LAJMI I FUNDIT:

Si ta ndalojmë pandeminë tjetër të mundshme?

Si ta ndalojmë pandeminë tjetër të mundshme?

Në fund të vitit 2019, virologu i Institutit Kirby, Stuart Turville po kërkonte një punë tjetër.

“Normat e financimit ishin shumë të ulëta për të mbijetuar”, thotë ai.

Por përpara se të largohej, shpërtheu pandemia e COVID-19. Ai tani drejton laboratorin e sigurisë së lartë të institutit në Universitetin e New South Wales, ku studiohet virusi që shkakton sëmundjen e COVID-19, shkruan The Guardian, transmeton Telegrafi.


Ai dhe ekipi i tij punojnë me orë të tëra duke analizuar qindra mostra të COVID-19 nga i gjithë vendi, duke studiuar variante dhe duke punuar për trajtime. Kur Turville shkon në shtëpi, pasi sheh shkurtimisht fëmijët e tij, ai shkruan grante për financim, dhe tani është më e lehtë për t’i siguruar ato.

Kur mendon për kohën para pandemisë kur mendoi të dorëzohej, Turville citon filmin fantazi të vitit 2005, Nanny McPhee.

“Kur të keni nevojë për mua, por nuk më doni, atëherë unë duhet të qëndroj”, thotë Turville.

“Unë do t’ia them atë tani çdo virologu që trajnoj këtu. Nëse ata nuk financohen, nuk kërkohen, unë do t’ia kujtoj atyre që të qëndrojnë të fortë. Një ditë, ata do të jenë shumë të nevojshëm”, u shpreh ai.

Ndryshimi i klimës dhe shkatërrimi i habitatit do të sjellë ‘surpriza’

Kur mund të vijë ajo ditë është e vështirë të parashikohet, thotë Turville, por virologët dhe ekspertët e sëmundjeve infektive bien dakord që më shumë pandemi janë të pashmangshme. Ajo që është më pak e sigurt është se nga do të vijnë të tjera pandemi dhe sa të ashpra do të jenë.

Përgjigjet e atyre pyetjeve varen se sa përgjegjësi marrin njerëzit për ndikimin e tyre në mjedis, thotë Turville. Historia tregon se përparimet në teknologji, ndërsa përmirësojmë aftësinë tonë për t’u marrë me pandemitë, mund të jenë gjithashtu gjërat që i shkaktojnë ato dhe që ushqejnë përhapjen e tyre.

“Ne jemi të zgjuar dhe fatkeqësisht naiv në të njëjtën kohë në lidhje me planetin”, thotë Turville. “Ekonomia dhe hapat e mëdhenj të teknologjisë sjellin standarde të mëdha jetese në të gjithë globin, por mund të nxjerrin në dritë shumë gjëra të padëshiruara”.

Ai përdor HIV-in si shembull. Është vlerësuar se HIV ka hyrë në popullatën njerëzore nga primatët diku afër Kinshasa, tani kryeqyteti i Republikës Demokratike të Kongos, rreth fillimit të vitit 1900. Megjithatë, nuk u identifikua tek njerëzit deri në fillim të viteve 80-ta, duke u përhapur me rritjen e lidhjeve të transportit.

“Zona në zhvillim e Kinshasa çoi në infrastrukturën që barti virusin përgjatë asaj rruge”, tha Turville. “Pastaj, ajo u zhvendos në porte dhe më pas në qytet, siç e dimë të gjithë. Ajo drejtohej nga aktivitete ekonomike”.

Viruse të tjera janë shfaqur nga njerëzit që shqetësuan mjedisin, u shpreh Turville. Virusi nipah i lindur nga lakuriqët, që shkakton encefalit të rëndë – inflamacion të trurit – tek njerëzit, buron nga praktikat bujqësore intensive dhe ndryshimi i klimës, raporton The Guardian, përcjell Telegrafi.

Rreth tre të katërtat e të gjitha sëmundjeve të reja virale në zhvillim gjatë dy dekadave të fundit kanë qenë zoonotike, të transmetuara nga një burim kafshësh, kryesisht lakuriqë, brejtës ose zogj.

“Për fat të keq, gjëra të tilla si ndryshimi i klimës dhe shkatërrimi i habitatit do të sjellin me vete ‘surpriza’, derisa lufta e kafshëve për t’u marrë me mjediset e tyre të ndryshuara vijnë si pasojë e sjelljes tonë”, potencoi Turville.

Prof. Dominic Dwyer, një virolog mjekësor i cili është pjesë e një ekipi prej 14 personash që hetojnë pandeminë e COVID-19 për Organizatën Botërore të Shëndetësisë, pajtohet gjithashtu. I njëjti ekip po identifikon studimet që duhet të bëhen për t’u përgatitur më mirë për pandeminë tjetër dhe për të punuar që ajo të mos bëhet e rëndë.

Dwyer thotë se një pjesë kryesore e planifikimit për pandemitë e ardhshme do të jetë kuptimi i bashkëveprimit të kafshëve, mjedisit dhe njerëzve.

“Përgatitja dhe planifikimi përfshin marrjen në konsideratë të demografisë, mjediseve të mbushura me njerëz në të cilët jetojnë, mjediset e kujdesit shëndetësor që lejojnë përhapjen e disa gjërave, por jo të tjera, ndryshimin e klimës dhe ndikimin e mënyrës se si ne përdorim tokën dhe si bashkëveprojmë me jetën e egër, mënyrën se si bëjmë tregti, bujqësi dhe turizëm. Të gjitha ato gjëra kanë një ndikim në atë që lejon një pandemi të shfaqet dhe të vazhdojë”, ka deklaruar Dwyer.

‘Ka viruse të cilat nuk janë aktive për momentin’  

Një letër e publikuar nga Elsevier me titull Përgatitja për Viruset Zoonotike në Zhvillim, thotë se ekspertët kishin paralajmëruar për pandeminë e COVID-19 për vite me radhë, shpesh duke e modeluar atë në literaturën me emrin Sëmundja X.

“Skenari i sëmundje X për të cilin shumë shkencëtarë kishin paralajmëruar u bë i vërtetë”, thotë artikulli.

“Megjithatë, investimet e mëparshme në mbikëqyrje, diagnostikim, teknika të reja laboratorike, dhe platformat e vaksinave kanë shërbyer me këtë rast. Shpejtësia e këtyre zhvillimeve kryesore në  mbikëqyrjen dhe kontrollin e virusit të ri është e pashembullt”, thuhet më tej.

Cassandra Berry, një studiuese në imunologjinë virale nga Universiteti Murdoch, tha që për t’u përgjigjur më shpejt, Australia ka nevojë të “fillojë tani trajnimin e gjeneratës së saj të ardhshme të gjuetarëve të virusit”.

Humbja e ekspertizës në vendet e tjera, mungesa e fondeve lokale të kërkimit dhe mungesa e shkencëtarëve të ardhshëm që qëndrojnë në terren për një kohë të gjatë, do të thotë se aftësia e Australisë për të zhvilluar vaksina dhe për t’i prodhuar ato mungon, thotë ajo, raporton The Guardian, transmeton Telegrafi.

“Ka viruse që thjesht ende nuk janë aktive. Pandemia tjetër do të jetë me siguri një virus i ajrit që është shumë i transmetueshëm, që ndoshta është tani diku, shumë i paqëndrueshëm dhe me një rezervuar kafshësh. Do të jetë veçanërisht e rrezikshme nëse nuk ka shenja të dukshme, nëse përhapet vjedhurazi”, deklaroi Berry.

“Ne jemi shumë vonë për një pandemi tjetër të gripit dhe ato janë atje disa mutacione larg, lëvizjes nga zogjtë tek njerëzit”, u shpreh ajo. /Telegrafi/