Si e dëmton trupin tipi 2 i diabetit

Kur e keni këtë sëmundje, trupi e ka më të vështirë shndërrimin e karbohidrateve të ushqimit në energji.
Kjo ndikon që sheqeri të mblidhet në gjak. Me kohën, kjo sëmundje jua rritë rreziqet e sëmundjeve të zemrës, verbërisë, dëmtimeve të nervave dhe organeve, si dhe të shumë sëmundjeve tjera serioze, transmeton Telegrafi.
Diabeti i prekë njerëzit e të gjitha moshave, ndërkaq simptomat e hershme me vështirësi vërehen. Në fakt, 1 në 3 persona me tip 2 të diabetit nuk e dinë se e kanë këtë sëmundje.
Çfarë do të vëreni së pari?
Personat me tip 2 të diabetit shpesh nuk kanë simptoma. Kur shfaqen, zakonisht shenjë e parë është etja e madhe. Simptomat tjera përfshijnë gojën e tharë, apetit më të madh, urinim më të shpeshtë, etj.
Simptomat e mëvonshme
Me rritjen e nivelit të sheqerit në gjak, ju mund të keni edhe probleme tjera si dhimbje koke, pamje të turbullt dhe lodhje.
Shenjat e problemeve më serioze
Në shumë raste, tipi 2 i diabetit nuk zbulohet derisa të fillojë të ndikojë seriozisht në shëndetin tuaj. Disa prej këtyre shenjave janë:
- Plagët që me ngadalësi shërohen
- Infeksionet e shpeshta urinare
- Kruarje të lëkurës.
Diabeti ndikon në jetën seksuale
Diabeti mund t’i dëmtojë enët e gjakut dhe nervat në gjenitale. Kjo mund të shpijë në humbje të ndjenjave seksuale dhe e bën të vështirë arritjen e orgazmës. Femrat me diabet janë më të rrezikuara të kenë tharje vagjinale.
Faktorët e rrezikut që nuk mund t’i kontrolloni
Faktorët tjerë të rrezikut, por që nuk mund t’i kontrolloni, janë.
- Raca apo etnia: Hispanikët, afrikano-amerikanët, amerikanët dhe aziatikët janë më të prirë të sëmuren
- Historia familjare me diabet: të pasurit një prind apo vëlla/motër me diabet, jua rritë shanset që edhe ju ta fitoni sëmundjen.
- Mosha: 45+ është mosha kur rritet rreziku për t’u diagnostikuar me tip 2 të diabetit.
Faktorët e rrezikut që mund t’i kontrolloni
Disa prej shprehive të shëndetshme dhe sëmundjeve që ndërlidhen me stilin e jetesës mund t’jua rrisin shanset për ta fituar këtë sëmundje, duke përfshirë:
- Mbipeshën
- Mungesa e aktivitetit fizik
- Pirja e duhanit
- Konsumimin e tepërt të mishit të kuq, mishrave të përpunuara, ëmbëlsirave dhe produkteve të bulmetit me shumë yndyrë
- Nivelet e pashëndetshme të kolesterolit dhe triglicerideve
Ushtrimet fizike janë të rëndësishme
Ushtrimet e rregullta fizike, siç janë ushtrimet e forcës apo ecja, jua përmirësojnë mënyrën si trupi e përdor insulinës dhe ndikojnë në zvogëlimin e niveleve të sheqerit në gjak. Aktiviteti fizik jua largon edhe yndyrën trupore, jua ulë shtypjen e gjakut dhe ju mbron nga sëmundjet e zemrës. /Telegrafi/




















































