Shkëndija e Tetovës nis përgatitjet për sfidat evropiane

Kampionët e vendit tonë në futboll, skuadra e Shkëndijës së Tetovës kanë nisur zyrtarisht fazën përgatitore për pjesëmarrjen në kualifikimet e UEFA Ligës së Kampioneve. Pjesa kryesore e stërvitjeve do të zhvillohet në Slloveni, ku janë planifikuar katër ndeshje kontrolluese me kundërshtarë të ndryshëm, njofton Telegrafi.
Kuqezinjtë filluan përgatitjet verore sot në Tetovë, ku deri të dielën skuadra do të mbajë nga dy seanca stërvitore në ditë. Të hënën, lojtarët do t’i nënshtrohen kontrolleve mjekësore dhe testimeve fizike. Programi vazhdon me stërvitje intensive të martën dhe të mërkurën, ndërsa e enjtja do të jetë ditë pushimi. Të premten, më 13 qershor, skuadra do të udhëtojë drejt qendrës stërvitore “Terme Çatezh” në Slloveni, ku do të qëndrojë deri më 28 qershor.
Gjatë qëndrimit në Slloveni, janë planifikuar katër miqësore që do t’i shërbejnë trajnerit Jeton Beqiri për të testuar formacionin dhe për të ndërtuar ritmin e duhur për garat evropiane. Pikërisht atje, më 17 qershor, Shkëndija do të ndjekë hedhjen e shortit të raundit të parë eliminator në selinë e UEFA-së në Nyon të Zvicrës, për të mësuar emrin e kundërshtarit të parë në Ligën e Kampionëve.
Pas ndeshjes së fundit kontrolluese më 28 qershor, skuadra do të kthehet në Tetovë, ku do të vazhdojë përgatitjet deri në përballjen e parë evropiane, e cila pritet të zhvillohet më 8 ose 9 korrik. /Telegrafi/




































