LAJMI I FUNDIT:

Si kujtesë për lumturimin e martirëve

Si kujtesë për lumturimin e martirëve

Si sot një vit më parë, 38 martirë shqiptarë u shpallën Të lumë nga Papa Françesku, kreu i Kishës Katolike, në Romë. Lumturimi nga Kisha e përbotshme katolike e martirëve tanë, është një nga ato ngjarje që, për nga pesha që ka, por edhe duke mos qenë e zakontë, zënë vend në historinë e kombeve. E paraprirë me gjestin e emnimit Kardinal prej Papa Françeskut, të njërit prej të mbeturve ende gjallë, mbas kalvarit të gjatë të golgotës së mundimeve, Dom Ernest Troshanit, kjo ngjarje ka qenë e do të jetë shumë nderuese për ne shqiptarët… pas shenjtërimit të së Lumes Nënë Terezë, prej tharmit dhe genit tonë.

Është theksuar jo vetëm njëherë, se vendi që zë numri 38 i martirëve shqiptarë, nga një popull me më pak se dz milionë banorë asokohe kur flijoheshin ata, në rreth njëmijë martirë të lumë të Kishës universale katolike, përgjatë gjithë ekzistencës së saj, na rendit ne, me plot arsye, ndër vendet më të martirizuara të Evropës. Ndër një miliard e treqind milionë katolikë që ka sot në botë, një bashkësi prej rreth 500 mijë katolikësh [në Shqipëri] nxjerr prej parzmit të saj 38 martirë… (Albert Nikolla, gazeta “Mapo” 08 tetor, 2016.). Kleri, elita e fesë, por edhe elitë e kombit gjithashtu, e cila qe kundruall ideologjisë komuniste që në zanafillë të saj, ishte e gatshme për të rezistuar, qoftë edhe duke u martirizuar. Sepse ajo ideologji, në thelbin e vet kishte kundërshtinë e fesë, si dogmë e si besim, por edhe sepse kjo elite e parandjeu, se sistemi politik që do të ngrihej mbi atë ideologji, do të sillte rrënimin e vlerave dhe gjithë ngrehinën morale të njeriut.


“Kur të jenë vrarë meshtarët, ju duhet ta mbani të gjallë fenë në Zotin, në zemrat e familjarëve tuaj. Komunizmi asht i përkohshëm, feja asht e përjetshme”, do të thoshte At Çiprijan Nika. (Kujtime të Antoneta Lacaj, ish-nxënëse në liceun e Motrave Stigmatine-At Leonardo Di Pinto, Profil historik hagjiografik, vëll.II, fq.45) …

Dhe, njëmend, Atë Çiprijani do të dënohej me vdekje për… veprimtari kundër pushtetit popullor! Po, përveçse ushtrimit të besimit dhe predikimit të tij ndër besimtarë, besimit në Fé e Atdhe, por edhe mospajtimit hapur me tërësinë e botëkuptimit marksist, mishëruar në veprimin e komunistëve, çfarë krimi tjetër kishte bërë ai dhe ata?!

Me sakrificat vetëmohuese dhe kryqet e tyre, ata ishin farkëtuar si martirë… me besim e bindje në Hyjin e gjithëpushtetshëm (në Enciklikë “Divini Redemptoris” e Papa Piut të XI, e datës 19.03.1937, është e dedikuar në mbarë Kishën si pamflet kundër marksizmit. Si teori e si praktikë ateiste).

Por, jo vetëm elita qe e palëkundur në rrugën e drejtë të lirisë e të besimit. Tre prej martirëve janë laikë, malësorë e punëtorë; Gjelosh Lulashi, Fran Miraka dhe Qerim Sadiku. Qerimi prej Vuthajve të Gucisë, ndonëse me emër mysliman, praktikant i besimit katolik me devocion të thellë. Me banim në Shkodër, në punë të vet me një tregtore të vogël; më herët në shërbesë të xhandarmërisë, por frekuent i rregullt i meshës të së dielës. Katolik i devotshëm, i gatshëm për t’u martirizuar për fenë e vet, si secili besimtar i fesë së Krishtit, sipas thirrjes dhe fuqisë së vet shpirtnore… E shoqja, Marija, do të përcillte fjalët e tij, në njërin prej dy takimeve që e kishin lejuar të kishte me të. I rraskapitun prej torturave, më tha: “Jam i vendosun. Unë jam shqiptar e katolik. E ket fakt nuk e mohoj kurrë.” Pa ngurrue me dhanë edhe jetën, duke merituar kështu Palmën (larin) e martirit.

Kurse para skuadrës së pushkatimit, fjalët e fundit kanë qenë: “I fali të gjithë ata që, në çdo kohë mund të më kenë ba keq. I fali edhe ata që më kanë dënue me vdekje, edhe ata që do të më pushkatojnë. Rrnoftë Krishti Mbret, Rrnoftë Shqipnia!“ Procesverbali i fjalëve të fundit para pushkatimit, më 4 mars 1946, mbajtur nga Tonin Miloti, në detyrën e zëvendësprokurorit: (Imzot Vinçens Prenushi me shokët martirë, vëll. II, fq. 402, botim i Arqipeshkvisë Shkodër-Pult 2016)

At Giovani Fausti i refuzon akuzat për veprimtari armiqësore në dëm të Shqipërisë duke saktësuar se: “Jam dërguar në Shqipëri si misionar i fesë dhe jo si aktivist partiak, por komunizmin e kam kundërshtuar gjithmonë si doktrinë ateiste”. Ndërsa, në ditën e mbrame, para skuadrës së pushkatimit, do të thoshte: “Jam i gëzuem që vdekja më gjen duke krye detyrën time… M’i përshëndetni Jezuitët, seminaristët, Delegatin Apostolik [Të lumin Imzot Frano Gjinin] dhe Arqipeshkvin [Imzot Gasper Thaçin]. Rrnoftë Krishti Mbret!…”, do të thoshte në fjalën e fundit, para pushkatimit. (Procesverbali i fjalëve të fundit para pushkatimit, më 4 mars 1946, mbajtur nga Tonin Miloti, në detyrën e zëvendësprokurorit: (Imzot Vinçens Prenushi me shokët martirë, vëll. II, fq. 270).

Është edhe një tjetër laike ndër to, Marije Tuci, gjendet e vdekur prej torturave çnjerëzore në një ditë të tetorit të vitit 1950 në spitalin e burgut. Përreth gishtave të shndërruar në kocka-gjymtyrë, i gjendet një gjysë e Rruzares (varg me rruaza, që kaloheshin me gishta, duke thënë lutjen te katolikët. Fjalori i Gjuhës së sotme Shqipe, Tiranë 1980) së zverdhur… Eksperti i sigurimit, Hilmi Seiti, e kishte “hanger për së gjalli”. “Do të të shpërfytyroj deri na atë pikë, sa as familja jote nuk do të të njohë”, i kish thënë. (Imzot Vinçens Prenushi me shokë martirë, vëll. II. faq. 418).

E gjithë kronika e tyre martire, kullon gjak e tmerr. Lazer Shantojës, në tortura ia kishin thyer gjymtyrët si Krishtit. E kujt, një dijetari si ai, publicist, që për nga erudicioni, mund të kishte të ngjashëm Faik Konicën e madh. Muzikant-pianist, i pari shqiptar që njihte gjuhën esperanto, përpos të gjitha gjuhëve të tjera të mëdha evropiane. Atdhedashës si ai…Në ditët e mbrame, e lejojnë t’amën ta vizitojë… Dhe kur e sheh, ajo u lutet me përgjërim policëve të burgut: “Ma vrisni…, bajeni këtë mirësi…e mos ma leni djalin me vuejtë mâ kështu…,aman ma vrisni sa ma parë. Lekët e plumbit j’ua paguaj vetë. (Imzot Vinçens Prenushi me shokët martirë, vëll. I-rë, fq. 330)

Kumti i Lumturimit, një vit më parë, u shpall në Shkodër. Sigurisht edhe kjo një simbolikë më vete. Në Shkodër, sepse aty është edhe “skena” ku u luajt drama, në kufij të tragjedisë. Aty nisi me radhë interpretimi i akteve të veprës makabre. Kuvendi i Fretënve (françeskanëve) të Gjuhadolit u ba edhe hetuesia, edhe prokuratura, edhe gjykatorja, që dau fajësinë e bashkë me të vdekjet mizore të atyne…”fajtorëve” të pakurrfarëfaji. Aty u eksperimentuan torturat çnjerëzore, të ngjashme me torturat naziste të Auschwitzit.

Në ndejëset e redaktorëve të “Hyllit të Dritës”, u ulën “drejtësibërësit” komunistë të sapozbritun prej malit. Dhe që aty nënshkruan vdekjet makabre të atyre që bënin… libra, iluminonin me kulturë dhe shërbenin kauzën e Shqipërisë, të atdheut të tyre të shtrenjtë.

Secili prej martirëve, me vullnet e me besimin në Hyjin, i ka falë ata, xhelatët e tyre. E kanë bërë me zë dhe besimplotë, në ditën e tyre të mrame në këtë botën e këtushme, të bindur dhe në paqe me veten dhe me Hyjin, në gjithçka po bënin.

Kurse, këta të fundit, xhelatët, serbes e krenarë si atëherë për veprën e tyre, nuk janë shfaqur kurrë në pendesë. Prej më se një çerek shekulli është pritur, më së paku një mea culpa prej tyre, për krimet e bëra. Por, kjo nuk ka ndodhur deri më sot. E as ka gjasë se mund të ndodhë. As përkrahësit e idhtarët e tyre akoma nuk kanë shprehur, së paku një qortim për ta. Ata që ndajnë pushtet në emër dhe me aspiratën e “drejtësi bërësve të malit”. Se nuk mundej ndryshe që në vigjiljen e shpalljes së tyre të Lumë, në vit më parë, të…dekorohej e të shpërblehej njëri syresh, Shyqyri Çoku. Se nuk mundej ndryshe të ruhen e të arkivohen bëmat e urdhërdhënësit të krimeve, e protektorit të mizorive me vepra e terma sugjestionues, “shtëpia e gjetheve” “bunkeri” etj. Me spërdredhje të asisojshme si: “Le ta gjykojë historia…” Nuk mundej ndryshe që fotot e diktatorit të zënë thuajse përditë faqe gazetash e ekrane mediash publike…, edhe kur në Austri është marrë një vendim për ta prishur shtëpinë e Adolf Hitlerit… /panorama/