Nga: Adem Nimani
– Inserte të nxjerra nga raporti i Qendrës për Gazetarinë Hulumtuese në Serbi –
Çdo shtet që synon të aderojë në BE, e ka për detyrë që së pari t’i hapë dosjet për likuidimet që beri sistemi komunist pas vitit 1944. Këtë e kërkoi BE-ja nga Serbia, që në bisedat e para për hapjen e bisedimeve për anëtarësim. Askush nuk e di se çfarë raporti shkroi Serbia për të pushkatuarit nga komunizmi, sidomos për shqiptarët e Kosovës që i kishin likuiduar, sakatosur e varrosur për së gjalli – shumica fare pa gjyq. Duke pasë parasysh se sa shumë vrasje mban sekret politika serbe, edhe këto pak inserte të këtij shkrimi duhet të kuptohen si një pikë e asaj se çfarë fsheh Serbia edhe nga vetvetja.
Pas kërkesës së BE-së, Qeveria serbe formoi një ekip ekspertësh me emrin: Komisioni Shtetëror për Hulumtimin dhe Shënimin e Varrezave Masive, ku janë fshehur kufomat e të pushkatuarve nga OZN-a në Serbi, prej 12 shtatorit 1944. Vet emërtimi fsheh diçka në vete, thuhet në një raport të gjatë me shkrim të Qendrës së përmendur hulumtuese.
Raporti i Qendrës së gazetarisë hulumtuese e Serbisë ndër të tjera shkruan:
“Një Komision shtetëror serb po regjistron sesa njerëz u pushkatuan nga komunistët e OZN-së në Serbi, pas tërheqjes së ushtrisë gjermane në vitin 1944. Deri tash ka regjistruar 25 mijë veta të pushkatuar në Serbi, pa Vojvodinën e Kosovën. Vetëm në Vojvodinë, në vitin e parë pas të ashtuquajturit çlirim, janë pushkatuar mbi 45 mijë veta, kryesisht gjermanë dhe nëntë mijë pjesëtarë të kombësisë hungareze”.
Në raportin e këtij komisioni thuhet se në çdo fshat të Serbisë, civilët kryesisht u pushkatuan pa gjyq.
Për pushkatimet e shqiptarëve që bëri OZN-a në Kosovë nuk jepet akoma asnjë shifër. Në një fotokopje të këtij raporti gjenden pak emra myslimanësh që janë shkruar keq dhe me prapashtesën “viq”, por autorët e shënimit thonë se ata mund të kenë qenë shqiptarë të Kosovës.
Shteti i tashëm serb thuhet se mezi arriti të formojë “Komisionin …” për mbetjet mortore të të pushkatuarve pas 12 shtatorit të vitit 1944, për të përcaktuar numrin e saktë të viktimave të dhunës së komunistëve.
Këtë komision Qeveria e Serbisë e formoi me 9 korrik të vitit 2009 dhe vetëm më 29 prill të vitit 2010 merr vendim për të hequr shenjën “sekret”, por si zakonisht kjo nuk vlen për shqiptarët e Kosovës – edhe për gjermanët, hungarezët, rumunët e bullgarët e pushkatuar të cilën gjë e kanë kërkuar shtetet përkatëse. Vet kryetari i Gjermanisë ka kërkuar listën e gjermanëve të likuiduar nga OZN-a. Këtë kërkesë e kanë bërë edhe Hungaria, Rumania e Bullgaria (vetëm Shqipëria nuk përmendet, e po ashtu as Kosova në këtë rast).
Pas kësaj date, anëtarët e Komisionit morën leje për të parë dokumentet nëpër arkivat e shtetit jugosllav. Kështu, në Arkivin e BIA-s gjetën urdhrin me numër 1253 të datës 18 maj të vitit 1945, me të cilën Ministria e atëhershme e Punëve të Brendshme e Jugosllavisë përshkruan lokacionet e varrezave masive “të armiqve të popullit” që duhet të mbahen sekret.
Sipas dokumenteve që ka gjetur ky Komision, të gjitha pushkatimet ishin bërë sipas planit, me direktivë dhe vendim të krerëve të atëhershëm, krahas listave të detajuara të emrave “të armiqve klasorë e politikë” që duhet të likuidohen. Shumë nga ato lista janë gjetur nga komisioni. Shkaqet për pushkatimin e tyre thuhet se ishin kryesisht ideologjike. Mirëpo, nga dokumentet shihet se viktima ishin ata që ishin evidencuar si “armiq të popullit” për pasurinë e të cilëve ishin të interesuar komunistët. Por, në arsyetimin e OZN-së thuhet se këta njërës janë pushkatuar pasi kishin ndryshuar identitetin e tyre. Kështu, për shembull, i likuidua Radisav Radiqi nga fshati Donja Mutnica, vetëm pse kishte pasur emër të njëjtë ashtu si kryetari i Këshillit lokal çetnik të Ravna Gorës. Megjithëse OZNA kishte vërtetuar se Radiqi është pushkatuar gabimisht, atë e kanë riregjistruar në listën e të vrarëve të cilën e ka gjetur Komisioni. Thuhet se edhe ashtu viktima ishte armik i pushtetit të kohës, që ishte formulim i zakonshëm për të gjithë personat e pushkatuar për shkak të ndryshimit të identitetit.
Në mesin e të pushkatuarve, siç shihet në dokumente, kishte edhe fëmijë, pasi paralel me emrin e tyre në listat e gjetura shkruan se ishin pjesëtarë të lëvizjes së jobashkëmendimtarëve, apo në të shumtën e rasteve ishin thjesht anëtarë të familjes së gjerë të pjesëtarëve të familjes mbretërore jugosllave. Në mesin e të pushkatuarve kishte edhe gra për të cilat në dosje shkuar se ishin “spiune” dhe “prostituta”. Në shumë raste, në dokumente përshkruhet si dëshmi edhe pasuria e tyre e cila konfiskohej menjëherë.
Po ashtu, Komisioni ka gjetur edhe librat me emrat e të pushkatuarve që mbante OZNA, në të cilat theksohet emri i qarkut përkatës prej nga ishin ata njerëz që u likuiduan pa gjyq.
Komisioni ka gjetur raportin e divizionit 47 të stacionuar në Çupri të datës 15 nëntor 1944, në të cilin shkruan:
“Për të përmbushur detyrat e parashtruara nga Partia, duhet të punojmë si mjeshtër të profesionit. Duhet ta zhdukim reaksionin vendas të tradhtarëve”.
“Kam vërejtur se pushkatimet nuk po kryhen me sekretin që duhet”, thotë në një urdhër me shkrim drejtuar OZN-së në Zagreb, Aleksandër Rankoviqi.
Është ruajtur edhe një raport i Brigadës Kroate KNOJ që ia ka dërguar OZN-sl në korrik të viti 1945, e të cilin e kanë publikuar historianët kroatë. Në të përshkruhen metodat e likuidimit të “armiqve të popullit”.
Në raportin e Komisionit gjenden edhe dëshmi të shumë anëtarëve të familjeve të të likuiduarve që thonë se OZNA në shumë raste edhe i ka gënjyer për zhdukjen e të afërmeve të tyre. Përmenden edhe emrat e dëshmitarëve që tregojnë se si OZNA iu ka thënë se i zhdukuri ka shkuar në Rusi, se i zhdukuri është lajmëruar nga Voroshillovi, nga Sibiri, nga Triesta e Italisë, apo edhe është në punë të detyrueshme në minierën e Borit. Shembull tjetër është apeli i qytetarëve të Vllasotnicës të cilët thërrasin që të ndalet lufta vëllavrasëse. “Por, të gjithë nënshkruesit e apelit i pushkatojnë sapo hyjnë partizanët në qytet”, thotë historiani Sërxhan Cvetkoviq, sekretar i Komisionit. Të gjitha dokumentet janë të shkruara me dorë dhe u janë dërguar disa komandave lokale të qarqeve. Këto lista më vonë janë radhitur në makinë shkrimi dhe janë sistemuar e lidhur me rregull në arkiv.
Koordinatori i Qeverisë serbe për marrëdhënie me publikun dhe sekretari i Ministrisë së Drejtësisë Sllobodan Homen, i kishte deklaruar Qendrës për Gazetari Hulumtuese në Serbi se qëndrimi i Qeverisë është pajtimi i popullit serb dh pranimi i faktit se ka pasur vëllavrasje. Sipas tij, Qeveria nuk ka për qellim të merret me përcaktimin e përgjegjësisë, por publikimin e të dhënave konkrete që njëherë e përgjithmonë t’i vihet pikë këtij problemi të luftës mes veti. “Ky është parakusht që duhet përmbushur të gjitha vendet që synojnë të bëhen anëtare të BE-së”, thotë Homen. “Ballafaqimi me të kaluarën është kusht i domosdoshëm, sado që të jetë i rëndë, por të cilin e kanë plotësuar të gjitha vendet anëtare të tashme të BE”.
Deri tash komisioni ka evidencuar 200 varreza masive anembanë Serbisë dhe ka verifikuar 23 lokacione. Nga dhjetëra mijëra civilë, deri tash janë evidencuar emrat e 25 mijë njerëzve të pushkatuar pa gjyq.
Në dokumentet e kohës, theksohen edhe ekzekutorët urdhërdhënës, si OZNA e diku-diku edhe ndonjë njësi e Korpusit të Mbrojtjes Popullore të Jugosllavisë. Ka edhe raporte të njësive të formuara me 15 gusht 1944 të destinuara posaçërisht për qërim hesapesh me “armiqtë e popullit”, të cilat kanë kryer ekzekutimin masiv me arsyetimin se këtë nuk e kanë bërë krye në veti.
Komisionet e formuara në Slloveni e në Kroaci për ketë qellim thonë se të gjitha ekzekutimet janë bërë me urdhrin e Titos, pasi ai ishte komandant suprem.
Dokumentet e gjetura zbulojnë edhe emra konkret të atyre që jepnin urdhra dhe dinin çka po ndodhë në terren. Në librin e tij, Vlladimir Dedier thotë se likuidimet masive kanë ndodhë deri në çastin kur vet Tito, në vjeshtë të vitit 1945, në mbledhjen e Komitetit Qendror të Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë (KQ i LKJ), thotë: “Mjaftë më këto vrasje, pasi dënimi me vdekje nuk ka kurrfarë efekti”.
Kryetari i Komisionit, Sllobodan Markoviq, thotë se dihet kush jepte urdhra. Për shembull, thotë ai, më 28 tetor 1944, Koça Popoviqi e Peko Dapçeviqi kanë deklaruar se drejtësia përfshin edhe hakmarrjen.
Urdhrat për pushkatime në të gjitha republikat dhe krahinat kanë ardhur nga shefi i atëhershëm i OZN-së, Aleksandër Rankoviqi, i cili ishte anëtar i shtabit suprem të Ushtrisë Nacionalçlirimtare të Jugosllavisë, sekretar i KQ të LKJ-së, si dhe një nga zëvendësi i tij, Svetislav Stefanoviq – Çeça. Në Kroaci është gjetur urdhri i Rankoviqit për likuidimin e “armiqve të popullit”. Në urdhrin e Rankoviqit për OZN-në në Zagreb thuhet se puna e OZN-së aty nuk është e kënaqshme; se për dhjetë ditë pas çlirimit në Zagreb janë pushkatuar vetëm 200 “banditë”. “Na befason pavendosmëria juaj për spastrimin e Zagrebit nga banditët. Po punoni kundër urdhrave tonë, me të cilët kemi thënë të qëroni hesapet në mënyrë energjike, pa vonuar, që në ditët e para”, ka thënë ai.
Historiani Cvetkoviq thotë se OZN-a është formuar me 13 maj 1944 në Dërvar (ndërsa për Serbi në qershor 1944, në Vis) me kompetenca policore dhe se është organizuar sipas modelit sovjetik duke u drejtuar nga një qendër për krejt Jugosllavinë. Pjesëtarët e saj janë trajnuar nga specialistët e NKVD-ja sovjetike.
Për Serbi, shef i OZN-së ishte Sllobodan Peneziq – Kercun. OZN-a pastaj ndahej në katër seksione. Shef i seksionit të parë ishte Mille Millatoviq, i të dytit Radovan Gerkoviqo, i të tretit Sllobodaan Krstiq – Uço dhe i të katërtit Svetolik Lazareviq. Urdhrat pastaj kanë shkuar nëpër komandat e rretheve. Më i rëndësishmi ishte ai i Beogradit, shef i të cilit ishte vet Kercuni. Ai emëron zëvendës të tij Millosh Miniqin, i cili më vonë u bë prokuror shteti, e pas tij në atë detyrë vjen Velko Miqunoviqi i cili shumë shpejt mori detyrën e shefit të OZN-së për Mal të Zi. Atë e zëvendëson, në vitin 1945, Jovo Kapixhiqi, që lavdërohej për vrasjen e njerëzve pa gjyq. Ai thotë se “nuk kemi pasë mëshirë ndaj “armiqve të shtetit”; nuk kemi pas as rregulla as ligj; kemi vendosur vetë”. “Nuk më duhet asnjë pajim me askënd”, ka thënë ai në një intervistë për gazetën “Blic” të Beogradit, më 17 shtator 2009, duke shtuar se ka vrarë edhe të burgosurit gjermanë, për çka ka reaguar edhe Ambasada gjermane duke kërkuar verifikimin e këtyre fjalëve.
Profesori Dimitrie Gjorgjeviq nga Katedrën e Historisë të Universitetit Santa Barbara të Kalifornisë, i cili gjatë luftës ishte i internuar në kampin nazist “Mathauzen”, në librin e tij “Vrragë dhe vërejtje” (“Ožiljci i opomene”) përshkruan tmerret në burgjet e Serbisë, pasi e kishte burgosur OZN-a në vjeshtë të vitit 1945. “Për të pushuar pak nga dhuna e tmerri, i shkaktova vetvetes ndezje të mushkërive, duke qëndruar disa herë lakuriq në borë. Kisha temperaturë dhe refuzova të shkojë atje ku më merrnin në hetime. Me dërguan me dhunë, ashtu të sëmurë”, shkruan ai dhe vazhdon se qelitë ishin të stërmbushura aq sa nuk kishim as vend për t’u ulur. Për shembull, në Beograd, në fund të viti 1945, në Rrugën “Deligrad” Nr. 40 ishin 800 të burgosur që ishin vendosur në entin e shurdhmemecëve, pikërisht në kohën kur Rankoviqi kishte thënë publikisht se në Jugosllavi ka 800 të burgosur politikë. Për numrin e të burgosurve ka shumë shënime, por thuhet se disa që kishin mbijetuar kampet naziste i transferuan në ato komuniste. /Telegrafi/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëKush e hartoi alfabetin e gjuhës shqipe?
Historia e shqiponjës dykrenëshe, flamurit kuqezi dhe himnit shqiptar
ASHIK QERIBI
Fjalë të urta popullore: Edhe diell të bëhesh, të gjithë nuk i ngroh dot!
Konfiteori i artistit
Fjalë të urta angleze: Miku në pushtet është mik i humbur
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
Shfaqen pamjet e para të sulmeve me raketa britanike në Rusi
Shpërthen TikTok-u, Sara Kolami ia konfirmon Drilonit pëlqimin për të
Pyetet për rezervat shtetërore, ministrja Hajdari i thotë gazetarit "Mbylle këtë temë", Vishaj: "Kur e mbylli, vendosi unë"
"Vetëm me Kosovën jo" - kapiteni i Rumanisë nuk do më përballje me Dardanët
Franco Foda në skaner për Ligën e Kombeve: Çfarë ndryshoi, sa lojtarë luajtën, kush debutoi dhe ku gaboi te Kosova
Hoxha për debatin Peci - Pacolli: Ministrat paguhen për të dhënë llogari, përmendja e hetimit për vrasje, e papranueshme