LAJMI I FUNDIT:

Serbia don të revizionojë historinë e krimit të vet

Serbia don të revizionojë historinë e krimit të vet

Shtetet, që kanë kryer krime kundër njerëzimit dhe nuk kanë kërkuar falje për to, kanë një makth të përhershëm, që i shtyn ta kërkojnë vetëjustifikimin e krimit edhe në Hënë. Ky është sot pozicioni komik i Serbisë dhe i udhëheqjes së saj, e cila në datën 11 maj mblodhi qeverinë dhe ra dakord të hartonte një seri masash e lëvizjesh diplomatike të Serbisë në arenën ndërkombëtare për të denoncuar ambasadorin e mirënjohur amerikan Uilliam Uoker, për gjoja një plan, që ai ka për krijimin e “Shqipërisë së Madhe”. Me tonet triumfante të atij që ka bërë zbulimin e shekullit, kryeministri dhe president i ardhshëm i Serbisë, Aleksandër Vuçiq shpalli se puna e ambasadorit Uoker si shef i misionit të OSBE-së në vitin 1999 në Kosovë, ka pasur “dy pasoja të tmerrshme, që janë agresioni kundër Serbisë dhe njohja e pavarësisë së Kosovës nga një numër i madh shtetesh në 2008”.

Në dalldinë që kaploi udhëheqjen serbe, Qeveria e Serbisë vendosi se do të ndërmarrë hapa spektakolarë, si ndalimin e hyrjes së ambasadorit Uilliam Uoker në Serbi, ministri i Jashtëm Ivica Daçiq i dërgoi një letër ankesë OSBE-së në Vjenë për punën e ambasadorit Uoker në Kosovë 18 vjet më parë, dhe ministri i Drejtësisë u ngarkua të shkojë në OKB për të denoncuar ambasadorin amerikan në pension.


Është vërtet e papërtypshme, kur sheh nivelin e mjerë politik, shtetëror dhe diplomatik të një qeverie ballkanike, e cila i mbush mendjen vetes se ka gjetur thesarin diplomatik për të shfajësuar Serbinë për krimet monstruoze të kryera në Kosovë në vitet 1998-1999. “Zbulimi” qeveritar serb është një fjali nga një fjalim i ambasadorit të shquar amerikan, tani në pension, i mbajtur në cilësinë personale në datën 9 maj, gjatë një ceremonie në Kosovë, ku ai tha se ka ardhur në Kosovë për të paraqitur një projekt të ri, që do të thotë se “shqiptarët në Kosovë, në Shqipëri dhe në diasporë të bashkohen”. Pra, ambasadori ka mendimin se është e drejtë të bashkohen shqiptarët e Shqipërisë, të Kosovës dhe të diasporës. Logjika minimale e kupton se mendimi i tij nuk pretendon të bashkojë Shqipërinë, Kosovën, Amerikën dhe Evropën, ku ndodhet diaspora shqiptare. Ambasadori nuk përmendi as shqiptarët e Serbisë, as shqiptarët e Maqedonisë dhe as shqiptarët e Malit të Zi.

Alergjia ndaj kombit shqiptar nuk i ka lejuar serbët që ta mësojnë gjuhën shqipe në masën e duhur të korrektësisë, dhe, duke i shtuar kësaj edhe ankthin e qeveritarëve për të gjetur pretekste shfajësimi për krimet e kryera në Kosovë, deklarata e ambasadorit amerikan u përkthye nga qeveria dhe nga diplomacia serbe sipas nevojës së tyre të momentit, si projekt i krijimit të “Shqipërisë së Madhe”. Dhe që idiotizmi shtetëror dhe diplomatik serb të arrinte shkallën maksimale, qeveria serbe e stërholloi fjalinë e ambasadorit aq thellë, saqë nxori përfundimin se qysh në origjinën e punës së ambasadorit si shef i misionit të OSBE-së në Kosovë në 1999, ai e paska pasur që atëherë projektin e “Shqipërisë së Madhe”.

Kemi një trullosje totale politike dhe diplomatike të qeverisë serbe, sepse ambasadori nuk foli dhe nuk ka folur kurrë për “Shqipërinë e Madhe”, por thjesht për mendimin e tij mbi të drejtën për bashkimin e Kosovës dhe të Shqipërisë. Natyrisht, bashkimi midis Shqipërisë dhe Kosovës është një gjë, ndërsa e ashtuquajtura “Shqipëri e Madhe” është krejtësisht gjë tjetër, dhe një shpikje e diplomacisë dhe e propagandës serbe, së cilës nuk i japin dot pasaportë shqiptare as disa idiotë të dobishëm të paguar të Serbisë në Tiranë dhe në Prishtinë.

Përse i duhet qeverisë, diplomacisë dhe shtetit serb një shtrembërim flagrant dhe interpretim banal i mendimit të ambasadorit amerikan tani në pension, shprehur si person privat në një ceremoni në Kosovë? Së pari, i duhet për të mbrojtur politikën kriminale të spastrimit etnik dhe të gjenocidit, që Serbia ndoqi në Kosovë në vitet 1998-1999. Udhëheqja e Serbisë, e cila nuk i ka kërkuar kurrë falje popullit të Kosovës për krimet e përbindshme që bëri në Kosovë, ku vrau mbi 15 mijë shqiptarë, zhduku mijëra të tjerë dhe deportoi me dhunë rreth një milion shqiptarë nga shtëpitë e tyre, vazhdon edhe sot e kësaj dite të mos i pranojë ato krime.

Udhëheqja e sotme e Serbisë mendon se mund ta fshehë këtë realitet historik dhe, madje, ta paraqesë sikur nuk ka ndodhur. Është vërtet e turpshme, që qeveria e sotme serbe arrin deri atje, sa të mohojë masakrën e famshme të Reçakut, të demaskuar nga misioni i OSBE-së në janar të vitit 1999, ku forca policore dhe ushtarake serbe masakruan në një ditë rreth 50 civilë shqiptarë, dhe i groposën në një varr të përbashkët. Është vërtet kriminale, kur qeveria e Serbisë sot nxjerr kryekriminelin, që udhëhoqi forcat fashiste serbe që kryen masakrën e Reçakut, dhe ky është gjenerali i policisë serbe, Goran Radosavleviq, i cili në vend që të dënohet për krime lufte, ftohet të japë intervistë në “Veçernje novosti” në datën 12 maj, ku pasi e pranon që operacionin e masakrës së Reçakut e kryen forcat speciale të policisë serbe të komanduar prej tij, e quan të ligjshëm, se viktimat shqiptare ishin gjoja me uniformë të UÇK-së dhe me armë.

Së dyti, udhëheqja e sotme e qeverisë dhe e shtetit serb, jo vetëm nuk është distancuar nga krimet që regjimi i Millosheviqit kreu në Kosovë, por guxon dhe të marrë në mbrojtje politikën e kriminelit ndërkombëtar të luftës, Sllobodan Millosheviq. Kryeministri i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, në një intervistë në megafonin ndërkombëtar të propagandës ruse “Sputnik” në datën 11 maj pretendon se deklarata e ambasadorit amerikan tani tregon se ndërhyrja e NATO-s në vitin 1999 nuk ishte e drejtuar kundër Sllobodan Millosheviqit, por ishte e drejtuar kundër Serbisë. Pra, sipas kryeministrit të sotëm serb, diktatori Millosheviq ishte i pafajshëm.

Së treti, udhëheqja e sotme e Serbisë mendon se ka gjetur pretekstin për të larë duart nga fajet dhe përgjegjësitë e saj personale në krimet e kryera në Kosovë nga Serbia në vitet 1998-1999. Nuk duhet harruar se Kryeministri i sotëm i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, Presidenti i sotëm i Serbisë, Tomislav Nikoliç, zëvendëskryeministri i parë dhe ministër i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq dhe kryetarja e parlamentit të Serbisë, Maja Gojkoviq, kanë qenë të gjithë pjesë e qeverisë së kriminelit të luftës Sllobodan Millosheviq. Drejtuesit e garniturës së sotme qeveritare të Serbisë janë produkt i Millosheviqit. Duke shtrembëruar të vërtetën historike dhe duke e paraqitur sikur nuk ka pasur agresion të Serbisë në Kosovë dhe as spastrim etnik kundër popullit shqiptar, udhëheqësit e sotëm serbë shpresojnë të shfajësojnë vetveten nga mëkatet dhe nga përgjegjësia historike.

Së katërti, udhëheqësit e sotëm të Serbisë, duke menduar se e kanë gjetur pretekstin, po përpiqen që të revizionojnë historinë e krizës dhe të konflikteve jugosllave, si dhe përgjegjësinë historike të Serbisë në ndërmarrjen e katër agresioneve kundër popujve joserbë, kundër Sllovenisë, Kroacisë, Bosnjës dhe Kosovës. Beogradi ka ankth ta bëjë këtë, sepse ka konstatuar me hidhërim se sforcimet e pareshtura të shtetit, të diplomacisë, të propagandës, të institucioneve akademike dhe të shoqëricivilistëve serbë për të shtrembëruar historinë e konflikteve jugosllave kanë dështuar, dhe bota, Evropa dhe historia moderne i kanë klasifikuar luftërat në ish-Jugosllavi si krim shtetëror i Serbisë kundër popujve joserbë të federatës jugosllave.

Këtë përpjekje për revizionimin e historisë së krimit të saj shtetëror Serbia po kërkon që ta shesë në arenën ndërkombëtare si zbulim historik dhe diplomatik. Është një përpjekje, që ka gjithashtu si qëllim të largojë vëmendjen ndërkombëtare nga realitetet e kërcënimeve dhe të rreziqeve, që po i vijnë Ballkanit nga Rusia dhe nga Serbia. Nuk është e rastit që Rusia dhe propaganda e saj i dhanë një intensitet dhe hapësirë të madhe propagandistike insinuacionit qeveritar serb për gjoja projektin e ambasadorit amerikan për “Shqipërinë e Madhe”. Ka një ofensivë ruso-serbe për ta paraqitur të ashtuquajturin rrezik shqiptar si rrezikun kryesor sot në Ballkan.

Se sa i sëmurë është mentaliteti dhe ndjenja raciste antishqiptare në isteblishmentin rus, mjafton të sjellim këtu tezat e profesoreshës së MGIMO-s, Institutit të marrëdhënieve ndërkombëtare të MPJ të Rusisë, Jelena Ponomarjova, e cila në gazetën “Pravda” të datës 10 maj, shkruante: “Shqiptarët janë aleatët kryesorë strategjikë të Perëndimit në luftën kundër popujve dhe shteteve ortodokse si Maqedonia, Serbia, Republika Srpska. Procesi i albanizimit, që po zhvillohet në Ballkan, krijon hapësirë për shkatërrime gjithnjë e më tepër. Arkaikizimi i ndërgjegjes së sferës politike po zhvillohet kudo që jetojnë shqiptarët. Perëndimi mbështet forcat arkaike për të zgjidhur detyrat e asgjësimit të popujve ortodoksë, aleatët kryesorë të Rusisë”. Ja pra me çfarë tezash instruktohen dhe përgatiten diplomatët rusë në vitin 2017 në drejtim të kombit shqiptar dhe shqiptarëve në Ballkan.

Natyrisht, përpjekja antihistorike e qeverisë së sotme serbe për të revizionuar historinë e krimit të shtetit të vet ndaj kombit shqiptar, nuk mund të ndryshojë dhe as të retushojë raportet e së vërtetës historike, të cilat janë tashmë të kodifikuara dhe të ligjëruara edhe në shkencat historike, edhe në ndërgjegjen e popujve dhe të shteteve demokratike evropiane. Ajo, që shohim sot në Beograd, është kriza e thellë morale, politike, diplomatike dhe njerëzore e udhëheqjes së Serbisë, situatë e cila duhet të prodhojë reflektime të thella në udhëheqjet e dy shteteve shqiptare për marrëdhëniet shqiptare me Serbinë.

Shqipëria dhe Kosova, që kanë pësuar aneksimet dhe diskriminimet serbe, të shoqëruara me parullat false të “vëllazërim-bashkimit” dhe të internacionalizmit proletar, nuk mund dhe nuk duhet të harrojnë se Serbia është e njëjta në planin strategjik me kombin shqiptar. Jo rastësisht ajo sot drejtohet nga e njëjta garniturë qeveritare e kohës së kriminelit ndërkombëtar të luftës, Millosheviq. Nëse Europa, për arsyet e saj, e ka minimizuar ndjeshmërinë për krimet dhe gjenezën politike radikale të udhëheqësve të sotëm serbë, nuk u lejohet dhe nuk u falet aspak udhëheqësve të dy shteteve shqiptare ndonjë iluzion në këtë drejtim. Iluzionet janë për letërsinë, por jo për diplomacinë. /gsh.al/

Në trend

Më shumë
“Vetëm një skuadër në Evropë është më e mirë se Bayern Munich” – legjenda e bavarezëve flet për Tuchel dhe ecurinë e klubit

“Vetëm një skuadër në Evropë është më e mirë se Bayern Munich” – legjenda e bavarezëve flet për Tuchel dhe ecurinë e klubit

Liga e Kampionëve
Çfarë janë retë artificiale dhe a shkaktuan përmbytjet e mëdha në Dubai?

Çfarë janë retë artificiale dhe a shkaktuan përmbytjet e mëdha në Dubai?

Azia
Gazeta ukrainase: Pse vendimi i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës për Kosovën është humbje historike për Serbinë

Gazeta ukrainase: Pse vendimi i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës për Kosovën është humbje historike për Serbinë

Lajme
Parandalohet vrasja e Volodymyr Zelenskyt - arrestohet shtetasi polak që bashkëpunonte me rusët

Parandalohet vrasja e Volodymyr Zelenskyt - arrestohet shtetasi polak që bashkëpunonte me rusët

Evropa
Policia serbe e dërgon në paraburgim mërgimtarin nga Gjakova që e arrestoi në kufi

Policia serbe e dërgon në paraburgim mërgimtarin nga Gjakova që e arrestoi në kufi

Siguri
Zyrtare: Serie A do të ketë pesë skuadra në Ligën e Kampionëve për sezonin 2024/25

Zyrtare: Serie A do të ketë pesë skuadra në Ligën e Kampionëve për sezonin 2024/25

Liga e Kampionëve
Kalo në kategori