Më e shtrenjta, më e ndjekura, më e vjedhura, më e vlerësuara… “Game of Thrones”, sezoni i tetë dhe i fundit i të cilit do të fillojë të shfaqet që prej 14 prillit në 186 vende, vazhdon të thyejë rekorde…
Shfaqur në vitin 2011, “Game of Thrones” (GOT shkurtimisht), ka joshur gjithnjë e më shumë shikues, sezon pas sezoni. U shndërrua në serialin më të ndjekur për kompaninë HBO në vitin 2014, duke kaluar edhe “The Sopranos”. Episodi i fundit i sezonit të shtatë u ndoq direkt nga 16,5 milionë adhurues në SHBA, një rekord absolut për një serial televiziv. Mesatarisht, sipas HBO-së, episodet e sezonit të fundit janë ndjekur nga më shumë se 30 milionë persona përtej Atlantikut.
Këto janë shifra të jashtëzakonshme që i gjen kudo që ky serial është shfaqur. Këtu duhet të shtojmë edhe piraterinë, që vlerësohet në më shumë se një miliard spektatorë për sezonin e shtatë.
Sezoni i tetë është njoftuar të jetë më i shtrenjti në historinë e serialeve, me një buxhet prej 15 milionë dollarësh për episod, ose 90 milionë për të gjashtë episodet. Mes efekteve speciale, dekoret natyrale dhe pagat e aktorëve (më shumë se 1,1 milionë dollarë për episod për pesë aktorët kryesorë), llogaritë vetëm shtohen, pasi episodet në këtë sezon të fundit janë më të gjata, 80 minuta për tre të fundit, njësoj si filmat me metrazh të gjatë. Vetëm udhëtimet me aeroplan kanë kushtuar 10 milionë dollarë dhe sezoni më i shtrenjtë, i shtati, ka kushtuar 100 milionë dollarë.
Një investim ky krejtësisht fitimprurës, sipas ditores “New York Times”, pasi HBO-ja ka grumbulluar në kthim një miliardë dollarë. Ky është gjithashtu edhe seriali më i vlerësuar me çmimet Emmy me një total prej 38 çmimesh.
Pas daljes së katër episodeve të sezonit të pestë para fillimit të shfaqjes, HBO-ja ka bllokuar çdo komunikim. Dy drejtuesit, David Benioff dhe D.B. Weiss, që janë në drejtimin e episodit të fundit, kanë xhiruar disa versione të fundit për të evituar rrjedhjet e informacionit, një teknikë e përdorur edhe më parë për serialet e suksesshme “The Sopranos” dhe “Breaking Bad”. Aktorja Sophie Turner (Sansa Stark) ka treguar se ka vajtur në dy vende false xhirimi për të ngatërruar pistat. Madje, në skenat e xhirimit janë vendosur edhe pajisje kundër dronëve.
Me rreth 30 vende xhirimi në të gjithë botën, kjo sagë popullore rrit turizmin kudo që kalon. Irlanda e Veriut, Islanda apo qytetet spanjolle të Osunas dhe Geronës kanë regjistruar një rritje të fortë të frekuentimit të vendeve të xhirimit, kryesisht edhe falë udhëtimeve turistike të dedikuara, sipas të dhënave të grumbulluara në librin “Game of Thrones i dekodifikuar” nga Ava Cahen.
Përsa i përket qytetit të Dubrovnikut në Kroaci, kryeqyteti i Portit Mbretëror (King’s Landing), është detyruar të vendosë një normë për numrin e vizitorëve përballë fluksit shumë të lartë që lidhet me këtë serial.
Emrat e personazheve të serialit kanë frymëzuar prindërit. Në Britani të Madhe, emri Aria është në 20 më të zgjedhurit, ndërsa në SHBA, Khaleesi, titulli i një prej personazheve kryesore që do të thotë mbretëreshë në gjuhën imagjinare të fisit Dothraki, hyri në 1000 më të zgjedhurit në vitin 2014.
Por, nuk imitohen vetëm emrat. Një prej aktorëve kryesorë, Peter Dinklage, i ka bërë thirrje fansave që të mos blejnë më qen të racës haski vetëm për t’i ngjarë personazheve të serialit sepse numri i këtyre kafshëve të braktisura më pas është rritur me 700 për qind që prej vitit 2011 në Britani të Madhe (sipas shoqatës “Peta”).
Barack Obama, adhurues i këtij seriali, i kërkoi produksionit që të shihte sezonin e gjashtë para premierës, ndërkohë që HBO-ja kishte bllokuar çdo publikim para datës së shpallur. Donald Trump, nga ana tjetër, i është referuar shpesh herë motos emblematike të familjes Stark, “Winter is coming” (dimri po vjen) duke shkruar në “Twitter” se “sanksionet po vijnë” në lidhje me Iranin, si dhe “Muri po vjen” në lidhje me murin në kufirin me Meksikën. /atsh/