Shkaku i borës vështirësohet qarkullimi rrugor në viset malore në Ferizaj

Prej disa ditësh është vështirësuar qarkullimi rrugor në vise malore të Ferizajt. Kjo për shkak të reshurave të borës.
Komuna e Ferizajt ka kontraktuar kompani me negocim për shkak se tenderi për mirëmbajtjen e rrugëve ishte anuluar javë më parë shkaku i ankesave në OSHP nga operatorët.
Lidhur me gjendjen e rrugëve ka reaguar organizata joqeveritare “Avonet” në Ferizaj.
“Gjendja e rrugëve në Ferizaj e sidomos në viset malore është vështirësuar mjaftë shumë pasi që komuna nuk ka arritur t’i pastron të gjitha rrugët. Tenderi ishte anuluar shkaku që kompanitë janë ankuar në OSHP nën dyshimin se u është bërë e padrejtë në procedura. Ndërkohë komuna ka kontraktuar kompani me negocim e , që mendojmë se nuk është zgjidhje e duhur. Kërkojmë që herëve tjera kompanitë kontraktuese për mirëmbajtjen e rrugëve të kontraktohen me kohë para sezonit dimëror”, ka thënë Kenan Gashi drejtor i kësaj organizate.
Në anën tjetër Selim Marevci, zëdhënës i komunës së Ferizajt, ka thënë për telegrafin se të gjitha rrugët janë të qarkullueshme por si çdo vend tjetër janë të vështirësuara.
“Në viset malore mund të ketë borë më të madhe dhe vështirësi në qarkullim, por në përgjithësi nuk kemi bllokim të rrugëve sepse komuna ka kontraktuar kompani për pastrimin e rrugëve. Sidoqoftë kërkojmë nga vozitësit të kenë kujdes gjatë ngasjes ndërkaq kërkojmë nga qytetarët të lajmërojnë komunën në rast të bllokimit të ndonjë rruge qoftë në viset malore apo edhe në lokalitete të tjera”, ka thënë Marevci. /Telegrafi/

















































