Sfidat e shekullit, në trupin e një njeriu

Punoi pa ndalur, derisa i mbushi fiks 100 vjet. Hamza Sadiku, banor i fshatit Krushë e Madhe në Komunën e Rahovecit, është një personazh jo fort i zakonshëm i fshatit. Në letërnjoftimin e tij, shkruan se ka lindur më 1923, por ai rrëfen se e kanë regjistruar me vonesë.
“Këtu më shkruan se kam lindur me 1923, mirëpo atëherë më kanë regjistruar kur unë i kam pasur 12 ose 13 vjet. Kur koha ishte që të regjistrohesha në shkollë. Duhet të shkonim patjetër në shkollë dhe të mësonim diçka, e po ashtu duhet ta mësonim edhe gjuhën serbe”, thotë Hamza.
Ai kishte përfunduar vetëm katër vjet shkollë në atë kohë. Nisi klasën e parë në kohën kur filloi për herë të parë arsimi në fshatin e tij. Mirëpo prindërit ia ndërprenë atij mësimin, sepse tashmë mashkulli i shtëpisë, ishte kalitur të punonte.
“Varfëria ishte shumë e madhe dhe duhet të punonim të gjithë, i madh e i vogël. Nuk kemi pasur bukë të hanim dhe vuanim shumë. Kanë vdekur edhe njerëz nga varfëria atëherë. Kjo gjendje ka qenë deri më 1947”, thotë Hamza Sadiku, tek tregon jetën e tij gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore.
Kushtet e jetës, thotë se i ishin përmirësuar gjatë kohës së komunizmit, kur ish-Jugosllavia udhëhiqej nga Josip Broz Titos.
Hamza thotë se e martuan kur ishte 26 vjeç. Nusen ia morën përmes një shkuesi. Gruan nuk e kishte parë kurrë, deri në natën e martesës.
Varësisht kësaj, martesa e tij ishte e mirë. Ai kishte pasur marrëdhënie të mira bashkëshortore, deri kur e shoqja i vdiq para pesë viteve nga një sëmundje e rëndë. Vdekja e saj, e kishte goditur shumë plakun.
“Kisha dhënë kushedi çka, veç me e kthye edhe njëherë. Askush nuk ka ditur të më kuptojë si ajo”, flet burri me respekt për t’shoqen e ndjerë.
Por, ai varësisht humbjes, nuk është i vetëm. Për të, kujdeset djali i tij dhe familjarët e ngushtë.
Hamza, edhe pse është i kënaqur shumë me kujdesin që ata kanë për të, ai thotë se njerëzit në të kaluarën respektoheshin më shumë ndërmjet vete. “Tash ka ardhë një kohë shumë më e mirë për shumë gjëra. Mirëpo nuk ka respekt nga të rinjtë. Ka hupë respekti krejt”, shprehet plaku.
Edhe pse në këtë moshë, ai interesohet të dijë për gjithçka që ndodh përreth tij. Kërkon që çdoherë në vendet ku shkon familja e tij, të jetë i pranishëm edhe ai.
Gjithashtu, i pëlqen të kuptojë për çdo gjë që sillet rreth tij.
Nuk dëshiron që për asnjë moment të mbesë i vetëm në shtëpi. Nuk e fsheh frikën se të vetëm do ta ketë më të lehtë ta gjejë ‘exheli’. “Po tutna me fjet vetë tash. Nuk po më zë gjumi gjithë natën”.
101 vjeçari, përveç se njihet si më i vjetri në fshat, ai po ashtu njihet edhe si njeriu më punëtor. “Kur kam qen i ri krejt bunaret me dorë i kam çelë. Kam punuar shumë. Deri në vitin e kaluar kam pasur fuqi të punoj. Gjatë muajit korrik të vitit të kaluar kam kositur rreth 20 ari detelinë (jonxhe v.j.)”, thotë Hamza.
E ai thotë se puna e ka mbajtur të freskët dhe të fortë. Trupi i tij asnjëherë nuk ka marrë ndonjë medikament dhe nuk e mban mend të jetë sëmurë ndonjëherë.
“Edhe pse kemi ecur këmbëzbathur, kemi punuar shumë, në të ftohtë, asnjëherë nuk jam sëmurë dhe asnjëherë nuk kam marrë medikamente”, thotë Hamza.
Të vetmin problem, ai tashmë e ka me të dëgjuarit. Por sheh aq mirë, sa që varësisht moshës, mund të lexojë pa syze.
Akoma ecën në këmbë, dhe viziton familjen e tij të gjerë. “Mirëpo akoma po shkoj ku po mundem. E kemi xhaminë shumë larg dhe po shkoj gjithmonë në këmbë. Dhe çdo kush që vdes në vendin tonë, shkoj për ngushëllime”, thotë ai.
Oborri i tij, gjatë verës gjithmonë është i gjelbëruar. Është i lumtur që asnjëherë në jetën e vet nuk pati raporte të këqija me njerëz. Ajo që e urren plaku, është konfrontimi mes njerëzve. Konfliktet thotë se i bien njerëzit e këqij. Porositë të rinjtë, të qëndrojnë sa më larg problemeve. /Tribuna/




















































