LAJMI I FUNDIT:

Shtyhet seanca ndaj të akuzuarve për keqpërdorime me patentë shoferë, detaje nga aktakuza voluminoze e Prokurorisë

Shtyhet seanca ndaj të akuzuarve për keqpërdorime me patentë shoferë, detaje nga aktakuza voluminoze e Prokurorisë

Në gjykimin ndaj të akuzuarve për rastin e patentë shoferëve seanca u ndërpre për arsye se mbrojtësit e të akuzuarve kërkuan që t’u dorëzohet deklarata e Filiz Krasniqit, e cila është në cilësinë e dëshmitares bashkëpunese.

Të akuzuarit në këtë rast janë Naser Llugaliu, Filloreta Ajvazi, Flora Ferizi, Adem Binakaj, Leuart Shehu, Agim Restelica, Flamur Lekaj, Shaban Zuka, Eduard Brahimaj, Dragan Zhivkoviq, Naser Bislimi, Azem Miftari, Labinot Ajeti, Magbule Mehmeti, Avdush Topalli, Premtim Topalli, Selim Rrustemi, Fatos Ferizi, Besfort Pozhegu, Naim Thaqi, Sylë Bejta, Ekrem Latifi, Dritmir Islami, Murtez Rama, Hasan Hasani, Milazim Demolli, Lindita Hoxha dhe Enver Fazliu.

Të njëjtit po akuzohen për keqpërdorime me patentë shoferë.


Në seancën e datës 13.09.2024 ishte paraparë të dëgjohej dëshmitarja bashkëpunuese, Filiz Krasniqi, mirëpo para se të fillojë ajo dëshminë, mbrojtësi i të akuzuarit Naser Llugaliu, avokati Hamdi Ibrahimi, kërkoi sqarim nga Gjykata lidhur me atë se si është shpallur dhe në cilat dispozita ligjore është bazuar vendimi që Filiz Krasniqi të shpallet si dëshmitare bashkëpunuese.

Tutje, avokati Hamdi Ibrahimi shtoi duke thënë se në një fazë të procedurës penale kur është zbuluar kjo çështje, Kodi i Procedeurës Penale nuk ka lejuar që një person i cili është në pozitën e menaxherit dhe kur në rastin e njëjtë përfshihen së paku dy persona në vartësinë e tij apo saj, nuk mund të ketë statusin e dëshmitarit bashkëpunues.

Avokati Hamdi Ibrahimi kërkoi nga trupi gjykues deklaratën e dëshmitares bashkëpunuese dhe kërkoi që ajo t’i dorëzohet mbrojtjes.

“Kërkoj nga trupi gjykues që në rast se dëshironi t’i referoheni deklaratës të kësaj dëshmitareje bashkëpunuese, kjo deklaratë paraprakisht kërkoj të na dorëzohet, një vendim që shfuqizohet urdhëresa për mbylljen e kësaj deklarate dhe të kemi qasje të gjithë ne”- tha avokati Hamdi Ibrahimi lidhur me këtë deklaratë të dëshmitares.

Ndërsa, lidhur me kërkesën e avokatit Hamdi Ibrahimi, prokurori Eset Rama tha se nëse Gjykata vendos që ta revokojë urdhrin sa i përket mbylljes së deklaratës së dëshmitares bashkëpunuese Filiz Krasniqi, atëherë ata janë të gatshëm t’ia dorëzojnë mbrojtjes këtë deklaratë.

Tutje, mbrojtësi i të akuzuarit Dritmir Islami, avokati Flakron Sylejmani, ka deklaruar që javën e kaluar janë pajisur me deklaratën e dëshmitares bashkëpunuese që lidhen me klientin e tij, por nuk janë pajisur me kopjen e urdhrit të veçantë që dëshmitarja është shpallur dëshmitare bashkëpunuese.

Trupi gjykues mori aktvendim duke aprovuar propozimin e mbrojtjes që të hapet deklarata e dëshmitares bashkëpunuese dhe e njëjta t’i dorëzohet mbrojtjes.

Tutje, mbrojtësi i të akuzuarit Besfort Pozhegu, avokati Besnik Berisha, kërkoi nga trupi gjykues që të ndërpritet seanca e sotme dhe po ashtu pati ankesa lidhur me sallën e gjykimit për shkak të hapësirës.

Edhe mbrojtësit e të akuzuarve të tjerë kërkuan që seanca e sotme të ndërpritet pasi që sipas tyre u nevojitet kohë për të analizuar të gjitha shkresat.

Kryetarja e trupit gjykues, Fatime Dërmaku, në fund të seancës obligoi prokurorin e shtetit që mbrojtësit t’i pajisë me të gjitha deklaratat e dëshmitarëve bashkëpunues, urdhrin si dhe procesverbalin e shpalljes së këtyre dëshmitarëve bashkëpunues.

Seanca e sotme u ndërpre dhe seancat lidhur me këtë rast do të mbahen në muajt në vazhdim në Departamentin e Krimeve të Rënda në Gjykatën e Prishtinës.

Ndryshe lidhur me këtë rast kishin qenë të akuzuar 31 persona, por Gjykata kishte vendosur që ndaj 3 të akuzuarve të veçohej procedura.

Çfarë thotë dosja e Prokurorisë?

Sipas aktakuzës së ngritur më 31.03.2019, i pandehuri Naser Llugaliu  (në pozitën e koordinatorit të Qendrës së patentë shoferëve në Prishtinë), e pandehura Filloreta Ajvazi (në pozitën e asistentes administrative të kësaj Qendre), Fejzullah Ejupi (në pozitën e zyrtarit administrativ në këtë Qendër), i pandehuri Shaban Zuka (në pozitën e rojës së sigurimit të kësaj Qendre)  si dhe të pandehurit Adem Binakaj, Leuart Shehu, Agim Restelica, Flamur Lekaj, Shaban Zuka, Eduard Brahimaj, Dragan Zhivkoviq, Naser Bislimi, Azem Miftari, Labinot Ajeti, Magbule Mehmeti, Selim Rrustemi, Fatos Ferizi dhe Besfort Pozhegu (në pozitën e ekzaminerëve të provimit teorik apo praktik në kuadër të Ministrisë së Infrastrukturës) kanë keqpërdorur pozitën e tyre zyrtare në vazhdimësi dhe të njejtit me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm për vete apo tjetrin kanë bërë korrigjimin e testeve teorike në zyrat e tyre pa monitorim të kamerave dhe pa komisionin mbikqyrës.

Të njëjtit, sipas aktakuzës, kanë mundësuar kalimin e kandidatëve për patentë shoferë pa i plotësuar poenat e paraparë për kalueshmëri, ku kandidatëve të caktuar ua kanë plotësuar testet teorike si dhe në disa raste ndërhyjnë në testet e kandidatëve me qëllim që të njëjtit të këne pikët e nevojshme për të kaluar testet për patent shofer të kategorive të ndryshme, e po ashtu edhe për kryerjen e provimit në pjesën praktike, në këtë mënyrë i kanë sjellë vetes përfitime materiale.

Me këtë rast të njëjtit akuzohen se në vazhdimësi kanë kryer veprën penale – keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar në vazhdimësi dhe në bashkëkryerje.

Sipas dispozitivit të dytë të aktakuzës, i pandehuri Avdush Topalli pronar i autoshkollës “Flora” në seli në Prishtinë ndërsa i pandehuri tjetër Premtim Topalli në pozitën e instruktorit në të njejtën autoshkollë njëherësh edhe djali i të pandehurit të parë, në cilësinë e subjektit të sektorit privat në mënyrë të drejtëpërdrejtë kanë kërkuar dhe marrë dhuratë të pamerituar.

Të njëjtit akuzohen se u kanë mundësur kandidatëve të cilët kanë qenë të interesuar për t’u pajisur me patentë shoferë të kategorive të ndryshme, kryesisht të kategorisë “D” duke iu marrë të holla nga 100 deri 1,000 euro në atë mënyrë që në bashkëpunim edhe me zyrtarët e Ministrisë së Infrastrukturës – Departamenti i patentë shoferëve në Prishtinë, të pandehurve të lartpërmendurve u kanë mundësuar kandidatëve kryerjen e testit teorik dhe praktik duke u dhënë të holla.

Me çka në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale – Pranimi i ryshfetit në sektorin privat.

Tutje sipas aktakuzës, e pandehura Flora Ferizi si asistente administrative në Qendrën e patentë shoferëve në Prishtinë, nuk  e ka lajmëruar veprën penale të cilën e ka mësuar gjatë ushtrimit të detyrës së saj edhe pse ka qenë në dijeni dhe ka qenë e pranishme kur kanë ndodhur shume veprime inkriminuese.

Me çka e pandehura Flora Ferizi  ka kryer veprën penale – Moslajmërim i veprave penale apo kryesve të tyre.

Tutje, sipas aktakuzës, të pandehurit Avdush Topalli, Premtim Topalli dhe Burim Jashari kanë lëshuar dokument në emër të personit tjetër pa autorizimin e tyre, respektivisht certifikatë mjekësore në të cilën kanë figuruar edhe nënshkrimet e disa mjekëve, në atë mënyrë që i pandehuri i tretë në cilësi të menaxherit në ordinancën “TRURI” me seli në Prishtinë në bashkëpunim me të pandehurin e parë – pronar të autoshkollës “Flora”, dhe të pandehurin e dytë – instruktor nga kjo autoshkollë iu kanë mundësuar kandidatëve që të pajisen me certifikata mjekësore pa qenë fare prezent.

Me çka me këto veprime të pandehurit në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale – rastet e posaçme të falsifikimit të dokumenteve.

Të pandehurit Naim Thaqi dhe Sylë Bejta po akuzohen se më 15.05.2019 si persona zyrtarë kanë shfrytëzuar detyrën zyrtare në atë mënyrë që në cilësinë e personave zyrtarë, të dytë zyrtarë policorë, në mënyrë të kundërligjshme me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm, ashtu që pandehuri Naim Thaqi, derisa ka qenë në takim në zyrë me të pandehurin Naser Llugaliu, i cili mbante pozitën e koordinatorit të Qendrës për Patentë Shoferë në Prishtinë  fillimisht e njofton atë në lidhje me një rast i cili ishte duke u hetuar nga Njësia për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Prishtinë, i cili rast ishte dhe atë duke e njoftuar në hollësi në lidhj

Po ashtu,  në aktakuzë thuhet se i pandehuri i parë e njofton të pandehurin Llugaliu se në bazë të tremujorit ata kanë kërkuar edhe 60 ditë shtesë, ndërsa i pandehuri dytë më 25 qershor 2019, në bashkëveprim me të pandehurin e parë, gjatë takimit që kanë pasur me të pandehurin Llugaliu në zyrën e tij, i pandehuri i dytë fillimisht i kishte kërkuar që për një kandidat për patent shofer ta ndihmojë për ta kaluar për shkak se të njëjtin i kishte thënë se e ka familjar.

Tutje,  më pas të njëjtin e informon që të ketë kujdes sepse në atë zyrë mund të ketë diçka.

Me këto veprime të pandehurit në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale – Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar.

Tutje, sipas aktakuzës së Prokurorisë, në dispozitivin e pestë pika 2, të pandehurit Naim Thaqi dhe Sylë Bejta, pa autorizim ia kumtojnë personit tjetër informatën që përbën fshehtësi zyrtare, ashtu që i pandehuri i parë më 15 maj 2019, derisa kanë qenë në takim me të pandehurin Naser Llugaliu i cili mbante pozitën koordinatorit Qendrës për Patentë Shoferë në Prishtinë, ndaj të cilit ishin duke u zbatuar masat e fshehta të hetimit në bisedë e sipër, të njëjtin e informojnë lidhur me veprimet hetimore që janë ndërmarrë nga Njësia për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion në një rast.

e me atë se çka kishte deklaruar në Polici personi i dyshimtë si dhe duke e udhëzuar të pandehurin Llugaliu si të veprojë ai nëse i kërkohet ndonjë dokument në lidhje me këtë rast.

Tutje, dy të pandehurit, gjatë takimit që kanë pasur me të pandehurin Llugaliu në zyrën e tij, gjatë bisedës në mes tyre të njëjtin fillimisht e pyesin nëse ka diçka në zyrë të vendosur e më pastaj e informojnë atë se janë duke u përcjellë nga Njësia për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion, duke njoftuar të njëjtin se janë angazhuar nga Policia, njësitë përcjellëse dhe se masat e fshehta janë vazhduar edhe për 60 ditë tjera, andaj duhet të jetë i kujdesshëm në veprimet e tij.

Me këto veprime, të pandehurit në bashkëkryerje akuzohen se kanë kryer veprën penale – zbulimi i fshehtësisë zyrtare.

Tutje, sipas dispozitivit të gjashtë të aktakuzës, i akuzuari Ekrem Latifi akuzohet se në cilësinë e ekzaminerit pranë Ministrisë së Infrastrukturës – Departamenti i Patentë Shoferëve i ka dhënë dhuratë apo përfitim të paarsyeshëm në mënyrë të tërthortë personit zyrtar, të akuzuarit Naser Llugaliu në mënyrë që ai person të veprojë ose jo, në pajtim me detyrën e tij zyrtare, ashtu që në ditën kritike të njejtit përmes  një personi i kishte dhënë 250 euro të vendosura në zarf me një emër të kandidatit të shkruar në letër që ka pasur të hyjë në provim për patentë shofer atë ditë.

Nga këto veprime i pandehuri Ekrem Latifi akuzohet se ka kryer veprën penale – dhënie e ryshfetit.

Tutje sipas aktakzuës, dispozitivit të shtatë të saj, i pandehuri Bashkim Jetullahu akuzohet se në cilësinë e autoshkollës “8 Marsi” në Prishtinë, si person i punësuar në këtë autoshkollë, në mënyrë të drejtpërdrejtë ka kërkuar dhe ka marrë dhuratë të pamerituar, ose ka keqpërdorur pozitën e tij duke marrë shpërblim për veten e tij, ashtu që nga një kandidat për patentë shofer ka pranuar 100 euro për ta ndihmuar që ta kalojë testin praktik për patentë shofer, duke e udhëzuar të njëjtin që nëse nuk e jep atë shumë të të hollave do ta rrëzojë në testimin e vozitjes.

Nga këto veprime i pandehuri Ekrem Latifi akuzohet se ka kryer veprën penale – Pranim i ryshfetit në sektorin privat.

Tutje, sipas dosjes së Prokurorisë, dispozitivit të tetë të saj, i pandehuri Dritmir Islami akuzohet se në cilësinë e instruktorit të autoshkollës “Abis” në Prishtinë, drejtpërdrejt ka kërkuar dhe marrë dhuratë të pamerituar ose ka keqpërdorur pozitën e tij duke marrë shpërblim për veten e tij, ashtu që nga një  kandidate për patentë shofer dhe bashkëshorti i saj ka pranuar 600 euro për ta ndihmuar që ta kalojë testin për patentë shofer, sipas udhëzimeve të tij.

Nga këto veprime i pandehuri Dritmir Islami akuzohet sa ka kryer veprën penale – Pranim i ryshfetit në sektorin privat.

Në dispozitivin e nëntë të kësaj aktakuze, i pandehuri Murtez Rama po akuzohet në cilësinë e instruktorit në autoshkollën “Rinasi” me seli në Drenas, me dashje ka ndihmuar personat e tjerë në kryerjen e veprave penale, respektivisht Avdush dhe Premtim Topalli, ashtu që me veprimet e të njëjtëve u ka dhënë pajisje për të kryer veprën penale, si dhe atë kandidatëve që kanë pasur të hyjnë në teste teorike për patentë shofer u ka vendosur mjete të fshehta fotografuese (stilolaps me kamerë), përmes të cilit ka arritur që të nxjerrë teste dhe të njëjtat ua ka dërguar të akuzuarve Avdush dhe Premtim Topallit, të cilat janë gjetur me rastin e ekzaminimit të telefonit të tyre.

I njëjti akuzohet se ka kryer veprën penale – Dhënie ndihme në kryerjen e veprës penale si dhe veprën penale  – Pranimi i ryshfetit në sektorin privat.

Tutje, sipas dispozitivit të dhjetë, i pandehuri Hasan Hasani  akuzohet në cilësinë e kandidatit për aftësim profesional për patentë shofer, i regjistruar në autoshkollën “Fati” në Prishtinë, i ka ofruar në mënyrë të tërthortë shpërblim ose përfitim të panevojshëm instruktorit të kësaj autoshkolle Milazim Demolli në  shumën prej 450 euro, në ditën kur kishte hyrë në test për patentë shofer, e që ishin marrë vesh që ai t’i plotësojë vetëm disa pyetje, kurse pjesën tjetër të testit ta lërë të zbrazët.

Me këtë rast i njëjti  akuzohet se ka kryer veprën penale – Dhënie të ryshfetit në sektorin privat.

Sipas dispozitivit të njëmbëdhjetë të  kësaj aktakuze, i pandehuri Milazim Demolli  akuzohet se në cilësinë e punonjësit të autoshkollës “Fati” në Prishtinë, si person i cili ka qenë i punësuar në këtë autoshkollë në mënyrë të tërthortë ka kërkuar dhe ka marrë dhuratë të pamerituar dhe ka keqpërdorur pozitën e tij duke marrë shpërblim për veten e tij.

Tutje, në këtë dispozitiv të aktakzuës thuhet se kandidati për patentë shofer Hasan Hasani ka pranuar shumën e të hollave prej 450 euro për ta ndihmuar që ta kalojë testin teorik, duke e udhëzuar atë që me rastin e nënshtrimit të testit t’i plotësojë vetëm dy përgjigje e të tjerat t’i lërë të zbrazëta.

I njëjti thuhet se më 02 korrik 2019 shkon në zyrën e të pandehurit Naser Llugaliu dhe së bashku me të i shikojnë listat e kandidateve të cilët kanë për t’iu nënshtruar dhe së bashku e identifikojnë kandidatin Hasan Hasani,

Me këtë, i njëjti po akuzohet se ka kryer veprën penale – Pranimi i ryshfetit në sektorin privat.

Në dispozitivin e njëmbëdhjetë në pikën e dytë thuhet se më 02 maj 2019, si punëtor i autoshkollës “Fati” në Prishtinë i ka ofruar dhe i ka dhënë dhuratë apo përfitim të paarsyeshëm në mënyrë të drejtpërdrejtë për vete apo tjetrin personit zyrtar Naser Llugaliu, në atë  mënyrë që i njëjti të veprojë ose të mosveprojë në pajtim me detyrën e tij zyrtare,

Me këtë rast, i njëjti po akuzohet se ka kryer veprën penale – Dhënia e ryshfetit.

Tutje, sipas dispozitivit të dymbëdhjetë të kësaj aktakuzë, e pandehura Lindita Hoxha akuzohet se nga data 27 qershor 2019 e deri më 05 korrik 2019, në cilësinë e instruktores për aftësim profesional për patentë shofer në autoshkollën “Atlantida”, në vazhdimësi i ka ofruar dhe dhënë dhuratë apo përfitim të paarsyeshëm në mënyrë të drejtpërdrejtë për vete apo tjetrin personit zyrtar Naser Llugaliu, koordinator i Qendrës për Patentë Shoferë në Prishtinë, në mënyrë që i njëjti të veprojë ose të mos veprojë në pajtim me detyrën e tij zyrtare.

Me këto veprime e pandehura Lindita Hoxha po akuzohet se ka kryer veprën penale – Dhënia e ryshfetit në vazhdimësi.

Tutje, sipas dispozitivit të trembëdhjetë të kësaj aktakuze, i pandehuri Enver Fazliu në cilësinë e instruktorit të autoshkollës “AAB” në Prishtinë si person i punësuar në këtë subjekt të sektorit privat, në mënyrë të drejtpërdrejtë ka kërkuar dhe marrë dhuratë të pamerituar ose ka keqpërdorur pozitën e tij, duke marrë shpërblim për veten e tij.

Në dosjen e Prokurorisë thuhet se nga një kandidate për patentë shofer e ka pranuar shumën e të hollave prej 450 euro për ta ndihmuar që ta kalojë testin teorik për patentë shofer, duke udhëzuar atë me rastin e mbushjes së testit ajo t’i shkruajë vetëm të dhënat personale në test dhe pjesën tjetër të testit ta lërë të zbrazët, dhe e njëjta ashtu edhe  kishte vepruar dhe kishte arritur që ta kalojë testin për patentë shofer.

Me çka e pandehura Lindita Hoxha po akuzohet për veprën penale – Pranim i ryshfetit në sektorin privat. /Kallxo.com/