Serbi i rrëmbyer brenda Kosovës, Osmani: Provokim i rëndë nga Serbia, ambasadori Jashari nuk po lejohet që ta vizitojë Vukashinoviqin

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka reaguar sërish lidhur me serbin Millan Vukashinoviq, i cili u plagos e u rrëmbye nga xhandarmëria serbe brenda territorit të Kosovës.
Ajo në një deklaratë për media tha se qytetari i Kosovës, serbi Vukashinoviq është në gjendje të rëndë shëndetësore dhe se për ta parë atë nuk është lejuar ambasadori i Kosovës në Beograd, Jetish Jashari.
“...Sipas të dhënave kadastrale, ajo është pjesë e territorit të Republikës së Kosovës... Sa i përket informatave të deritanishme që kemi nga institucionet e sigurisë, ju e keni parë edhe deklarimin e Policisë së Kosovës është se ka qenë brenda territorit të Kosovës. Por, përtej kësaj, pavarësisht se ku të ketë ndodhur kjo, prapëseprapë është krim dhe është provokim i rëndë, është tentim vrasjeje i institucioneve shtetërore të Serbisë ndaj një qytetari të Republikës së Kosovës”, u shpreh e para e shtetit.
Sipas saj, edhe sikur të kishte ndodhur brenda territorit të Serbisë, gjë që nuk është e vërtetë, përsëri është provokim i rëndë në kundërshtim me synimet për paqe dhe stabilitet afatgjatë në rajon, gjë të cilën Serbia vazhdimisht e rrezikon.
Osmani tutje shtoi se lidhur me këtë rast është në komunikim me përfaqësues të shteteve të QUINT-it.
“...Po ashtu, përfaqësuesi ynë në Beograd, ambasadori Jashari, ka tentuar ta vizitojë disa herë të plagosurin, mirëpo nuk është lejuar nga ana e spitalit. Informatat që kemi janë se ai është në gjendje të rëndë shëndetësore”, tha presidentja.
Ajo njoftoi se janë në komunikim edhe me familjarët e të plagosurit si dhe dëshmitarët që e kanë parë ngjarjen. /Telegrafi/


































