Lëkura e ndjeshme nën gjoks shpesh është e para që vuan nga të nxehtit dhe lagështia verore. Mësoni si të parandaloni irritimet e pakëndshme dhe të ndiheni freskët gjatë gjithë verës

Kombinimi i temperaturave të larta, djersitjes së shtuar dhe materialeve të papërshtatshme të veshjeve shpesh shkakton irritime të pakëndshme të lëkurës në pjesët më të mbuluara të trupit.


Një nga shqetësimet më të zakonshme me të cilat përballen gratë gjatë verës është skuqja nën gjoks, e cila mund të jetë shumë e bezdisshme dhe, nganjëherë, edhe e dhimbshme.

Siç mund ta mendoni, kjo është një irritim që shkaktohet nga kombinimi i djersës, fërkimit të lëkurës dhe nxehtësisë. Ky mjedis i veçantë krijon kushte ideale për rritjen e baktereve dhe kërpudhave, duke e përkeqësuar gjendjen e lëkurës.

Irritimi zakonisht shfaqet si skuqje, puçrra apo edhe flluska të vogla, të shoqëruara me kruarje dhe djegie, transmeton Telegrafi.

Çfarë shkakton skuqjen nën gjoks

Përveç kushteve natyrore të verës si nxehtësia dhe lagështia, ka edhe shumë faktorë që mund ta përkeqësojnë situatën. Më i shpeshti është veshja me materiale jo të ajrosshme gjatë verës. Materialet sintetike pengojnë lëkurën të “marrë frymë”, duke krijuar më shumë lagështi. Një tjetër shkak është të brendshmet apo sutjenat e papërshtatshme, shumë të ngushta, që shtojnë fërkimin.

Djersitja gjatë ditës, pa larje të rregullt, mund të çojë në grumbullimin e baktereve në këtë zonë të ndjeshme. Pesha e tepërt është gjithashtu një faktor rreziku, pasi krijon më shumë palë të lëkurës ku mund të mblidhet lagështia.

Si të parandaloni skuqjen

Parandalimi është çelësi për të shmangur këtë shqetësim. Ja disa këshilla praktike:

Zgjidhni rroba dhe materiale të lehta e natyrale

Të brendshmet prej pambuku dhe veshjet nga fibra natyrale lejojnë qarkullimin më të mirë të ajrit dhe pengojnë mbledhjen e lagështisë.

Kujdesuni për higjienën

Larja e rregullt, sidomos pas djersitjes, ul praninë e baktereve dhe kërpudhave në lëkurë.

Përdorni produkte të përshtatshme

Nëse është e nevojshme, pas dushit mund të aplikoni një pudër me veti antibakteriale nën gjoks për të reduktuar lagështinë.

Zgjidhni sutjena të përshtatshme

Përdorni sutjena prej materialesh që “marrin frymë” dhe pa tela, që nuk irritojnë më tej lëkurën.

Përdorni produkte mjekësore, nëse është e nevojshme

Nëse keni provuar gjithçka dhe problemi vazhdon, kremrat anti-kërpudhë mund të ndihmojnë nëse irritimi është shfaqur. Por, gjithmonë këshillohuni me dermatologun.

Kur duhet kërkuar ndihmë profesionale

Nëse skuqja bëhet e dhimbshme, nëse shfaqen flluska ose rrjedhje të lëngut, patjetër konsultohuni me një specialist. Dermatologu mund të përshkruajë trajtimin e duhur për të parandaluar komplikime të mëtejshme.

Është shumë e rëndësishme të reagoni ndaj simptomave që nuk zhduken, pavarësisht masave bazë parandaluese. Skuqja nën gjoks mund të jetë e pakëndshme, por me kujdesin e duhur dhe masat e sakta parandaluese, mund ta shmangni dhe të shijoni ditët e nxehta të verës pa shqetësime. /Telegrafi/