Në derbin më të madh të javës s 10-t, në Ligën e Parë të Maqedonisë, Shkëndija e Tetovës ka pësuar humbjen e parë pas një serie të gjatë prej disa ndeshjesh pa disfatë, njofton Telegrafi.

Në stadiumin e saj në Tetovë, kuqezinjtë u mundën minimalisht nga Vardari me rezultat 0–1, në një ndeshje ku u pa shumë luftë në mesfushë, por pak efikasitet para portës.


Pavarësisht dominimit të lehtë në posedim dhe disa rasteve të mira, Shkëndija nuk arriti ta gjejë golin. Rasti më i mirë për kuqezinjtë erdhi në minutën e 31-të, kur pas një goditjeje dënimi të Besart Ibraimit dhe një reagimi të mirë të portierit mysafir, topi u kthye sërish në zonë, por as tentimet e radhës nga Spahiu dhe vetë Ibraimi nuk arritën të përfundonin në rrjetë.

Pjesa e parë u mbyll pa gola, ndërsa fillimi i së dytës solli momentin vendimtar të takimit. Në minutën e 49-të, pas një goditjeje këndi, një lojtar i Shkëndijës preku topin me dorë brenda zonës dhe gjyqtari akordoi penallti për Vardarin. Nga pika e bardhë, David Babunski ishte i saktë, duke e kaluar ekipin nga Shkupi në epërsi 0–1.

Pas golit, Shkëndija tentoi të reagojë me presion të vazhdueshëm, por mbrojtja e Vardarit dhe portieri Taleski u treguan të pakalueshëm. Kuqezinjtë kishin një tjetër moment të madh në minutën e 87-të, kur Besart Ibraimi realizoi një gol të bukur, por pas rishikimit me sistemin VAR, goli u anulua për pozicion jashtë loje.

Kështu, Vardari pas tetë vitesh dhe 21 ndeshjesh pa fitore ndaj Shkëndijës, arrin më në fund ta mposhtë rivalin e madh dhe me këtë fitore ngjitet në krye të tabelës me 24 pikë. Shkëndija mbetet në pozitën e katërt me 21 pikë dhe do të kërkojë rikthimin te fitorja në ndeshjen e radhës kundër Brerës në Strumicë. Ndërkohë, Vardari në xhiron e ardhshme pret në shtëpi Sileksin, në një tjetër ndeshje që pritet të jetë derbi i vërtetë i javës së 11-t. /Telegrafi/

telegrafi sport app