Shtatë trendet më të mira të vjeshtës për gratë në të dyzetat

Vjeshta sjell ngjyra, tekstura dhe modele që ju ndihmojnë të ndiheni elegante dhe bashkëkohore në çdo rast
Moda ndryshon çdo sezon, por ajo që mbetet e pandryshuar është dëshira për t’u ndjerë mirë me veten dhe për të reflektuar stil në çdo moshë.
Vjeshta është periudha e përkryer për të eksperimentuar me materiale të pasura, ngjyra të ngrohta dhe kombinime që sjellin elegancë e freski njëkohësisht.
Gratë në të dyzetat shpesh janë në kulmin e vetëbesimit dhe e dinë saktësisht çfarë u shkon. Kjo është mosha kur përvoja dhe shija e formuar përputhen me dëshirën për të qenë në hap me kohën, pa pasur nevojë të ndjekin çdo trend të përkohshëm. Prandaj, përzgjedhja e duhur e pjesëve të gardërobës nuk është vetëm çështje stili, por edhe një formë shprehjeje personale.
Pantallonat prej lëkure

Veshjet prej lëkure (qoftë natyrale apo artificiale) janë bërë tashmë pjesë standarde e gardërobës për sezonin e vjeshtës.
Një nga këto janë pantallonat prej lëkure, moderne, gjithmonë të dëshiruara dhe shumë të lehta për t’u kombinuar. Ato japin pafundësisht mundësi, qoftë për një paraqitje elegante apo të guximshme.

Ekzistojnë modele të ndryshme dhe në ngjyra të ndryshme, por të zezat vazhdojnë të jenë më të kërkuarat, të ndjekura nga kafenjtë. Kjo nuk është rastësi, sepse janë ngjyra neutrale që përshtaten me gjithçka tjetër.
Ngjyrat trendi

Çdo vjeshtë sjell me vete një paletë ngjyrash të reja. Edhe pse ato ndryshojnë nga viti në vit, një gjë mbetet e pandryshuar: kafeja e errët është gjithmonë në modë.
E njohur edhe si “kafe çokollatë”, ajo konsiderohet si “e zeza e re”. Është ngjyrë neutrale, ideale për veshje të përditshme, për punë apo për evente të ndryshme.

Nëse nuk dëshironi ta zgjidhni për veshjet kryesore, mund ta shtoni në gardërobë përmes aksesorëve, çantave, këpucëve apo rripave.
Motivi klasik me katrorë

Katrorët për vjeshtë? Po, ndoshta nuk është surprizë, por është një zgjedhje gjithmonë e suksesshme. Këtë sezon, veçanërisht popullore janë xhaketat gri me motive katrorësh, të gjallëruar me nuanca blu, të verdha apo rozë.

Përveç xhaketave, mund të zgjidhni pantallona apo funde me katrorë, ose thjesht aksesorë, çanta dhe këpucë me këtë motiv duken fantastike. Kujdesuni vetëm për dy rregulla: një kombinim duhet të ketë vetëm një pjesë me dizajn, ndërsa pjesa tjetër e veshjes të jetë njëngjyrëshe.
Kostumi

Një kostum është gjithmonë një investim i mirë. Mund ta vishni në shumë raste dhe gjithashtu të ndani pjesët, pantallonat dhe xhaketën, për të krijuar kombinime të ndryshme elegante.

Ekzistojnë versione të njëngjyrta ose me motive, dhe secila është zgjedhje e sigurt. Kostumi është klasik dhe i lehtë për t’u stiluar, duke ju dhënë elegancë në çdo rast.
Dezeni me vija të theksuara
Ky model është bërë shumë popullor vitet e fundit dhe gjatë vjeshtës shfaqet më së shumti tek bluzat dhe xhemperët që përdoren pothuajse çdo ditë.

Përparësia e tij është se i jep teksturë dhe gjallëri kombinimeve të përditshme pa ndryshuar shumë stilin. Është një motiv i sigurt që u shkon pothuajse të gjitha grave dhe është shumë i lehtë për t’u kombinuar.
Shkëlqimi i përditshëm

Nëse do të na pyesnin, shkëlqimi duhet të ishte pjesë e gardërobës gjatë gjithë vitit. Por nuk kemi nevojë gjithmonë për shkëlqim të plotë, ngjyrat metalike bëjnë mrekulli: argjendi, ari, blu metalike apo rozë (kjo e fundit është veçanërisht femërore).

Aksesorët dhe këpucët metalikë janë gjithashtu një mënyrë fantastike për ta ngritur një kombinim të zakonshëm në një nivel më modern.
Xhaketat dhe mantelet prej lëkure

Moto-xhaketa është tashmë një klasik, por këtë vjeshtë në trend janë edhe xhaketat dhe mantelet prej lëkure me rrip.
Një mantel i zi prej lëkure është zgjedhje që nuk gabon kurrë: i qëndrueshëm, i kombinohet me gjithçka dhe është investim që zgjat me vite.

Po ashtu, çdo ngjyrë neutrale është shumë e përshtatshme, pasi lejon kombinime të pafundme nga ato të përditshme deri tek paraqitjet profesionale. /Telegrafi/

















































