Vitet që kanë përfunduar me numrin nëntë – që nga 1919 e deri më 2019 – kanë qenë vite të vendimeve që shmangin të keqen më të madhe për shqiptarët, e që u paraprijnë proceseve më të mira për ta… Më poshtë është përmbledhja e ngjarjeve që kanë shënuar shqiptarët dhe botën në 100 vjetët e fundit.
VITI 1919: KONFERENCA E PADREJTËSIVE
Bota ishte në paqe të brishtë, ndërsa po futej në padrejtësi të rrezikshme.
Më 18 janar 1919 nis Konferenca e Paqes në Paris, në të cilën marrin pjesë 32 shtete. Shqipërisë iu mohua pjesëmarrja zyrtare. Kjo konferencë i mbaron punimet më 21 janar 1920. Gjithçka aty u bë ashtu siç donin pesë fuqitë e mëdha: Britania e Madhe, Franca, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Italia dhe Japonia. Përfaqësuesit e këtyre shteteve që takohen 145 herë, vendosin për fatin e gjithë popujve të botës.
E arritura më e madhe e Konferencës është cilësuar nënshkrimi i Traktatit të Versajës më 28 qershor 1919, që kinse i dha fund luftës mes Gjermanisë dhe shteteve të Aleancës. Ky Traktat ishte barrë e rëndë për Gjermaninë që detyrohet të paguajë miliarda dollarë reparacione të luftës. Por, për këtë nuk u pyetën, madje as kur ia morën kolonitë në Afrikë, Azi dhe Paqësor, si dhe 13 për qind të territorit që do t’i dhurohet Francës dhe Polonisë. Këto padrejtësi nuk do ta gjunjëzojnë kombin gjerman që shpejtë ia del të jetë fuqi ekonomike. Por, ato nxitën një luftë të re botërore që do të shpërthejë 20 vjet më vonë.
Pos Traktatit të Versajës, më 1919 nënshkruhen edhe katër traktate tjera që dënojnë shtetet e tjera të Boshtit Qendror: Perandorinë Osmane, Austrinë, Hungarinë dhe Bullgarinë. Në dëm të dy shteteve të fundit përfiton Serbia. Ajo përfiton sidomos në raport me shqiptarët, meqë mban territoret e pushtuara më 1912. Por, e kërkonte edhe veriun e Shqipërisë, e sidomos Shkodrën. Gjirokastrën dhe Korçën i donte Greqia. Ndërkaq, Italia e donte Vlorën me rrethinë.
Në Paris, më 1919, niset një delegacion i Qeverisë së Përkohshme të Durrësit, por aty do të jetë edhe një delegacion i kryesuar nga Esat Pasha në cilësinë e kryetarit të vetëshpallur të qeverisë shqiptare. Shqiptarët në Paris denjësisht përfaqësohen nga: Imzot Luigj Bumçi, Atë Gjergj Fishta, Turhan Pasha, Mithat Frashëri, Mustafa Kruja, Mehdi Frashëri, Luigj Gurakuqi, Mihal Turtulli, Lef Nosi, Mehmet Konica, Dhimitër Berati etj. Për të siguruar mbështetje të fuqive perëndimore, Bumçi dhe Fishta shkuan në Vatikan për ta takuar Papa Benediktin XV. Për këta dy, “Paris-Midi” më 16 mars 1919 ka shkruar: “Këta dy delegatë të rinj, që gjatë audiencës së Papës, në Romë, morën miratimin e Atit të Shenjtë, afirmojnë në këtë Konferencë bashkimin e ngushtë të krishterëve në Shqipëri me myslimanët në lidhje me kërkesat e tyre kombëtare”. E njëjta ditore, më 7 mars 1919 ka shkruar se delegacioni shqiptar kërkon që Shtetet e Bashkuara të Amerikës të marrin dhe administrojnë për një vit Çamërinë dhe tokat shqiptare të aneksuara nga Mali i Zi dhe Serbia. Shqiptarët do të pajtoheshin që i njëjti mandat t’u jepej trupave amerikane për Epirin e Veriut, i cili i përket shtetit shqiptar, por që pretendohet nga Greqia. Mandati amerikan do të përfundonte pas dy vitesh, ndërsa banorët do të përcaktoheshin me plebishit për fatin e tyre.
Kur është fjala te Kongresi i Durrësit, duhet cekur se aty shprehej ruajtja e pavarësisë, tërësia tokësore e shtetit shqiptar dhe rishikimi i kufijve të vitit 1913. Kongresi i zhvilloi punimet më 25-27 dhjetor 1918. Në të morën pjesë 53 delegatë. Nuk duhet harruar se në fund të vitit 1918, Shqipëria ishte ende e pushtuar nga shtetet fituese, ushtritë e të cilave nuk largoheshin nga tokat shqiptare edhe pse kishte mbaruar Lufta e Parë Botërore. Pas disfatës së Austro-Hungarisë, shpresat më të mëdha shqiptarët atë kohë i kishin tek Italia e cila insistonte që të mos formohej një Qeveri po një Këshill ose Komitet Kombëtar. Delegatët vinin nga pjesa më e madhe e vendit. Por, nuk merrnin pjesë ata nga qyteti i Vlorës, sepse autoritetet italiane kishin marrë udhëzime nga Roma që të mos njiheshin delegatët e atij qyteti. Në Kongres mungonin edhe përfaqësuesit e pjesës nën pushtimin serb, si nga Peshkopia e Luma, dhe as ata që ishin nën pushtimin francez, si nga qyteti i Korçës. Kështu e pasqyron këtë ngjarje gazeta “Agimi”: “Në kongres arritën të bënin propozime dhe të merrnin fjalën edhe njerëz të cilët nuk figuronin në listën e personave që kishin mandatin e të deleguarit”. Megjithatë, Kongresi u shpreh për formimin e Qeverisë së përkohshme me 14 anëtarë, edhe pse ishte vendim sfidues kundrejt diplomacisë së Romës.
Fatkeqësisht, një patriot dhe intelektual si Bumçi – që ishte edhe delegat i Kongresit të Durrësit dhe ministër pa portofol në Qeverinë e Turhan Pashës që del nga ai Kongres – i cili kishte lobuar kudo për shtet në baza etnike, pra për kthimin e tokave të pushtuara, vdesë më 1945 nën torturat mizore të regjimit komunist të Enver Hoxhës.
Pra, më 1919, Shqipëria e cunguar rrezikonte ndarjen tjetër apo edhe zhbërjen. Fati deshi që presidenti amerikan Woodrow Wilson insistoi në parimin e vetëvendosjes së popujve, me çka përmbyten vendimet që janë marrë më 1915 gjatë Traktatit të Fshehtë të Londrës (mbrohen kufijtë e përcaktuar më 1913 në Konferencën e Londrës). Një vit më vonë, Shqipëria bëhet anëtare e Ligës së Kombeve që po ashtu është jetë produkt i Konferencës së Paqes në Parisë. Në këtë qëndrim pozitiv të palës amerikane, rol me rëndësi ka luajtur mërgata shqiptare në ShBA me në krye Fan Nolin dhe Faik Konicën. Gjatë ceremonisë së festimeve për Ditën e Pavarësisë së Amerikës, më 4 korrik 1918, Noli madje arriti të takonte presidentin Wilson i cili thuhet të ketë thënë: “Do ta kem një zë në Konferencën e Paqes dhe do ta përdor këtë zë edhe në emër të Shqipërisë”.
Delegacioni shqiptar në Paris dëshmoi se shqiptarët karakterizohen nga toleranca fetare. Këtë e ka thënë edhe komandanti i Forcave Ushtarake Italiane në Shqipëri, Settimio Piacentini, i cili më 26 maj 1919 ka shkruar: “…Populli shqiptar nuk përfaqëson akoma sot një bllok të unifikuar kombëtar. Në përgjithësi, thuhet se është i ndarë kryesisht për shkak të fesë. Por, kjo nuk është plotësisht e saktë… Në Shqipërinë jugore, myslimani memorizon vuajtjet dhe masakrat e bëra nga grekët, nuk e urren ortodoksin, por urren grekun… Në Shqipërinë e Mesme, myslimanët dhe katolikët, pavarësisht se jetojnë në grupe të ndara, nuk janë armiqësorë mes tyre; ndërkohë që mes katolikëve, disa prej të cilëve i takojnë pjesëve malore në veri, ekziston smirë e hakmarrje e pamëshirshme. Arsyeja esenciale për të cilën populli shqiptar akoma nuk ka konstituuar sot një bllok unik kombëtar, nuk duhet kërkuar pra në religjionet, por tek historia…”!
Më 1919 Vlora ishte nën kontrollin italian. Ata do të dëbohen një vit më vonë nga aty.
Më 1919 nis Lufta Civile në Rusi, lufta mes Polonisë dhe BRSS-së, dhe Lufta e Pavarësisë së Turqisë me në krye Mustafa Kemal Ataturkun. Në Gjermani formohet Partia e Punëtorëve Gjermanë që do të jetë paraardhëse e Partisë Naziste. Këtë vit, si anëtar i asaj partie do të dalë në skenë shkaktari i Luftës së Dytë Botërore, Adolf Hitler.
Lëvizjet komuniste marrin hov në shumë shtete të Evropës, sidomos në Gjermani dhe në Hungari. Nga këto lëvizje shndërrohen në legjenda të botës komuniste – Rosa Luxemburgu, Karl Liebknechti dhe Bela Kuni.
Po më 1919, italiani Gabriele D’Annunzio marshon në Fiume (Rijekë). Si kundërshtar i Traktatit të Versajës që lejoi që shumë toka të huaja t’i takonin Mbretërisë së Jugosllavisë, ai e kundërshtoi aneksimin e Rijekës me shumicë italiane dhe e shpalli Regjencën Italiane të Karnaros (më vonë Shtetin e Pavarur të Fiumes/Rijekës), që pos si entitet politik ishte edhe një eksperiment kulturor. Një vit më vonë, D’Annunzio i përgjigjet pozitivisht kërkesës së Hasan Prishtinës për të dërguar armë për shqiptarët e Kosovës, por ky plan sabotohet nga Qeveria që del pas Kongresit të Lushnjës më 1920.
Nga shkencëtari anglez Arthur Eddingtoni, më 1919 vërtetohet Teoria e Përgjithshme e Relativitetit e Albert Einsteinit. Ndërkaq, në Gjermaninë e shkatërruar nis një nga lëvizjet më të rëndësishme të arkitekturës dhe dizajnit – Bauhaus.
Më 1919 lindi kryeministri i Italisë, Giulio Andreotti, kryeministri i Greqisë, Andreas Papandreou, shahu i Iranit, Mohammad Reza Pahlavi, këngëtari Nat King Cole dhe producenti që e shndërron Bekim Fehmiun në yll botëror – Dino De Laurentiis. Më 1919, vdesin: presidenti i 26-të amerikan, Theodore Roosevelt, dhe kryeministri i parë i Shqipërisë, Ismail Qemali.
VITI 1929: KRIZA E MADHE EKONOMIKE
Mbretëria e Serbëve, Kroatëve dhe Sllovenëve, më 1929 quhet Mbretëria e Jugosllavisë. Kushtetuta shfuqizohet dhe vendi futet në diktaturë – nën sundimin autokratik të mbretit Aleksandri i I-rë. Këtë vit Kosova ndahet në mes të Banovisë së Zetës me qendër Cetinjën, Banovinës së Vardarit me qendër Shkupin, si dhe Banovinës së Moravës me qendër Nishin. Se cila ishte gjendja e tyre, kjo ilustrohet me deklaratën që Fan Noli e ka dhënë më 1929 në mujoren franceze “Le Cris des Peuples”:
“Diktatura jugosllave peshon rëndë mbi të gjithë popujt e nënshtruar nga militaristët serbë. Ajo është shtypëse për shqiptarët e Kosovës dhe viseve të tjera shqiptare të Ulqinit, Tivarit, Hotit, Grudës, Plavës, Gucisë dhe Dibrës, të aneksuara me radhë në vitin 1880, 1912, 1919 dhe 1924 nga Serbia. Bëhet fjalë për afërsisht një milion banorë të privuar nga të drejtat më bazike. As edhe një shkollë e vetme shqiptare për këtë popullatë kompakte që e kalon numrin e asaj të Shqipërisë së pavarur e të gjymtuar nga Traktatet. Asnjë shoqatë, madje as për bamirësi, nuk është lejuar për ta… Sa për banorët, ata ekzekutohen me mitraloz ose detyrohen të emigrojnë për t’u lënë vendin pushtuesve fashistë serbë. Në këtë lloj mënyre serbizohen sistematikisht të gjitha rajonet shqiptare et sidomos ato të ndodhura afër kufirit shqiptaro-jugosllav ose përgjatë hekurudhave. Dhjetëra mijëra të pafatë janë të detyruar të shkojnë jashtë vendit në këtë mënyrë çdo vit. Më e keqja është se asnjë shtet nuk dëshiron t’i marrë këta refugjatë. Turqia është e mbushur plot, Shqipëria është e varfër për t’u ofruar atyre një shtëpi të re, ndërsa vendet e tjera janë të mbyllura ndaj këtij lloj migrimi masiv. Kështu, kohët e fundit… Unë kam folur më sipër për një milion shqiptarë në Jugosllavi. Sipas jugosllavëve, atje tani ka vetëm 700 mijë! Mos vallë i kanë hequr qafe 300 mijë? Dhe, sa kohë do u duhet për të eliminuar ata që kanë mbetur ? Ata (jugosllavët) do të veprojnë shpejt kësaj here dhe pa formalitete të panevojshme… Në mes të Evropës po përsëritet një tragjedi po aq e përgjakshme sa ajo e armenëve në Azinë e Vogël. Por, tragjedia armene ndodhi gjatë Luftës së Parë Botërore, kur ishte e vështirë të ishe human, ndërsa tragjedia shqiptare në Jugosllavi ndodh para syve tanë në kohë paqeje, kur është e vështirë të imagjinohet se mund të jemi aq mizor…”
Në vitin 1929, Kosovën e viziton etnologu dhe fotografi austriak Hugo Adolf Bernatzik. Por, më shumë do të mbahet mend për vizitën e tij të radhës në Shqipëri dhe për koleksionin e fotografive që bëri atë vit. Nga kjo vizitë që do të zgjasë dy muaj, dalin dy libra: “Riesenpelikane und ihre Kinder” (Pelikanët e mëdhenj dhe fëmijët e tyre, Vjenë 1930 – një album i vogël për pelikanët e kënetës së Maliqit) dhe “Europas vergessenes Land” (Shteti i harruar i Evropës, Vjenë 1930). Në ato foto shihen shqiptarët tradicionalë, por Bernatzik vëren se me mbretin Ahmet Zogu po ndodhë “rënia e kulturës popullore” dhe se “një pjesë e madhe kostumeve kombëtare dhe e shtëpive muzeale janë zhdukur”. Bernatzik – që kishte shprehur interesim për Shqipërinë që nga viti 1914 – synonte që në Perëndim ta dërgonte një imazh pozitiv për shqiptarët, duke kundërshtuar pretendimet se është një vend plot hajdutë e me rreziqe, dhe se udhëhiqet nga një mbret operetash.
Nën Ahmet Zogun, Shqipëria nis të marrë pak erë shteti. Madje, siç ka raportuar më 1929 ditorja frënge “Journal des débats”, Zogu kishte kërkuar që zyrtarët e paaftë të zëvendësohen me ata kompetentë. Por, zhvillimi ishte larg e kjo vështirë se mund të arrihej kur pushteti i tij karakterizohej nga nepotizmi. Në një reportazh për Shqipërinë të botuar më 1968 në ditoren suedeze “Svenska Dagbladet”, gazetari që kishte vizituar disa herë Shqipërinë në kohën e Zogut, ka shkruar: “Pozitat e larta zakonisht ishin të zëna me farefis të familjes mbretërore, që për arsye të rrezikut të ndonjë atentati nuk dëshironin të dukeshin jashtë rezervatit të tyre të mirëmbrojtur. Shteti drejtohej si ndërmarrje familjare me monarkun si drejtor ekzekutiv, anëtarët e familjes si kryesi dhe fisi si aksionarë”. Se sa e varfër dhe e prapambetur ishte atë kohë Shqipëria, dëshmi janë edhe fotot e bëra nga Bernatzik,
Nga Lufta e Parë Botërore, ShBA-ja del si fuqi ushtarake dhe ekonomike. Zhvillimi bëhet më i madh fal përparimit teknologjik. Kjo dëshmohet me faktin se veç ky shtet mundte të prodhonte 15 milionë vetura në vit. Ndikimi amerikan rritet dhe produktet e tyre përhapen me të madhe nëpër botë, ndërkaq kreditë e luftës që i paguanin aleatët evropianë ishin burim tjetër i sigurisë ekonomike. Kështu, vitet 1920 nisën të quhen si vite të arta, ndërkaq presidenti Herbert Hoover ishte optimist se do ta mundte përgjithmonë varfërinë. Kjo paqe ekonomike nxit dëshirën e njerëzve për t’u pasuruar më shumë, duke investuar në bursë. Ky interesim bëhej më i madh kur brenda pak viteve aksionet rriten në mbi 400 për qind. Siç do të shprehet më vonë ekonomisti James K. Galbraith, në ShBA mbizotëronte bindja se “Zoti po i jep pasuri shtresës së mesme”. Ndaj, krijohen fondet e investimeve që blejnë aksionet, bile edhe të kompanive që punonin me humbje. Shumica ato i blinin me kredi. Por… kjo eufori masive bëri që në tetor të çrregullohet indeksi industrial Dow Jones: aksionet bien në mënyrë enorme, e disa humbin fare vlerën. Kjo do të njihet më vonë si Shembja e Bursës (The Wall Street Crash), ku “fluturojnë” 30 miliardë dollarë amerikanë (shumë kjo 10 herë më e madhe se buxheti i atëhershëm i qeverisë federale). Miliona njerëz mbesin pa punë, miliona të tjerë humbin pasurinë, e miliona të tjerë detyrohen të jetojnë me paga të vogla. Pas kësaj krize, investuesit tërheqin paratë nga bankat në Gjermani e Britani të Madhe. Në krizë do të futen edhe Franca, Italia, India, Japonia, Amerika Latine, Afrika e Jugut, BRSS… Me një fjalë, bota u fut në atë që do të njihet më vonë si Kriza e Madhe Ekonomike – apo viteve të fundit si Depresioni i Madh.
Më 1929 lindën regjisorët Sergio Leone dhe Alejandro Jodorowsky; aktoret Aundrey Hepburn dhe Grace Kelly; filozofi Jean Baudrillard; lideri i Organizatës për Çlirimin e Palestinës, Yasser Arafat… Më 1929 lindi fituesi i çmimit Nobel për Paqe, Martin Luther King Jr., ndërsa fituesja tjetër e Nobelit, shqiptarja Agnes Gonxha Bojaxhiu, arrin në Kalkutë ku më vonë do të njihet si Nëna Tereze. Më 1929 lindi Anne Frank, autorja e ditarit mbase më të famshëm në botë. Ndërkaq, të njëjtin vit vdes një nga legjendat më të mëdha të Perëndimit të Egër amerikan, aventurieri dhe sherifi Wyatt Earp, si dhe dy prej emrave më të mëdhenj të industrisë automobilistike, Karl Benz dhe Wilhelm Maybach.
VITI 1939: LUFTA TJETËR E MADHE
Pas dorëzimit të forcave republikane, më 1 prill 1939 i jepet fundi Luftës Civile në Spanjë. Por, botën do ta presë një luftë tjetër më e madhe e shumë më e tmerrshme.
Në janar 1939, lideri nazist i Gjermanisë, Adol Hitler, nis Planin Z për ndërtimin e flotës masive që do të ishte në gjendje ta mundte supremacinë detare britanike. Më 15 mars, trupat gjermane futen në Bohemi dhe në Moravi, duke i dhënë kështu fund ekzistencës së Çekosllovakisë. Më 3 prill, Hitleri urdhëron ushtrinë që ta bëjë planin Fall Weiss (emri i koduar i aksionit për pushtimin e Polonisë). Më 23 gusht nënshkruhet Pakti Molotov-Ribbentrop. Sipas këtij pakti, Finlanda, Estonia, Letonia, Polonia Lindore, Moldavia dhe Rumania verilindore do t’i takonin BRSS-së. Ndërkaq, Lituania dhe Polonia perëndimore do të ishin pjesë e Gjermanisë. Më 31 gusht nis Operacioni Himller, ku ushtarët gjermanë të veshur si polakë provokojnë në kufi, gjë që do të përdoret si shkas për invadimin që nis të nesërmen, më 1 shtator. Kështu fillon Lufta e Dytë Botërore. Dy ditë më vonë, Britania e Madhe, Franca, Zelanda e Re, Australia dhe India i shpallin luftë Gjermanisë.
Më 17 shtator nis invadimi sovjetik në Poloni; më 22 shtator përfundon pushtimi e më datë 28 Polonia ndahet sipas interesave gjermane dhe sovjetike. Me këtë pushtim nis edhe bartja e hebrenjve nëpër geto. Getoja e parë u hapë në qytetin Piotrokov Tribunalski. Pas getos ndërtohen kampet e shfarosjes ku përfundojnë robërit e luftës, armiqtë nga territoret e pushtuara, homoseksualët, romët, komunistët, socialistët, socialdemokratët, dëshmitarët e Jehovait, personat me sjellje “deviante” sociale… e mbi të gjitha hebrenjtë. Në Poloni hapen këto kampe: Helmno (ku vriten 152-200 mijë persona), Bellzhec (434-600 mijë të vrarë), Sobibor (170-250 të vrarë), Treblinka (700-900 të vrarë), Majdanek (afro 78 mijë të vrarë), Aushvic-Birkenau (afro 1.1 milion të vrarë), Mali Trostinets (rreth 65 të vrarë). Në këto kampe vriten 90 për qind e hebrenjve të Polonisë dhe dy të tretat e hebrenjve në Evropë. Shteti i vetëm i pushtuar ku numri i hebrenjve shtohet pas Luftës së Dytë Botërore, është Shqipëria.
Më 1939 gjermanët përdorën doktrinën ushtarake të njohur si Blickrig: me forcën sulmuese të përqendruar te makineria e blinduar dhe formacionet motorike e të këmbësorisë të mbështetura nga ajri, me çka vija e mbrojtjes së kundërshtarit thyhet me sulm të shkurtë e të furishëm. Pushtimi i shpejtë i tërë Polonisë i tmerroi shtetet që i shpallën luftë Gjermanisë, të cilët i lanë polakët në mëshirë të fatit. Anglia futet në luftë një vit më vonë, kur për vetëm gjashtë javë – nga 10 maji 1940 – gjermanët pushtojnë Francën, Belgjikën, Luksemburgun dhe Holandën.
Më 1939, Polonia e pëson keq edhe nga sovjetikët: më shumë se 200 mijë ushtarë polakë u dëbuan në BRSS ose u dërguan në territoret e pushtuara nga Gjermania naziste. Qindra-mijëra civilë polakë, të konsideruar nga sovjetikët si armiq të popullit, po ashtu u dëbuan drejt lindjes së Bashkimit Sovjetik.
Lufta e Dytë Botërore do të ketë edhe një tjetër të keqe: përhapjen e komunizmit. Te “Libri i zi i komunizmit” shkruhet se në shtetet komuniste në botë, totali i viktimave mund të shkojë deri në 100 milionë. Ndërsa, numri i viktimave të nazi-fashizmit është 25 milionë (sipas vlerësimeve tjera, numri i viktimave të Luftës së Dytë Botërore është 70-85 milionë).
Para pushtimit të Polonisë, ndodhi një tjetër pushtim në Evropë: pushtimi i Shqipërisë. Por, për shqiptarët askush nuk brengosej. Më 17 mars 1939, ambasadori gjerman i garantoi Benito Mussolinit mbështetjen gjermane për pushtimin e Shqipërisë. Më 25 mars, ambasadori italian në Tiranë kërkon që Shqipëria të jetë protektorat italian. Në fillim të prillit mobilizohet Ushtria e Shqipërisë. Më 5 prill lindi Leka Zogu, trashëgimtar i Fronit mbretëror shqiptar. E, dy ditë më vonë nisë invadimi i Shqipërisë nga Italia. Zogu braktis popullin dhe, me gruan Geraldine e foshnjën Lekë, ikën në Greqi bashkë me thesarin e shtetit. Pas rezistencës së vogël nga Mujo Ulqinaku dhe Abaz Kupi, më 8 prill trupat italiane futen në Tiranë.
Demonstratat anti-fashiste shpërthejnë në qytete të ndryshme të Shqipërisë. Katër ditë më vonë formohet një Kuvend dhe një Qeveri e re pro-italiane, që kërkonte bashkim me Italinë. Shefqet Bej Verlaci emërohet kryeministër dhe Shqipëria tërhiqet nga Liga e Kombeve. E, më 16 prill, mbreti italian King Victor Emmanuel III shpallet Mbret i Shqipërisë.
Faik Konica, ministri fuqiplotë i Shqipërisë në Uashington, në një intervistë dhënë radios amerikane NBC më 8 prill 1939, agresionin e Italisë kundër Shqipërisë e quajti “një thikë pas shpine”. Ndërkaq, dhëndri i Benito Mussolinit, Konti Galeazzo Ciano që ishte ideator i planit të pushtimit të Shqipërisë, bën me dije se lufta do të zgjerohet, duke i bërë kështu publike planet për bashkimin e trojeve shqiptare që gjendeshin nën sundimin grek dhe jugosllav.
Gjatë viti 1939 ,7,255 kosovarë migrojnë në Turqi.
Po këtë vit, ShBA deklaron neutralitetin në luftën e re që po kaplonte botën, megjithatë, pasi Letra Einstein-Szilard në gusht i dorëzohet presidentit amerikan Frankilin D. Roosevelt, ku paralajmërohet për rrezikun gjerman me çka këshillohet ndërtimi i bombës atomike, që në tetor nisin përgatitjet për Projektin Manhattan. Bomba atomike i jep fund Luftës së Dytë Botërore. Por, ajo ka mundur të përfundojë më 8 nëntor 1939, po të mos dështonte atentati ndaj Hitlerit i organizuar nga punëtori Georg Elser.
Më 1939 lindin këngëtarët Marvin Gaye dhe Tina Turner, regjisori Francis Ford Coppola, aktorët Harvey Keitel dhe F. Murray Abraham, kryeministri i 52-të italian, Romano Prodi, dhe komunisti Lee Harvey Oswald që më vonë akuzohet për vrasjen e presidentit të 35-të amerikan, John F. Kennedy. Më 1939, vdesin: poeti W. B. Yeats dhe një nga psikologët më të mëdhenj në histori – babai i psikoterapisë, Sigmund Freud. Më 1939 jepen edhe premierat e dy filmave antologjikë: “Gone with the Wind” (Përftoi me erën) dhe “The Wizard of Oz” (Magjistari i Ozit).
Në Indi, Mahatma Gandhi nis grevën e urisë për të kundërshtuar sundimin britanik, ndërsa Lina Medina, pesëvjeçarja peruane bëhet nëna më e re në historinë e mjekësisë.
VITI 1949: “PROVOKACIONET” GREKE DHE TRADHTIA E MADHE
Në Kosovë nuk ndodhë asgjë me rëndësi, pos që vazhdon dhuna ndaj shqiptarëve të cilët tashmë janë të izoluar edhe nga Shqipëria. Pas prishjes së raporteve me BRSS-në (për çka prishen edhe raportet Shqipëri-Jugosllavi), amerikanët nisin të dërgojnë shuma të mëdha parash për zhvillimin e Jugosllavisë. Për dallim, Shqipëria zgjodhi të mbështeste regjimin mizor të Josif Stalinit dhe të BRSS-së ku populli jetonte në terror. Pra, zgjodhi mjerimin.
Në Shqipëri shpallet Dekreti i Komuniteteve Fetare, si hapi i parë i komunizmit në luftën kundër religjioneve. Sipas dekretit, kërkohej besnikëria e plotë e klerit ndaj udhëheqësve shtetërorë, në të kundërtën shteti merrte masa si ndaj klerikëve të veçantë ashtu edhe ndaj komuniteteve. Po ashtu, shteti miratonte emërimin e krerëve të lartë fetarë e madje kishte të drejtë të bënte emërimet dhe të ndërhynte në jetën e komuniteteve fetare. Lufta më e madhe bëhej ndaj klerit katolik.
Më 2 gusht 1949, Greqia sulmon Shqipërinë, por grekët hasën në rezistencë. Ky konflikt i armatosur që zgjati deri më 5 shtator e ku pati qindra të vrarë e të plagosur (si nga pala shqiptare ashtu edhe ajo greke), nga historiografia shqiptare dhe nga propaganda e regjimit komunist është njohur si “Provokacionet e gushtit 1949”! Thuhet se grekët sulmuan me mbi 70 mijë forca të armatosura, mbi 50 aeroplanë, 80 tanke dhe një skalion artilerie me afro 400 gjuajtës – kryesisht topa. Shteti shqiptar raportohet se ka mobilizuar dhe futur 10 mijë ushtarë në luftën mbrojtëse, ndërkohë që mbante në gatishmëri edhe 30 mijë të tjerë pranë zonës së sulmuar. Ky sulm nga shumëkush cilësohet si tendencë e radhës greke për ta pushtuar Epirin Verior.
Në një Komunikatë Operative të Ministrisë së Forcave të Armatosura të Republikës Popullore të Shqipërisë, të lëshuar më 3 gusht 1949, “heroizmi” shqiptarë kështu propagandohej: “Mbas shtatë orë luftimesh shumë të ashpra me repartet e rojës së kufirit të Divizionit të Mbrojtjes Popullit, mundën të hyjnë në thellësi të tokës sonë deri 300-400 metro duke marrë kuotën 1309 dhe të rrahin me artileri katundin Vidohovë. Forcat tona në ora 18:30 sulmojnë monarko-fashistët që kishin hyrë në tokën tonë, i ndjekin deri në kufi dhe vendosin situatën”. Ndërkaq, në një komunikatë të 6 gushtit thuhet: “Gjatë ditës 4 gusht 1949, monarko-fashistët grekë kanë vazhduar provokacionet e tyre të poshtra kundra vendit tonë në kufirin e jugut. Në sektorin e Bozhigradit dhe në drejtim të Leskovikut, n’afërsi të piramidave Nr. 11-12-13 e 14. E mbështetur nga artileria dhe aviacion, me forca superiore sulmuan kuotën 1425 dhe kuotën 1309. Kundrasulmet e forcave tona i thyen monarko-fashistët duke i nxjerrë jashtë kufirit”.
Por, e vërteta është pak më ndryshe. Është kjo koha kur në Greqi po i vinte fundi Luftës Civile mes Ushtrisë Kombëtare Greke të mbështetur nga anglezët dhe amerikanët, dhe Ushtrisë së Forcave Demokratike (komunistëve). Këta të fundit kishin mbështetje të madhe nga Shqipëria që s’i njihte takatin e vet dhe rreziqet ku futej. Madje, Gjenerali Markos (Markos Vafeiadis), figura kryesore komuniste e Greqisë, kishte qenë disa herë në Tiranë ku ndër të tjera ka kërkuar çamë që të luftojnë përkrahë tyre – në kufi në malin Gramos. Kështu, në gusht sulmohen forcat e fundit partizane greke të cilat tërhiqen brenda territorit shqiptar. Kjo tërheqje dhe sulmi i 31 gushtit që mposhtë rezistencën në Gramos, shënon përfundimin e Luftës Civile të Greqisë.
Gjatë tërheqjes së forcave komuniste, në Shqipëri dërgohen edhe robërit e Ushtrisë Kombëtare. Këta robër u bashkuan me robërit që ishin zënë nga Ushtria e Republikës Popullore të Shqipërisë, gjatë “provokacioneve”. Bisedimet për lirimin e tyre ndeshen në vështirësi, sepse Tirana i akuzonte për hyrje në territorin e Shqipërisë, ndërsa Athina justifikohej se ata të burgosur janë kapur në territorin grek. Dorëzimi i tyre bëhet në gusht 1956.
Më 1949 Shqipëria ishte vendi më i varfër në Evropë dhe më besnik ndaj liderit sovjetik, Josif Stalin. Të gjitha shtetet në kufi me Shqipërinë, i kishin raportet e acaruara me BRSS-në. Kështu, CIA dhe SIS (MI6) e bënë planin për ta rrëzuar Enver Hoxhën nga pushteti. Operacioni u quajt “Valuable”. Nëse ka sukses, përsëritet në vendet tjera satelite të Bashkimit Sovjetik. Për këtë operacion u kontaktuan Mit’hat Frashëri, Sait Kryeziu, Abaz Ermenji dhe Abaz Kupi. Dy të parët udhëhiqnin Komitetin “Shqipnija e Lirë” që u themelua në gusht të vitit 1949 në Paris.
Trajnimet e diversantëve që ishin nga të gjitha trojet etnike shqiptare, nën sekretin më të madh janë bërë në ishullin Gozo të Maltës. Pas ushtrimeve disajavëshe, më 28 tetor 1949 niset grupi i parë. Pastaj vazhduan grupet tjera. Por, shpejtë operacioni u ndërpre pasi dikush nga brenda po i pasonte informatat në Moskë e pastaj Moska në Tiranë.
Informacionet për sulm kishin rënë në duar të agjentit të dyfishtë, Kim Philby. Pasi e lexoi raportin e tij sekret, Stalini ka thënë: “Desantët të asgjësohen para se të zbarkojnë në tokë!”. Urdhri u ekzekutua fjalë për fjalë. Gazetari i mirënjohur australian-anglez, Phillip Knightley, ka qenë i vetmi gazetar perëndimor që ka mundur të intervistojë spiunin e KGB-së në Moskë, në vitin 1988. Në pjesën kur flitet për Shqipërinë, Philby ka thënë: “Luajta rol përcaktues në minimin e planit të hartuar nga Perëndimi për organizimin e një masakre të përgjakshme në Shqipëri. Por, ata që e menduan dhe e planifikuan këtë operacion, gjithashtu, si dhe unë, mundësonin gjakderdhje për qëllime politike. Agjentët, që ata dërguan në Shqipëri, ishin të armatosur dhe të vendosur për të kryer akte sabotimi dhe vrasje. Prandaj, nuk ndjej keqardhje, që ndihmova në asgjësimin e tyre. Ata e dinin se ku po shkonin. Mos harroni se unë kohë më parë gjithashtu u implikova në likuidimin e një numri të konsiderueshëm hitlerianësh, duke dhënë kështu kontributin tim modest në fitoren mbi fashizmin”.
Thuhet se gjatë këtij aksioni janë vrarë të paktën 300 diversantë. Për shumë vite ky ishte një nga sekretet më të mëdha të Luftës së Ftohtë. Detajet e operacionit u zbuluan tek në vitin 1984 kur Lord Nicholas Bethell e botoi librin e tij “Betrayed” (Të tradhtuarit). Në bazë të këtij libri, BBC e bëri një program dokumentar të titulluar “Great Betrayal” (Tradhtia e Madhe).
Më 1949 nis edhe eliminimi i komunistëve shqiptarë që cilësoheshin si mbështetës të kryeministrit jugosllav, Josip Broz Tito. Koçi Xoxe shkarkohet nga posti i ministrit të Brendshëm dhe ekzekutohet bashkë me 14 anëtarë të Komitetit Qendror dhe 32 deputetë të Kuvendit Popullor (25 për qind të krerëve të lartë të Partisë së Punës).
Në janar 1949 përfundon lufta mes Indisë de Pakistanit, ndërsa Harry S. Truman jep betimin si presidenti i 33-të amerikan. Truman është ai që zbaton Planin Marshal për rindërtimin dhe ringjalljen ekonomike të Evropës Perëndimore.
Po në janar dalin lajmet për misterin që do të njihet si “Dollia për Poe-n”. Fjala është për varrin e shkrimtarit të madh amerikan, Edgar Allan Poe, ku nga viti 1930, sipas dëshmitarëve, çdo vit, në orët e para të 19 janarit – ditëlindjes së shkrimtarit – një person me maskë të zezë në fytyrë dhe me bastun me dorezë argjendi, i afrohet varrit të tij ku derdh një gotë të konjakut “Martell” dhe e ngre një dolli. Pastaj vendosë tre trëndafila (Poe, gruaja e tij Virginia dhe vjehrra Maria Clemm) dhe e lë shishen e papërfunduar të konjakut. “Ceremonia” e tillë do të regjistrohet deri më 2009, për çka dyshohet se në të kanë marrë pjesë babë e bir.
Më 10 shkurt 1939 jepet premiera e tragjedisë së Arthur Millerit, “Vdekja e shitësit”, që konsiderohet si një ndër veprat më të mëdha të dramaturgjisë botërore të shekullit XX. Ajo godet Ëndrrën Amerikane dhe materializmin perëndimor përmes trajtimit të fatit të një familjeje të shtresës së mesme. Në këtë familje asnjëri nuk është ai që shfaqet të jetë e aq më pak është ai që do të donte të ishte. Një temë aktuale edhe për ditët e sotme.
Më 7 shtator themelohet Republika Federale e Gjermanisë, ndërsa më 7 tetor Republika Demokratike e Gjermanisë.
Më 1949 lindin rokerët Robert Palmer, Billy Joel, Roger Taylor, Phil Lynott, Rick Springfield, Mark Knopfler, Bruce Springsteen dhe Lindsey Buckingham; filozofi majtist Slavoj Zizek; politikanët Massimo D’Alema, Carl Bildt dhe Benjamin Netanyahu; aktorët Jessica Lange, Sigourney Weaver, Richard Gere dhe Jeff Bridges… dhe një nga ikonat më të mëdha të humorit në ShBA, shqiptari John Belushi. Më 1949 vdes kompozitori dhe dirigjenti i famshëm Richard Strauss, si dhe kryeministri i shtatë i Shqipërisë, Pandeli Evangjeli.
VITI 1959: HRUSHOVI, SHQIPËRIA DHE PLANI I LESHIT
Këshilli Ekzekutiv i Kosovës, në mbledhjen e mbajtur më 27 tetor 1959, propozon shpërbërjen e pesë rretheve, si dhe zvogëlimin e komunave nga 65 në 28. Pas aprovimit në Kuvendin e Serbisë, Ligji për shpërbërjen e rretheve në Kosovë më 5 dhjetor 1959 hyn në fuqi me publikimin në Fletoren Zyrtare të Republikës Popullore të Serbisë. Ky ligj parashihte ndërprerjen e funksionimit të rretheve si njësi territoriale politike, që nga data 31 dhjetor 1959. Kështu, Kosova në vitin 1960 hyn me këto komuna: Viti, Vushtrri, Drenas, Gjilan, Deçan, Dragash, Gjakovë, Zym, Zubin Potok, Istog, Kaçanik, Klinë, Kamenicë, Mitrovicë, Leposaviq, Lipјan, Malishevë, Novobërda, Rahovec, Orllan, Pejë, Podujevë, Prizren, Prishtinë, Skënderaj, Suharekë, Ferizaj dhe Shtërpce. Kështu, Kosovës i bashkohen Leposaviqi dhe Leshaku që deri atëherë i kanë takuar Rrethit të Rashkës. Gjithashtu, Kosovës i është bashkangjitur edhe maja e Pançiqit në Kopaonik. Komuna e re e Leposaviqit përfshinte fshatrat: Beluqe, Berberishtë, Bistricë, Bare, Belo Bërdë, Borovë, Vraçevq, Guvnishtë, Krnjin, Zemanicë, Ishevë, Leshak, Miokoviq, Ostraq, Potkomnje, Rvatskë, Trebiçe, Çirkoviq, Crnatovë dhe Postenjë.
Situata e shqiptarëve vazhdonte të ishte e keqe, e kjo dëshmohet me faktin se çështja e ndërrimeve territoriale në Kosovë është iniciuar në mbledhjen e Këshillit Ekzekutiv të Komitetit Krahinor të Lidhjes Komuniste të Serbisë, më 12 shtator 1959, nga Sllobodan Peneziq (i quajtur “Kërcun”, që ishte eksponent i lartë në nomenklaturën e UDB-së në Serbi). Ndërsa, po më 1959, Adem Demaçi dënohet me pesë vjet burg të rëndë.
Jugosllavia si sukses përmendte rritjen e numrit të personave me titullin e doktorit të shkencave. Kështu, derisa më 1919 ishin vetëm 89 vetë me këtë gradë, numri i tyre në 1959 arriti në 1,221. Më 1990 ishin 10,376 doktorë të shkencave. Por, niveli i arsimit binte çdo herë e më shumë. Sidoqoftë, Titos i interesonte veç marketingu i mirë, meqë më 1959 bëhej gati për ta formuar “OJQ”-në e parë: Lëvizjen e të Painkuadruarve, shtetet anëtare të së cilës do t’i zhvaste sa herë që donte. Kështu, në fillim të vitit 1959, nis një vizitë me anijen e tij “Galeb” në shtetet e botës së tretë: Indonezi, Burmë, Indi, Etiopi, Cejlon Sudan dhe Republikën e Bashkuar Arabe (Egjipt e Siri). Bashkëpunëtorët e tij shkuan në shtetet tjera, deri në Kubë ku më 1959 ishte përmbytur pushteti i Fulgencio Batistas dhe ishte instaluar regjimi komunist i Fidel Castros.
E, liderët shqiptarë shkonin kryesisht në BRSS e në Kinë – rrallë e përmallë. Në maj 1959, për vizitë në Shqipëri ishte lideri sovjetik Hrushov (Nikita Khrushchev). Ai e viziton Shkodrën, Tiranën, Durrësin, Vlorën dhe natyrisht Korçën. Pas Luftës së Dytë Botërore, Korça kishte më shumë fat se qytetet tjera, sepse komunistët (që shumica vinin nga jugu i Shqipërisë) aty shkaktuan shumë më pak dëme, si në njerëz ashtu edhe në dukjen e qytetit. Madje, ishte krenaria e pushtetit të ri, ku vazhdimisht i dërgonin delegacionet e huaja – përfshirë kryeministrin kinez Zhou Enlai, më 1964.
Kudo ku kalonte Hrushovi, dilte populli i entuziazmuar e i “lumtur”. Nga Korça, Hrushovi kërcënoi drejtpërdrejtë Greqinë me reprezalje bërthamore, ndërsa deklaroi se cilido që orvatet të cenojë kufijtë e Shqipërisë, do të ndeshet me fuqinë ushtarake të të gjithë kampit socialist dhe se çdo dhunim imperialist i lirisë dhe i sovranitetit kombëtar do të dështojë mirëfilli.
Po në Korçë ndodhi një takim interesant mes tij dhe një studenteje shqiptare:
“Ne, studentet dhe gjimnazistet e Korçës u ulëm në sallë dhe na dhanë porosi që do të ngriheshim dhe do të merrnim në vallëzim personalitetet e larta të shtetit dhe miqtë nga Bashkimi Sovjetik, pjesëtarë të delegacionit, ndërkohë që Hrushovin do ta merrte në vallëzim ajo vajzë që do ta sinjalizonte oficeri i lartë i Sigurimit. Në këtë kohë, zemra po më rrihte fort, pasi oficeri i Sigurimit nuk po m’i ndante sytë dhe sapo unë e shikova drejt, ai më bëri shenjë që të merrja Hrushovin në një vallëzim. Isha vajzë e re, vetëm 23 vjeç dhe kisha një gjoks shumë të zhvilluar. Gjatë vallëzimit, Hrushovi luante shumë ngjitur. Më pyeti se ku punoja dhe i thashë se isha studente e gjuhës ruse në Universitetin e Tiranës. Hrushovi po më vështronte me vëmendje dhe tundte kokën gjithë kënaqësi. ‘Ju këtej nga Shqipëria qënkeni mirë me planin e qumështit’, dhe i bën shenjë me kokë për gjoksin tim të zhvilluar shumë. Çuditërisht nuk e di se si ma prodhoi truri atë përgjigje dhe i them me një rusishte të pastër: ‘Ndërsa ju shoku Nikita, qenkeni mbrapa me planin e leshit’, duke i bërë shenjë për nga koka e tij tullace. Hrushovi e shijoi shakanë dhe vazhdoi gjatë gjithë vallëzimit të qeshte me zë të lartë. E qeshura e tij tërhoqi vëmendjen e gjithë sallës, pasi ai po bërtiste fort dhe po qeshte me shumë fort… madje ndërpreu vallëzimin dhe vuri duart në bel”, ka rrëfyer më 2013, pogradecarja Anita Kaçuli.
Gjatë vizitës në Korçë, Hrushovi kritikon Enver Hoxhën duke thënë se përpjekja e Shqipërisë nuk duhet të përqendrohet tek buka, por të zhvillohet blegtoria dhe të mbillen pemët e perimet. “Ju keni zënë shumë toka me grurë anembanë Shqipërisë. Më shumë hanë minjtë grurë në magazinat e Bashkimit Sovjetik, sesa i duhet Shqipërisë grurë për bukë. Ju duhet të zhvilloni industrinë e lehtë dhe kryesisht atë ushqimore”, citohet të ketë thënë ai. Më vonë, Enver Hoxha do t’i quajë ato deklarata si plane tinëzare që qëllim kishin të gjunjëzonin socializmin në Shqipëri.
E kështu, teksa më 1959 populli shqiptar brohoriste “Hrushov-Enver”, se çka ka menduar lideri sovjetik për kreun e komunistëve shqiptarë, kjo kuptohet më 1961 kur në kujtimet e tij shkruan: “Enver Hoxha është thjesht një bandit! Vallë, politikan është ai që njeh vetëm një metodë, litarin në fyt dhe tërhiqe fort! Të gjithë ata që ngrihen kundër vrasjeve të fshehta dhe të hapura e që ngrenë zërin për demokratizimin e jetës së Partisë dhe të vendit qenkan revizionistë?! Natyrisht që kjo, në radhë të parë është tragjedi për popullin Shqiptar… Tamam kështu ka ndodhur edhe me ne në kohën e Stalinit, i cili ideoi dhe organizoi pushkatimin e mijëra kuadrove drejtuese të ndershme, ndërkohë që të gjithë thërrisnin: Rroftë Stalini”!
Ndërsa, një vit më vonë, në datat 13-20 shkurt 1960 kur u mbajt në Tiranë kongresi i katërt i Partisë së Punës së Shqipërisë, ishte hera e fundit ku morën pjesë delegacionet e Bashkimit Sovjetik dhe të vendeve të Evropës Lindore. Gjatë kongresit, delegatët sovjetikë u trajtuan me përçmim. Atëherë, në fjalimet e tij, Enver Hoxha shprehet se ndjekja e linjës së Hrushovit i bënte vendet më pak diktatoriale. Kjo për të ishte vetëvrasëse, sepse do të sillte trazira si ato të Hungarisë dhe Polonisë në 1956!
Më 8 janar, Charles de Gaulle inaugurohet si kryetari i parë i Republikës së Pestë të Francës. Ndërsa, në referendumin e 1 shkurtit, Zvicra ndalon të drejtën e femrave për të votuar. Po më 1959, kompania suedeze e automobilave, Volvo, e shpiku rripin sigurimit të cilin më pasë e dha si licencë të lirë për të gjithë prodhuesit e makinave.
Më 1959 lindin këngëtarët Robert Smith (The Cure) dhe Jim Kerr (Simpy Minds); aktori Kevin Spacey dhe producenti Simon Cowell. Ndërsa, vdes regjisori Cecil B. DeMille, një nga ikonat e rinisë së viteve 1950, këngëtari Buddy Holly, si dhe legjenda e xhazit, Billie Holiday.
VITI 1969: KUNDËRKULTURA, HËNA DHE SHQIPTARËT NË DY BOTË
Viti 1969 ishte një nga vitet më të suksesshme në aspektin shkencor; nga më të mëdhatë për njerëzimin: anija kozmike amerikane Apollo 11, më 20 korrik zbret në sipërfaqen e Hënës. Afro 500 milionë njerëz në botë e panë transmetimin e këtij momenti në aparatet televizive dhe e dëgjuan astronautin Neil Armstrong tek përmend një prej thënieve më të famshme sot: “Ky është një hap i vogël për mua, por i madh për njerëzimin” . Në shtetin “reaksionar”, Bashkimin Sovjetik, lajmi u dha në mediat kryesore. Por, u cek se njeriu i parë në hapësirë megjithatë është rusi Yuri Gagarin. E, në Shqipëri, më 1969 lajm kryesor ishte botimi i fjalimeve të Enverit, të mbajtura më 1967 e 1968 – vite këto kur ai kërkonte të hiqej edhe synetllëku. Në Kosovë, lajmi për zbarkimin në Hënë u plasua mirë. Disa e besuan, e disa jo. Meqë nuk ishte i kënaqshëm numri i atyre që dinin shkrim e lexim, e meqë radio apo televizion pakkush kishte nëpër fshatra, lajmi u përhap edhe fjalë më fjalë. Disa që e përhapën atë tek “më të mençurit”, u shpallën budallenj. Ndërkaq, një plak “intelektual” katundi, kishte dyshime. Kur i thanë se njerëzit shkelën në Hënë, u ndal dhe e dha me bindje këtë përgjigje: “Rren o, kanë ra diku në Qyqavicë!” Kaq e madhe për të ishte bota. Sepse, kaq të kufizuar ishin shumica e shqiptarëve të Kosovës që izolimin e shihnin edhe si mjet mbrojtjeje.
Sidoqoftë, pas demonstratave të vitit 1968, hapen rrugët për gjëra të reja e më të mira për të gjithë shqiptarët e Kosovës, si: themelimi i Universitetit të Prishtinës. Viti 1969 mbahet mend edhe si vit i kulturës, në radhë të parë i poezisë. Në “Zërin e rinisë” botohen poezitë e shumë poetëve shqiptarë, të njohur dhe të panjohur. Në këtë revistë shkruhej dhe flitej për muzikë, shkencë, kritikë filmi, fantastikë shkencore, e bile edhe për Athur Clarkun dhe filmin e Stanley Kubrickut, “2001: A Space Odyssey” (2001: Odiseja hapësinore), për analfabetizmin në Deçan, në Drenicë etj. Por, çuditërisht, krahas analfabetizmit kishte edhe shumë artikuj për edukatën seksuale. “Femrat nuk i shmangen seksit, por meshkujve të vrazhdë”, ishte titulli i një artikull i asaj kohe. Flitej edhe për shundin, jo atë muzikor, mirëpo në letërsinë e shkruar. Duket paradoksale, por sado të kufizuar në informata e në komunikim, aq më të hapur ishin shqiptarët e Kosovës 50 vjet më parë. Thjesht, kishin një qëllim për vlera e për përparim.
Ndërkohë, në Shqipëri nuk ndodhi asgjë me rëndësi. Raportet thonë se u shënuan disa përmirësime në sistemin arsimor dhe shëndetësor dhe se procesi i elektrifikimit i nisur më 1960 – projekt që u tha se do të përfundojë më 1985 – merr fund më 1969. Kështu, Shqipëria u bë shteti i parë në botë me elektrifikimin që e mbulon tërë vendin. Por, ai sistem mundte ta ndizte një poç elektrik, sepse shumica e popullatës kishte pak pajisje elektrike. Madje, s’e dinin as se çfarë janë ato. Kjo kuptohet më 1992 kur dështon sistemi energjetik i vendit.
Vitin 1969 në Perëndim do ta shënojnë filmat “Butch Cassidy and the Sundance Kid” (Buç Kesidi dhe Sandens Kid), “Easy Rider” (Kalorësi i prajt) dhe “Once Upon a Time in the West” (Na ishte njëherë në Perëndim). Tek ne aktuale do të jetë kinematografia jugosllave me tematikën “partizan-e-gjerman”. Mirëpo, vend të posaçëm do të zë ende filmi i parë i produksionit kosovar, “Uka i Bjeshkëve të Nemuna” , ku regjisor ishte një serb si dhe shumica e aktorëve. Madje, edhe rolin kryesor të Ukës e luante serbi, si dhe të djalit që ia “merr fytyrën babës” sepse bëhet me italianët fashistë “në krimet kundër popullit të tij”! Ndaj, sukses më i madh u cilësua dokumentari “Një lindje” që flet për Teatrin e atëhershëm Popullor të Prishtinës, pasi atë e bëri shqiptari Ekrem Kryeziu.
Në Shqipëri u xhiruan ndër të tjera filmat – me pak vlera artistike e më shumë propagandistike – si: “Horizonte të hapura” (me regjisor Viktor Gjikën e skenar të Dritëro Agollit) dhe “Njësiti gueril” (me regjisor Hysen Hakanin e skenar nga Muharrem Skënderi).
Viti 1969 i takonte edhe muzikës rok dhe ideologjisë: “Sex and drugs and rock and roll” (Seks e drogë dhe rokënrol)! Këtë vit mbahet një nga koncertet më të famshme në histori: Vudstok (Woodstock). Në fakt, koncerti nuk u mbajt në Vudstok po nja 87 kilometra larg, në Bethel, pasi autoritetet e qytezës me shtatë mijë banorë kishin frikë nga turmat. Mbase me të drejtë, meqë mbi 500 mijë vetë e ndoqën koncertin më të përfolur në histori, ku ndër të tjera interpretuan: Joan Baez, Santana, Grateful Dead, Janis Joplin, The Who, Jefferson Airplane, Joe Cocker, The Band, Jimi Hendrix…
Më 1969, John Lennon dhe Yoko Ono martohen në Gjibraltar dhe menjëherë e nisin protestën unike paqësore – të shtrirë në shtrat. Nga kjo protestë që u quajt “Bed-In”, xhirohet dokumentari “Bed Peace” (Shtrati i paqes). Është kjo koha kur vazhdonte lufta në Vietnam, por edhe kur nis tërheqja e trupave amerikane nga aty. Rokerët dhe hipikët propagandonin përfundimin sa më të shpejtë të kësaj lufte dhe paqen kudo në botë. Por, kjo ideologji merr fund më 1969, kur anëtarët e grupit të ashtuquajtur Familja Manson, vrasin aktoren Sharon Tate – gruan shtatzënë të regjisorit Roman Polanski. Në shtëpinë e aktores ata vranë edhe katër të tjerë. Të njëjtin vit, grupi i motoçiklistëve i quajtur “Hells Angels” (Engjëjt e Ferrit) – të cilët ishin bërë pjesë e kundërkulturës dhe skenës rok duke luajtur rolin e rojave në ngjarjet kulturore të asaj kohe – në koncertin e grupit Rolling Stones vrasin të riun Meredith Hunter, veç pse i afrohet skenës. Kështu, miti i fëmijëve të luleve për botën ku do të mbizotëronte dashuria, pëson debakël.
Më 1969, Golda Meir bëhet kryeministre e Izraelit, ndërsa Willy Brandt kryeministër i Gjermanisë. Ky i fundit do të jetë më meritori për paqen dhe mirëbesimin gjermano-izraelit. Në Suedi, kryeministër zgjidhet Olof Palme i cili vritet më 1986 në rrethana ende të pasqaruara. Më 1969 lindin shumë artistë të famshëm të ditëve të sotme. Ndërsa, vdesin: presidenti i 34-të amerikan, Dwight D. Eisenhower, aktorja Judy Garland, si dhe revolucionari i Vietnamit të atëhershëm Verior, Ho Chi Minh.
Po më 1969 ndodhë një ngjarje me rëndësi: në BBC transmetohet programi “Monty Python’s Flying Circus” (Cirku fluturues i Monti Pajtoni). Anëtarët e kësaj trupe – Graham Chapman, John Cleese, Terry Gilliam, Eric Idle, Terry Jones dhe Michael Palin – me stilin sa të zi aq surreal dhe absurd, si dhe lojën dhe tekstet unike, krijojnë situata qesharake nga gjërat tërësisht joqesharake. Me ta humori do të ndryshojë… përgjithmonë.
VITI 1979: JETË, O JETË…
Thuhet se kjo ishte koha e shqiptarëve të Kosovës. Universiteti funksiononte dhe kuadrot zhvilloheshin. Punë për dikë kishte, shtesa për fëmijë për dikë tjetër, për dikë hajni, dikë bono e dikë mundësi me dalë jashtë vendit… Siguri kishte, radiotelevizion, gazeta e revista në gjuhën shqipe sa të duash, njerëzit ishin të lirë, çdo gjë rridhte për të mirën tonë…
Gjatë manifestimeve të Ditës së Rinisë, apo të ditëlindjes së Josip Broz Titos, ishte shqiptarja Sanie Hyseni ajo që e dorëzon stafetën që bartej nëpër tërë Jugosllavinë. Në momentin më kulmor që ndiqej nga miliona njerëz, ajo foli në gjuhën shqipe: “Më i dashuri shoku Tito. Nëpër duar të qindra-mijëra të rinjve, u bart kjo stafetë deri te ti. Nëpër atdheun tonë të bukur u përbush me urimet e dëshirat tona më të përzemërta për ty – nga rinia, pionierët, punonjësit, nga të gjitha kombet e kombësitë të Jugosllavisë, që jetojnë si një dhe të gjithë si një prej një zemre të urojmë ditëlindjen e 87-të: në emër të lirisë, në emër të socializmit, në emër të vetëqeverisjes, në emër të barazisë, në emër të paqes. Dhe, ne flasim me gjuhën e zemrën tënde. Këtë vend e këtë popull asgjë s’mund ta vrasë. As sot, as nesër, as kurrë. Gëzuar e gëzofshim shumë pranvera të jetës e punës tënde”.
Viti 1979 do të mbahet në mend edhe për vdekjen e Eduard Kardelit, krahut të djathtë të Titos. “Analistët” e dikurshëm të odave e kafeneve thoshin se Tito edhe po të jetonte më gjatë, pa Kardelin do të dështojë! Dhe “dështoi”, sepse një vit më vonë vdes edhe ai. E, me vdekjen e tij vinë prapë të zezat për Kosovën.
Kosovarët vazhdonin të investonin në kulturë. Të gjitha anët e Kosovës gufonin nga shoqëritë kulturore-artistike. Në faqet e fundit të “Zërit të rinisë”, në kolor, kryesisht botoheshin fotografitë e personaliteteve kulturore më të njohura të asaj kohe. Vend me rëndësi zinin yjet e rokut jugosllav, por nuk mungonin as fotot e Vera Oruçajt, Shpresa Gashit, Sherine Morinës etj. Flitej shumë për kulturë, ekspozita, letërsi, por edhe për emancipimin e femrave, “edukimin ateist” dhe “fëmijët e padëshiruar”. Fjala pra është për abortet dhe fëmijët jashtëmartesorë.
Më 1979, nga një revistë zagrebase, e më vonë edhe nga shumë revista beogradase, merret vesh se fituesja e vendit të dytë në edicionin e vitit 1978 të festivalit italian “Sanremo”, Anna Oxa, në fakt është lliriana Hoxha me prejardhje shqiptare. Sa gëzim i madh!
Po më 1979, roku nuk konsiderohej më muzikë “armiqësore” e as “degjeneruese” nga masat më të moshuara. Në “Zërin e rinisë” ishte standarde rubrika e rok-muzikës. Në një tekst të asaj kohe, për rok-grupet kosovare thuhej se “lindin dhe shuhen shpejt”. Është kjo koha kur roku kosovar nis të profilizohet dhe të avancohet. Grupet që shënonin rok-skenën e atëhershme, ishin: Marimangat, Modestët, Tonik, e në veçanti TNT. Dëgjohej po ashtu edhe Gazmend Pallaska, Haki Misini, Irfan Blakçori, Nazmi Belica…
Ajo kohë mbahet mend edhe për aksionet e rinisë për mbjelljen e fidanëve, vjeljen e rrushit etj.
Më 15 prill 1979, në Shqipëri ra një tërmet i fuqishëm prej tetë ballësh. Burimet e kohës raportonin për lëkundjen që në pak sekonda u mori jetën 35 personave e që i lëndoi 176 persona të tjerë në rrethet e Lezhës dhe të Shkodrës. Tërmeti ishte e mbrapshta tjetër që goditi shqiptarët pas krizës që shkaktoi vetizolimi i Shqipërisë. Kjo sepse vëllezërit e dikurshëm kinezë i vendosën marrëdhëniet e plota diplomatike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës e u bënë revizionistë!
Më 1979, Shah Mohammad Reza Pahlavi largohet nga Irani. Ayatollah Ruhollah Khomeini kthehet në Teheran pas 15 viteve në ekzil dhe Irani u bë republikë islamike. Ky zhvillim politik do t’i dëmtojë raportet ShBA-Iran, të cilat deri në ditët e sotme mbesin në nivel armiqësor.
Në një ceremoni në Shtëpinë e Bardhë, presidenti egjiptian Anwar Sadati dhe kryeministri izraelit Menachem Begin, nënshkruajnë Traktatin e Paqes Egjipt-Izrael që irriton tërë botën arabe. Pas prezencës 179-vjeçare, nga Malta largohet ushtari I fundit britanik. Ndërkaq, pas disfatës në luftën me Tanzaninë, nga Uganda largohet një prej njerëzve më morbidë në histori, Idi Amini.
Një ngjarje tjetër me rëndësi është vizita e Papa Gjon Palit II në vendlindjen e tij në Poloni. Ky moment nga shumëkush cilësohet si fillimi i fundit i komunizmit në Evropën Lindore.
Filmat që shënojnë vitin 1979, ishin: “Alien” (Jashtëtokësori), “Apocalypse Now” (Apokalipsi sot) dhe “Mad Max” (Maksi i tërbuar). Tek ne prapë aktualë ishin filmat jugosllavë me tematikën “partizan-e-gjerman”, por edhe kinematografia indiane, në veçanti filmi “Reshma dhe Shero”. Vlen të veçohen, po ashtu, filmat e kinematografisë kosovare: “Era dhe Lisi” dhe “Kur pranvera vonohet”.
Bota atë kohë dridhej nga ritmet e disko-muzikës, por edhe të valës së re (New Wave). Më të dëgjuarit e asaj kohe ishin: Glorya Gaynor, ABBA, Grace Jones, Blondie, Boomtown Rats, Police etj.
Viti 1979 i takon edhe grupit Pink Floyd dhe albumit të tyre “The Wall” (Muri). Ndërsa humanistja shqiptare, Nëna Tereze, e fiton Çmimin Nobel për Paqe. “Përmes këtij çmimi dhe përmes të gjithë neve këtu të bashkuar, po iu shpallim lajmin e mirë të varfërve, duke ju thënë se Zoti i do ata, se ne i duam ata, se ata janë dikush për ne, se ata janë të krijuar me të njëjtën dorë të dashur të Zotit, që të duan e të jenë të dashur. Njerëzit tanë të varfër janë njerëz të mrekullueshëm, janë njerëz shumë të dashur, ata nuk kanë nevojë për mëshirën dhe keqardhjen tonë, ata kanë nevojë për dashurinë mirëkuptuese. Ata kanë nevojë për respektin tonë; ata kanë nevojë që ne t’i trajtojmë me dinjitet”., ka thënë ajo në ceremoninë e pranimit të çmimit.
E, një zbulim tjetër i madh do ta bëjë dëgjimin e muzikës më të këndshëm… bile, do të cilësohet si një goditje tjetër e radhës ndaj botës komuniste: Uokmeni Soni (Sony Walkman). Sepse, siç thoshte satiristi dhe gazetari P. J. O’Rourke: “72 vjet të indoktrinimit dhe propagandës së komunizmit, u përmbytën nga tre onsë të Uokmenit Soni”.
Më 1979 vdes ylli i filmave uesternë, John Wayne. Ndërsa, në Brazil vdes mjeku Josef Mengele, që ka bërë eksperimente mizore tek robërit në kampet naziste të përqendrimit. Emri i tij do të jetë pjesë e shumë teorive të komplotit, sidomos pas filmit të vitit “The Boys from Brazil” (Djemtë e Brazilit) ku thuhet se gjoja ia ka dalë ta klonojë Adolf Hitlerin.
VITI 1989: FUNDI I LUFTËS SË FTOHTË, KOSOVA DHE FILLIMI I LUFTËRAVE NË ISH-JUGOSLLAVI
Në janar 1989, Ante Markoviqi zë vendin e Branko Mikuliqit si kryeministër i Jugosllavisë. Me Markoviqin stabilizohet situata ekonomike. Madje, u perceptua si një shpresë që do ta shpëtojë vendin nga nacionalizmi serb. Por, shpresat për shqiptarët ishin të pakta. Ditët e zeza po vinin për ta. Kjo sepse lëvizja antishqiptare që nisi më 1987 nga serbët e Fushë Kosovës, e bëri Sllobodan Milosheviqin njeriun më të fuqishëm të Federatës jugosllave. E, për t’i bërë serbët popull dominant në Jugosllavi, atij i duhej kontrolli në shumicën e tetë njësive të asaj Federate. Këtë kontroll më parë e kishte siguruar në Vojvodinë dhe në Mal të Zi.
Të vetëdijshëm për kërcënimin serb, në shkurt 1989 nis greva e mbi 1,300 minatorëve, të cilët për herë të dytë mbyllen në zgafella në mbrojtje të autonomisë dhe Kushtetutës së vitit 1974. Minatorët shndërrohen në simbol të rezistencës. Por, meqë krerët e Jugosllavisë nuk donin konfrontim me Milosheviqin, pra as Markoviqi, ata e të gjithë shqiptarët tjerë mbetën të vetmuar e pa krah.
Plani i kobshëm i Milosheviqit realizohet më 23 mars 1989. Atë ditë Kosova ishte në shtetrrethim. Apo, siç ka thënë delegati i Kuvendit të atëhershëm të Kosovës, Riza Lluka: “Atë ditë edhe ajri ishte i ngrirë”. Në seancën e caktuar të Kuvendit, ku pritej të merrej vendimi për suprimimin e autonomisë, salla mbushet me “mysafirë” – gjysma e të cilëve në ulëset e para. Nëse shqiptarët do të kundërshtonin, ata do ta dominonin rrjedhën. Nga foltorja e Kuvendit, Lluka kërkon që të ndalohet votimi i atyre “mysafirëve” e që të merret parasysh vetëm vullneti i delegatëve. Por, fatkeqësisht, shumica e delegatëve nuk e dëshmuan veten. Nga 190 delegatë – të të tri dhomave sa kishte atëherë Kosova – vetëm Riza Lluka, Melihate Tërmkolli, Shkëlzen Gusinja, Ukë Bytyqi, Sadik Zuka, Remzi Hasani, Menduh Shoshi, Bajram Buçani, Mehdi Uka dhe Avdi Berisha votojnë kundër suprimimit të autonomisë. Dy delegatë abstenojnë, ndërsa 25-30 mungojnë në seancë.
Në xhirimet që janë publikuar nga mediat ndërkombëtare, dominon imazhi i delegatit Lluka duke mbajtur lart gishtat kundër ndryshimeve të propozuara. Ky imazh do të jetë një tjetër simbol i rezistencës dhe përfaqësimit të vullnetit real të shqiptarëve shumicë të Kosovës.
Pas suprimimit të autonomisë, demonstratat shpërthejnë anekënd Kosovës. Dhjetëra të rinj shqiptarë vriten nga milicia serbe. Në dhunën kundër shqiptarëve bëheshin bashkë të gjithë: serbë, kroatë, sllovenë, boshnjakë, maqedonë… Është kjo koha kur për shqiptarët përdoreshin fjalët: nacionalist, separatist, irredentist, secesionist, e madje kanibalist… Për ata që vepronin kundër popullit të vet e për interesat e Serbisë, serbët përdornin termin: shqiptarë të ndershëm… E, për vuajtjet e tyre, shqiptarët përdornin fjalët: segregacion, apartejd izolim, diferencim… Për shkak të këtij realiteti të hidhur, më 1989 shtohet vala e ikjeve nga Kosova për në shtetet e Perëndimit.
Pas suprimimit të autonomisë së Kosovës, radha i vjen Gazimestanit ku Milosheviqi feston 600-vjetorin e disfatës së vitit 1389 – të aleancës së ushtrive ballkanike të prirë nga princi serb Lazar, ndaj forcave të Perandorisë Osmane. Në këtë tubim ku ishin qindra-mijëra pjesëmarrës, Milosheviqi bëri me dije se do ta përdorë forcën për të realizuar planet e tij. “Gjashtë shekuj më vonë, tash, jemi të angazhuar në beteja dhe po ballafaqojmë beteja. Nuk janë beteja të armatosura, edhe pse kjo gjë nuk mund të përjashtohet. Sidoqoftë, çfarëdo qofshin ato beteja, ato nuk mund të fitohen pa vendosmëri, pa trimëri dhe pa sakrificë…”, ka thënë ai. Po ashtu, në atë tubim Milosheviqi nis retorikën se serbët gjoja po e mbrojnë Evropën nga fundamentalizmi islamik, për çka Thomas A Emmert më 1993 ironizon: “Pak kishte kuptim për të (Milosheviqin) se evropianët dhe amerikanët nuk kanë nevojë për atë mbrojtje”. Të pranishëm aty ishin edhe Janez Dërnovshek, Milo Gjukanoviq dhe hungarezi Mihal Kertes. Aty ishte edhe shkrimtarja Desanka Maksimoviq, që më vonë – nga dramaturgu dhe studiuesi Petrit Imami – kuptohet se kishte origjinë shqiptare.
Aty ishte i pranishëm edhe historiani i njohur Noel Malcolm. Sipas studiuesit Daut Dauti, më 1989 Malcolm kishte udhëtuar këmbë në disa vende të Ballkanit, përfshirë Turqinë. “Në qershor të vitit 1989 nga Tetova kishte ecur këmbë deri në Prizren, duke i kaluar malet e Sharrit ku kishte fjetur në shtëpitë e fshatarëve të asaj ane. Pastaj, me 28 qershor mbërriti në Gazimestan ku ishte ulur ndër rreshtat e parë për ta dëgjuar ‘fjalimin historik’ të Sllobodan Millosheviqit. Pasi e kishte dëgjuar fjalimin dhe pasi e kishte vërejtur disponimin e masës kishte ardhur në përfundim se ‘diçka ishte shumë gabim në këtë mes’. Dhe, për të qenë gabimi edhe më i madh, politika britanike përkrahte ndryshimet që kishin filluar në Jugosllavi nga Millosheviqi. Një gjë e tillë e kishte shtyrë t’i hynte hulumtimit dhe ta gjente të vërtetën”, ka shkruar Dauti.
Viti 1989 ishte edhe viti i asaj që dikur quhej pluralizëm politik. Pra, pos Partisë Komuniste, dalin në skenë edhe partitë me ideologji tjetër politike. Kështu, më 23 dhjetor, nga një grup intelektualësh, në Prishtinë formohet Lidhja Demokratike e Kosovës. Kryetar zgjidhet zëri më i fuqishëm e më argumentues i asaj kohe kundër pushtetit opresiv serb, Ibrahim Rugova. Simbol i ri i shqiptarëve të Kosovës ishte ai i paqes, i lëvizjes hipi: dy gishta të ngritur, në formën e shkronjës “V”. Kertesi që ishte i pranishëm në Gazimestan, kërcënon se do t’ua presë gishtat shqiptarëve që do ta shpërfaqin atë simbol.
Më 1989, Rugovën e takon një gazetar francez. “Vetëm një shqiptar i Kosovës pranoi rrezikun për të folur me ne, dhe ai ishte Ibrahim Rugova”, ka thënë ai gazetar. Për situatën politike në Kosovë, Rugova ndër të tjera shprehet: “Mund t’ju them se është shumë e vështirë, sepse ekziston gjithashtu një shtypje psikologjike, një atmosferë arrestimesh. Edhe unë vetë personalisht nuk ndihem i sigurt… Ata na thonë për shembull se ju nuk keni të drejtën për të patur një republikë, sepse tashmë ekziston një shtet kombëtar shqiptar dhe nuk ka pse të ketë dy shtete shqiptare, e të tjera, çka për mua janë arsye banale”.
Viti 1989 mbahet në mend edhe si viti kur emetohet programi i fundit i Vitit të Ri të RTP-së e ku me padurim shqiptarët prisnin orët e vona të mbrëmjes për të parë skeçet e “Treshi Përsheshit”… dhe, vallet e ShKA “Emin Duraku”. Në “Zërin e rinisë” roku zinte vend me rëndësi. Botoheshin posterët e Madonnas, John Lennonit, grupit Whltesnake etj. Rok skenën e atëhershme kosovare e karakterizonin: 403, Seleksioni 039, Lindja, \Babilon, Minatori, Moneyfest, Dardan Shkreli, Fillimi i Fundit… Ky ishte definitivisht vit i rokut kosovar. Ndërkaq, në botë më së shumti dëgjoheshin: Jon Bon Jovi, Simply Red, Fine Young Canibals, Stone Roses, Tears for Fears, The Cure, Soul II Soul, Depeche Mode, Aerosmith, Simply Minds… dhe skandali më i madh muzikor i dekadës, Milli Vanilli.
Filmat më të njohur në Perëndim e që pas depërtimit të video-rekorderëve vinin edhe në shtëpitë e kosovarëve, ishin: “Rain Man” (Njeriu i shiut), “Batman” (Njeriu lakuriq), “Sex, Lies and Videotape” (Seksi, gënjeshtrat dhe video-kaseta) dhe “Drugstore Cowboy” (Kauboji i barnatores). Në Kosovë ishte ende aktual filmi dubioz i Isa Qosjes, “Rojat e mjegullës”.
Më 1989, Shqipërinë e viziton fotografi Robert Pichler. Se cila ishte situata në shtetin më absurd të Evropës, e zbërthejnë këto fjalë të tij: “Kjo përvojë e parë ishte shumë e keqe; unë u trondita nga situata në vend, nga trishtimi që mbizotëronte, nga kontrolli që u ushtrua kudo. Njerëzit nuk lejoheshin të bisedonin me ne edhe pse i gjetëm mënyrat për t’i kontaktuar me ta. Monotonia që shihej në hapësirën publike ishte veçanërisht e keqe, pa ngjyrë, pa dritë në mbrëmje, burra të cilët të gjithë kishin të njëjtën jelek dhe mbanin të njëjtat veshje”.
Po më 1989, Shqipërinë e viziton nobelistja dhe humanistja shqiptare, Nëna Tereze. Në Shqipëri asaj i vdiq nëna Drane e motra Age, por regjimi komunist nuk e lejoi t’i vizitonte ato. Sipas Dom Lush Gjergjit, kur asaj iu ndalua të vizitonte më të afërmet, nga mërzia ka thënë: “O Zot, unë e kuptoj dhe e pranoj këtë vuajtje për vedi, por shumë e vështirë ta pranoj dhe kuptoj për nënën, loken time, e cila në pleqëri të shtyeme nuk dëshiron asgjë tjetër përpos të na shohë edhe një herë”. Më 14 korrik 1972, ajo merr një telegram, në të cilin i vëllai Lazër Bojaxhiu që jetonte në Palermo, i shkruan: “Lutu për loken, që ndërroi jetë më 12 korrik”. Motra e tyre e mbetur vetëm, vdiq një vit pas vdekjes së të ëmës, më 1973. Ndaj, më 1989 shumëkush ia zuri për të madhe Nënës Tereze se pse pranoi të shkonte te varri i Enver Hoxhës. Një nga kritikët ishte edhe At Zef Pllumi. Prifti që ka përgatitur rastin e shenjtërimit të Nënë Terezës thotë se ajo është dërguar tek varri pa e ditur, pasi ashtu ishte protokolli i asaj kohe. Ndërsa, Alessandra Nucci nga “Catholic World Report” shkruan për atë se çfarë ka thënë se shkrimtari shqiptar, Marcel Hila. Në shtator 1985, Hila ishte ushtar i paarmatosur në regjimin komunist – grada më e fundit në ushtrinë shqiptare, ku vendoseshin ata që konsideroheshin të rrezikshëm për regjimin komunist. Enver Hoxha kishte vdekur dhe një ditë në repartin e tyre mbërrin një ushtar i ri, i ulur në pozitë, që kishte shërbyer më parë në Gardën e Republikës. “E ruanim varrin e Enverit. Nuk ia ke idenë se si është aty natën. Dëgjon zhurma, ulërima, britma, toka dridhet poshtë këmbëve të tua, duket sikur rënkimat vijnë nga humnera. Është një torturë. Mbi 20 njerëz nga njësia jonë kanë përfunduar në psikiatri. Duke ardhur këtu, unë shpëtova nga e gjitha kjo. Sigurisht punoj më shumë, por të paktën nuk e dëgjoj atë ferr”, citohet të ketë thënë ai ushtar. Sipas Hilës, Nëna Tereze kinse ishte ftuar nga Nexhmije Hoxha në Shqipëri, meqë shpresonte se ndërmjetësimi i saj mund të zhdukte dukuritë e mbinatyrshme që kishin pllakosur varrin e burrit të saj, Enverit, dhe se gjithçka pas kësaj vizite ka qenë qetë aty.
Më 1989, ndryshimet politike kaplonin tërë bllokun komunist të Evropës Lindore, si Rumaninë, Poloninë, Çekosllovakinë, Bullgarinë e madje BRSS-në. Veç Shqipëria qëndronte “stoike” në marrëzinë e vet. Ushtria sovjetike tërhiqet nga Afganistani, ndërsa në Rumani ndodhë një kryengritje që përfundon në dhjetor me ekzekutimin e liderit komunist, Nicolae Causesku, dhe të gruas së tij Elena. Pamjet e ekzekutimit të tyre transmetohen kudo në botë. Për Riza Llukën, ato pamje ishin dhe mbeten paralajmërim për çdo diktator – për fatin që mund t’i presë.
Ngjarja më e madhe e vitit dhe një nga kryesoret të shekullit XX, mbetet Rënia e Murit të Berlinit më 9 nëntor 1989. Gjithçka ndodhi rastësisht, kur një zëdhënës qeverisë së Gjermanisë Lindore tha se qytetarët ishin tani të lirë të udhëtonin në Perëndim. Njoftimi i papritur ishte një gabim burokratik, por gjermano-lindorët mësynë kufirin. Në konfuzion, rojat hapën portat. Disa javë më vonë, lideri sovjetik Mikhail Gorbachev dhe presidenti i ri amerikan, George Bush, deklaruan se Lufta e Ftohtë ka marrë fund. “Dukej se gjendja po bëhej më paqësore, se bota ishte në një moment më paqësor. Disa madje thanë se ishte fundi i historisë”, ka thënë për këtë, Hermann Wentker nga Instituti i Historisë Bashkëkohore.
Më 1989 vdesin: perandori Japonez Hirohito, piktori surrealist Salvador Dali, regjisori Sergio Leone, kompozitori Irving Berlin, aktorja Bette Davis, disident rus Andre Sakharov, dramaturgu Samuel Bekett… Ndërkaq, lind zbulimi që do ta bëjë botën jo dhomë po xhep global: World Wide Web (WWW).
VITI 1999: KTHESA E MADHE
Më 1999, Kosova ishte kryetitulli i mediave të botës. Kurrë më shumë se atëherë nuk ka qenë e rrezikuar qenësia e shqiptarëve të Kosovës. Por, fal Perëndimit, ata mbijetuan…
Më 15 janar 1999 kryhet Masakra e Reçakut, kunga serbët vriten 45 shqiptarë civilë. “Në një grykë sipër fshatit, pashë trupin e parë. Ishte i mbuluar me batanije dhe kur u tërhoq, pashë se nuk kishte kokë në kufomë… Dikush më tha se kafka ishte në anën tjetër të grykës… U gjetën tre trupa tjetër. Dukeshin burra të moshuar, me flokë të thinjura ose të bardha… Kishin plagë në kokë dhe gjak në rroba. Atëherë u gjetën më shumë trupa. Nuk i numërova. Thjesht pashë shumë vrima në kokë – në pjesën e sipërme të kokës dhe në pjesën e pasme të kokës… Më thanë që kishte trupa të tjerë lart dhe sipër kreshtës së kodrës…”, ka thënë shefi i Misionit Verifikues të OSBE-së, William Walker, që më 16 janar viziton Reçakun. Ai atë masakër e quajti krim kundër njerëzimit. Të njëjtin vlerësim e jep më vonë edhe mjekja ligjore nga Finlanda, Helena Ranta. Ndërkaq, gazetari i BBC-së raporton se “gjithë të vrarët ishin njerëz të rëndomtë, bujq, punëtorë, fshatarë, që të gjithë të vrarë me plumb në kokë”.
Më 18 janar, kryeprokurorja e Tribunalit të Hagës, Louise Arbour, nga autoritetet serbe nuk lejohet të shkojë në Reçak. Të njëjtën ditë, forca të mëdha serbe futen në fshat dhe marrin kufomat. Qëllimi i tyre ishte të falsifikojnë dëshmitë e të mbrojnë qëndrimet se gjoja të vrarët ishin luftëtarë, paçka që në mesin e viktimave ishte një 12-vjeçar dhe tri gra.
Në padinë kundër Sllobodan Milosheviqit në Tribunalin e Hagës, që bëhet më 27 maj 1999, për Reçakun thuhet: “Më 15 janar 1999, në orët e hershme të mëngjesit, fshati i Reçakut është sulmuar nga forcat e Republikës Federative të Jugosllavisë dhe të Serbisë. Pas bombardimeve nga forcat ushtarake, policia serbe futet më vonë atë mëngjes në fshat dhe nisë kërkimet shtëpi më shtëpi. Fshatarët që tentuan të ikin nga policia serbe, janë vrarë nëpër fshat. Një grup i 25 burrave tentoi të fshihet në një ndërtesë, ku policët i gjuajtën dhe i vranë. Në përgjithësi, forcat e Federatës dhe Serbisë vranë afro 45 shqiptarë të Kosovës brenda dhe jashtë Reçakut”.
Serbët akuzojnë ambasadorin Walker se gjoja ua ka ndryshuar rrobat të vrarëve, por në ShBA publikohen përgjimet telefonike që dëshmojnë se kreu i shtetit serb e ka urdhëruar këtë krim. Ndër emrat që përmenden janë zëvendëskryeministri Nikolla Shainoviq dhe ministri i Brendshëm, Sreten Lukiq. Ndërkaq, në raportin e saj pas autopsisë së trupave, Helena Ranta thotë se “nuk ka dëshmi që viktimat ishin diçka tjetër pos civilë të paarmatosur”.
Për deklaratat e tij, ambasadori William Walker shpallet persona non grata nga Serbia. Fatkeqësisht, këtë krim dhe të gjitha dëshmitë e dhëna nga ekspertët e pavarur, ende i mohon Serbia.
Reçaku nxiti shtetet e Perëndimit të gjejnë zgjidhje për Kosovën. Kështu, më 7 shkurt fillon Konferenca Ndërkombëtare për Kosovën, që mbahet në kështjellën e Rambujesë në periferi të Parisit – kryeqytetit të Francës. Bisedimet udhëhiqeshin nga Hubert Vedrine (ministër i Jashtëm i Francës) dhe Robin Cook (ministër i Jashtëm i Britanisë së Madhe). Ndërmjetës të bisedimeve ishin: amerikani Christopher Hill (këshilltarë: Jim O’Brien, Jon Levitsky dhe Larry Rosin), evropiani Wolfgang Petritsch (këshilltarë: Jan Kickert, Axel Dittmann, Thomas Market, David Slin) dhe rusi Boris Mayorski.
Delegacioni serb përbëhej nga: Ratko Markoviq (shef i ekipit dhe zëvendëskryeministër i Serbisë), Vladan Kutleshiq (zëvendësministër i Jugosllavisë), Nikolla Shainoviq (përfaqësues i Jugosllavisë për Kosovën), Vlladimir Stambuk (nga e Majta Jugosllave), Vojisllav Zhivkoviq (përfaqësues i serbëve të Kosovës), Zeynelabidin Kureysh dhe Gulbehar Saboviq (gjoja përfaqësues të komunitetit turk në Kosovë), Lush Sokoli dhe Faik Jashari (kinse përfaqësues të shqiptarëve të Kosovës), Ibro Vait (kinse si përfaqësues i goranëve të Kosovës), Refik Senadoviq (kinse si përfaqësues i komunitet mysliman të Kosovës), Luan Koka (kinse si përfaqësues i romëve të Kosovës) dhe Qerim Abazi (kinse si përfaqësues i komunitetit egjiptian të Kosovës).
Ndërkaq, delegacioni i shqiptarëve të Kosovës përbëhej nga: Ibrahim Rugova, Fehmi Agani, Edita Tahiri, Bujar Bukoshi, Idriz Ajeti (që të gjithë përfaqësues të LDK-së), Jakup Krasniqi, Xhavit Haliti, Bardhyl Mahmuti, Azem Syla (përfaqësues të UÇK-së), Rexhep Qosja, Hydajet Hyseni, Mehmet Hajrizi dhe Bajram Kosumi (LBD). Anëtarë të pavarur ishin Blerim Shala dhe Veton Surroi. Shef i delegacionit u zgjodh anëtari më i ri, Hashim Thaçi (UÇK).
Konferenca synonte t’i jepte kah zgjidhjes çështjes së Kosovës, por qëndrimet e palës së Kosovës dhe asaj serbe ishin diametralisht të kundërta. Të parët nuk donin të jenë pjesë e Serbisë, përderisa serbët nuk donin të kthehej situata para vitit 1990. Për serbët e pranueshme atë kohë ishte vetëm autonomia kulturore.
Më 23 shkurt u tha se u arrit një konsensus për autonominë substanciale të Kosovës, term që duhej të kënaqte palën serbe, por që përfshinte mekanizmin e zgjedhjeve të lira dhe krijimin e institucioneve demokratike për qeverisje të Kosovës, për mbrojtje të të drejtave të njeriut dhe komuniteteve kombëtare, si dhe për krijimin e një sistemi të duhur të drejtësisë. Realizimi i marrëveshjes kërkonte largimin e shumicës së trupave policore dhe ushtarake serbe, si dhe praninë e trupave të NATO-s si garantues të paqes. Në deklaratën e Grupit të Kontaktit u tha se do të respektohet integriteti territorial i Republikës Federative të Jugosllavisë, por nuk ceket Serbia. Ndërsa, në fund jepet paralajmërimi se ata që pengojnë realizimin e marrëveshjes ose që provokojnë armiqësi tjera apo kërcënojnë sigurinë e Misionit Verifikues, do të mbahen përgjegjës për aksionet e tyre.
Për arritjen e marrëveshjes ishin të interesuara sidomos ShBA-të, për çka në Rambuje qëndron vet Sekretarja e Shtetit, Madeleine Albright. Përderisa për Bisedimet e Dejtonit thuhej se ndërmjetësi amerikan Richard Holbrooke, për vonesat e nënshkrimit të Marrëveshjes për pak sa nuk i rrahu negociatorët (Alia Izetbegoviq, Franjo Tuxhman dhe Sllobodan Milosheviq), këtë herë ata ishin të butë me shqiptarët. I lutnin që të nënshkruanin.
Problemi qëndronte te mos definimi i statusit të Kosovës si territor i pavarur nga Serbia. Por, me refuzim shqiptarët rrezikonin humbjen e mbështetjes ndërkombëtare. Rrezikon gjithçka. Kundërshtari më i zëshëm ishte kreu politik i UÇK-së, Adem Demaçi, që i kishte bërë për vete disa komandantë të UÇK-së. Njëri prej tyre ishte Rrustem Mustafa (Remi), i cili i ka kërcënuar anëtarët e delegacionit shqiptar se do ta hedh në ajër aeroplanin me të cilin do të kthehen, nëse e nënshkruajnë marrëveshjen. Gjatë negociatave, Sylejman Selimi emërohet komandant i UÇK-së dhe ky vendim nga shumëkush u pa si puç. Kështu, nënshkrimi i marrëveshjes u shty për dy javë, të cilat i shfrytëzoi Serbia për sjelljen e trupave shtesë dhe për organizime tjera luftarake.
Më 23 mars nënshkruhet marrëveshja nga pala shqiptare. Zëdhënësi i sekretares Albright, James Rubin, në librin “Si e fituam luftën – kujtimet e një protagonisti nga Rambuje deri në fund të luftës në Kosovë”, ka shkruar: ”Thaçi dhe unë shumë shpejt arritëm në vendin tonë të dashur prapa kështjellës. Unë ndeza një cigare shumë ngadalë, sepse nuk më vinte asgjë në mend. Pas një pauze të gjatë, i thashë me gjysmë shaka se njoh disa producentë në Hollywood që do të mund të dëshironin të bënin një film të jetës së tij. ‘A do të jem unë personazh pozitiv apo negativ në film?’ pyeti Thaçi. Në ato çaste atë e thirrën sërish në dhomë për vendimin përfundimtar, por refuzoi të shkoi derisa të merrte një përgjigje nga unë. ‘Kjo varet nëse do të nënshkruash apo jo’, i thashë derisa po nisej drejt kështjellës”. Pala serbe e refuzon marrëveshjen, ndërsa më 24 mars fillojnë sulmet e NATO-s ndaj trupave policore dhe ushtarake serbe. Marrëveshja e Rambujesë bie, sepse tani krijohet një realitet i ri politik dhe ushtarak.
Shtetet e aleancës veriatlantike ia kanë bërë më herët me dije regjimit të Milosheviqit se dhuna mbi popullatën civile mund të çojë deri tek implikimi i NATO-s në konfliktin e Kosovës. Më 2 maj 1998, ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare të NATO-s deklarohen për zgjidhje paqësore të problemeve në Kosovë. Më 12 qershor të po të njëjtit vit, ministrat e Mbrojtjes të NATO-s bëjnë me dije se varësisht nga rrjedhat e mëtejme të ngjarjeve, NATO-ja mund të ndërmerr masa konkrete, përfshirë edhe intervenimin ushtarak. Por, të gjitha këto kërkesa hasën në veshin e shurdhët të regjimit serb. Këtë e dëshmoi edhe ultimatumi i 13 tetorit 1998 dhe e ashtuquajtura marrëveshje Hollbruk-Milosheviq, e më vonë edhe Rezoluta 1199 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Një pjesë e madhe e forcave serbe është dashur të tërhiqet nga Kosova, lufta duhej të ndalej. Por, dhuna dhe sulmet serbe vazhduan, madje përkundër prezencës të verifikuesve të OSBE-së. Pra, regjimi serb e shfrytëzoi edhe këtë marrëveshje për të fituar në kohë. Këtë e dëshmojnë sulmet në Podujevë dhe Shtime. Këtë e dëshmojnë vrasjet dhe keqtrajtimet e mëtejme, në veçanti masakra e Reçakut dhe e Rogovës. Pra, regjimi serb nuk ishte i interesuar për paqe.
Forcat e NATO-s filluan sulmet ajrore mbi forcat serbe në Kosovë dhe Serbi me 400 aeroplanë dhe disa luftanije. Më 25 mars luftimet intensifikohen në pjesën veriore dhe jugore të Kosovës. Forcat serbe shtojnë masat brutale mbi popullatën civile, duke rrëmbyer edhe intelektualët shqiptarë. 300 kriminelë serbë lirohen nga burgu dhe u bashkohen forcave paramilitare. Më 26 mars, fushata serbe e vrasjeve, plaçkitjeve, djegieve dhe keqtrajtimeve bëhet përherë e më e madhe. Më 27 mars një valë e madhe të deportuarve niset në kufijtë me Shqipërinë e Maqedoninë. Fshatrat spastrohen në mënyrë sistematike – ato plaçkiten dhe digjen. Meshkujt ndahen nga familjet dhe ekzekutohen. Më 28 mars nis spastrimi etnik i Prishtinës, ndërsa më 29 mars NATO-ja sulmon kompleksin e Policisë serbe në Prishtinë. Më 2 prill autoritetet e NATO-s dhe të OKB-së ndërmarrin masa për ta parandaluar katastrofën humanitare që mund ta shkaktojë vala e madhe e të deportuarve në Shqipëri dhe Maqedoni. 120 mijë të deportuar kanë hyrë në Maqedoni, 200 mijë të tjerë janë në rrugë. Në Kosovë konfirmohet të jenë aktive forcat paramilitare të Arkanit dhe Sheshelit. Më 4 prill, forcat e NATO-s në Shqipëri dhe Maqedoni ndihmojnë organizatat humanitare. Ndërtohen kampet e reja për të deportuarit. Më 13 prill vlerësohet se numri i të deportuarve ka arritur në 750 mijë. Më 16 prill, fotot e NATO-s dëshmojnë se në Izbicë janë së paku 150 varre. Më 17 prill raportohet se forcat serbe i angazhojnë me dhunë shqiptarët të hapin varre për vendasit e tyre të vrarë, në 43 varreza të identifikuara masive. Më 26 prill trefishohet numri i sulmeve të NATO-s. Gjenerali i NATO-s, Wesley Clark, në një konferencë shtypi thotë: “Ne po fitojmë. Milosheviqi po humb”. Më 30 prill shtohen edhe më luftimet mes forcave serbe dhe atyre të UÇK-së. Humbjet janë të mëdha në të dy anët. Forcat serbe demoralizohen në Kosovë. Raportohet për dezertime të mëdha. Më 4 maj, Clark i thotë kryetarit amerikan Bill Clinton se sulmet ajrore janë të suksesshme dhe se forcat e Milosheviqit po dobësohen përherë e më shumë. Më 6 maj serbët vrasin intelektualin dhe nënkryetarin e LDK-së, Fehmi Agani. Më 7 maj bombardohet Hotel Yugoslavia, që ishte bazë e tigrave të Arkanit. E, po ashtu, “gabimisht” edhe Ambasada e Kinës në Beograd. Më 12 maj, sipas UNHCR-së, 590 mijë shqiptarë të zhvendosur fshihen në Kosovë. Më 24 maj shtohen pakënaqësitë në Serbi. Forcat serbe arrestojnë demonstruesit në Kosovac, Aleksandrovac, Çaçak dhe Askar. Nga këto vise janë bërë mobilizimet më të mëdha. Pakënaqësitë i kanë shtuar sidomos arkivolet me ushtarët serbë. Në Kosovë forcat serbe vazhdojnë sulmet, sidomos në kufi me Shqipërinë. Më 31 maj vlerësohet se janë 40 mijë forca serbe brenda Kosovës. Më 4 qershor, liderët ushtarakë të NATO-s dhe ata serbë takohen për të realizuar marrëveshjen tekniko-ushtarake për zhvendosjen e trupave serbe. Më 9 qershor Millosheviqi ka pranuar planin e ndërmjetësve Martti Ahtisaari dhe Viktor Chernomyrdin. Marrëveshja e Kumanovës, ndërmjet NATO-s dhe RFJ-së, u nënshkrua më 9 dhe hyri në fuqi më 11 qershor 1999. Ajo u nënshkrua nga Michael Jackson, komandant i Parë i KFOR-it në Kosovë dhe Shefi i Shtabit të Armatës së Serbisë, Nebojsha Pavkoviq. Një ditë më vonë miratohet Rezoluta 1244, që formalisht e mbajti Kosovën nën sovranitetin e të ashtuquajturës Jugosllavi, por nën administrim ndërkombëtar të Kombeve të Bashkuara. Po më 10 qershor, forcat ruse futen në Kosovë. Një ditë më pas, Ushtria Çlirimtare hyri në Prishtinë, ndërsa më 12 qershor aty pozicionohen trupat angleze.
Gjatë 78 ditëve të sulmeve të NATO-s, afro 1,000 aeroplanë të forcave aleate kanë bërë 35,931 fluturime mbi Kosovë dhe Serbi. Gjatë sulmeve, aeroplanët e NATO-s kanë shkatërruar 290 aeroplanë serbë, prej të cilëve 150 MIG-29, si dhe 1.000 mjete të blinduara. Numri i aeroplanëve sipas shteteve anëtare ishte: Belgjika – 14; Kanada – 18; Danimarka – 8; Gjermania – 26; Franca – 82; Britania e Madhe 72; Italia – 57; NATO – 10; Holanda – 23; Norvegjia – 6; Portugalia – 3; Spanja – 7; Turqia – 21; SHBA – 607. Gjatë këtyre ditëve flitej edhe për invadimin tokësor të trupave të NATO-s.
Nga 24 marsi e deri në fund të luftës, serbët kryen krime të mëdha, ku më të tmerrshmet janë: Masakra e Krushës së Madhe më 25 mars, me 105 civilë të vrarë; Masakra e Suharekës më 26 mars, ku vriten 48 vetë – kryesisht të familjes Berisha; Masakra e Izbicës më 28 mars, me 147 civilë të vrarë; Masakra e Podujevës më 28 mars, ku u vranë 16 vetë – kryesisht gra e fëmijë; Masakra e Mejës më 27-28 prill, me 372 civilë të vrarë; Masakra e Qyshkut më 14 maj, me 41 të vrarë; Masakra e Burgut të Dubravës më 22-24 maj me afro 100 të vrarë… Pos vrasjeve, Qeveria e Bullgarisë zbulon Operacionin Patkoi për spastrimin etnik të Kosovës. “Ia sigurova ministrit të Jashtëm gjerman Joschka Ficsher – respektivisht NATO-s – raportin që posedonte Qeveria bullgare dhe që tregonte qartë se ekzistonte plani ‘Patkoi’, i përgatitur me kujdes nga shërbimet sekrete të Serbisë dhe kreut të atëhershme të shtetit Milosevic, e që kishte dy qëllime. I pari – shkatërrimi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës; dhe, i dyti, spastrimi i Kosovës nga shqiptarët etnikë. Ky plan gufoi me depërtimin e masave të mëdha të shqiptarëve nga Kosova. Ka filluar në fund të muajit shkurt 1999”, ka thënë më vonë ish-ministrja e Jashtme bullgare Nadezhda Neynski.
Vlen të ceket se gjatë bombardimeve nis operacioni “Shigjeta” nga forcat e UÇK-së. Në Betejën e Koshares, me Brigadën 138 në krye të së cilës ishte Agim Ramadani, më 9 prill thyhet kufiri i imponuar më 1912 mes Kosovës dhe Shqipërisë.
Lufta në Kosovë, sipas Fondit për të Drejtën Humanitare, la 13,535 të vrarë, nga të cilët 10,812 shqiptarë, 2,197 serbë, dhe 526 romë, boshnjakë, malazezë… Nga të gjitha viktimat, në bazë të raportimeve të ndryshme mendohet se 2,400 ishin pjesëtarë të UÇK-së. Ndërkaq, pas luftës, mbi 5,000 njerëz ishin të zhdukur, shumica e të cilëve shqiptarë. Sipas Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, janë ende 1,647 të pagjetur. Numri i grave shqiptare të dhunuara llogaritet të jetë 20 mijë, ndërkaq pjesa më e madhe e vendbanimeve ishin të shkatërruara.
Pas çlirimit të Kosovës, fillon rindërtimi i pjesshëm i Kosovës nga një mori organizatash ndërkombëtare, të cilat njëherësh ofruan edhe mundësi të mirë punësimi për shqiptarët.
Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK) filloi punën për vendosjen e sundimit të ligjit dhe për themelimin e institucioneve vetëqeverisëse. Kryeadministrator i parë i Kosovës ishte Sérgio Vieira de Mello. Më 15 korrik në vend të tij emërohet mjeku dhe diplomati francez, Bernard Kouchner.
Pasuan vizitat e njerëzve më të fuqishëm të botës, si: Hubert Vedrine, Robin Cook, Joschka Ficsher, Tony Blair, Kofi Annan, Javier Solana, Wesley Clark, Bill Clinton etj. Brenda vendit stacionohen 50 mijë ushtarë të huaj dhe 400 organizata të huaja joqeveritare. Gjuha angleze nis të bëhet si gjuhë zyrtare.
Por, lindin problemet tjera: ndarja e Mitrovicës, uzurpimi i pronave, kriza energjetike, problemet e furnitimit me ujë, krimi, mania për të jetuar në Prishtinë, shqiptarët e përçarë mes Qeverisë së Përkohshme të cilën e shpalli Hashim Thaçi gjatë bombardimeve dhe institucioneve që ishin krijuar gjatë sistemit paralel të udhëhequra nga LDK.
Pas çlirimit demilitarizohet Ushtria Çlirimtare e Kosovës, ndërsa më 19 shtator formohen Trupat Mbrojtëse të Kosovës. Më 10 tetor formohet Partia për Progres Demokratik që më vonë do të quhet Partia Demokratike e Kosovës.
Lufta në Kosovë ka dëshmuar se e vetmja forcë garantuese e paqes dhe sigurisë në rajon është NATO-ja. Shikuar në kontekstin tjetër, problemet që dolën në shesh më vonë, si dhe ngecja ushtarake e evropianëve ndaj amerikanëve, dëshmoi se globalizimi ka nevojë për udhëheqës të fortë – për Amerikën. Po ashtu, sulmet e NATO-s ishin sfida më e madhe e kësaj aleance, ndonëse kjo nuk vërehej haptas. Dëshmi për këtë janë divergjencat e shumta mes shteteve aleate, të cilat shfaqen ditëve të para të bombardimeve, kur prognozat për kapitullimin e shpejtë të Milosheviqit nuk përmbushen. Italia e konsideronte veten të rrezikuar, gjoja se të gjitha sulmet realizohen nga territori i saj – baza ushtarake në Aviano. Greqia kërkon ndërprerjen e sulmeve, ndërsa Gjermania – për shkak të përvojave të hidhura në të kaluarën në Ballkan – nuk mbante qëndrim të definuar mirë. Në anën tjetër ishte presioni rus dhe kërcënimet për thyerjen e embargos së armëve dhe furnizimit me naftë. Por, NATO-ja ia doli falë vendosmërisë së amerikanëve, anglezëve dhe francezëve, ndonëse këta të fundit nuk janë anëtarë të NATO-s. NATO-ja fitoi. Lufta u fitua.
Në tetor 1999, pas dorëheqjes së Pandeli Majkos, Ilir Meta bëhet kryeministër i ri i Shqipërisë. Bill Gates shpallet personi më i pasur në botë, ndërsa kinematografia do të mbesë pa regjisorin e madh, Stanley Kubrick. Po këtë vit, Çmimin Nobel për Paqe e fiton organizata humanitare Mjekët pa Kufij, që ka kontribuar në Kosovë që nga viti 1993, ndërkaq ka pasë rol shumë me rëndësi gjatë krizës së valës së madhe të të deportuarve shqiptarë. /Telegrafi/
VITI 2009: OBAMA…
Kosova shënon njëvjetorin e pavarësisë me vetëm 11 njohje. Më 2009, i ashtuquajturi Kuvend i komunave serbe, me miratimin e një deklarate shpallë “pavarësinë e Kosovës si të pavlefshme”. Serbia madje kërkon nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë të japë vlerësim për ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës. Këto veprime nuk kishin peshë të madhe, pasi pavarësia e Kosovës ishte proces i panegociueshëm dhe i pakthyeshëm, gjë të cilën e tha në Prishtinë, më 21 maj 2009, edhe zëvendëspresidenti amerikan Joe Biden. Por, ajo deklaratë tregonte sesa e vështirë është shtrirja e autoritetit të Prishtinës në veri të vendit.
Më 4 qershor, Kosova anëtarësohet në Bankën Botërore, e pesë ditë më vonë në Fondin Monetar Ndërkombëtar. Anëtarësimi në institucionet ndërkombëtare do të jetë sfidë edhe për vitet ardhshme. Si dhe njohjet e reja.
Në korrik dhe gusht ka shumë debate për faktin se misioni evropian për sundimin e ligjit paralajmëroi t’i nënshkruajë disa protokolle me Serbinë, siç ishte edhe ai i bashkëpunimit policor. Kjo nxiti aktivistët e Vetëvendosjes të dalin në protesta, të cilët do t’i kundërshtojnë edhe zgjedhjet lokale që mbahen më 15 nëntor të po të njëjtit vit, e ku LDK e akuzon PDK-në për vjedhje votash.
Pak para zgjedhjeve lokale, ndodhë skandali i “Zanzibarit”, kur krerët e Partisë Demokratike e Kosovës, pasi rrinë në lokalin pranë selisë së partisë, në ora 1:00 pas mesnate mbajnë një konferencë për shtyp si dhe telefonojnë zëvendëskryeministrin nga radhët e LDK-së, Ramë Mamaj. Ky i fundit ka thënë se nga Hajredin Kuçi i PDK-së e ka marrë këtë porosi: “Kemi bërë koalicion me LDD-AKR-në. Kaq. Të lutem njoftoje presidentin (Fatmir Sejdiu – v.i.)”. Pak më vonë, fjalët ndryshuan…
Më 29 nëntor, opinionit i prezantohet Nazim Bllaca, i cili e quante veten pjesëtar të Shërbimit Informativ të Kosovës (ShIK) dhe pjesëmarrës në “vrasje, plagosje, kërcënime, shantazhe, rrahje brutale etj.”. Si eprorë të tij përmendi disa emra të PDK-së. Bllaca arrestohet më 30 nëntor.
Në tetor 2009, në lumin Tisa të Hungarisë, nga përmbysja e një barke mbyten 15 shqiptarë nga Kosova të cilët po përpiqeshin të kalonin kufirin ilegalisht. Ndërkaq, më 1 nëntor zbulohet shtatorja e shëmtuar ish-presidentit amerikan, Bill Clinton.
Në prill më 2009, Shqipëria bëhet anëtare me të drejta të plota në NATO. Anëtarësimi i Shqipërisë në BE ishte shumë më afër atëherë se sot. Po më 2009, Sali Berisha nga Partia Demokratike mandatohet kryeministër edhe për katër vitet e ardhshme. Partia e tij do të futet në koalicion me Lëvizjen Socialiste për Integrim të Ilir Metës. Kur më 2005 Partia Socialiste humbi zgjedhjet, kreu i saj, Fatos Nano, jep dorëheqje. Por, Edi Rama nuk tërhiqet, madje nis protestat në shumë qytete që do të kulmojnë më 20 nëntor ku nën kërcënime ai kërkon zgjedhje të parakohshme.
Ndërkohë, në Maqedoni shënohet tetëvjetori i Marrëveshjes së Ohrit për implementimin e së cilës është punuar shumë pak. Për shkak të problemeve për emrin, me Greqinë, ky shtet është larg integrimit në NATO dhe në BE.
Në janar 2009, Barack Obama u inaugurua si presidenti i 44-të i Amerikës. Po të njëjtin vit fiton Çmimin Nobel për Paqe. Me emërimin e tij si president do të fillojë tërheqja e trupave amerikane nga Iraku. Por, do të shtojë rreth 30 mijë trupa në Afganistan. Ndërkohë, në BE hyn në fuqi Traktati i Lisbonës, ndërsa Kina shton eksportet. Malli kinez më nuk do të përqeshet. Zhvillimit të Kinës i kontribuon fakti se perëndimi ende i vuante pasojat e krizës ekonomike që shpërthen më 2008. Por, si rezultat i masave duhura, ekonomitë perëndimore dolën nga recesioni, duke shmangur frikën se bota do të futej në Krizën e Madhe Ekonomike të viteve 1920.
Situata është e tensionuar në shumë shtete, por më e rënda në territoret e okupuara palestineze. Ndërsa, lideri i Venezuelës, Hugo Chavez, kërcënon me veprim ushtarak kundër Kolumbisë, pasi qeveria e saj ka marrëveshje që i lejon trupat amerikane të përdorin bazat e saj për të luftuar trafikantët e drogës.
Bota është në panik nga Virusi H1N1, i njohur si Gripi i Derrit. Organizatës Botërore të Shëndetësisë i kërkohet të deklarojë një pandemi globale, që më vonë dyshohet të jetë propagandë e kompanive farmaceutike.
Më 2009, Angela Merkel sërish është në pushtet në Gjermani. Ndërsa, vdes ikona e muzikës pop, Michael Jackson.
VITI 2019: TËRMETI TEKTONIK DHE POLITIK
Kosova vazhdon të mbetet shteti më i izoluar në rajon, ndërsa njohjet e saj jo që nuk u shtuan, por u zvogëluan fal njerëzve të gabuar në vendet kyçe të Qeverisë Haradinaj. E, për pranim në institucionet ndërkombëtare, si Interpol apo UNESCO, as që bëhet fjalë. Gjërat më 2019 kanë rrjedhur aq mbrapshtë, sa që ngjarje kryesore duhet cekur 4 korrikun dhe përurimin e ndërtesës së Ambasadës së ShBA-së, që mund të shihet si garanci se Kosova nuk do të zhbëhet, porse “do të bëhet, për inati të kosovarëve”.
Kur është fjala te ShBA-ja, duhet cekur se presidenti amerikan Donald Trump, më 4 tetor zgjedh ambasadorin amerikan në Gjermani, Richard Grenell, si të dërguar të administratës në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Pos tij, edhe Mathew Palmer do të merret me dialog (tashmë është duke ushtuar funksionin e përfaqësuesit të posaçëm amerikan për Ballkanin).
Viti 2019 fillon me grevën tri javore të institucioneve arsimore, me kërkesën për ngritje të pagave për 30 për qind. Greva përfundoi më 1 shkurt, por mosmarrëveshjet vazhduan lidhur me kompensimin e orëve të humbura mësimore.
Në shkurt shkarkohet ministri i Bujqësisë, Nenad Rikallo; në mars shkarkohet zëvendësministrja e Drejtësisë, Vesna Mikiq, pasi në një emision televiziv serb deklaron se “bombardimet e NATO-s ndaj caqeve serbe janë gjenocid ndaj shtetit dhe popullit serb”; e, në prill shkarkohet ministri i Administratës dhe Pushtetit Lokal, Ivan Teodosijeviq, i cili po ashtu në një emision televiziv serb, masakrën e Reçakut të vitit 1999 e cilësoi si një “trillim të shqiptarëve”. Përkitazi me luftën e fundit në Kosovë, më 16 maj deputetët e Kuvendit të Kosovës miratojnë rezolutën për “gjenocidin, krimet kundër njerëzimit dhe krimet e luftës të ish-regjimit shtetëror serb në Kosovë”.
Më 30 prill mbahet Samiti i Berlinit, që nuk dha asnjë rezultat pos që ftohi raportet mes kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, dhe atij të Shqipërisë, Edi Rama. Këto raporte do të acarohen sidomos kur ky i fundit, bashkë me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq (i cili po ashtu ka mohuar Masakrën e Reçakut), pa Kosovën nis projekton kontrovers të mini-Shengenin ballkanik. Sipas një deklarate të kryeministrit të Maqedonisë Veriore, ky projekt kinse mundëson: “Lëvizjen e lirë 24 orë përmes letërnjoftimeve të qytetarëve nga i gjithë rajoni. Plani, po ashtu, mundëson kushte, shirita më të shpejtë të kamionëve që kalojnë përmes pikave kufitare. Plani gjithashtu mundëson njohjen e dokumenteve të Agjencive të ushqimit dhe veterinarisë dhe të gjitha institucioneve të tjera administrative me qëllimin që t’i jepet një modalitet qarkullimit të kapitalit, njerëzve dhe shërbimeve ashtu siç parashihet me katër liritë europiane”. Por, gjithçka është e destinuar në dështim, përderisa nuk ka njohje reciproke e pa kushte mes Kosovës dhe Serbisë.
Më 12 qershor shënohet 20-vjetori i çlirimit të Kosovës, ku të pranishëm ishin ish-presidenti amerikan Bill Clinton, ish-sekretarja e Shtetit, Madeleine Albright, dhe ish-komandanti suprem i forcave të NATO-s, Wesley Clark. Me këtë rast, është zbuluar busti i shëmtuar i sekretares Albright, i punuar si zakonisht nga Luan Mulliqi.
Po më 2019, tri universiteteve publike u tërhiqen akreditimet për vitin akademik 2019/2020 (Universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren, “Isa Boletinit” në Mitrovicë dhe “Haxhi Zekës” në Pejë). Ndërkaq, Kosova sërish dështon në Programi për Vlerësimin Ndërkombëtar të Nxënësve (PISA).
Gjatë vitit shtohet numri i ftesave për intervistim nga Gjykata Speciale. Për shkak të kësaj ftese, më 19 korrik Ramush Haradinaj tha se po jep dorëheqje. Por, do të kalojë viti dhe ai sërish do të jetë kryeministër (në largim). Sidoqoftë, më 22 gusht shpërbëhet Kuvendi i Kosovës dhe vendi shkon në zgjedhje të reja të cilat do të mbahen më 6 tetor. Nga këto zgjedhje, partia e parë del Lëvizja Vetëvendosje me 29 deputet, LDK me 28, PDK me 24, koalicioni AAK-PSD me 13, Lista Serbe me 10, koalicioni Nisma-AKR-PD me gjashtë, kurse minoritetet e tjera joserbe me 10 deputetë. U tha se këto zgjedhje do ta ndryshojnë Kosovën dhe se fakti se opozita e deridjeshme (VV dhe LDK) doli e para, ditët më të mira do të vijnë për të gjithë qytetarët. Por, ato ditë nuk u panë më 2019, ndonëse më 27 nëntor u certifikuan rezultatet e zgjedhjeve. Koalicioni nuk u arrit, meqë nuk u morën vesh Albin Albin Kurti (LVV) dhe Isa Mustafa (LDK), por u konstituua Kuvendi i Kosovës, kryetar i të cilit zgjidhet Glauk Konjufca i Vetëvendosjes.
Më 24 tetor, Prokuroria Themelore në Prizren ka pranuar ekspertizën nga Zvicra për vdekjen e aktivistit Astrit Dehari, në të cilën thuhet se “një hetim i ri është i nevojshëm për t’i qartësuar rrethanat e vdekjes së Astrit Deharit”. Kjo ekspertizë dëshmoi edhe një herë të metat e sistemit të drejtësisë në Kosovë. Po ashtu, në një raport të Departamentit amerikan të Shtetit, theksohet se bizneset vendore dhe ndërkombëtare e citojnë rregullisht korrupsionin si një nga pengesat më të mëdha të Kosovës për tërheqjen e investimeve. “Kosova ka miratuar ligje të ashpra për të luftuar korrupsionin, por qeveria deri më tani, ka qenë e pasuksesshme në përpjekjet për të hetuar, ndjekur penalisht, burgosur dhe konfiskuar asetet e individëve të korruptuar”, thuhet në raport.
Më 29 maj 2019 hapet zyrtarisht autostrada “Arbën Xhaferi”. Taksa 100 për qind për produktet serbe nuk u pezullua. Kushtetuesja pezullon ligjin për paga. Ndërsa, Fondi Rezervë i Kosovës në fund të vitit mbetet pa asnjë cent.
Ndërkohë, Shqipëria vazhdon me skandale politike. Partitë opozitare djegin mandatet, ndërsa zgjedhjet lokale mbahen veç nga pozita. Edi Rama sundon si në një feud. Gjatë gjithë kësaj kohe, ditorja “Bild” publikon dëshmitë për vjedhje të votave në të kaluarën, por pushteti bën thuajse nuk ndodhi asgjë. As kur dështon në procesin e negociatave për anëtarësim në BE. Vendi pra kaplohet nga shumë e shumë skandale, ndër to edhe të ndërhyrjes së politikës në reformat në drejtësi dhe zhvatjet me projektet e PPP-së (Partneriteti Publiko-Privat). Një projekt të PPP-së nuk po e lejojnë një grup artistësh, të cilët gjatë tërë vitit i kanë dalë në mbrojtje Teatrit Kombëtar duke mos lejuar rrënimin e objektit me vlera arkitektonike dhe kulturore (që gjendet në qendër të Tiranës e që pushteti do ta rrënojë e të ndërtojë një rrokaqiell në vend të tij).
Shqipëria preket nga shumë tërmete, por më shkatërrimtari ishte ai i 26 nëntorit që la të vdekur 51 persona dhe shumë të tjerë të lënduar dhe të pastrehë. Shumë ndihma erdhën nga vendet mike të Shqipërisë, sidomos nga Kosova. Shqipëria ishte edhe këtë herë e papërgatitur për t’u dalë qytetarëve në si duhet në ndihmë.
Më 6 shkurt 2019, u nënshkrua Protokolli për pranimin e Maqedonisë së Veriut në NATO. Presidenti i ri i këtij shteti zgjedhet Stevo Pendarovski. Ndërkaq, ngjarjet kryesore që shënuan botën më 2019, janë: zjarri shkatërrues kaplon katedralen mesjetare Notre Dame në Paris; flakët kapin edhe Amazonën që ndryshe njihet si Mushkëria e Botës; shënohet shërimi i personit të dytë të sëmurë me AIDS; Greta Thunberg, për ndryshimet klimatike iu kërkon llogari liderëve botërorë në Samitin e Kombeve të Bashkuar, duke iu thënë “si guxoni” dhe “i keni vjedhur ëndrrat dhe fëmijërinë time me premtimet tuaja boshe”; presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, nis luftën kundër kurdëve të Sirisë; ndërsa, amerikanët vrasin liderin e organizatës terroriste ISIS, Abu Bakr al-Baghdadi. /Telegrafi/