Në kushte të vështira klimatike dhe përballë një kundërshtari të fortë si CSKA Sofia, Shkëndija zhvilloi një tjetër test të vlefshëm në kuadër të përgatitjeve për ndeshjen kualifikuese në Ligën e Kampioneve kundër The New Saints, njofton Telegrafi. Miqësorja përfundoi 1:1, me një gol spektakolar të shënuar nga Blerim Krasniqi.

Në ndeshjen e tretë miqësore të fazës përgatitore në Slloveni, Shkëndija u përball me ekipin bullgar CSKA Sofia, në një duel që u mbyll me barazim 1:1. Temperaturat e larta, sidomos në pjesën e parë, ndikuan dukshëm në ritmin e lojës, me të dyja skuadrat që e patën të vështirë të krijojnë intensitet.


Në 45 minutat e para, kuqezinjtë kishin disa përpjekje përmes Tamba-s dhe Qaka-s, por pa arritur të konkretizojnë. Loja mori më shumë gjallëri në pjesën e dytë. Trumçi shmangu një gol të sigurt, por në minutën e 60-të, pas një gabimi në mbrojtje, Ivanov realizoi për bullgarët, duke i kaluar në epërsi.

Shkëndija nuk u dorëzua dhe u hodh në sulm për të kërkuar barazimin. Reagimi u kurorëzua në minutën e 84-të, kur Krasniqi me një goditje të fuqishme shënoi gol të bukur për 1:1.

Pas kësaj sfide, Shkëndija është kthyer në Tetovë për të vazhduar përgatitjet për sfidën e parë zyrtare të sezonit – ndeshjen kualifikuese të Ligës së Kampionëve ndaj kampionëve të Uellsit, The New Saints. /Telegrafi/

 

 

telegrafi sport app