“Shtet artificial”!
O shqiptar! A ju vjen turp o qeveri e mjerë ta quani veten shqiptar pas këtyre ngjarjeve? Të ushtroni dhunë ndaj popullit tuaj, ta prangosni, ta rrihni, ta shani e ta burgosni popullin tuaj, i cili doli në mbrojtje të sovranitetit të shtetit, e që u vu kundër shtetit armik, shtetit i cili me shekuj na vrau, na dogji, na ndaloi arsimin shqip, që na ndaloi të themi shqip “Kosova Republikë”! Ju duket juve anëtarë të qeverisë e të policisë se jeni shqiptar?...
Në ditën e 14 janarit, kur Lëvizja Vetëvendosje organizoi aksion në pikat kufitare në Merdarë dhe te Dheu i Bardhë për ndalimin e hyrjes së mallrave të Serbisë në Kosovë. Pas vendimit që u miratua në Kuvendin e Kosovës me 7 dhjetor të vitit 2011 për zbatimin e masave të reciprocitetit me Serbinë, e të cilin nuk po e zbaton Qeveria e Republikës së Kosovës, shumë qytetarëve iu ringjall ndjenja e ngjarjeve të protestave të viteve të 80-ta, kur policia famëkeqe serbe me dhunë shpërndau protestuesit shqiptarë. Në të njëjtën mënyrë bëri edhe policia e Kosovës. Policia pa mëshirë, pos të rinjve që i goditi për toke, ajo kapi edhe një njeri të moshuar duke e zvarritur nëpër tokë! Ku është ndjenja njerëzore fillimisht, e pastaj edhe ajo kombëtare e atyre policëve të cilët si bisha u vërsulen mbi popull?
Çfarë demokracie është kjo kur i ndalon të hyn vëllezërit tonë nga Shqipëria për në Kosovë? Gjithmonë e kemi shprehur guximin dhe trimërinë në mes vete. Pse kjo qeveri nuk e urdhëroi këtë polici që t’i largonte barrikaduesit serbë në veri të Kosovës? A nuk guxon kjo qeveri të marrë urdhra të tilla vet pa lejen e ndërkombëtarëve, apo është kjo një përkëdhelje ndaj popullit serb? E me shqiptarët të cilët ngrihen për t’i mbrojtur interesat e popullit të vet, ata i pengojnë në mënyrë aq brutale!! Janë këto shumë pyetje, që jo vetëm unë, por i gjithë populli po i bënë, por ja se kemi një qeveri qesharake, pa përgjigje!
Policia e Kosovës një ditë pas protestave përmes një komunikate për media del me deklarata komike, se gjoja ata përdorën forcën minimale mbi protestuesit. E ministri Rexhepi thotë që qëllimi i policisë gjatë gjithë kohës, ka qenë që të liroheshin rrugët dhe të mundësohej liria e lëvizjes... Me të vërtetë qesharake!
Kurse nga ana e qeverisë nëpër rrjetet sociale komentohen protesta në mënyrë ironike duke fyer luftën e vitit 1999 dhe refugjatët e Bllacës. Po këta persona që e quajnë vetën shqiptarë tregojnë injorimin e të gjithë luftës së Kosovës dhe po ashtu edhe të popullit kosovar. E këta sot e udhëheqin shtetin e Kosovës. A thua çfarë ndjenja kanë për kombin? Apo janë në pyetje vetëm interesat personale që ata të pasurohen, e populli të vuaj për shkakun e tyre!
Shpjet do të vije koha e zgjedhjeve dhe po këta persona, të cilët ushtruan dhunë në popullin e tyre pa asnjë mëshirë, do të kërkojnë votën e atyre njerëzve të cilët i gjuajtën me ujë kur temperaturat ishin nën 0 gradë celsius! O popull, vetëdijesohuni tani për gjendjen në të cilën jemi! Ja kush po e shkatërron shtetin tonë, ja kush po e shkatërron arsimin, shëndetësinë, ekonominë... Pyetni se cila do të jetë e ardhmja e fëmijëve tuaj? Një rini e cila ndoshta do të mbetet duke bredhë rrugëve për të kërkuar lëmoshë!
Sidoqoftë me 22 janar në protestën e Lëvizjes Vetëvendosje mbetet të shihen skenat e ardhshme të policisë së Kosovës ndaj qytetarëve shqiptarë. Së pari të shohim a do të mbahet kjo protestë pasi këto ditë pritet vizita e zëvendës/ndihmësit të sekretares amerikane të shtetit, Filip Riker, i cili thuhet që do të vij në Kosovë me qëndrime të ashpra për këto ngjarje. Mirëpo është turp që një shtet të mos mundet t’i zgjidhe vet problemet e brendshme, por të vijnë të huajt dhe të na rregullojnë neve punët tona, e sidomos kur është fjala për zbatimin e një vendimi të cilën e ka miratuar Kuvendi i Kosovës, vendim që nuk po zbatohet nga Qeveria, e që tregon se nuk jemi shtet i së drejtës.
Andaj tani është koha që popull të vendos vet për të drejtat dhe të ardhmen tonë. Fillimisht ta shtrijmë sovranitetin në tërë territorin e Republikës së Kosovës, e pastaj e ka radhën bashkimi me Shqipërinë.




















































