LAJMI I FUNDIT:

Si u bë Hero i Punës, kumarxhiu i parë i burgosur në Shqipërinë e pasluftës?

Si u bë Hero i Punës, kumarxhiu i parë i burgosur në Shqipërinë e pasluftës?

Faslli Haliti

Mbaj mend nga fëmijëria si babai im u gëzua shumë kur pushteti i ri i sapoardhur nga lufta, gjënë e parë që bëri, goditi bixhozin apo kumarin siç i thoshin në ato vite. Goditja kundër kumaristëve apo bixhozistëve qe e menjëhershme, e ashpër pa marrë parasysh fare se ky apo ai kumbaristë ishte djali i këtij apo atij.


Shpartallimi qe i menjëhershëm e i tmerrshëm si ai hutini mbi zogjtë dhe qoka apo klloçka s’ka ç’të bëjë, alarmohet shpupuris puplat, por nuk i shpëton dot zogjtë e saj. Kështu dhe prindërit në heshtje e miratonin goditjen, kundër kujtdo që luante bixhoz, qoftë edhe kundër bijve të tyre.

Kumaristët e lagjes sonë periferike që njiheshin e tregoheshin me gisht s’po dinin ku të fusnin kokën. U goditën të parët. Më tipikët u arrestuan. Të tjerët u fshehën në kënetën e “Tërbufit”, mes kashtës e kallamave. U ngujuan mes kallamave, kashtës, raketës e thanëqerres, me të cilat ndiznin zjarr netëve të dhjetorit, janarit, për t’u ngrohur…

Morën lelën kumarxhinjtë e lagjes sime në periferi të qytetit të vogël, rrëzë kodrave të Darsisë. Barinjtë u çonin bukë, i mbanin me bukë e ushqime duke. Ata futeshin njëherësh mes kashtës dhe kallamave së bashku me lopët, demat, buajt, që të mos zbuloheshin.

Por, Qamil Staka, kumaristi më i shkathët e më i dhëni këmbë e kokë mbas bixhozit, nuk shpëtoi dot. Pushteti i ri që sapo kishte zënë vend në karriget e zyrave ku kishin ndenjur pushtuesit gjermanë e italianë apo ballistë që kishin bashkëpunuar me ta e mbërtheu të parin. Qamil Stakën, kumaristin e thekur që shkonte çdo ditë në qytet për të shitur pesë-gjashtë qypa me kos e gjalpë dhe lekët siç i merrte nga blerësit, i linte të gjithë në tavolinat e bixhozit.

Qamili ishte djalë i vetëm, më simpatiku, më i zhdërvjellëti, ngjala ose qefulli i lagjes periferike, siç e quani banorët dhe sidomos vajzat e lagjes sonë. Edhe pse si ngjalë e si qefull, ai humbiste përherë në bixhoz. Nuk i ecte. Gjithë lekët e qypave i bënte rrush e kumbulla. Kthehej pa kacidhe në shtëpi të cilën e kishte në fund të lagjes, në krahun jugor, gati buzë kënetës së “Tërbufit”.

“Do mbetesh pa nuse, mor i zi”, i thoshte gjyshja. “Nuk t’i hedh sytë as goca e Jonuz Lerës”. Por, Qamilit nuk i shkitej shpirti nga bixhozi, gjersa në ditën që… i burgosuri i parë i lojërave të fatit u bë pikërisht Qamil Staka. Ai që spërdridhej si një renjë parmende, u tregua më uloku, më bufi se të gjithë bixhozxhinjtë. Të gjithë të tjerët e gjetën furrikun në mes të kashtës dhe kallamit të kënetës, kurse Qamili zuri qelinë.

Atij iu bë një gjyq me altoparlantë dhe në salla e gjyqit u mbush me të ftuar të rinj të ftuar posaçërisht me ftesë të posaçme, jo pa qëllim, por që të dëgjonin se ç’ishte bixhozi dhe t’i vinin gishtin kokës. T’i viheshin punës dhe jo bixhozit. Gjatë gjyqit u përsërit shpesh se Qamil Staka hynte në sallën e bixhozit i pasur dhe dilte përherë e më i varfër se kurrë.

Fatin e Qamil Stakës e pësuan edhe shumë të tjerë, gjersa lojërat e fatit nuk u dukën më në faqen e dheut. Në faqen e dheut shihje njerëz që e vadisnin tokën me sërmanë e djersës së ballit për të bërë një jetë modeste, por dinjitoze…

Kur bixhozi u fshi nga 28 mijë metra katërorëshe e atdheut, babai bërtiti aq sa dhe sot pas shtatëdhjetë vitesh, unë i dëgjoj ende vibrimet e asaj britme: “Shpëtuan djemtë tanë nga kolera e zezë e bixhozit.”

Ndonëse jo me britmën e babait, por me entuziazëm të motivuar e prita dhe unë vendimin për bllokimin e lokaleve të basteve dhe kazinove, kësaj grope të zezë, ku mbyten çdo ditë djemtë tanë duke u kacafytur me dallgët e lojërave fatale.

Nëse dikur, në fëmijërinë, adoleshencën, rininë e burrërinë time, nga tmerri nuk e ktheja kokën nga dera e përzishme e Degës së Brendshme të Policisë, me të njëjtën ndjesi të përzishme edhe tani në moshën e tretë nuk e kthej kokën nga dyert e zeza të Kazinove.

Pas daljes nga burgu, Qamil Staka filloi punë në fermën e “Tërbufit”, një nga fermat më të mëdha të vendit. Në fillim si punëtor krahu që prashiste e korrte, pastaj gjer sa doli në pension ai ishte brigadieri më i mirë, brigadieri me brigadën më pararojë që merrte rendimentet më të larta.

Dhe… ish kumarxhiu Qamil Staka, u shpall “Hero i Punës”! /Dita/