Sot në Gjakovë shënohet 26 vjetori i Betejës së Çabratit, betejë e cila vazhdon të cilësohe si simbol i qëndresës, guximit dhe dashurisë për lirinë e vendit tonë.

Datat 7, 8 dhe 9 maj të vitit 1999, për shumë nga qytetarët e Gjakovës, që atëbotë ishin në qytet, kujtojnë momentet e luftimeve të ashpra mes forcave të UÇK-së dhe policisë, ushtrisë dhe paramilitarëve serbë.


Kjo betejë ishte e rëndësishme për faktin se misioni i luftëtarëve të lirisë ishte mbrojtja e mijëra civilëve në qytetin e Gjakovës.

Në nderim dhe përkujtim të kësaj dite, pranë varrezave të viktimave të kësaj beteje, ka bërë homazhe edhe kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, i cili këtë betejë e vlersoi si një symbol i qëdresës e dashurisë për liri.

“7 Maji 1999 nuk është thjesht një datë – është simbol i qëndresës, i guximit dhe i dashurisë për liri. Në lagjen Çabrat të Gjakovës, luftëtarët e UÇK-së u përballën me forcat serbe në një nga betejat më të ashpra dhe heroike të luftës.”, shkroi Gjini në postimin e tij në Facebook.

Tutje Gjini potencoi që përmes kësaj beteje u mbrojt qyteti ynë, duke shkruar me gjak një kapitull të pavdekshëm në historinë tonë.

Në këtë betejë kanë rënë 7 dëshmorë dhe 41 civilë. Po ashtu, më 7-8 maj janë rrëmbyer dhe zhdukur 43 qytetarë të kësaj lagje. /Telegrafi/