Grupe qytetarësh serb u përplasën të premten me Policinë e Kosovës e cila tha se po ndihmonte kryetarët e rinj të tre komunave të banuara me shumicë serbe në veriun e vendit, për të hyrë në zyrat e tyre.
Policia hodhi gaz lotsjellës në hyrje të komunës së Zveçanit për të shpërndarë turmën e cila hodhi shashka dhe gurë mbi pjesëtarët e policisë, ndërsa i vuri flakën të paktën një makine të policisë.
Në një njoftim të Policisë së Kosovës thuhet se pesë pjesëtarë të saj pësuan lëndime, ndërsa katër makina u dëmtuan gjatë përleshjeve.
“Policia e Kosovës (PK), sipas autorizimeve ligjore dhe kushtetuese po ndërmerr veprimet e saja policore në ofrimin e sigurisë, ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike si dhe ndërmarrjen e masave policore me qëllim të parandalimit të të gjitha veprimtarive kriminale që paraqiten në vend.
Sipas detyrës zyrtare, sot Policia e Kosovës është duke asistuar kryetarët e komunave veriore Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, për të ushtruar të drejtën e tyre në punë, në objektet zyrtare të komunave përkatëse”, thuhet në njoftim”.
Sipas Policisë janë dëgjuar edhe të shtëna me armë zjarri./Telegrafi/
Bugajski reagon ndaj Blinkenit për situatën në veri: Mbështetja e SHBA për Vuçiqin po destabilizon rajonin
Janusz Bugajski, bashkëpunëtor i lartë në Fondacionin Jamestown në Washington ka reaguar ndaj Sekretarit amerikan të Shtetit, Anthony Blinken, i cili dënoi ashpër aksionin e Policisë së Kosovës në veri.
Bugajski “refuzimin” e SHBA-së për të “njohur” kryetarët e ri të komunave në veri e ka krahasuar me refuzimin e Trump-it për të mos njohur rezultatin e zgjedhjeve të fundit presidenciale në SHBA.
“Është ekuivalenti i dënimit të certifikimit të Kongresit Amerikan të zgjedhjeve të 2020 dhe legjitimimit të kryengritjes së 6 janarit”.
Ai thotë se mbështetja e SHBA për Vuçiqin po destabilizon rajonin.
“Është koha për të mbështetur një revolucion demokratik në Serbi dhe njohjen e Kosovës nga të gjitha shtetet evropiane”, shkroi Bugajski në Twitter./Telegrafi/
Sindikata dënon sulmet ndaj zyrtarëve policorë, është e brengosur për shëndetin dhe jetën e tyre
Të premten e 26 prillit, Policia e Kosovës, gjatë zbatimit të autorizimeve ligjore dhe kushtetuese, në veri të vendit janë sulmuar me mjete të ndryshme të rrezikshme nga grupe kriminale të organizuara me që rast kanë pësuar lëndime pesë zyrtarë policorë si dhe janë shkaktuar dëme materiale në automjetet e tyre.
Sindikata e Policisë së Kosovës dënon ashpër sulmet ndaj këtyre zyrtarëve policorë.
“Sindikata e Policisë së Kosovës është e brengosur për shëndetin dhe jetën e zyrtarëve policorë të cilët pësuan lëndime e të cilëve ju dëshiron shërim të shpejtë”.
“Sindikata e Policisë së Kosovës është duke i përcjellë me vëmendje të gjitha zhvillimet e fundit duke qenë e brengosur për shëndetin dhe rrezikshmërinë e tyre që kanë gjatë kryerjes së detyrave zyrtare”.
“Prandaj, Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në garantimin e rendit kushtetues, krijimin e një ambienti të qetë dhe të sigurt për të gjithë qytetarët, duke ju përmbajtur me dinjitet vizionit, misionit dhe vlerave të këtij profesioni fisnik”, thuhet në fund të njoftimit./Telegrafi/
Reagon Sveçla pas kritikave nga SHBA-ja: Po inkurajoni Radojçiqin për të sulmuar policët e Kosovës
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka reaguar pas deklaratave kritikuese nga Departamenti Amerikan i Shtetit.
Sipas Sveçlës etiketimi i veprimeve të ligjshme të policisë si “të dhunshme” dhe operacionit të saj si “dhunë”, është “ftesë” për Radojçiqin për të sulmuar policët e Kosovës.
“Cilësimi i veprimeve të ligjshme dhe të civilizuara të Policisë së Kosovës si ‘të dhunshme’ dhe operacionit të saj të zbatimit të ligjit si ‘dhunë’ është një ‘ftesë’ për Milan Radojçiqin e futur në listën e zezë të SHBA-së për të komanduar mashtruesit e tij për të sulmuar policët e Kosovës”, tha Sveçla.
Sveçla tha se keqinterpretimi i realitetit në këtë situatë mund të rezultojë me kosto njerëzore.
“Të gjithë duhet të veprojnë me përgjegjësi. Çdo humbje jete duhet të parandalohet me kujdes maksimal. Zgjedhja e ekuilibruar e fjalëve në këtë situatë është thelbësore”, tha Sveçla.
Më tej, ai ka uruar policinë për profesionalizmin e treguar në mbrojtje të institucioneve të Kosovës.
“Kryetarët e komunave të Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit janë vendosur në zyrat e tyre në objektet komunale. Ata do të vazhdojnë punën e tyre. Urime Policisë së Kosovës për profesionalizmin në mbrojtjen e institucioneve, sundimit të ligjit dhe demokracisë nga grupet e organizuara kriminale”, tha ai.
Reagon edhe KFOR-i: Hyrja e kryetarëve në komunat në veri ka qenë e dhunshme
Misioni i KFOR-it në Kosovë përmes një komunikate për media ka thënë se është duke monituruar nga afër situatën e krijuar në komunat veriore.
KFOR-i në reagimin e bërë për media konsideron se hyrja e kryetarëve të rinj në komuna ka qenë e dhunshme, transmeton Telegrafi.
“KFOR-i është duke monitoruar nga afër situatën në Komunat në veri të Kosovës ku janë shkaktuar një sërë përplasjesh nga hyrja e dhunshme e kryetarëve të sapozgjedhur në ndërtesat e komunave.Kjo është jashtëzakonisht e rrezikshme për procesin e normalizimit dhe rrezikon përshkallëzimin e mëtejshëm të tensioneve” , thuhet në reagim.
Tutje, KFOR-i thotë se “dënon me vendosmëri këto akte të njëanshme dhe u bën thirrje të gjitha palëve që të përmbahen nga dhuna që mund të kërcënojë sigurinë në Kosovë”.
“Koordinimi midis të gjithë aktorëve është thelbësor për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm”, vijon reagimi.
Më tej, në komunikatë thuhet se “Prioriteti i parë i KFOR-it mbetet sigurimi i një mjedisi të sigurt, në përputhje me mandatin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së”.
KFOR thekson se, dialogu dhe diplomacia janë e vetmja rrugë drejt paqes dhe sigurisë së qëndrueshme në Kosovë.
Policia: Situata në veri është qetësuar, njësitet tona reaguan në vetëmbrojtje
Policia e Kosovës ka dhënë një pasqyrim të ngjarjeve të ditës së sotme në komunat e veriut të Kosovës, derisa njofton se tashmë situata është qetësuar.
Përmes një njoftimi Policia thotë se sipas autorizimeve ligjore dhe kushtetuese ka asistuar kryetarët e komunave veriore në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, për të ushtruar të drejtën e tyre në punë, në objektet zyrtare komunale.
“Qëllimi primar i Policisë së Kosovës ka qenë asistimi dhe ofrimi i sigurisë ndaj kryetarëve të komunave, mundësimi i realizmit të drejtave të tyre legjitime në vendin e punës dhe siguria e lëvizjes së lirë të të gjithë personave pa dallim”, thuhet në njoftim, transmeton Telegrafi.
Sipas tyre një numër i konsiderueshëm i qytetarëve ishin tubuar pranë objekteve komunale, me qëllim të pengimit dhe moslejimit të hyrjes së zyrtarëve në objektet e komunave.
Policia e Kosovës thotë se duke e njohur të drejtën e qytetarëve për të protestuar e shprehur pakënaqësitë e tyre në formë të drejtë, paqësore e të ligjshme, ka komunikuar disa herë me të njëjtit dhe ka kërkuar lirimin e hyrjes në objekte, lejimin e hyrjes së kryetarëve në vendet e punës, e të mos cenojnë të drejtat legjitime të tyre.
“Kërkesat e ligjshme të zyrtarëve policorë nuk janë përfillur, persona të caktuar brenda turmës në Zveqan kanë shfaqur dhunë, kanë hedhur mjete të ndryshme të forta dhe shok bomba në drejtim të Policisë dhe automjeteve zyrtare”.
“Me qëllim të parandalimit të rrezikut të drejtpërdrejtë të shfaqur ndaj jetës së zyrtarëve policorë, njësitet policore relevante në vetëmbrojtje ishin detyruar të reagojnë me mjetet e tyre të ligjshme, përfshirë gazin lotsjellës për shpërndarje të turmës, dhe për t’ua mundësuar hyrjen kryetarëve në objekte komunale”.
Si pasojë e sulmeve pesë zyrtarë policorë kanë pësuar lëndime të lehta trupore, janë dëmtuar katër automjete zyrtare, njërës prej tyre iu ishte vënë zjarri duke u dëmtuar në tersi, janë dëmtuar disa vetura civile përfshirë të gazetarëve, si dhe tri vetura të EULEX-it.
Sipas Policisë individë apo grupe të caktuara kriminale, përveç sulmeve ndaj zyrtarëve dhe mjeteve, kanë tentuar të bllokojnë rrugë të ndryshme me zhavorr, gurë dhe mjete të rënda transportuese.
Policia e Kosovës me qëllim të sigurimit të lëvizjes së lirë të njerëzve dhe mallrave, ka marrë masa për largimin e tyre dhe pastrimin e rrugëve në bashkëpunim dhe koordinim me autoritetet kompetente.
Mjetet transportuese janë larguar, rrugët janë të lira për qarkullim, përderisa Policia e Kosovës ka angazhuar njësitet e saja për hetime dhe veprime të mëtejme policore.
“Situata tani është qetësuar, Policia e Kosovës do të vazhdoj angazhimin dhe përkushtimin e saj në ofrimin e sigurisë ndaj të gjithë qytetarëve pa dallim, ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike si dhe ndërmarrjen e masave policore me qëllim të parandalimit të të gjitha veprimtarive kriminale që mund të paraqiten në vend”, thuhet tutje në njoftimin e Policisë së Kosovës./Telegrafi/
Berisha: Tensione të forta në veri të Kosovës, ndërkombëtarët të ndërmarrin hapat e duhur
Ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha ka komentuar zhvillimet e fundit në veri të Kosovës.
Berisha ka dënuar manipulimin e pandërprerë të Beogradit me serbët në veri të Kosovës, si dhe ka mbështetur të drejtën e autoriteteve kosovare, transmeton Telegrafi.
“Tensione të forta në Veri të Kosovës.Të dashur miq, fillimi detyrës të kryekomunarëve të rinj në komunat e Veriut të Kosovës solli reagimin nga serbomadhi Vuçiç, manipulimin e grupeve serbe në këto komuna dhe rritjen e fortë të tensioneve lokale”.
Tutje, Berisha ka ftuar ndërkombëtarët të ndërmarrin hapat e duhur për çtensionimin e situatës, rivendosjen e dialogut dhe zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, si interesi më i mirë i Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj, paqes dhe stabilitetit në rajon.
“Duke dënuar manipulimin e pandërprerë të Beogradit me serbët në veri të Kosovës dhe duke mbështetur të drejtën e autoriteteve të Kosovës për të vendosur ligjin në të gjithë territorin e vendit të tyre, ju bejë thirrje këtyre autoriteteve të shmangin rritjen e tensioneve dhe në bashkëpunim dhe bashkërendim me KFOR-in dhe partnerët kryesor NATO-n, Bashkimin Europian dhe SHBA, të ndërmarrin hapat e duhura për çtensionimin e situatës, rivendosjen e dialogut dhe zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, si interesi më i mirë i Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj, paqes dhe stabilitetit në rajon”.
Për zhvillimet e fundit në veri ka pasur reagime të shumta nga ndërkombëtarët, të cilët kanë bërë thirrje që të mos përshkallëzohet situata. /Telegrafi/
Deputetja britanike: Ndaluni së sulmuari zyrtarët e zgjedhur në mënyrë demokratike, ata duhet të vendosen në zyrat e tyre në veri
Kryetarja e Komisionit për Politikë të Jashtme në Parlamentin britanik, Alicia Kearns ka komentuar zhvillimet e fundit në Kosovë.
Përmes një statusi në Twitter, ajo ka kritikuar ndërkombëtarët në lidhje me deklaratat e tyre kundër veprimeve të qeverisë së Kosovës në veri.
“Aktorët ndërkombëtarë duhet të ndalojnë së sulmuari zyrtarët e zgjedhur në mënyrë demokratike që të vendosen në zyrat e tyre në veri të Kosovës”.
“Për më tepër kur ata qëndrojnë të heshtur përballë militantëve e mbështetur dhe të armatosur serb, të cilët vazhdojnë të minojnë stabilitetin në veri të Kosovës”, ka shkruar tutje Kearns.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës dënuan të premten ashpër veprimet e Qeverisë së Kosovës “për të hyrë me forcë në ndërtesat e komunave në veri të Kosovës”.
Me anë të një deklarate, Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken u shpreh se kjo qeveri i ndërmori këto veprime në kundërshtim me këshillat e Shteteve të Bashkuara dhe partnerëve evropianë të Kosovës.
Edhe Bashkimi Evropian dënoi ashpër përplasjet në veriun e Kosovës “të iniciuara nga përpjekja e kryetarëve të sapozgjedhur të komunave për të hyrë në ndërtesat komunale”.
BE-ja ritheksoi se zgjedhjet e fundit të pjesshme në veriun e Kosovës nuk ofrojnë zgjidhje politike afatgjatë dhe se një zgjidhje e tillë mund të gjendet vetëm përmes një dialogu real ndërmjet të gjitha palëve të interesit, që përfshijnë Kosovën, Serbinë dhe komunitetin serb të Kosovës, nën lehtësimin e Bashkimit Evropian./Telegrafi/
Kurti pret komandantin e KFOR-it: Objektet e komunës janë pronë e Republikës
Kryeministri Kurti Albin Kurti i ka thënë të premten komandantit të KFOR-it, Angelo Michele Ristuccia se kryetarët e komunave, të zgjedhur nga zgjedhjet e lira dhe demokratike, duhet t’i ushtrojnë detyrat dhe përgjegjësitë e tyre, për të ofruar shërbime publike cilësore për të gjithë qytetarët, pa pengesa.
Siç njofton Zyra e Kryeministrit, Kurti ka theksuar se “objektet e komunës janë pronë e Republikës”.
Gjithashtu, kryeministri Kurti e njoftoi komandantin Ristuccia se Policia e Kosovës është angazhuar që sipas detyrës zyrtare t’ua mundësojë këtyre kryetarëve hyrjen në vendin e tyre të punës prej nga ata duhet dhe do t’ju shërbejnë të gjithë qytetarëve pa dallim e pa diskriminim.
“Liria e lëvizjes, sundimi i ligjit, siguria dhe mbrojtja, për të gjithë qytetarët, pa dallim bindjeve politike a prejardhjes, përkatësisë etnike apo fetare, në Republikën e Kosovës është prioritet dhe interes i të gjithëve. Institucionet e sigurisë duhet të bashkëpunojnë që të garantojnë një ambient të sigurt e të qetë për të gjithë”, thuhet në njoftim.
Dalipi: Nëse ruajtja e ‘stabilitokracisë’ do të thotë mbyllje e syve ndaj sulmeve të orkestruara, atëherë jo faleminderit
Shefi i stafit të kryeministrit Albin Kurti, Luan Dalipi, ka reaguar në lidhje me kritikat e partnerëve ndërkombëtarë në lidhje me ngjarjet e ditës së sotme në komunat e veriut.
Dalipi në Twitter ka shkruar se nuk ka alternativë për ruajtjen e shtetit ligjor dhe demokracisë.
“Nëse ruajtja e ‘stabilitokracisë’ do të thotë mbyllje e syve ndaj sulmeve të orkestruara kundër institucioneve tona nga një grusht kriminelësh dhe huliganësh të paguar nga Beogradi dhe në listën e zezë të Thesarit në SHBA, atëherë jo faleminderit”, ka shkruar tutje Dalipi.
Ai thotë se Vuçiq po përdor taktikat e viteve ’90 të Millosheviçit për nxitjen e dhunës dhe urrejtjes, duke orkestruar një tjetër dhunë në veri të Kosovës.
“Kjo është për të larguar vëmendjen nga problemet në vendin e tij Serbinë”, ka vijuar Dalipi./Telegrafi/
Krasniqi takon tre kryetarët në veri: Komunat do t’i kthehen normalitetit të munguar
Ministri i Administrimit dhe Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi ka takuar sot tre kryetarët e rinj, kryetarin e Komunës së Zveçanit, Ilir Peci, kryetarin e Komunës së Leposaviqit, Lulzim Hetemi dhe kryetarin e Komunës së Zubin Potokut, Izmir Zeqiri.
Krasniqi ka shkruar se tre kryetarët do të jenë në shërbim të qytetarëve për t’i përmbushur detyrat e tyre kushtetuese dhe ligjore.
“Pas ceremonisë së betimit, jam pritur në takim nga tre Kryetarët e rinj, Kryetari i Komunës së Zveçanit, z. Ilir Peci, Kryetari i Komunës së Leposaviqit, z. Lulzim Hetemi dhe Kryetari i Komunës së Zubin Potokut, z. Izmir Zeqiri të cilët do të jenë në shërbim të qytetarëve për ti përmbushur detyrat e tyre kushtetuese dhe ligjore”, ka pohuar ai.
Krasnqi ka shtuar tutje se, qytetarët kanë nevojë për ofrimin e shërbimeve dhe Kryetarë të cilët përkujdeset për mirëqenien e tyre socio-ekonomike.
“Stabiliteti dhe siguria janë bazë për zhvillim dhe progres, përmes bashkëpunimit pa dallime etnike dhe gjuhësore këto Komuna do t’i kthehen normalitetit të munguar”. /Telegrafi/
Blinken: Dënojmë fuqishëm veprimet e Qeverisë së Kosovës që po përshkallëzojnë tensionet në veri
Sekretari amerikan i Shtetit, Anthony Blinken, ka dënuar ashpër aksionin e Policisë së Kosovës në veri.
Në një reagim në Twitter Blinken i ka bërë thirrje Kurtit të ndalojë menjëherë këto veprime që ai i ka quajtur “masa të dhunshme” dhe të ripërqendrohet në dialog.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken u shpreh se kjo qeveri i ndërmori këto veprime në kundërshtim me këshillat e Shteteve të Bashkuara dhe partnerëve evropianë të Kosovës.
“Dënojmë fuqishëm veprimet e Qeverisë së Kosovës që po përshkallëzojnë tensionet në veri dhe po shtojnë jostabilitetin. I bëjmë thirrje kryeministrit Albin Kurti të ndalojë menjëherë këto masa të dhunshme dhe të ripërqendrohet në Dialogun e lehtësuar nga BE”.
Rama: Kjo që po ndodh në Kosovë, nuk e sjell njohjen nga Serbia
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka reaguar pas zhvillimeve të fundit në komunat veriore të Kosovës.
Rama ka thënë se zhvillimet e fundit nuk e ndihmojnë Kosovën në proceset ku janë angazhuar miqtë e mëdhenj, transmeton Telegrafi.
“A e ndihmon kjo që po ndodh në Kosovë procesin ku janë angazhuar të tërë miqtë e mëdhenj të Kosovës e të shqiptarëve, për normalizim dhe njohje të ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë?! Me siguri jo përderisa vetë miqtë tanë më të mëdhenj shprehen thellësisht të shqetësuar”, thotë kryeministri Rama.
Tutje, ai ka shkruar “Unë bashkohem me ta në apelin për të mos ecur më tej në këtë shteg jo vetëm të rrezikshëm, po edhe krejt të panevojshëm sot, kur bota demokratike e ka vendosur në qendër të vëmendjes dialogun, normalizimin, njohjen e ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë”. /Telegrafi/
PDK e shqetësuar thellë për tensionet në komunat veriore, kërkon nga Qeveria koordinim me ndërkombëtarët
PDK e shqetësuar thellë për tensionet në komunat veriore, kërkon nga Qeveria koordinim me ndërkombëtarët
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka shprehur shqetësim të thellë për tensionet e sotme në komunat e pjesës veriore të Kosovës, duke dënuar tendencën për dhunë nga grupe të dirixhuara nga Serbia.
“Në këtë moment, të vetëdijshëm se përshkallëzimi i situatës nuk i sjellë asnjë dobi Kosovës, bëjmë thirrje për përmbajtje, rend dhe qetësi, për t’i lënë hapësirë respektimit dhe zbatimit të vullnetit të qytetarëve”, thuhet në reagimin e PDK-së.
“Ftojmë qeverinë që ta vlerësojë situatën e sigurisë dhe veprimet t’i ndërmarr në koordinim edhe me partnerët ndërkombëtarë”, vijon tutje reagimi.
Ndryshe, Policia e Kosovës përdori gazin lotsjellës dhe shok-bombat për t’i shpërndarë qytetarët e tubuar rreth objekteve komunale.
Paraprakisht, Policia njoftoi se po asistonte kryetarët e rinj për të hyrë në objektet zyrtare të komunave përkatëse.
Në një njoftim të Policisë së Kosovës thuhet se pesë pjesëtarë të saj pësuan lëndime, ndërsa katër makina u dëmtuan gjatë përleshjeve./Telegrafi/
UNMIK u bën thirrje të gjitha palëve që të përmbahen nga veprimet përshkallëzuese në veri
Shefja e UNMIK-ut Caroline Ziadeh ka thënë se është duke i përcjellë me shqetësim zhvillimet e fundit në veri të vendit.
Ziadeh ka thënë tutje se zgjidhja e kësaj duhet të bëhet përmes dialogut Kosovë-Serbi.
“Përfaqësuesja Speciale e Sekretarit të Përgjithshëm Ziadeh po ndjek me shqetësimin më të madh situatën në zhvillim në veri të Kosovës. Ajo u bën thirrje të gjithëve që të përmbahen nga veprimet e mëtejshme përshkallëzuese dhe të ndërmarrin hapa urgjentë për të rivendosur qetësinë. Ajo thekson nevojën për të gjetur një zgjidhje brenda kuadrit të Dialogut të lehtësuar nga BE”, thuhet në reagimin e UNMIK.
Sveçla: Përgëzoj Policinë për profesionalizmin e treguar në ballafaqimin me grupe të organizuara kriminale
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka reaguar pas zhvillimeve të fundit në veri, ku mbetën të lënduar pesë policë si dhe u dëmtuan katër vetura zyrtare.
Ministri ka thënë se kryetarët e katër komunave veriore do të vazhdojnë mandatin e tyre duke qenë në shërbim të të gjithë qytetarëve pa dallim.
Gjithashtu, ai ka përgëzuar Policinë e Kosovës për profesionalizimin e treguar.
“Pas ceremonive të djeshme të betimit të Kryetarëve të komunave veriore, kryetarët e komunave Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq sot janë vendosur në zyret e tyre në objektet komunale. Ata do të vazhdojnë mandatin e tyre duke qenë në shërbim të të gjithë qytetarëve pa dallim.
Përgëzoj Policinë e Kosovës për profesionalizmin e treguar në ballafaqimin me grupe të organizuara kriminale, që kishin për qëllim pengimin e këtij procesi. 5 pjesëtarë të policisë janë lënduar nga sulmet e këtyre grupeve por që fatmirësisht lëndimet janë të lehta, ata ndihen mirë dhe janë në detyrë”, theksoi ai në postimin në Facebook.
Komandanti i KFOR-it i shkon në zyrë Kurtit
Komandanti i KFOR-it, Angelo Michele Ristuccia, i ka shkuar në zyrë kryeministrit Albin Kurti të premten, pas tensioneve në veri.
Ristuccia është parë duke hyrë në ndërtesën e Qeverisë rreth orës 17:00.
Ndryshe, Policia e Kosovës përdori gazin lotsjellës dhe shok-bombat për t’i shpërndarë qytetarët e tubuar rreth objekteve komunale.
Paraprakisht, Policia njoftoi se po asistonte kryetarët e rinj për të hyrë në objektet zyrtare të komunave përkatëse.
Në një njoftim të Policisë së Kosovës thuhet se pesë pjesëtarë të saj pësuan lëndime, ndërsa katër makina u dëmtuan gjatë përleshjeve./Telegrafi/
Senatori amerikan, Murhpy: Kurti të ndalë menjëherë provokimet në veri
Senatori amerikan, Chris Murphy, ka reaguar pas zhvillimeve të fundit në veri, duke thënë se është zënë në befasi nga reagimet e institucioneve kosovare.
Në reagimin e bërë në Twitter, Murphy shkruan se kryeministri Albin Kurti duhet t’i ndal provokimet menjëherë.
“Në takimin tim të hënën në Prishtinë me kryeministrin Kurti, ai nuk përmendi ndonjë plan për qasje në ndërtesat komunale. Si mik i Kosovës jam zënë totalisht në befasi dhe duhet t’i japë fund këtij provokimi menjëherë”.
Murphy tha se për këtë “zhvillim shqetësues” ka pasë edhe një telefonatë me Këshilltarin Special të Departamentit të Shtetit, Derek Chollet.
Lidhur me zhvillimet e fundit në veri ka reaguar edhe ambasadori amerikan.
Ambasadori i SHBA në Kosovë, Jeff Hovenier, ka thënë se dhuna në veri duhet të ndalohet menjëherë.
“SHBA-ja dënon aksionin e ndërmarrë nga autoritetet e Kosovës për të hyrë në ndërtesat komunale në veri të Kosovës. Dhuna e sotme duhet të ndalohet menjëherë”, ka shkruar Hovenier në Twitter.
Ndryshe, Policia e Kosovës hyri në objektet komunale të Zveçanit dhe të Zubin Potokut, përkundër rezistencës së një grupi qytetarësh.
Paraprakisht, policia njoftoi se po asistonte kryetarët e rinj të komunave veriore: Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, për të hyrë në objektet zyrtare të komunave përkatëse.
Hoti: Ligj dhe rend në gjithë Kosovën, por veprimet të jenë të koordinuara me miqtë
Deputeti i Lidhjes Demokratike në Kosovë, Avdullah Hoti ka reaguar pas zhvillimeve të fundit në veri.
Hoti ka thënë se ligji dhe rendi duhet të ketë në gjithë Kosovën, por që veprimet duhet të jenë të koordinuara me miqtë e Kosovës, transmeton Telegrafi.
“Ligj dhe rend në të gjithë Kosovën. Edhe në veri. Por veprimet të jenë të menduara dhe të përgatitura mirë. Në veçanti dhe DOMOSDOSHMËRISHT të koordinuara me miqtë e Kosovës”, ka thënë mes tjerash Hoti.
Abdixhiku për situatën në veri: Të jemi të matur dhe në koordinim me aleatët tanë
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të shfrytëzojë të gjitha mekanizmat diplomatik e shtetërorë për të evituar destabilizimin në vend.
Në hapje të Këshillit të Përgjithshmen të partisë, Abdixhiku ka thënë se e vetmja pikë që do të shqyrtohet është kërkesa e kryesisë për shpalljen e zgjedhjeve të brendshme të LDK-së.
“Më lejoni të ndajë shqetësimin për ngjarjet në veri të vendit. Të jap mbështetjen e LDK-së për djemtë tanë në veri. Të bëjë thirrje dhe ftesë që Qeveria e Kosovës të shfrytëzojë të gjithë mekanizmat diplomatik e shtetëror për të evituar destabilizimin e vendit”, ka thënë ai.
Ai tha se zgjedhjet në LDK janë festë, ndërkohë që ka folur për rezultatet në zgjedhjet e përgjithshme. Abdixhiku shtoi se zgjedhjet fillojnë më 1 qershor.
“Aksidentet elektorale edhe mund të ndodhin. Këtë gjendje për ne, kryesia jonë vendosi ta shohë si urgjencë për vendin”, shtoi ai.
Abdixhiku ka shtuar se në dy vitet e shkuara ka marrë besimin më të madh të votuesve prej mërgatës.
“Sot Kosova udhëhiqet nga popullsitë dhe një pushtet i paaftë dhe arrogant. Në këtë ngarkesë të tyre, qytetarët po e kuptojnë çdo ditë atë që e kemi kuptuar çdoherë. Me këtë kuptim të tyre, ata kanë bërë ballë braktisjen e shtetit. Kosova sot nuk ka një projekt të madh kapital, spitalet janë pa barna dhe pa penjë. Sot në Kosovë nuk ke asnjë reformë në arsim”, tha ai.
Sipas tij, sot Kosova ka një marrëveshje që hap rrugën për vetë-menaxhim etnik.
Edhe kryetari i zgjedhur i Leposaviqit futet në objektin e Komunës
Kryetari i zgjedhur i Komunës së Leposaviqit, Lulzim Hetemi ka arritur të futet në objektin e Komunës.
Raportimet nga veriu i vendit thonë se kjo ka ndodhur me asistencë të Njësive Speciale të Policisë së Kosovës që kanë hequr barrikadat në dyert e komunës.