Agjencioni për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës ka njoftuar se ka marrë vendim për mbrojtjen e katër racave të ndryshme të gjelave autokton.
Siç bëhet e ditur në njoftim, në vendimin për mbrojtjen përfshihen, llojet autoktone të gjelave: Gjeli Këndimgjatë i Dukagjinit, Gjeli Këndimgjatë i Gjilanit, Gjeli Trengjyrësh dhe Gjeli Piklan, transmeton Telegrafi.
Këta katër lloje të gjelave i janë shtuar Regjistrit të Vlerave të Mbrojtura të Natyrës, që mirëmbahet nga Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Natyrës.
“Qëllimi kryesor i nxjerrjes së vendimeve është mbrojtja e llojeve të gjelave autokton sipas ligjit dhe përcaktimi i kushteve të mbajtjes. Gjithashtu përmes vendimeve synohet që llojet të mbrohen nga rreziku për përzierje gjenetike me racat e huaja dhe nga rreziku për nxjerrje jashtë vendit e këtyre racave me qëllim të kryqëzimit me racat tjera”, thuhet në njoftim.
Tutje, në njoftimin e bërë nga Agjencioni thuhet se vendimet përmbajnë edhe arsyeshmërinë profesionale për marrjen në mbrojtje të llojeve të gjelave autokton, si dhe përshkrimin e karakteristikave themelore të tyre, të cilat janë hartuar nga një grup punues ndërinstitucional i udhëhequr nga Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Natyrës.
Vënia nën mbrojtje institucionale e gjelave autokton është e një rëndësie të veçantë edhe për faktin se këto raca tani do të prezantohet ndërkombëtarisht si raca autoktone të Republikës së Kosovës, përmes së cilave do të paraqitet edhe begatia e vlerave të biodiversitetit të vendit tonë. /Telegrafi/