsisë në mjediset me shumicë serbe.
“Nuk do të pranoja fare për momentin, në këtë situatë, si dhe për shkak të ngjarjeve të përditshme. Nuk e ka merituar as bashkësia ndërkombëtare dhe as administrata në Prishtinë që veriu i Kosovës të jetë pjesë e atij regjistrimi. Por, gjithçka varet nga dialogu ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës [për normalizimin e marrëdhënieve]”, thotë Millani.
Igor Markoviq, drejtor i programeve në organizatën joqeveritare Aktiv, me bazë në Mitrovicë të Veriut, thotë se mungesa e vullnetit të vetë qytetarëve në veri të Kosovës mund të jetë problem serioz për zbatimin e procesit të regjistrimit të popullsisë në katër komunat në zonë: Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan.
“Ekziston mosbesim i madh i qytetarëve të nacionalitetit serb në veri të Kosovës ndaj institucioneve në përgjithësi. Kam frikë se nuk ekzistojnë as kushtet e sigurisë për t’u zbatuar regjistrimi i popullsisë në veri”, thotë Markoviq.
Për më tepër, shton ai, nisja e regjistrimit të popullsisë, më 1 nëntor, është e pamundur “fizikisht dhe administrativisht” në këtë zonë.
“Fizikisht, para së gjithash, nuk është e mundur për shkak të situatës së paqëndrueshme të sigurisë dhe asaj politike në veri. Argumenti i dytë është fakti se njësitë administrative komunale për regjistrimin e popullsisë, ende nuk janë formuar në veri të Kosovës. Dimensioni i dytë, është ai administrativ. Ndonëse janë zgjedhur pozicione të caktuara në komunat në veri, ato ende nuk i kanë kapacitetet e plota burokratike administrative për të ofruar shërbime komunale”, thotë Markoviq.
Ai shton se edhe një faktor, i cili në një mënyrë e pamundëson regjistrimin e popullsisë në veri të Kosovës, është se nuk është plotësuar kushti ligjor, i cili parasheh që gjashtë muaj para fillimit të zbatimit të regjistrimit, të organizohet fushata publike për këtë proces në gjuhën e pakicave.
Qeveria e Kosovës: Regjistrimi nis më 1 nëntor në gjithë territorin e vendit
Zyra e Kryeministrit të Kosovës tha se “vendimi i Qeverisë, i bazuar në Ligjin për regjistrimin e popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave, cakton datën 1 nëntor për fillimin e procesit të regjistrimit”.
“I njëjti vendim parasheh që regjistrimi të bëhet në tërë territorin e Republikës së Kosovës”, thuhet në deklaratë.
Megjithatë, Qeveria nuk specifikoi nëse po shqyrtohet ose jo mundësia e shtyrjes së procesit të regjistrimit.
Procesi i regjistrimit, fillimisht, ishte paraparë të zhvillohej në vitin 2021, por u shty për shkak të pandemisë COVID-19.
Më pas u planifikua për datën 1 shtator, por në fund të muajit gusht, Qeveria e Kosovës vendosi që ta shtynte për dy muaj.
Vendimi për shtyrje, sipas kryeministrit Albin Kurti, u mor për shkak të pamundësisë së ASK-së që t’i planifikonte detajet.
Përgatitjet vazhdojnë
Pavarësisht zhvillimeve, Berisha thotë se ASK-ja është duke i kryer përgatitjet për procesin e regjistrimit edhe në veri të vendit.
Sipas tij, në katër komunat në veri janë krijuar komisionet komunale për regjistrim dhe janë hapur konkurse për regjistrues dhe për mbikëqyrës të procesit.
“Se sa është numri, këtë nuk mund ta them, sepse po ndryshon dita-ditës. Por, ka aplikime, ka të interesuar që të hyjnë në punë si mbikëqyrës dhe si regjistrues”, thotë Berisha.
Ai shton se ASK-ja është përballur edhe me disa sfida të tjera gjatë përgatitjes së procesit të regjistrimit. Fillimisht ka planifikuar që regjistrimi të bëhet përmes pajisjeve digjitale, përkatësisht tabletëve, por, sipas Berishës, operatori ekonomik që ishte obliguar t’i siguronte ato, ka dështuar.
Markoviq, nga organizata Aktiv, thotë se regjistrimi i popullsisë, në rrethana normale, është me dobi për qytetarët e të gjitha komunave në Kosovë, përfshirë edhe ato në veri, për shkak se buxhetet komunale ndahen nga niveli qendror i qeverisjes, në bazë të të dhënave statistikore.
Sipas tij, komunave me shumicë serbe, e sidomos atyre në veri të vendit, në dekadën e fundit u janë ndarë buxhetet komunale nga Qeveria e Kosovës, vetëm në bazë të vlerësimit të numrit të banorëve.
Kjo ka ndodhur për shkak se qytetarët atje e kanë refuzuar procesin e regjistrimit të popullsisë edhe në vitin 2011.
Sipas vjetarit statistikor të Kosovës, i publikuar në fund të shtatorit 2023, Mitrovica e Veriut kishte 11.882 banorë në dhjetor të vitit 2021, Leposaviqi – 12.881 banorë, Zubin Potoku – 6.605 banorë dhe Zveçani – 7.192 banorë. /rel/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumë“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost", babai i Martinit rrëfen mes lotësh bisedën e fundit me të birin
Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht
Plagosja e dyfishtë në Prishtinë, plumbi qëlloi derën e shtëpisë së ish-koordinatorit në dialog
Gjykimi i vëllezërve Vllasaliu në rastin e vrasjes së Bedri Rexhepit, dëgjohet biseda e përgjuar mes të pandehurve
“Ka vdekë një grua nga mbidoza, gjithë natën dëgjohen zhurma”, shtëpitë e pabanuara në kryeqytet strehë e narkomanëve
Nëse e shihni këtë grua, lajmërojeni policinë - dyshohet për vjedhje
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost", babai i Martinit rrëfen mes lotësh bisedën e fundit me të birin
Pas urdhër-arrestit kundër tij, Netanyahu: Ditë e zezë për drejtësinë, nuk e njoh vendimin e gjykatës
"Është budalla, e rrah gruaja", Olta Gixhari flet për Luizin dhe BBVA: Gjysma e publikut ishin me mua, me të s'kam folur as kur kemi bërë filmin bashkë
Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht
Gjykimi i vëllezërve Vllasaliu në rastin e vrasjes së Bedri Rexhepit, dëgjohet biseda e përgjuar mes të pandehurve
Mes lotësh flasin për herë të parë prindërit e Martinit: Nuk duam hakmarrje