Shefja e Misionit të BE-së për Vëzhgimin e Zgjedhjeve në Kosovë (EOM), Nathalie Loiseau ka mbajtur një konferencë për media ku ndarë përshtypjet rreth procesit zgjedhor të mbajtur më 9 shkurt 2025.
Loiseau ka thënë se deklaratat e emisarit të Administratës Trump për Misione të Posaçme, Richard Grenell, janë ndërhyrje të cilat mund të vlerësohen si diçka jodiplomatike.
“Kemi qenë dëshmitarë të ndërhyrjeve nga emisari i SHBA-ve, Richard Grenell në rrjetet sociale i cili kritikoi kryeministrin Albin Kurti dhe kjo mund të përshkruhet si diçka jodiplomatike”, tha Loiseau.
Ajo ka deklaruar se pavarësisht kësaj zgjedhjet ishin të qeta dhe pa ndonjë incident të theksuar.
“Dua të përgëzoj votuesit që morën pjesë në këto zgjedhje historike të parat pas një mandati të plotë parlamentar. Dita e zgjedhjeve ishte e qetë dhe votuesit kishin mundësi të votonin në kushte të mira. Këto janë sinjale që qytetarët e Kosovës janë të përkushtuar ndaj demokracisë”, ka thënë ajo.
Loiseau tutje ka kërkuar që të ketë transparencë të plotë gjatë numërimit të votave.
“Vështirësitë janë bërë të dukshme gjatë fazës së numërimit. KQZ-ja ka pasur sfida gjatë punësimit, trajnimit dhe prokurimit. Duhet të ketë transparencë të plotë për ato gjëra që nuk po shkojnë si duhet dhe pse”, ka thënë ajo.
Tutje Loiseau u shpreh se gjatë fushatës zgjedhore pati polarizime të shumta, derisa shprehu shqetësim për gjuhën e përdorur nga partia në pushtet.
“Zgjedhjet përfshirë ditën e zgjedhjeve kanë qenë të qeta dhe pa ndonjë incident të dukshëm, dhe fushata ishte mjaftë konkurruese, megjithatë polarizimet dhe ndarja e thellë ishin evidente në retorikën e ashpër të fushatës. Ne kemi vërejtur përdorimin e gjuhës nxitëse dhe sulmet verbale mbi oponent në tubime dhe debate televizive. Kjo u reflektua edhe në mediat sociale, ne kemi vërejtur gjuhën negative nga partia në pushtet kundër mediave dhe gjyqësorit. Bojkotimi i mediumeve dhe debateve po ashtu ka ndikuar në uljen e mundësisë për votuesit që të bëjnë zgjedhje të informuara”, ka thënë Loiseau.
Ndër shqetësimet tjera ajo ka përmendur edhe presionin nga anëtarët e Listës Serbe dhe ndërhyrjet e Serbisë në këtë proces.
“Shumë kanë raportuar edhe presion nga anëtarët e Listës Serbe dhe kishte ndërhyrje të vazhdueshme dhe të përsëritur nga Serbia gjatë fushatës zgjedhore”, tha shefja e Misionit të BE-së për Vëzhgimin e Zgjedhjeve në Kosovë. /Telegrafi/