Sindikata e Policisë viziton të zyrtarët e plagosur në incidentin me Nuredin Lushtakun

Përmes një komunikate thonë se do t’u ofrohet policëve në çdo moment.
“Sindikata e Policisë së Kosovës pas vizitës që bëri tek dy zyrtarët policor ku për së afërmi kuptoj gjendjen e tyre shëndetësore, të cilët kishin lëndime të rënda trupore por për momentin gjendja e tyre shëndetësore ishte stabile”, thuhet në njoftim.
Sindikata dënon ashpër çdo sulm ndaj zyrtarëve policorë dhe çdo sulm ndaj Policisë e konsideron si sulm ndaj shtetit.
Ndërkaq, të dielën ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, e ka quajtur të patolerueshëm sulmin ndaj dy policëve.
Sveçla, përmes një shënimi në Facebook, lidhur me përleshjen e Nuredin Lushtakut me dy policë, ka thënë se ky është sulm jo vetëm ndaj zyrtarëve policorë por edhe ndaj rendit të Republikës.
“Sot publiku i gjerë në Kosovë ishte dëshmitar i një sulmi të paprovokuar dhe të rëndë ndaj institucionit të Policisë. Policët e Republikës së Kosovës në ushtrimin legjitim të detyrave publike duhet të jenë paprekshmërisht të papenguar. Ata janë emri konkret i rendit publik. Nuk mund të kemi edhe Republikë edhe mungesë rendi. Ngjarja e sotme përveçse është e patolerueshme ligjërisht e moralisht përbën po ashtu sulm për rendin e Republikës”, ka shkruar Sveçla.
Teksa i ka uruar shërim dy të plagosurve, ministri Sveçla ka theksuar se posa të kthehet nga Brukseli ku edhe po qëndron për vizitë zyrtare, do t’i vizitojë të lënduarit./Telegrafi/






















































