Nga: Haqif Mulliqi
Janë dy foto, me dy pamje pune, nga fillimi i provës së parë në inskenim e monodrmës sime: Komedia apo marrëzia njerëzore, me njërin prej emrave më të mëdhenj dhe më të veçantë të artit teatror shqiptar, mikun tim të përjetshëm, Hadi Shehu (shih fotot në fund të shkrimit).
Inskenim e kësaj monodrame, padyshim, e konsideroj punën më të vështirë që e kam bërë në teatër në këto dyzet e sa vjet sa merrem me këtë profesion (pasion) që shënon njërin prej elementëve më esencial në jetën time.
Pse ky shqetësim?
Aktor e kisha një yll të madh të teatrit, Hadiun, e kisha edhe tekstin tim me të cilin Hadiu u lidh që me leximin e parë dhe e deshi deri në fund!?
Problemi tek unë qëndronte në faktin se Hadiu po kthehej në skenë pas gjashtë vjetëve të qëndrimit jashtë saj, për shkaqe shëndetësor, ndërsa “detyrën” për kthimin e tij e kisha marrë mbi vete unë. Pra, ç’situatë e nderë: në një mënyrë apo tjetrën, kthimi i aktorit tek shpirti i tij, në botën e tij, pa pandehur fare, po që varej prej dikujt tjetër – pra, në rastin konkret, prej meje. Ah, ç’barrë e rëndë!
Ky shqetësim nuk do të ishte edhe aq i madh, mbase, edhe në këtë kohë, sikur Hadiu të mos i kishte edhe disa probleme serioze me shëndet. Problemi kryesor ishte se ky kishte telashe me sy dhe thuaja se nuk shihte aq sa për të lexuar.
Se sa serioze ishte kjo, e mora vesh që në provën e parë që shihet në këto foto. Normal, unë me të isha takuar shpesh këtyre ditëve, por, për çudi, nuk kisha vënë re asgjë nga kjo. Sigurisht, edhe ta vëreja këtë gjë, sigurisht se nuk do të “dezertoja” e të hiqja dorë, por do të vazhdoja punën me mikun tim aq të dashur.
Atyre ditëve dhe javëve sa punuam, herë në Prishtinë e herë në Gjakovë, Hadiu tekstin e ka mësuar në një mënyrë të pazakonshme, aq sa s’bëhej më: duke ia lexuar atëherë Betimi [Shehu] e herë unë. Kjo, për mua, më përpara do të ishte diçka e pabesueshme. Thjeshtë një utopi. E pamundur.
Edhe kur e shtruam shfaqjen në skenë, për asnjë çast nuk kam menduar më për shikimin e Hadiut. Asnjëherë. Shfaqjen e kam zhvilluar maksimalisht: shumë mizanskenë, shumë lëvizje nëpër të gjithë skenën dhe shumë punktime dritash duke i përfshirë, këtu, edhe video-projektorin.
Shkallë-shkallë, hap pas hapi, shfaqja nisi ta merrte formën e vetë të duhur.
Nga frika se Hadiut mund t’i “ikte” teksti apo edhe ta harronte ndonjë pjesë, pasi që na kishte ndodhur disa herë gjatë provave, vendosa që një herë a dy të futesha edhe unë në skenë, në rolin e “ndërgjegjes” së kryepersonazhit, ashtu që, nëse do paraqitej nevoja, kur do të futesha aty publiku të mendonte se edhe atë pjesë e kishim të ushtruar.
Por, ishte një moment në shfaqje, kur Hadiu duhej të ulej në një karrige që përkundej, dhe, pa përjashim, në çdo provë ai e ka goditur atë në cep të mbajtëse së saj, të cilin nuk e shihte dot.
O, nuk kam lënë gjë pa bërë që ta shquaja atë pjesë të “mallkuar” karrigeje: duke e ngjyrosur, madje edhe me ngjyra fluoreshente, por asgjë nuk na ndihmonte.
Në premierë erdhën rreth një mijë shikues. Besoj se, asnjëherë, Teatri i Gjakovës, i cili sot e mban emrin e Hadiut, nuk ka qenë i mbushur me më shumë njerëz sa atë natë.
Shfaqja jonë zgjaste një orë e pak. Hadiu e kishte princip që, ndonjë gjysmë ore para se të dilte në skenë, të ulej në gardërobë dhe të meditonte. Edhe pse, shumë herë, kemi punuar bashkë, ishte hera e parë që po e shoqëroja në atë “procesion” të veçantë. Pas pak, aty na u bashkëngjit edhe Jahjau.
Heshtëm gjatë. Unë, sigurisht se nuk meditoja. Isha së tepërmi i shqetësuar për diçka të tillë.
Kur erdhi koha e shfaqjes, që të tre u ngritëm dhe u nisëm korridoreve të teatrit. Ishte e frikshme sa shpejt arritëm te skena. Publiku i kishte zënë vendet. Heshtje e plotë.
“Hadi, a po fitojmë sonte”, i thash.
“Të lumtë goja”, ma ktheu.
Atëherë u morëm ngryk si vëllezërit që e bëjnë këtë gjë. Ai doli në skenë, mu në atë pikën prej nga e fillonim shfaqjen e tij.
U ktheva dhe e mora ngryk edhe Jahjanë. As ai e as unë nuk e kuptuam se përse e bëra këtë gjë.
Para se të fillonte shfaqja, një dramë e vërtetë ndodhte mbrapa skenës. Muradie Muriqi, Ahmet Bakia, Betim Shehu, Vegim Shehu dhe unë, që të gjithë ishim me tekste në duar. Kudo që do të mund të ngecte, me tekst, Hadiu, dikush prej nesh do të kishte mundësi ta ndihmonte. Ndërsa, Hakiu po e xhironte shfaqjen nga prapaskena, ngase nga paraskena këtë e bënte RTK-ja.
Por, siç ndodhin mrekullitë në teatër, madje më të mëdha dhe më të pabesueshme se kudo tjetër në jetë, Hadiu, mbase i motivuar shpirtërisht, detyrën e tij e kreu në mënyrën më perfektë të mundshme. Për habinë time, madje-madje as nuk u ngatërrua me karrigen e mallkuar që ma kishte hëngër shpirtin atyre javëve, gjë të cilën Hadiu e kishte bërë çdo natë, tekstualisht: çdo natë e çdo ditë të provave për ato dy muaj.
Hadiu po shkëlqente asaj nate.
Kur më erdhi radha mua, edhe unë u futa nja dy herë në skenë, por, vetëm sa për t’u mbuluar nga hija e shkëlqimit të aktorit të madh.
Kur u mbyllën dritat e që shënonin fundin e dramës, mbrapa perdeve e kam “kapur” veten duke kërcyer lartë (po lartë, jahu) e duke bërtitur me sa zë kisha:
“Fituam, fituam …”!
Pastaj u përmenda dhe belbëzova po vetëmevete: “Hej, ç’po ndodh kështu me mua: po Hadiu fitoi bashkë me artin … Hadi Shehu.”
Dhe, derisa Hadiu përkulej para publikut që duartrokiste pa hesap, ne, mbrapa skenës u bëmë bashkë, merreshim ngryk dhe qanim.
Hadiu pastaj po bënte me dorë nga ne duke kërkuar që të dilja edhe unë, përkrah tij, aty, para publikut e të përshëndeteshim bashkë me njerëzit e mirë që erdhën në atë premierë. S’do mend se shkova te Hadiu. E putha në ballë dhe u tërhoqa me vrap tek kuintat e skenës.
Kjo ishte Nata e Hadi Shehut – mendova – ç’po kërkoja unë në skenë!? Ishte nata e Hadiut dhe e artit shqiptar.
Shumë njerëz u ngjitën në skenë që ta uronin Hadiun. Ishin të lumtur për kthimin e artistit të madh në skenën ku ai ishte sovrani. Mbreti. Shumica syresh nuk e kuptuan fare se Hadiu i shihte vetëm si silueta rreth tij e ndonjërin e dallonte nga zëri.
Si ndodhi kjo që një artist, të thuash i verbër e bëri një shfaqje të tillë aq të angazhuar? A u rishfaqen sytë e Homerit plak, mendova.
Çehovi thotë: Në dramë shtrohen pyetje ndërsa përgjigje i japin të tjerët.
E R. Hravud thotë diku se teatri është magji e shpirtit të artistit.
Po qe kështu, atëherë kjo u dëshmua asaj nate maji të vitit 2009, në Gjakovë, kur në skenë “rilindi” aktori dhe sivëllai im, Hadi Shehu, e që në vendin ku qenë e qeshë Talia na e solli magji e vërtetë të trupit dhe e shpirtit të aktorit gjigant. Të papërsëritshme, Hadi – Hadi Shehut. /Telegrafi/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumë104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost", babai i Martinit rrëfen mes lotësh bisedën e fundit me të birin
Pas urdhër-arrestit kundër tij, Netanyahu: Ditë e zezë për drejtësinë, nuk e njoh vendimin e gjykatës
"Është budalla, e rrah gruaja", Olta Gixhari flet për Luizin dhe BBVA: Gjysma e publikut ishin me mua, me të s'kam folur as kur kemi bërë filmin bashkë
Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht
Gjykimi i vëllezërve Vllasaliu në rastin e vrasjes së Bedri Rexhepit, dëgjohet biseda e përgjuar mes të pandehurve
Mes lotësh flasin për herë të parë prindërit e Martinit: Nuk duam hakmarrje