Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeff Hovenier, është shprehur i tronditur pas shpërthimit të një granate dore në “Lagjen e boshnjakëve” në veri të Mitrovicës.
Hovenier ka thënë se i dënon këto akte dhune, ndërsa u ka bërë thirrje autoriteteve të kryejnë hetim të plotë për rastin.
“I tronditur thellë kur lexova raportet e mjeteve shpërthyese të përdorura në shumë pjesë të Kosovës. Ne i dënojmë këto akte dhune dhe u bëjmë thirrje autoriteteve të kryejnë hetim të plotë dhe të nxjerrin autorët para drejtësisë”, ka shkruar ambasadori amerikan në platformën “X”.
Deeply dismayed to read reports of explosive devices used in multiple parts of Kosovo. We condemn these acts of violence and call on the authorities to conduct a thorough investigation and bring the perpetrators to justice.
— Ambassador Jeff Hovenier (@USAmbKosovo) September 22, 2023
Lidhur me situatën në veri ka reaguar edhe ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla.
Ai ka thënë se grupet kriminale kanë gjuajtur me granatë dore, si shenjë revolte ndaj arrestimit të tre serbëve për krime të kryera ndaj popullatës civile në Kosovë.
Lajmin e konfirmoi për Telegrafin, zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për Veriun e Mitrovicës, Veton Elshani.
“Pas daljes në vend të ngjarjes së ekipit të specializuar dyshohet se kemi të bëjmë me shpërthim të granatës së dorës M75”, bëri të ditur Elshani.
Shpërthimi ka ndodhur mbrëmë rreth mesnatës, ndërsa përveç dëmeve në një veturë, nuk raportohet për të lënduar. /Telegrafi/