Shqiptarët përballë të kaluarës komuniste

A janë “përballur”, a i kanë “mbyllur llogaritë”, a kanë “bërë paqe”, shqiptarët me të kaluarën e tyre komuniste? Janë pyetje që i kam dëgjuar apo lexuar shpesh nga gazetarë, studiues, por edhe vizitorë të huaj ndërkohë që në shoqërinë shqiptare ato mungojnë thuajse krejtësisht.
Nga: Fatos Lubonja
Qoftë nga termat “përballje”, “mbyllje llogarish”, “paqe”, qoftë nga gjuhët e përdorura, por edhe nga përvoja e vendeve prej nga vijnë të huajt ato përmbajnë sfumatura të ndryshme kuptimore e emocionale. Gjithsesi, përtej këtyre sfumaturave, ideja që të sugjerojnë, ashtu siç i rreshtova, është se “përballja” konsiderohet si faza e parë, kushti për fillimin e një procesi që do të na çonte te fazat e mëtejshme: të “mbylljes së llogarive” dhe të arritjes së “paqes”.
Duke kërkuar t’u jap përgjigje pyetjeve mbi raportin e shqiptarëve me të kaluarën e tyre komuniste ideja e parë që më ka ardhur në mendje ka qenë në formën e pyetjes: pse shqiptarët ia kanë shtruar pak ose aspak vetes këto pyetje dhe ç’kuptim ka fakti që këto i bëjnë të huajt? Pra, reflektimi im është nisur nga nevoja për të kuptuar e shpjeguar shkaqet e heshtjes së shoqërisë ndaj këtyre pyetjeve. Një heshtje që mban në barkun e vet edhe shkaqet e dështimit të lindjes së një debati mbi çështjet që shtrojnë këto pyetje.
Në editorialin e këtij dynumërshi të Përpjekjes kushtuar raportit të shqiptarëve me të kaluarën komuniste, duke iu bashkuar autorëve të tij të shumtë, do përpiqem të hedh disa reflektime që synojnë të kuptojnë se në ç’gjendje është deri më sot faza e parë: ajo e përballjes me të kaluarën, si është bërë ajo, dhe më tej: për aq sa ç’është bërë, a është nisur nga qëllimi për ta na çuar drejt “mbylljes së llogarive” dhe “paqes”, apo na ka çuar në drejtime të tjera, të gabuara - siç më rezulton. Do të përpiqem të hulumtoj gjithashtu shkaqet e marrjes së këtyre drejtimeve të gabuara, dhe, më në fund, të sugjeroj se ç’duhet bërë dhe si duhet bërë një kthesë drejt një përballjeje/debati mbi të kaluarën, që do të na çonte vërtet në mbyllje llogarish dhe në paqe sociale, gjithë pa i konsideruar këto të dyja si arritje përfundimtare, por si synime orientuese të shoqërinë përdrejt të vërtetës dhe lirisë të konceptuara këto si produkte të dialogut të pandërprerë mes njerëzve.
Koment i një studimi si vështrim i parë
Nuk mohohet se në botën shqiptare kanë qarkulluar e qarkullojnë disa tema të rëndësishme që evokojnë përballjen me të kaluarën të tilla si: dënimi moral e politik i krimeve të komunizmit, dënimi ligjor i autorëve të këtyre krimeve, roli i popullit dhe roli i inteligjencës në promovimin e atij regjimi, roli i të kaluarës historike, kërkimi ndjesë, falja, integrimi në shoqëri i viktimave, hapja e dosjeve të Sigurimit të shtetit, lustracioni, gjetja e varreve të të vdekurve nëpër burgje dhe të të dënuarve me vdekje, përkujtimi dhe përkujtimoret mbi atë kohë, dëmshpërblimi moral dhe material i viktimave, etj..
Janë tema të cekura andej këtej nga politika, mediat, shoqëria civile apo individë të ndryshëm, më së shumti duke u instrumentalizuar për qëllime politike nëpërmjet prekjes së anëve emocionale të problemit, por pa u trajtuar në mënyrë të përthelluar në emër të ndërgjegjësimit mbi nevojën e përballjes me të kaluarën. Me këtë përthellim kuptoj një kombinim metodash studimore objektive dhe subjektive, ku me të parat kam parasysh kërkimin e të dhënave të matshme me numra apo shifra, si p.sh. numri i atyre që janë dënuar për krimet e asaj kohe, numri i varreve të gjetura, i atyre që kanë kërkuar ndjesë, i atyre që kanë falur, i shifrave të dëmshpërblimeve, të objekteve muzeale apo përkujtimoreve që ftojnë për reflektim, e të tjera; kurse me të dytat intervista njerëzish mbi temat në fjalë apo mbi pyetjen më të përgjithshme se në çfarë mase e ndjejnë ata se ka pasur një ballafaqim me të kaluarën në emër të mbylljes së hesapeve të shoqërisë me të, nëse kanë bërë ata paqe me të apo se sa ata ndiejnë se e kaluara rëndon mbi të tashmen e tyre - qoftë për viktimat kjo, qoftë edhe për persekutorët.
Siç e thashë, nuk mungojnë sprova aty këtu për t’i prekur këto tema, por ato kanë mbetur si shtigje qorre, që nuk kanë çuar dot në një hapësirë dialogu publik mes palëve të ndryshme me të cilat kam parasysh si brezat e ndryshëm ashtu edhe zgjedhjet dhe fateve e tyre të ndryshme në atë kohë.
Një prej këtyre sprovave të mbetura në mes të rrugës është edhe një studim i kryer nga organizata jofitimprurëse IDRA në vitin 2015 me titull: “Njohuritë dhe perceptimet e publikut për të shkuarën komuniste” dhe nëntitull: “në kuadrin e ndërtimit të një platforme të dialogut kombëtar rreth shkeljeve të të drejtave të njeriut gjatë regjimit të mëparshëm komunist në Shqipëri” (kryer me iniciativën dhe sponsorizimin e OSBE-së dhe Ambasadës Gjermane.)
Këtu tërheq edhe një herë vëmendjen për një fenomen që do t’i rikthehem edhe herë të tjera: fakti se janë të huajt që e ngacmojnë këtë tematikë.
Studimi i IDRA-s është bazuar në anketimin e tre grupmoshave: 16-35 vjeç, 35-55 vjeç dhe mbi 55 vjeç, të ndara edhe sipas gjinisë edhe sipas tri zonash gjeografike. Të anketuarve (rreth 1000) u janë drejtuar pyetje të tilla si: a është problem e kaluara komuniste për ju?; sa e njihni atë?; sa të interesuar jeni ta njihni?; çfarë perceptimi keni për atë regjim? etj..
Përshtypja e përgjithshme që të le studimi, qoftë nëpërmjet përgjigjeve, qoftë edhe nëpërmjet disa nga pyetjet e formuluara nga studiuesit, është se shoqëria shqiptare ka mbetur në një gjendje foshnjore në përballjen me të kaluarën, çka shpjegon edhe pse procesi, që siç shihet nga nëntitulli është konceptuar si një ndihmesë për të nxitur një dialog kombëtar mbi këto tema: pra për t’i dhënë nismën kalimit nga përballja te mbyllja e llogarive dhe nga kjo te paqja sociale - nuk ka vazhduar, madje edhe pse nuk ka filluar më herët nga aktorë shqiptarë.
Le të komentoj disa momente të këtij studimi:
Të pyetur se sa u intereson njohja e të kaluarës komuniste vetëm 8% e shqiptarëve shfaqen “shumë të interesuar”, 20% “pak a shumë të interesuar”, 21% “pak a shumë të painteresuar” dhe 50 % “aspak të interesuar”. Ata konsiderojnë si më të rëndësishme se sa njohjen e të shkuarës komuniste arsimin, shëndetësinë, korrupsionin / keqqeverisjen, mosndëshkueshmërinë, ekonominë, ndotjen e mjedisit, rendin dhe sigurinë.
Të pyetur mbi burimet se nga marrin informacion mbi të kaluarën komuniste (pa u bërë dallimi nëse flitet për aspekte pozitive apo negative të saj) vetëm 7% pohojnë se i marrin këto nga shkolla.
Kur u kërkohet të bëjnë krahasimin midis të kaluarës komuniste dhe të sotmes (rikujtoj se studimi është kryer në vitin 2015) shumica dërmuese ose “pajtohen plotësisht” ose “pajtohen” (këta bëhen mbi 80%), me përgjigjen e ofruar nga anketuesit sipas së cilës në atë kohë kishte “siguri jete shumë më të madhe, arsimim më cilësor, mundësi punësimi më të mëdha, kishte më shumë siguri të punës, më shumë qëndrueshmëri politike, më pak korrupsion.”
Të pyetur mbi rolin e Enver Hoxhës në historinë e Shqipërisë nëse ka qenë pozitiv apo negativ 45 % përgjigjen se ka qenë pozitiv dhe 42% se ka qenë negativ.
Kur u është shtruar pyetja nëse duhet lejuar një kompani private të rihapë e shfrytëzojë një minierë ku kanë vuajtur dënimin në formën e punës së detyruar të burgosurit politikë (duket se kanë parasysh minierën e Spaçit që ka shërbyer si vend vuajtje dënimi që nga viti 1968 deri në 1990 dhe ku punon sot një kompani private e huaj) 24% kanë thënë se “përfitimet ekonomike janë prioriteti i vendit prandaj kompania duhet lejuar të punojë në zonën e ish kampit, kudo dhe pa kufizime,”; 58% kanë thënë se “duhet lejuar me disa kufizime” dhe vetëm 10% janë shprehur në emër të ruajtjes tërësisht të atij vendi si memorial i së kaluarës.
Qasja e studiuesve
Përsa i përket qasjes së studiuesve po veçoj një moment kur ata, pasi kanë shtruar pyetjen: “pse kemi nevojë ta njohim të shkuarën komuniste?”, kanë formuluar tri përgjigjet e mëposhtme, mbi njërën prej të cilave duhet të verë kryq çdo i anketuar:
1. “Ka disa aspekte të së shkuarës komuniste që duhen të njihen nga brezat e rinj.”
2. “E shkuara komuniste duhet të shërbejë si një shembull i barazisë shoqërore, vullnetarizmit civil dhe sensit të komunitetit për brezat e rinj.”
3. “E shkuara komuniste është një periudhë e tmerrshme e cila duhet të harrohet tërësisht dhe të mos i mësohet gjeneratës së re.”
Vlen të komentohet ky moment i studimit, në kontekstin e gjithë përgjigjeve që kanë dhënë të anketuarit, për dy arsye:
Së pari, për faktin se 22% “pajtohen plotësisht” dhe 56% “pajtohen” (së bashku 78%) me përgjigjen e dytë: pra se e shkuara komuniste duhet të shërbejë për brezat e rinj si shembull i “barazisë shoqërore”, “vullnetarizmit civil” dhe “sensit të komunitetit”.
Së dyti, pasi në formulimin e përgjigjeve nga anketuesit mungon përgjigja se periudha komuniste duhet të njihet dhe jo të harrohet pasi njohja dhe kuptimi i shkaqeve që e kanë prodhuar atë “periudhë të tmerrshme”, jo vetëm na shërben për t’u përballur me traumën që ajo na ka shkaktuar, nisur nga ideja e kurimit të saj për të arritur paqen individuale dhe shoqërore, por edhe sepse njohja e së keqes na duhet për të ndërtuar instrumente institucionalë, mendorë dhe shpirtërorë për të mos lejuar përsëritjen e saj.
Le të përpiqem të bëj një kategorizim të shoqërisë shqiptare nisur si nga analiza e përgjigjeve të të anketuarve, ashtu dhe nga mungesa e përgjigjes që formulova më sipër, që sipas meje është tejet domethënëse. Vë në dukje se kur kategorizojmë gjithmonë kryejmë një operacion semplifikikimi, duke reduktuar kompleksitetin e individëve, në disa karakteristika të përbashkëta nisur nga ajo më kryesorja tek ato dytësoret.
E përbashkëta më e madhe e shumicës së shqiptarëve të intervistuar - që janë një shabllon i shoqërisë shqiptare - është fakti se ata i trajtojnë këto dy periudha si të ndara, pa lidhje organike me njëra tjetrën, gati si të përkundërta. Pra, kur ata shprehen se konsiderojnë si më të rëndësishme se sa njohja e të shkuarës komuniste arsimin, shëndetësinë, korrupsionin/keqqeverisjen, mosndëshkueshmërinë, ekonominë, ndotjen e mjedisit, rendin dhe sigurinë, nuk arrijnë të mendojnë se këto kanë ndonjë lidhje edhe me të shkuarën dhe se ndërgjegjësimi për këtë të shkuar mund të ndihmojë edhe në përmirësimin e së tashmes.
Brenda kësaj kategorie, le ta quaj “të pavetëdijshmit”, do të dalloja këto nënkategori:
Të pavetëdijshmit “e pavuajtur”
Në këtë nënkategori do të fusja individët që kanë të përbashkët faktin se nuk e kanë vuajtur drejtpërdrejt apo familjarisht persekutimin e regjimit në formën e burgimeve, internimeve, dëbimeve, duke mbajtur mbi shpinë damkën e “armikut të klasës”. Në spektrin e kësaj kategorie, që i vura në thonjëza epitetin “e pavuajtur”, do të fusja që nga aktorët e këtij persekutimi dhe familjarë të tyre deri tek ajo shtresë që rëndom quhet zona gri, e cila ka edhe ajo larmitë e veta.
Brenda kësaj nënkategorie do të dalloja tri ndarje kryesore:
E para: ata që nuk janë të vetëdijshëm për traumën jo vetëm të të vuajturve, por edhe atë të vetes, për shkak të indoktrinimit, cektësisë së mendimit, apo për shkak se e kanë fshirë nga kujtesa të keqen e asaj kohe për të mos mbajtur përgjegjësi para vetes dhe të tjerëve. Duke iu referuar studimit kam parasysh ata që çmojnë “arritjet” e atij regjimi, që e konsiderojnë periudhën e komunizmit si “shembull i barazisë shoqërore”, “vullnetarizmit civil”, “sensit të komunitetit”, që rolin e Enver Hoxhës e cilësojnë si pozitiv. Në këtë kategori mund të hyjnë edhe një pjesë të rinjsh që nuk e kanë jetuar atë kohë, por që janë indoktrinuar nga ky diskurs.
E dyta: ata, që kryesisht kanë qenë fëmijë ose të rinj kur ra regjimi, apo që kanë lindur pas rënies së tij, që shfaqen të painteresuar për njohjen e së kaluarës sepse kanë vështruar/vështrojnë drejt së ardhmes, pa e ditur se e kaluara i ndjek pas. Te kjo ndarje do të fusja jo vetëm ata që rrjedhin nga familje të privilegjuara në atë kohë, si dhe ata që rrjedhin nga zona gri, por edhe një pjesë jo të vogël të rinjsh që, pikërisht pse e u janë persekutuar familjarët, kanë zgjedhur t’i ikin asaj të kaluare.
E treta: ata që megjithëse janë të vetëdijshëm për traumat e asaj kohe, ndihen ashtu dhe aq të zhgënjyer me të tashmen përsa i përket sigurisë së jetës, gjendjes së arsimit, mundësisë së punësimit, korrupsionit, pabarazisë, saqë parapëlqejnë atë kohë përpara kësaj.
Të pavetëdijshmit e vuajtur
Te kjo nënkategori do të fusja një numër të rëndësishëm të persekutuarish, apo familjarësh të tyre, që i shohin dy periudhat si vazhdim të njëra-tjetrës me arsyetimin e dëshpëruar se në pushtet kanë vazhduar të mbesin trashëgimtarët e ish-persekutorëve të tyre. Ngulmoj t’i fus këta si nënkategori te të pavetëdijshmit, pra, paradoksalisht, bashkë me ata që e trajtojnë të kaluarën komuniste dhe të tashmen si dy histori të përkundërta, pasi te vazhdimësia mbi bazë familjare që shohin këta te dy periudhat gjej diçka thelbësore që i bashkon: përjetimi i së tashmes pa e lidhur në kuptimin e saj më të thellë me të kaluarën. Kjo nënkategori duket sikur vazhdon përjetimin e traumës së vjetër pa dalluar qartë se jeton në një realitet tjetër, çka të kujton një ese të Frojdit të tituluar “Konsiderata aktuale…” (1915) ku flitet për dy kohë psikologjike të njeriut: kohën e kaluar të traumës, që nuk kalon por është gjithmonë prezente e palëvizshme në jetën e tij, dhe kohën e së tashmes. Në këtë kuptim, të dyja nënkategoritë kanë të përbashkët moselaborimin e traumës nëpërmjet njohjes/kuptimit të shkakut të saj të thelbësor, për rrjedhojë moskapërcimin e saj.
Për shkak të dominimit të kategorisë së madhe të të pavetëdijshmëve në politikë dhe në jetën social-kulturore shoqëria shqiptare karakterizohet nga përplasja pa dialog e pa sintezë e diskurseve të këtyre dy shtresave emocionalisht të përkundërta, ku kategoritë e vjetra si “komunist”, “ballist”, “tradhtar”, “sigurims”, përdoren rëndom për të interpretuar të keqen e të sotmes dhe, ku anasjellatas kategoritë e reja si “oligark”, “trafikant”, “kleptokrat”, “i korruptuar”, përdoren për të interpretuar të djeshmen në një mish-mash pa asnjë lloj rendi konceptual të ndërtuar nëpërmjet mendimit kritik, çka nuk lejon interpretimin drejt as të njërës kohë as të tjetrës. Një tregues i këtij moskuptimi është edhe reagimi që shoqëroi në media raportin e IDRA-s ku mbizotëroi titulli: “Për shqiptarët s’është më problem komunizmi”, që u interpretua politikisht se nuk ka pse merremi më me të dhe, që e provoi edhe fakti se raporti nuk u pasua me atë që parashikonte nëntitulli i tij: ndërtimin e një platforme të dialogut kombëtar.
Kategoria e munguar ose në zhdukje
Me këtë kategori kam parasysh një pakicë shqiptarësh që të kaluarën nuk e sheh si të përkundërt me të tashmen dhe as si vazhdimësi familjare por që mendon se Shqipëria e postkomunizmit është një vazhdim në shumë aspekte i së kaluarës jo për shkak se janë në pushtet bijtë e komunistëve, por për shkak se është ende dominuese matrica kulturore njerëzore që farkoi dhe u farkua në atë kohë. Është kategoria e atyre që kërkon integrimin e traumës të së kaluarës në vetëdijen kolektive të së tashmes nëpërmjet një autorefleksioni që do të çonte në njohjen e shkaqeve të saj më të thella antropologjike dhe kulturore. Për shkaqe që do t’i cek më poshtë, tridhjetë vjet post komunizëm nuk e kanë ndihmuar aspak lindjen dhe rritjen e kësaj kategorie, përkundrazi do të thoja se individët e paktë që i përkasin kësaj kategorie, ku modestisht bën pjesë edhe autori i këtyre refleksioneve, janë në zhdukje. Mungesa apo zhdukja e individëve të kësaj kategorie, që e ve në dukje edhe studimi që mora në analizë nëpërmjet përgjigjes së munguar rreth pyetjes se pse duhet ta njohim të kaluarën komuniste, është edhe një nga treguesit indirektë të mospërballjes së shqiptarëve me të kaluarën apo i drejtimit të gabuar të kësaj përballeje.
Një tjetër metodë
Duke u nisur nga qasja e atyre që e shohin të keqen te matrica kulturore, përgjigjen e munguar të studiuesve të shoqatës IDRA mund ta formulojmë edhe në formën: të kaluarën komuniste duhet ta njohim që të mos përsërisim të keqen, ose, më thjesht: që të mos sillemi me njëri-tjetrin ashtu siç jemi sjellë në atë kohë.
Duke u nisur nga kjo ide, do të ndërtoja një tjetër metodë për të vlerësuar se sa dhe si janë përballur shqiptarët me të kaluarën: hulumtimin e sjelljes së shqiptarëve ndaj njëri-tjetrit në kohën e sotme. Me fjalë të tjera: në ç’masë e në ç’mënyrë përsëritet e kaluara në strukturat politike, ekonomike, sociale, kulturore që kanë ndërtuar shqiptarët në të tashmen për shkak të mospërballimit me të kaluarën.
Për këtë le të bëjmë një krahasim midis regjimit që kemi jetuar dhe atij që jetojmë duke rreshtuar disa karakteristika themelore, tashmë të mirëstudiuara, të regjimeve totalitare siç ka qenë, deri në ekstrem, edhe ai shqiptar.
Një parti e vetme shtet;
- Një lider në krye të saj që identifikohet me partinë dhe me popullin;
- Një ideologji që duhet ta përqafojë i gjithë populli, e cila promovohet nëpërmjet propagandës, artit, letërsisë, historiografisë, arsimimit etj.;
- Kontrolli i plotë i kësaj partie/shtet mbi mas-mediat;
- Kontrolli i plotë i kësaj partie/shtet mbi ekonominë;
- Një shoqëri civile që quhej “organizata masë” që shërben si ingranazh që lidh popullin me partinë/shtet;
- Sistemi i frikësimit apo nënshtrimit me kampe-burgje dhe internime të atye që i kundërvihen politikave të kësaj partie;
- Zgjedhje të garantuara me fitore plebishitare që nuk shpalleshin 100% për të lënë idenë se njerëzit ishin të lirë të votonin edhe kundër.
Në rastin shqiptar këto karakteristika janë shfaqur në mënyrën më radikale për çka flasin tri fakte shtesë tejet domethënëse:
● Shqipëria ndryshe nga vendet e tjera ish-komuniste mbeti staliniste deri në fund;
● Në vitin ‘67 kemi ndalimin e fesë;
● Vendi jetoi një izolimi thuajse total nga pjesa tjetër e botës.
Pyetja ngrihet: Sa dhe si regjimi i ri që kemi ndërtuar i shembëllen atij të së kaluarës pas mbi tridhjetë vjetësh, çka indirekt të bën të mendosh se sa dhe si janë përballur me të kaluarën shqiptarët? Më rezulton se mjafton të zëvendësosh togfjalëshin i gjithë populli: me shumica e popullit apo kontrollin e plotë me kontrollin e shumicës për të konstatuar ngjashmëritë. Pra sot mund të themi se kemi:
- Një parti të maxhorancës të udhëhequr nga një udhëheqës i gjithëpushtetshëm në krye të saj që identifikohet me partinë dhe me shumicën e popullit dhe që kontrollon shumicat e të katër pushteteve (madje edhe një pjesë të opozitës);
- Një ideologji-vizion për botën që përqafohet nga shumica e popullit dhe që promovohet nga shumica e mjeteve të informacionit;
- Kontrollin e shumicën së mediave nga partia shtet;
- Kontrollin e shumicës së aktiviteteve ekonomike dhe aktorëve ekonomikë nga kjo parti-shtet;
- Një shoqërie civile shumica e organizatave të së cilës, që sot quhen OJQ, shërbejnë si ingranazhi që lidh shumicën e popullit me partinë-shtet;
- Një sistem frikësimi dhe nënshtrimi që nuk ushtrohen nëpërmjet burgjeve dhe internimeve, por nëpërmjet kërcënimit të bukës së gojës, kontrollit të ekonomisë, të drejtësisë, të administrtatës, sistemit të patronazhistëve dhe krimit të organizuar;
- Zgjedhje me fitore të garantuar me rezultat gjithmonë në rritje përballë një opozite të përçarë dhe të blerë.
Duke iu referuar përvojave historike mund të thuhet se Shqipëria e sotme i përngjet më së shumti një regjimi autoritar të ekstremit të djathtë që shtyp liritë dhe të drejtat e njeriut në emër të një oligarkie të lidhur ngushtësisht me krimin e organizuar. Por, po t’i hysh më thellë regjimit komunist të ekstremit të majtë, në thelb të të dy regjimeve vihet re një ngjashmëri thelbësore, të ekstremeve që puqen: edhe ai nuk ishte tjetër veçse pushtet i një pakice që quhej nomenklaturë, që shtypte dhe shfrytëzonte shumicën e nënshtruar prej saj. Të dy palët i karakterizon shfrytëzimi dhe tjetërsimi i njeriut që trajtohet vetëm si mjet dhe jo edhe si qëllim. Vendin e nomenklaturës së djeshme e kanë zënë pakica e të pasurve (politikanë + narko-oligarkët) të shkëputur nga populli deri në mbylljen e tyre në gated comunities të rrethuar me mure dhe me roje që të kujtojnë Bllokun famëkeq të udhëheqjes komuniste.
Edhe përsa i përket izolimit të kufirit të djeshëm përballë hapjes së sotme mund të flitet përsëri për dy ekstreme që puqen sepse, ndërsa i pari i mbante shqiptarët të rrethuar me tela me gjemba në gjendje skllavërie, i dyti inkurajon ikjen e tyre në masë nga vendi për t’u kthyer në qytetarë të dorës së dytë në vendet ku emigrojnë. Në thelb në të dy rastet ata janë pa asnjë ndikim apo pjesëmarrje në fatet e vendit, në të dy rastet pa një jetë autentike. Janë dy forma shkatërrimi të shumicës në emër të sundimit të pakicës.
Pra, jo vetëm analiza e perceptimit dhe vlerësimit që japin shqiptarët për të kaluarën komuniste, siç e pamë duke analizuar studimin e shoqatës IDRA, por edhe përsëritja e fenomeneve të pushtetit të djeshëm në regjimin autoritar të sotëm të çojnë në përfundimin se shqiptarët kanë dështuar - duke marrë një rrugë të gabuar - në përballjen me të kaluarën komuniste. /Editorial i numrit të ri të revistës “Përpjekja”/

















































