LAJMI I FUNDIT:

Shqiptarët dhe loja me akronimin UDB

Dy ditë më parë, në një portal informativ kosovar u publikua edhe një “sensacion” i radhës, ashtu siç “sensacione” të këtilla jo rrallë lexojmë në një pjesë të mediave shqiptare. Këtë herë deputeti i Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka postuar në rrjetin social facebook “kryeveprën” e radhës dhe ajo është një faksimil me shkronja të padeshifruara mirë, madje i shkruar në alfabet cirilik, përmes të cilit kryeministrin shqiptar, Sali Berisha, pretendon ta prezantojë si ish-bashkëpunëtor të shërbimit sekret serb, ndërkohë që pa u vonuar portali kosovar e servoi si kryelajm të ditës.

Çështja ka shkuar aq larg sa deputeti socialist, për të na bindur se “Reshenje” e tij është origjinale, ajo përveç alfabetit cirilik është e shkruar me fondin e shkronjave që i përdorë pikërisht edhe kisha ortodokse serbe!


Që faksimili të jetë sa më “bindës” për opinionin, Balla synon të duket sa më ortodoks. Qëllimi i Ballës është që ta përbaltë rivalin e tij të përjetshëm dhe kryeministrin aktual të Shqipërisë, Sali Berisha, për të na servirur se kinse ishte bashkëpunëtor i UDB-së në vitin 1987.

Deputeti socialist, Taulant Balla, duket të jetë mediokër i madh. Ai ka nuk e di që deri në shpërbërjen e ish-Jugosllavisë në fillim të viteve ‘90, asnjë vendim a shkresë tjetër zyrtare në nivel jugosllav nuk është lëshuar me alfabet cirilik, aq më pak në ish-ambasadat jugosllave, të cilat e kanë përfaqësuar drejtpërdrejtë ish-Federatën jugosllave.

Fillimi i viteve ’90-ta Kosovën e gjen nën regjimin famëkeq të Milosheviqit dhe me shpërbërjen e ish-Federatës jugosllave fillojnë të lëshohen edhe shkresat “zyrtare” me alfabetin cirilik. Pasioni i Ballës për ta plandosur kryeministrin shqiptar ia ka verbuar aq shumë sytë, sa duke pretenduar që sa më shumë ta përbaltë kryeministrin shqiptar, në fakt vet do të bie në llucë.

Sprova “titanike” për të përbaltur edhe personalitetin e liderit shqiptar të Kosovës, Ibrahim Rugova, por edhe të shumë personaliteteve të tjera nga një pjesë e mediave shqiptare ishin të pareshtura dhe mëkatare deri në fund, sa jo rrallë ua kanë pas zili edhe simotrat e tyre në shtypin serb.

Loja e shqiptarëve me akronimin UDB viteve të fundit është duke u mbllaçitur si çamçakëz në gojët e tyre dhe ky akronim është arma e fundit e çdo politikani shqiptar për t’i rrënuar politikisht dhe me çdo kusht rivalët e tyre, kudo ku shqiptarët zhvillojnë jetë institucionale, madje edhe në Shqipëri.

Vetëm pak ditë më parë një lojë e këtillë ndodhi edhe në Parlamentin e Kosovës, derisa një deputet i Partisë Demokratike të Kosovës e linçoi publikisht liderin e Lëvizjes “Vetëvendosje”, për kinse bashkëpunëtor të BIA-s, pasardhëse e UDB-së. Që kjo informatë të dilte edhe më “bindëse” dhe gjithsesi në sytë e publikut të ishte edhe më e “kriposur”, sipas tij Albin Kurti paskësh qenë i pajisur mjaft mirë edhe me logjistikë si batanije e suxhuk! Një përgatitje kaq e fuqishme logjistike, të jepte bindjen sikur Kurti ishte nisur për të udhëtuar deri në Kinë e jo deri në Klinë!

Tendenca e partive politike apo grupeve të interesit që ta zhvendosin vëmendjen e opinionit nga çështjet madhore, në mënyrë që vëmendja të përqendrohet në çështje periferike, në fakt veçse betonon çështje edhe më të ndërlikuara, që pastaj nuk zhvendosen assesi.

Meqë shqiptarët e kanë kaq pasion lojën me akronimin e UDB-së famëkeqe dhe këtë e preferojnë për meny të përditshmërisë së tyre politike, atëherë pse serbët që ishin shefat kryesorë të këtij shërbimi jo rrallë këtë akronim e hedhin edhe si karrem për të bërë lojën e cicmicit pikërisht me shqiptarët, pasi këta të fundit e kanë aq shumë për qejf.

Dy vjet më parë, njëri nga ish-shefat e UDB-së, në mediat serbe me po aq pasion thoshte se “një numër i madh i shqiptarëve, të cilët janë në Qeveri, si në Maqedoni ose në Kosovë, kanë qenë aktiv në Shërbimin e Sigurimit Shtetëror (UDB) dhe për ta, sidomos në Kosovë, kjo paraqet një problem serioz. Nëse hapet kjo çështje, mendoj se ata do të vriten mes veti dhe Kosova do të shkatërrohet”.

Kjo është njëra nga menytë e njërit nga ish-shefat e UDB-së që u serviret shqiptarëve, derisa këta të fundit mund të përzgjedhin vet.

Këto dilema do t’i hiqte vetëm miratimi i ligjit të lustracionit. Parlamenti i Shqipërisë, por edhe i Kosovës duhet ta ndërmarrin këtë projekt të guximshëm, jo që dikujt t’i vihet koka mbi gijotinë, por thjeshtë shoqëria shqiptare ka nevojë të frymojë dhe të mos mbetet e shantazhuar. Kështu kanë vepruar disa shtete që njësoj kanë mbijetuar në kampin komunist.

Se shërbimet sekrete, përfshirë edhe atë serb e bëjnë punën e tyre, nuk ka asnjë dyshim. Nuk ishte rastësi kur më 2 korrik të vitit 1990 në Prishtinë, deputetët kosovarë shpallën Deklaratën Kushtetuese dhe po këtë ditë shqiptarët ia mësynë ambasadave të huaja në Tiranë për të fituar lirinë. Të rastësishme nuk ishin as trazirat e vitit ’97 në Tiranë, në të njëjtën kohë kur shqiptarët në Kosovë po përgatiteshin për të mundur tiraninë serbe. Të rastësishme nuk janë as veprimet e fundit kur hapen diskutimet për fillimin e bisedave politike për veriun e Kosovës, derisa shteti maqedonas bën gjueti kundër shqiptarëve autoktonë dhe të pambrojtur.

Por, të thuash se kryeministri shqiptar ishte bashkëpunëtor i UDB-së, është njësoj si të thuash e vizitova Parisin, por nuk e pashë Kullën e Ajfelit. Kjo e fundit mund t’i ndodhë ndonjë injoranti, por që vështirë se do t’i besojë dikush!