LAJMI I FUNDIT:

Shteti i Kosovës dhe (pa)mundësitë e realizimit të tij

“Sa më thellë që të meditohet, aq më shumë përmirësohet aftësia e njeriut për të menduar. E ne i kemi fuqitë e brendshme më të mëdha sesa ato të jashtme, por mjerisht rrallë u drejtohemi atyre. Megjithëkëtë, siç duket shumica frikësohen nga parashikimi se do ballafaqohen me vetveten”.

1. Shteti pesëvjeçar i Kosovës


Në një shtet normal dhe me predispozita të qarta sociale, sosh politike dhe padyshim ekonomike, çështja e përzgjedhjes së elitave udhëheqëse do të duhej të ishte një imperativ i llojit të vet.

Në rastin e Kosovës, kur këto ditë u festua me një pompozitet të reduktuar pesë vjetori i Pavarësisë së vendit, u hetua se shteti i Kosovës për të arritur hapin e zhvillimeve aktuale, pra trendin e kërkesave të kohës – anëtarësimi në BE, në NATO, në institucione rajonale dhe tjera të rëndësishme, patjetër – duhet në postet udhëheqëse të vendos elita të atilla politike – që për synim kanë jo pushtetin por shtetin; ekonomike – që për qëllim kanë zhvillimin, e jo zhvatjen; sociale – që kanë për imperativ mirëqenien e jo pasurimin e klanit dhe grupit të interesit; kulturore – që kanë për objekt krijimin e traditës së punës, e jo instalimin e krimit dhe korrupsionit…

Por, për ta realizuar këtë projekt me primesa nacionale, publiku kosovar, pra qytetarët e këtij shteti, do të duhej të ndërmarrin disa masa preventive, në mënyrë që mos të përsëritën konditat negative të gjithë atyre sjelljeve negative (krimi i organizuar, korrupsioni, nepotizmi, konformizmi, poltronizmi e izmat tjerë).

2.Meritokracia si zgjidhje

Veprimi i parë është përzgjedhja e përfaqësuesve (një meritokracie) të publikut, përmes një procesi seleksionues të garimit, i cili më tepër do fuqizojë aftësitë udhëheqëse se sa sfondin social – ashtu siç ishte gjerë më tani (nepotizmi, poltronizmi, klientelizmi… që ishin instaluar si modele udhëheqëse) në shoqërinë kosovare.

Në fakt, sistemi i meritokracisë gjithkund në botën bashkëkohore dhe në botën e shteteve të forta favorizon njerëzit dhe kuadrot që kanë apo “pushtojnë” hapësirat shoqërore në bazë të përmes aftësive dhe përpjekjeve permanente profesionale, e jo në bazë të moshës, klasës, etnisë, gjinisë ose në bazë të karakteristikave të tjera të ngjashme ose të përparësive të trashëguara nepotiste..

Pra, nëse dëshirojmë të bëhemi një Hong Kong ballkanik, ne shqiptarët e Kosovës, së bashku me ata të Shqipërisë, padyshim që duhet të ndryshojmë disa cilësi të ngulitura me “përvojën” e kohës dhe pushteteve poltroniste: të mënjanojmë të menduarit nepotist, të luftojmë me të gjitha mjetet e mundshme të vepruarit korruptiv…

Veprimi tjetër, në kuadër të këtij projekti, padyshim kishte me qenë që në zgjedhjet e sivjetme lokale, me fuqinë e votës së tyre qytetarët kosovarë t’i ndëshkojnë të gjithë ata kandidatë që në zgjedhjet e kaluara lokale i mashtruan, pra që në fakt abuzuan me besimin e tyre qytetar, që nuk realizuan asnjë premtim nga ajo që morën në mandatin e kaluar, siç ishin premtimet rreth temave: ujësjellësi, rruga, shkollat, spitalet, kanalizimet etj. dhe në vend të tyre të votojnë njerëz të rinj që kanë dije, sens, përgatitje dhe mbi të gjitha janë transparent, kanë përgjegjësi dhe japin llogaridhënie qytetarëve që i votojnë.

Një veprim tjetër tipik sociologjik, do të ishte përpjekja e gjithanshme e publikut, pra qytetarëve për t’i normuar këto sjellje të reja sociale në kodin e tyre të mirësjelljes kolektive. Pra, duke i shndërruar ato në cilësi, në rregulla, dispozita morale dhe të kodifikuara juridikisht me ligje dhe dispozita kushtetuese, në rregulla të parapajtuara që do rezultonin nga një debat të ngjeshur qytetar.

3. Normat si marrëveshje “xhentëlmene” sociale

Këto norma të përfituara kështu përmes një debati të ngjeshur qytetar do të merrnin më pastaj epitetin e qëndrimeve që do rregullonin sjelljen dhe veprimet qytetare dhe njëkohësisht do shërbenin edhe si një lloj katalizatori shoqëror joformal. Ndërsa, si porosi dhe imperativ do ta kishin krijimin e mekanizmit obligativ për të gjithë ata që do të kërkonin votën dhe besimin e qytetarëve kosovare në zgjedhjet që janë në horizont. Funksioni kryesor i normave të arritura përmes një marrëveshjeje “xhentëlmene” sociale midis qytetarëve dhe atyre që dëshirojnë të marrin besimin e qytetarëve është ta mbështesin, ta mbajnë sistemin, rendin, paqen dhe rregullimin e sistemit shoqëror.

Në anën tjetër, në kuadër të “këtij pakti” të heshtur, por mund të jetë edhe publik, do të duhej të figuronte edhe një amendament i cili pretenduesve potencial për të marr votën e qytetarëve do t’ua tërhiqte vërejtjen se në rast se nuk i përmbushin premtimet paraprake gjatë fushatës, konsultimeve, debateve pro et contra, ata do të thirren në përgjegjësi dhe do të shkarkohen nga të qenit përfaqësues të qytetarëve…

Tani, si është gjendje në shoqërinë kosovare, ku askush nuk mund të kërkojë nga publiku përgjegjësinë nga përfaqësuesi i tyre, pra gjendje kur mungon sistemi i organizuar i normave dhe vlerave sociale të cilat qytetarin e drejtojnë nga sjellja më e përshtatshme në një situatë të caktuar shoqërore, është normale që edhe përgjegjësia e të zgjedhurve ndaj qytetarëve të jetë jo edhe aq obligative, sa në realitet do të duhej të ishte në një shoqëri demokratike.

4. Përgjegjësia sociale si normë

Tani, meqë e kemi të qartë kornizën bazë të veprimit tonë social të qytetarëve, të cilët në parim kanë interes të krijojnë përgjegjësi publike ndaj zgjedhësve të vetë potencial, është mirë që kjo përgjegjësi të zgjerohet edhe në sferat tjera sociale, pra të krijohet mekanizmi i ndërveprimit pa marrë parasysh se a bëhet fjalë për qeverinë, kompanitë, organizatat ose individët kanë përgjegjësi ndaj shoqërisë. Mekanizëm ky i cili në fazën e tanishme emancipuese, pra fazën e ndërtimit të shtetit si krijesë fillestare dhe të cilën kosovarët s’e kanë pasë në pronësi asnjëherë gjatë gjithë qenësimit të tyre – social, politik, e civilizues – është e natyrshme që të shkojë në situata të ndryshme edhe përtej përgjegjësisë ligjore.

Themi kështu ngaqë jemi duke llogaritur gjithnjë në nevojën për të ndryshuar gjërat pozitivisht dhe në favor të një qytetarie aktive, mobilizuese, një qytetarie që do të dijë të bëhet prokurore dhe avokate e vetës së vet, interesave të saja tipike qytetare që do të dilnin padyshim si pasojë e debateve publike që do zhvilloheshin përmes mediave. Ideja dhe qëllimi i gjithë këtij projekti nacional është krijimi i përvojës për të instaluar mekanizmin e përgjegjësisë shoqërore që nënkupton reduktimin e korrupsionit, sjelljet e papërgjegjshme dhe joetike që mund ta dëmtojnë shoqërinë, njerëzit dhe mjedisin social.

5. Përjashtimi shoqëror

Është një gjendje apo një status quo sociale, ekonomike dhe sosh kulturore, që i karakterizon shoqëritë e tranzicionit që s’kanë mundësi akcesi për gjërat që presupozohen, si begati dhe potenciale e resurse nacionale, pra një gjendje e atillë ku në mënyrë racionale nuk shfrytëzohen thënë më thjeshtë potencialet njerëzore, siç është rasti me Kosovën! Themi kështu, ngaqë regjistrimi i fundit i popullsisë dëshmoi se Kosova me moshën mesatare 23.4 të popullsisë së gjithmbarshme mashkullore dhe atë prej 23.7 për femërore, mund të bëjë çudira në sferën e uljes së papunësisë në tregun e punës. Përgjegjësia për mos shfrytëzimin e këtij potenciali dhe dhuntie, në fakt duke i margjinalizuar të drejtat, mallrat, shërbimet që mund t’i ofrojë ky resurs, padyshim bie mbi ata që e udhëheqin vendin.

Ky proces në Kosovë ka një dekadë të tërë që është duke ndodhur. Të jesh i përjashtuar në kuptimin e mos shfrytëzimit të kontigjenteve dhe potencialit të ri që tani për tani është duke mrizuar, nuk ka të bëjë vetëm me aspektin ekonomik, por edhe me pasojat dhe reperkusionet tjera që dosido manifestohen edhe në sferat tjera shoqërore, që dosido prodhojnë sjellje deviante dhe sosh kriminale, ashtu siç është edhe duke ndodhur…

Në trend

Më shumë
Treni në Japoni u nis me 17 minuta vonesë: Kur pasagjerët dëgjuan arsyen, askush nuk u zemërua

Treni në Japoni u nis me 17 minuta vonesë: Kur pasagjerët dëgjuan arsyen, askush nuk u zemërua

Azia
Serwer tregon se pse Serbia i frikësohet anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës

Serwer tregon se pse Serbia i frikësohet anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës

Lajme
‘Hakmarrja’ e Izraelit ndaj Iranit - gjithçka që ndodhi në ditën kritike

‘Hakmarrja’ e Izraelit ndaj Iranit - gjithçka që ndodhi në ditën kritike

Botë
Barcelona po nënshkruan mega-kontratë, ajo do t'i sjellë klubit mbi një miliard euro

Barcelona po nënshkruan mega-kontratë, ajo do t'i sjellë klubit mbi një miliard euro

La Liga
Von Cramon: Nëse Kosova e Serbia përfitojnë më shumë nga moszbatimi i marrëveshjeve, vështirë të bëhet diçka në Bruksel

Von Cramon: Nëse Kosova e Serbia përfitojnë më shumë nga moszbatimi i marrëveshjeve, vështirë të bëhet diçka në Bruksel

Lajme
Arrestimet e qytetarëve të Kosovës në kufi, analistët në Beograd: Serbia ka prekur fundin moral e politik

Arrestimet e qytetarëve të Kosovës në kufi, analistët në Beograd: Serbia ka prekur fundin moral e politik

Lajme
Kalo në kategori