Kanceri i gjirit është një lloj kanceri që formohet në qelizat e gjirit. Ai zakonisht fillon në kanalet që transportojnë qumështin ose në gjëndrat e qumështit. Si çdo lloj kanceri, ai zhvillohet kur qelizat në gji fillojnë të rriten dhe të ndahen në mënyrë të pakontrolluar, duke formuar një tumor. Këto qeliza grumbullohen dhe formojnë një tumor, i cili shtyp, përhapet dhe shkatërron indin normal të gjirit. Pa mjekim, këto qeliza përhapen në pjesët fqinje, e më pas, në të gjithë trupin
Dr. Ylli H. Mehmeti PhDc
Radiolog
dryllimehmeti@yahoo.com
Askush nuk e di shkakun e vërtetë të kancerit të gjirit, apo nëse kanceri i gjirit ka një shkaktar të vetëm, apo jo. Dimë se disa njerëz janë më të rrezikuar për të zhvilluar kancer gjiri. Disa faktorë duken se rrisin rrezikun për të zhvilluar kancer gjiri, që janë:
• Mosha mbi 50 vjeç;
• Pasja e një kanceri gjiri më parë;
• Histori familjare të kancerit të gjirit (veçanërisht me nënën, motrën ose vajzën);
• Ndryshimet gjenetike prezente me gjenet BRCA1 ose BRCA2;
• Histori familjare me kancer të ovarit;
• Femrat që nuk kanë lindur fëmijë ose lindjen e parë e kanë bërë në moshë më të madhe se 30 vjeç;
• Menstruacione në moshë shumë të hershme, para 12 vjeç;
• Menopauzë pas moshës 50 vjeç;
• Përdorimi i mjekimit me hormone (estrogjen + progesteron) për një kohë të gjatë, më shumë se 5 vite;
• Densitet të shtuar të indeve të gjirit (e dukshme në një mamogram);
• Një histori e një biopsie gjiri që tregon një numër të rritur të qelizave jonormale që nuk janë kanceroze (hiperplazi atipike);
• Trajtimi me rreze të sipërfaqes së gjirit, veçanërisht para moshës 30-vjeçare, p.sh., trajtimi i limfomave Hodgkin;
• Mbipesha dhe obeziteti, sidomos në menopauzë;
• Përdorimi i alkoolit;
• Duhanpirja;
• Marrja e kontraceptivëve nga goja e pakontrolluar nga mjeku;
• Dieta dhe ushqimet e pasura me yndyra shtazore;
• Moskryerja e aktivitetit fizik.
Por është e rëndësishme te theksohet se rreth 70% e rasteve të kancerit të gjirit ndodhin te gratë, të cilat nuk kanë faktorë që rrisin rrezikun për të zhvilluar kancer gjiri!
Nëse ju jeni një nga këto gra me risk të lartë për kancer gjiri, ju mund të keni mundësi të kryeni:
• Teste depistuese në moshë me të re dhe më shpesh se rekomadimet;
• Vlerësim të riskut gjenetik;
• Disa trajtime parandaluese si marrja e anti-estrogeneve ose kirurgjia profilaktike.
Depistimi apo kontrolli është zbulimi i hershëm i kancerit kur ju nuk keni asnjë shenjë të sëmundjes. Këto ekzaminime për diagnostikimim e kancerit të gjirit mund t`ju ndihmojnë ta kapni atë në faza të hershme dhe kur ka më shumë mundësi për t’u trajtuar. Është e rëndësishme të dimë se asnjë test depistues për kancerin nuk është 100% i saktë. Për shembull, nëpërmjet një testi depistues, ndonjëherë mund të diagnostikohet kanceri kur nuk është, ose nuk arrin të diagnostikohet kur ka kancer.
Testet më të besueshme që përdoren për diagnostikim të hershëm të kancerit të gjirit janë mamografia dhe ekzaminimet klinike të gjirit.
1. Mamografia
Mamografia është ekzaminimi i gjirit duke përdorur doza të ulëta të rrezeve X. Gjiri vendoset midis dy pjatave plastike, të cilat e shtypin gjirin për ta shtrirë atë. Kjo mund të jetë diçka e pakëndshme, por zgjat vetëm pak sekonda. Shtypja e gjirit ndihmon në marrjen e imazheve sa më të qarta, duke përdorur sa më pak rreze X. Edhe ekografia përdoret si teknikë për identifikimin e një kanceri të mundshëm të gjirit, por zakonisht, vetëm pas një mamografie.
2. Ekzaminimi klinik i gjirit
Një ekzaminim klinik i gjirit është një ekzaminim fizik i gjinjve nga personeli mjekësor i trajnuar.
Lloji dhe shpeshtësia e testeve depistuese në mosha të ndryshme:
Nëse jeni 40-49 vjeç, ju duhet: Ekzaminimi klinik të gjinjve nga personeli mjekësor i trajnuar, së paku çdo 2 vjet. Flisni me mjekun rreth rrezikut tuaj të kancerit të gjirit, përfitimet dhe rreziqet nga mamografia.
Nëse ju jeni 50-69 vjeç, ju duhet: Ekzaminimi klinik i gjinjve nga personeli mjekisor i trajnuar, së paku çdo 2 vjet. Mamografia, çdo 2 vjet.
Nëse ju jeni mbi 70 vjeç, ju duhet: Të flisni me mjekun se sa shpesh duhet të testoheni për kancer gjiri.
Shumë gra janë në jetë sot për arsye sepse ato kanë bërë depistime të rregullta për kancer gjiri. Një pjesë e rëndësishme e kujdesit për trupin tuaj është njohja e gjinjve tuaj dhe mënyra se si ata ndryshojnë gjatë gjithë jetës.
Nuk ka rëndësi se çfarë moshe keni, për të pasur gjinj të shëndetshëm, duhet të fillojmë me njohjen e tyre. Bëhuni e vetëdijshme për të kuptuar se çfarë është normale tek gjinjtë tuaj. Kjo arrihet vetëm duke bërë një kontroll të rregullt të tyre.
Shumë gra e zbulojnë vetë kancerin e gjirit, vetëm dukë parë dhe ndjerë ndryshimet në gjinjtë e tyre.
Indet e gjirit mbulojnë një sipërfaqe më të madhe se sa vetë gjinjtë. Shtrihen nga klavikula dhe nga sqetulla dhe përgjatë kockës së kraharorit. Gjiri mbështetet në muskujt e gjoksit që mbulojnë brinjët.
Gjinjtë duhet kontrolluar vazhdimisht! Kontrollo, Prek dhe Shiko, të gjitha pjesët e gjirit, afër gjirit dhe nën sqetullave.
Njihni indet e gjirit tuaj duke i parë dhe ndjerë gjinjtë. Njihni gjinjtë dhe çfarë është normale, sipas asaj që funksionon më mirë për ju. Gjeni mënyrën që të mësoheni me gjinjtë dhe të zgjidhni mënyrën më të rehatshme.
Është normale që gjinjtë t’i ndieni të fortë dhe të dhimbshëm para menstruacioneve. Indet e gjirit ndryshojnë edhe me moshën. Prandaj, për të kuptuar se çfarë është nomale për ju, do t`ju ndihmojë të njihni dhe të dini se çfarë t’i raportoni mjekut.
Shumë kokrra që mund të prekni nuk janë kancer gjiri. Prandaj, flisni dhe tregojini mjekut nëse vëreni në gjinjtë tuaj ndonjë ndryshim si:
• Gjëndër apo kokërr në gji ose nënsqetull;
• Ndryshim në formë ose në madhësi të gjirit;
• Ndryshim në lëkurën e gjinjve, si gropëza ose tërheqje;
• Skuqje, ënjtje në gjinj, përreth tyre apo nën sqetull;
• Futje brenda të thumbit të gjirit;
• Rrjedhje lëngu nga thitha e gjirit;
• Kore ose luspa në thithën e gjirit;
• Puçrra të imëta në majë të gjirit apo përreth tij;
• Dhimbje e vazhdueshme në një pjesë të gjirit, apo nën sqetull.
Pritja për rezultatet e ekzaminimeve nuk është e lehtë. Nëse ju raportoni një ndryshim mjekut tuaj, ose mamograma që ju keni bërë tregon diçka që nuk është normale, atëherë do t’ju duhet të bëni disa ekzaminime të tjera për të parë nëse është kancer apo jo.
Njohuri të rëndësishme për gjinjtë tuaj
1. Kuptoni se çfarë është normale për ju;
2. Kuptoni se çfarë ndryshimesh duhet të kërkoni dhe të prekni;
3. Shiko, Prek dhe Kontrollo;
4. Shkoni te mjeku për çfarëdolloj ndryshimi pa vonesë;
5. Bëni kontrollin e gjirit, sidomos nëse jeni në moshën 50 vjeç e sipër.
Ju nuk mund të ndryshoni shumicën e faktorëve të rrezikut për kancerin e gjirit, si sëmundjet tuaja familjare ose menstruacionet në moshë shumë të re, por ajo çka ju mund të bëni lehtësisht, është ndryshimi i disa faktorëve, si pesha apo dieta e asaj çfarë konsumoni. Mbani dhe ruani një peshë trupi të shëndetshme, kryeni rregullisht aktivitet fizik, konsumoni ushqime me yndyra të pakta, konsumoni perime dhe fruta, mos konsumoni alkool, konsultohuni me mjekun për përdorimin e kontraceptivëve, mos pini duhan dhe shmangni duhanpirjen pasive, përdorni ushqyerjen me gji për fëmijën tuaj.
Në përfundim, ky artikull ka për qëllim të informojë gratë mbi rëndësinë e parandalimit të hershëm të kancerit të gjirit, duke u ofruar njohuri të vlefshme dhe udhëzime për reduktimin e rrezikut dhe ruajtjen e shëndetit të tyre. /Telegrafi/
Lufta Prigozhin - Putin
Më shumë104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
Përdoruesit e Netflix zbulojnë momentin e saktë të kurdisjes së duelit Paul-Tyson
Eksperti i gjuhës së trupit tregon momentin e saktë kur dueli mes Jake Paul dhe Mike Tyson ndryshoi kahje
Benjamin Imeri shkatërroi boksierin serb qysh në raundin e parë – gjyqtari ndërpreu meçin
Gjendet pas një viti xhipi i Komunës së Mitrovicës së Veriut
Ndërsa huliganët serbë po digjnin flamurin shqiptar, Granit Xhaka përplasje me dhjetëra lojtarë në ndeshjen Zvicër-Serbi
Gjyqtari i CAS-it tregon dënimin që e pret Rumaninë pas incidenteve në ndeshjen me Kosovën