LAJMI I FUNDIT:

Serbia flet për integrime, vizaton kufij të rinj të mbretërisë sllave

Në vend të ‘banovinave’ të dikurshme të mbretërisë SKS, Serbia po ëndërron ‘komonuelthin serb’

Në vend të projekteve për bashkëpunim e zhvillim me fqinjët ballkanas, Serbia edhe me tutje vazhdon të vizatojë harta të reja kufijsh të shteteve, për të cilët ata vetë nuk kanë vendosur asnjëherë. Është e çuditshme si nuk mund të shoh a lexoje njeriu as edhe një ide të re për të dalë nga gjendja konfliktuoze në të cilën janë fundose të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor pa përjashtim. Titujt bombastik vërshojnë shtypin. “Serbia kalon prapë Drinen” (ose si mund te shpjegohet ndryshe kur qeveria e Serbisë mban mbledhje te përbashkët me qeverinë e Republika Serpska të Bosnjës apo hiq më pak si edhe me rastin e pjesës veriore të Kosovës ku pushtetarët e Beogradit veprojnë si në kohën e Vozhdit. Serbia poshtëron Malin e Zi, jo vetëm duke ia mohuar shtetësinë por edhe vetë origjinën. Rasti i mitropolitit serb, i cili, ata që e ndiejnë vetën malazias ne rastin e regjistrimit të popullsisë në këtë republikë, i quajti pjellë e djallit. Me Kroacinë, megjithëse bisedon krejt për shkaqe poenësh, për të plotësuar kërkesat e BE-se, për të marrë statusin e kandidatit, mijëra fletarrestime serbe në Interpol i presin ish luftëtarët kroat të rezistencës. Kufiri i Serbisë në vijën Karlovac Karlobag – Virovicë ende qarkullon në kokat serbe. “Serbia nga Shentili në Gjevgjeli”, Serbia nga Horgoshi në Dragash”, etj.


Edhe ballkanasit tjerë vizatojnë hartat e tyre, por shume më të vogla së mbretëria virtuale serbe. Kështu përsëritet pa shpresë odiseja e vizatimit të kufijve të shteteve të Ballkanit. Mitizimi i skajshëm i ngjarjeve edhe më të parëndësishme edhe sot e kësaj dite ka mbetur traditë. Se si shpjegohen mitet e legjendat shkencërisht dihet mirëfilli, mirëpo ballkanasit, pa përjashtim, edhe ngjarjet më të thjeshta që i mbajnë mend miliona dëshmitar i shndërrojnë në legjenda e mite. Ballkanasit vetë krijojnë mite, të cilave pastaj vështirë u beson dikush.

Derisa Evropa ledhaton Serbinë ajo përditë vazhdon të krijojë konflikte të reja duke iu përzier në çështje të brendshme thuaja të të gjithë fqinjëve pa përjashtim. Serbia asnjëherë deri sot nuk ka kërkuar formule bashkëjetese me fqinjët shekullor mbi të cilët ka ushtruar dhunën e pandërprerë deri në shfarosjen e tyre. Serbia, në esencë është sjell njësoj me të gjithë fqinjët e saj vetëm përmasat e dhunës kanë dallime. Fatkeqësisht, se paku nga ajo që shihet edhe sot, Serbia ende nuk ka ndryshuar formulën e saj të qëndrimit ndaj fqinjëve. Gjeja me e keqe është fakti se nga kokat e politikanëve serbë nuk është hequr mendimi se Serbia është ‘superfuqi’ dhe se asaj duhet t’i nënshtrohen të tjerët me dëshirë apo me dhunë.

Strategjia e re serbe pjellë e memorandumit të ASSH

Qëndrimin e tashëm serb e dëshmon edhe strategjia e fundit e Shtetit Serb përkitazi me bashkëpunimin me fqinjët. Thjeshtë Serbia po vazhdon të krijojë ‘banovina’ të reja nëpër shtetet e Ballkanit. Megjithatë faktet e përditshme, qeveritarët serbë demantojnë ekzistimin e çfarëdo dokumenti i cili definon qëndrimin dhe politiken e shtetit serb ndaj vendeve te rajonit. Në anën tjetër avokati Sërgja Popoviq thotë se nuk e ka të qartë gjithë këtë, por diçka po ndodhë. Dyshimet janë shtuar veçanërisht pas paraqitjes së “Strategjisë së Qeverise serbe për serbet jashtë Serbisë”, e cila siç thuhet u tërhoq pas protestave të ashpra të vendeve të rajonit. Megjithatë askush nga përfaqësuesit serb të Beogradit nuk e fsheh interesimin e shtuar për Serbet në vendet e rajonit.

Sonja Biserko ndërkaq shton se çdo qeveri e Serbisë e formuar nga bllok i caktuar politik edhe pas vdekjes se Vozhdit, askujt nuk i ka lejuar të kalojë vijën e kuqe. Nëse dikush ka dal përtej asaj vije është vrarë, siç ndodhi me Gjingjiqin. Kjo dëshmon se në Serbi ekzistojnë qendra fuqie formale dhe joformale, por si duket ato joformale janë më të fuqishme e më të organizuara, dhe atyre pushteti i ashtuquajtur demokratik vetëm iu shërben si paravan për projektin tashmë të hartuar.

Nga pakujdesia apo me qellim të caktuar është vështir të thuhet, por Serbia pandërprerë po shkakton destabilitet në rajon thotë David Filip, shkrimtar dhe shton se Memorandumi i ASSH ekziston edhe më tutje si një opsion i fuqishëm me njëfarë interpretimin jozyrtar.
Vuk Jeremiq me mburrje thotë se mbrojtja e interesave të popullit serb në rajon është imperativ politik historik dhe moral. Diplomati serb i financuar mirë vazhdon të mbaj edhe ligjërata private nëpër vende të ndryshme të botës siç ndodhi javë më parë në Çikago. Produkti i kësaj ligjërate u duk menjëherë në faqet e një gazete për të cilën në auditorin amerikan nuk ishte folur asnjëherë më parë. Kosova dhe demonizimi i saj ishte cak i Jeremiqit. Botimi i Agjencionit “Globalpost” kishte plot akuza për ndihmat që i ka dhënë SHBA-ja Kosovës, para dhe pas luftës së fundit çlirimtare. Ndërsa deklarata e fundit e Tadiçit për marrëdhëniet serbo-shqiptare, jo që nuk është serioze por ajo është edhe e rrezikshme për gjithë rajonin, thotë diplomati austriak Petrich.

Dosjet dhe fletarrestimet serbe për shqiptarët

Dosjet serbe dhe fletarrestimet zakonisht për bazë kanë fatkeqësisht shtypin shqiptar të Kosovës. Është interesant se si të gjitha shënimet që botohen jashtë kundër Kosovës dhe çdo gjëje që lidhet me UÇK-në vetëm riformulohen ndërsa për bazë kanë deklaratat e shqipfolësve të Kosovës. Nëse dikush e ka lexuar me vëmendje librin e Carla Del Pontes dhe gjithë tekstin që përshkruhet si histeri ndaj pjesëtarëve të UÇK-së, do të bindet se edhe ajo indicet e hetimeve i mbështet tek burimet serbe të cilat nisin mbështetjen e tyre, po ashtu, fatkeqësisht, në shkrime të gazetave dhe të dëshmitarëve shqiptar të Kosovës në veçanti.

Fatkeqësisht, me gjithë pavarësimin e Kosovës dhe zhvillimet pozitive në rajon, me gjithë faktet dhe njohjen ndërkombëtare të sovranitetit të Kosovës në kufijtë ekzistues, edhe më tutje, opinionistë të caktuar vazhdojnë të paraqiten në opinion me ide për këmbime territoresh, duke cenuar ashiqare vet kufijtë edhe ashtu të cunguar të Kosovës. As Kosova e as Serbia, fatbardhësisht nuk mund të caktojnë vija kufitare as sot e asnjë herë, ngase gjatë gjithë historisë se Ballkanit, kufijtë e shteteve të këtij rajoni përherë i kanë vizatuar fuqitë e mëdha. Si mund të flas dikush për këmbim, jo të territoreve serbe me ato shqiptare, por thjeshte “për këmbim territoresh shqiptare me ato shqiptare”, tha hapur jo një herë një opinionist nga Lugina e Preshevës. Thjeshte do të ishte mirë që të shkruhet për ide që sjellin të mira për këtë popull e jo për këmbim të tokave të tija shekullore, të cilat ia rrëmbyen me dhunë kolonistët serb, pas kapitullimit të Perandorisë Osmane në Ballkan.