Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka deklaruar se trupat amerikane nuk do të jenë pjesë e forcave ndërkombëtare që do të garantonin sigurinë e Ukrainës në planin e propozuar për paqe, që synon t’i japë fund luftës në këtë vend.

Edhe pse e kishte përmendur vetë këtë ide gjatë takimeve të djeshme në Shtëpinë e Bardhë, Trump, vetëm një ditë më pas, e mohoi prerazi mundësinë e dërgimit të ushtarëve amerikanë në Ukrainë.


Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, përsëriti sot se lideri amerikan e ka "përjashtuar përfundimisht" dërgimin e trupave amerikane në Ukrainë si pjesë e çfarëdo garancie sigurie për të arritur një marrëveshje paqeje me Rusinë, por nuk përjashtoi opsione të tjera ushtarake, përfshirë ato ajrore, raporton cnn.

“Është një mundësi dhe një opsion. Sigurisht që nuk do të përjashtoj asgjë sa i përket opsioneve ushtarake që presidenti ka në dispozicion. Do ta lë atë të flasë për këtë. Por mund t’ju them se ai ka përjashtuar përfundimisht vendosjen e trupave në terren”, tha Leavitt gjatë një konference për shtyp në Shtëpinë e Bardhë, kur u pyet nëse SHBA mund të ofrojë mbështetje ajrore si formë sigurie për Ukrainën.

Roli i SHBA-së në garantimin e sigurisë për Ukrainën ishte në qendër të bisedimeve të djeshme mes Trumpit, presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky dhe liderëve evropianë.

Udhëheqësit e huaj kërkuan informacion mbi burimet që Trump do të vinte në dispozicion për të siguruar që, pas një marrëveshjeje të mundshme paqeje, Rusia të mos arrijë të rikuperohet dhe të nisë sërish ofensiva për të marrë territore të reja në Ukrainë. /Telegrafi/