Shpërblimet për Kombëtaren e Kosovës – kryetari i FFK-së, Agim Ademi falënderon kryeministrin në detyrë, Albin Kurti

Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi ka falënderuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti dhe Qeverinë e Republikës së Kosovës për vlerësimin e arritjeve të deritanishme të Kombëtares së Kosovës dhe për shpërblimin e ndarë për suksesin e arritur në “play-off” të kualifikimeve për Botërorin 2026.
Gjatë ditës së sotme (e enjte), Qeveria e Kosovës në detyrë ka mbajtur mbledhjen e 277-të duke ndarë premio edhe për ekipin e Kombëtares së Kosovës pas sigurimit të fazës ‘play-off’ për kualifikim në Kupën e Botës 2026.
Kryeministri i Kosovës në detyrë, Albin Kurti konfirmoi se kanë ndarë 250 mijë euro pas kalimit të fazën ‘play-off’, teksa zotohen se do të ndajnë edhe 500 mijë euro në rast fitoreje ndaj Sllovakisë dhe 1 milion euro tjera në rast kualifikimi në Kampionatin Botëror.
Ky shpërblim dhe vlerësim për kombëtaren e Kosovës ka bërë që i pari i FFK-së, Agim Ademi, ta falënderoj kryeministrin në detyrë, Albin Kurti dhe Qeverinë e Republikës së Kosovës.
Postimi pa ndërhyrje i Agim Ademit
Në emër të Komitetit Ekzekutiv të FFK-së dhe ekipit kombëtar falënderoj kryeministrin në detyrë, Albin Kurti dhe Qeverinë e Republikës së Kosovës për vlerësimin e arritjeve të deritanishme të Kombëtares sonë dhe për shpërblimin e ndarë për suksesin e arritur në “play-off” të kualifikimeve për Botërorin 2026. Kjo mbështetje institucionale është dëshmi e besimit të plotë në punën, përkushtimin dhe rrugëtimin që po e ndërtojmë së bashku.
Shpërblimet e caktuara nga ekzekutivi për motivimin e ekipit para ndeshjeve të radhës përbëjnë një shtysë të fuqishme për futbollistët tanë, të cilët janë të përqendruar dhe të motivuar maksimalisht që ta çojnë Kosovën drejt objektivit historik, sigurimit të biletës për Kupën e Botës.
Falënderimi ynë shkon për të gjithë ata që po qëndrojnë krah Kombëtares dhe futbollit kosovar. Kjo mbështetje është jetike në këtë fazë vendimtare, ku çdo detaj dhe çdo motivim ka rëndësi.
Bashkë po e shkruajmë historinë!
/Telegrafi/



































