Siç shkruan gazeta Zëri, një shtesë e tillë që kapte shumën prej 50 % të pagës, serbëve u është paguar 7 vjet me radhë.

I ashtuquajturi ministër serb për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Goran Bogdanovic ka theksuar se me këtë vendim nuk do të ndryshohet asgjë e rëndësishme në përpjekjet e Serbisë për të vazhduar luftën për ruajtjen e Kosovës.


Po ashtu, edhe sekretari shtetëror në të ashtuquajturën ministri për Kosovën, në Qeverinë e Serbisë, Oliver Ivanovic thotë se vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk mund të injorohet, por nënvizon se nuk mund të injorohet as fakti që serbët në Kosovë nuk i kanë kushtet e njëjta të punës me punëtorët në Serbi.

Ndërkohë, lideri i të ashtuquajturit Këshill nacional serb për veriun e Kosovës, Milan Ivanovic thotë se heqja e fondit shtesë për Kosovën ka ardhur si rrjedhojë e presioneve të Uashingtonit dhe Brukselit mbi Qeverinë e Serbisë.

Ndryshe, llogaritet se mbi 45 mijë punëtorë serbë të Kosovës, të cilët kryesisht ishin të angazhuar në punë nëpër shkolla, spitale e deri te organet e administratës paralele, për 7 vite kanë pranuar paga dhe shtesa nga fondi i Serbisë për Kosovën.

Për më gjatë se dhjetë vjet, pjesa dërmuese e komunitetit serb ka refuzuar të integrohet në sistemin legal të Kosovës dhe kryesisht ka qenë e orientuar kah institucionet paralele të Serbisë.

Këto institucione jo vetëm nga autoritetet e shtetit të Kosovës, por edhe nga prania ndërkombëtare në shumicën e rasteve cilësohen si ilegale, pasi funksionojnë jashtë sistemit juridik të Kosovës. /Telegrafi/